Operacioni/ Arrestime në gjyqësor, prangoset shoferi i Gjykatës së Apelit me 20 mijë euro ryshfet

0
153

 

 Artan Cena

 arrest korrupsionPolicia e Vlorës ka prangosur gjatë mesditës së djeshme Robert Petoshatin, shofer në Gjykatën e Apelit dhe Gjolek Xhaferi, i cili kishte dhënë paratë për favorizuar vëllanë

Shoferi i Gjykatës së Apelit në Vlorë është vënë në pranga së bashku me vëllanë e një të pandehuri, për shkak se ishin duke dhënë një ryshfet prej 20 mijë eurosh. Robert Petoshati, i cili është shoferi i gjykatës, është vënë në pranga në momentin që ishte duke marrë një sasi të madhe parash, prej 20 mijë eurosh nga 44-vjeçari Gjolek Xhaferri. Ky i fundit do të jepte këtë shumë parashë me qëllim që një trupë gjyqësore të jepte një vendim në favor të vëllait të tij. Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona për korrupsion pasiv. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është vënë në pranga shoferi i Gjykatës së Apelit, Robert Petoshati, në momentin që ishte duke marrë një sasi të madhe parash nga 44-vjeçari Gjolek Xhaferri. Xhaferri i ka dhënë një sasi prej 20 mijë eurosh dhe 100 mijë lekë Petoshatit. Dyshohet se këto para do t’i jepeshin trupit gjykues për zgjidhjen e çështjes në favor të vëllait të Gjolek Xhaferrit. Ata janë arrestuar në flagrancë, në një lokal pranë Gjykatës së Apelit të Vlorës.

 

Operacioni i policisë

Prej disa javësh kishin nisur hetimet në lidhje me faktin se Gjolek Xhaferri nga Tepelena do të jepte një shumë të madhe parash me qëllim që vëllai i tij të mos dënohej shumë për akuzat që ishin ngritur ndaj tij. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës, bënë të ditur se në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit është bërë i mundur arrestimin në flagrancë në një lokal pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, i dy personave. Të arrestuarit janë: Gjolek Q. Xhaferi, 44 vjeç, lindur dhe banues Kalivaç-Tepelenë dhe Robert Xh. Petoshati, 53 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, me profesion shofer në Gjykatën e Apelit, Vlorë. Arrestimi i këtyre personave është bërë në momentin kur Gjolek Xhaferi, i dha shumën prej 20 mijë Euro dhe 100 mijë lekë, shtetasit Robert Petoshatit. Shuma dyshohet se do t’i jepej trupit gjykues për zgjidhjen e çështjes në favor të vëllait të Gjolek Xhaferrit. U krye arrestimi i këtyre personave për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksioneve të tjera të drejtësisë, në bashkëpunim”. Policia ka bërë të ditur është duke vazhduar hetimet për të zbardhur se kush do të merrte paratë.

 

Gjytarët e arrestuar

Dy gjyqtarë janë vënë në pranga ditët e fundit. I pari që u arresua ishte Rasim Doda, gjyqtar i Sarandës i cili kishte kërkuar 80 milionë lekë për të dhënë një vendim të favor të njërës palë që kishtë një një gjyq. Pas tij, dy ditë më parë një tjetër gjyqtare është vënë në pranga, pasi është kapur në flagrancë duke marrë një shumë prej 200 mijë lekësh në lidhje me një çështje që kishte në administrim. Burime nga policia thanë se në pranga është vënë gjyqtarja Parashqevi Ademi. Bashkë me të është vënë në pranga edhe avokati, Gjovalin Prendi. Denoncimin në polici mësohet se e kishte bërë një qytetar i cili kishte një çështje me gjyqtaren Ademi. Gjatë operacionit të policisë është gjetur edhe shuma e parave. Në lidhje me gjyqtaren Ademi pritet edhe një vendim i KLD-së se si do të zhvillohet çështja me të.

 

 

Prokuroria: Arben Frroku të dënohet burg përjetë për vrasjen e Lamajt

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda është njohur me konkluzionet e Prokurorisë, sipas të cilave Arben Frroku duhet të dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2013. Sipas Prokurorisë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë që shpalli të pafajshëm Frrokun duhet të anulohet dhe për ketë të merren për bazë deklarimet e dëshmitarit të mbrojtur. Në argumentet e organit të akuzës thuhet se në deklarimet e dëshmitarit të mbrojtur ka fakte, të cilat provojnë katërçipërisht akuzën mbi Frrokun, por edhe të dhëna të cilat janë ne përputhje me ngjarjen. Vetë i akuzuari për vrasjen e Komisarit të policisë nuk ishte i pranishëm në seancën e pretencës, ndërsa avokati Tonin Prendi kërkoi kohë për të shpallur pretendimet e mbrojtjes. Seanca e radhës me faktet e mbrojtjes do të mbahet më 22 qershor dhe më pas trupi gjykues do të shprehet me një vendim.

 

Shqiptari e thyen rekordin, vjedh 16 banesa pa u kapur

 Policia e Athinës ka arrestuar dje një 30-vjeçar shqiptar për vjedhjen e 16 banesave dhe tentativën për vjedhje të 3 shtëpive të tjera në lagjen ‘Iraklio’. Sipas hetimeve të policisë së kryeqytetit grek rezultoi se shqiptari kishte vjedhur sende me vlerë më shumë se 40 mijë Euro në 16 banesat. Policia sekuestroi para, bizhuteri, pajisje elektro-shtëpiake, laptopë dhe kamera. 30-vjeçari shqiptar u arrestua kur po tentonte të vidhte banesën e një 59-vjeçari, por u diktua nga pronari i shtëpisë. Ai menjëherë u largua për t’i shpëtuar autoriteteve, por u kap disa çaste më vonë. Nga hetimet paraprake, shqiptari i kishte kryer vjedhjet në harkun kohor nga Janari i 2015 deri në 11 qershor të 2015 duke shënuar rekord të vjedhjeve të banesave prej 16 të tilla. Hetimi i policisë vazhdon për të zbuluar nëse rastet e vjedhjeve janë më të shumta dhe nëse janë të përfshirë edhe persona të tjerë në këtë veprimtari kriminale.

 

Grabitet me armë banka në Shijak, autori merr 1 milion lekë

 Një tjetër filial banke i nivelit të dytë grabitet me armë. Këtë radhë ngjarja në qytetin e Shijakut. Gjatë paradites së djeshme një person i maskuar dhe i armatosur me pistoletë ka hyrë më shpejtësi në ambientet e bankës dhe nën kërcënimin e armës ka marrë lekët që ndodheshin në arkë. Dëshmitarët i pohuan policisë se agresori ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve dhe në një kohë të shkurtër ka marrë 100 mijë lekë. Ndërsa të gjithë ishin të shokuar e të frikësuar nga kërcënimi me armë, grabitësi ka dalë nga banka dhe është larguar në rrugicat e lagjes. Sipas policisë autori është rreth 170 centimetra gjatë, i veshur me bluzë ngjyrë të kuqe, pantallona xhins dhe lëviz në këmbë. Forca të shumta të policisë rrethuan zonën, si dhe ngritën postblloqe, në daljet e Shijakut, kryqëzimet hyrëse të Durrësit, si dhe në autostradën Durrës-Tiranë. Gjatë këtij viti janë regjistruar dy grabitje bankash në Tiranë dhe një tentative e dështuar në qytetin e Korçës. Në kryeqytet maskat morën në mes të ditës në rastin e parë rreth 7 milionë euro, ndërsa në të dytin, rreth 1 milionë lekë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here