Takimi me emigrantët në Athinë/ Goro: Mirënjohje dhe krenar që jam njëri prej jush, program fitues për Himarën evropiane

0
145

 

jorgo goroKandidati i majtë për Bashkinë e Himarës, Jorgo Goro, zhvilloi dy ditë më parë një takim në kryeqytetin grek, Athinë, me emigrantët që jetojnë në këtë qytet, ku shpalosi programin duke premtuar zgjidhjen e të gjitha problemeve të komunitetit. Në takimin ku Goro shoqërohej nga kandidatët e majtë për kryetarë bashkie në zonat jugore të vendit si Florjana Koka e Sarandës dhe Shuaip Beqiri për Konsipolin, kandidati për Himarën u bëri thirrje emigrantëve që të shkojnë e të hedhin votën në zgjedhjet e 21 qershorit. “Emigrantët janë aksionerë që ndihmojnë ekonominë e Shqipërisë, dhe prandaj duhet të kenë kontributin e tyre në vendimmarrje”, – tha ai. Vetë emigrantët, vlerësuan kandidaturat, kryesisht për faktin se i ka caktuar forca politike që ata përkrahin. Një pjesë e mirë e emigrantëve të pranishëm janë shprehur se do të shkojnë të votojnë, me qëllim siç thanë, të dëshmojnë se, edhe pse janë larg atdheut, ata nuk qëndrojnë të shkëputur nga jeta dhe zhvillimet madhore në Shqipëri. Ndërkohë dje Goro shprehur mirënjohjen e tij ndaj emigrantëve që jetojnë në Greqi ku tha se ishte krenar që kishte qenë njëri prej tyre. “Ishte vërtet një moment shume i bukur dhe emocionues për mua te ritakohesha me himarjotet e mi në Athinë sërish për te prezantuar programin fitues te Himarë Evropiane. Takimet ne Greqi vazhdojnë kudo ku punojnë dhe jetojnë emigrantet tanë. Unë kam qene dhe do te jem me krenari njeri prej jush. Kurrë se kam mohuar dhe kurrë nuk do ta mohoj ndaj përulem me respekt para sakrificës tuaj për te punuar larg shtëpisë, lagjes dhe qytetit ku ne u rritem. Mirënjohje”, – shkruante Goro në rrjetin social “FB”.

 

Veliaj: Do bëjmë audit në Bashkinë e Tiranës, të gjithë tenderët e minutës së fundit anulohen

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi dje se pas zgjedhjeve vendore nëse ai do të marrë postin e kryebashkiakut çdo punonjës i Bashkisë se Tiranës, i cili ka abuzuar me detyrën, do të përballet me forcën e ligjit. Në prezantimin në sheshin “Nënë Tereza” programin për transportin publik dhe parkingjet, Veliaj theksoi: “Dua të premtoj publikisht se gjëja e parë që do të bëjmë është një audit në Bashkinë e Tiranës dhe të gjitha Komunat. Për të gjithë padrejtësitë që kanë ndodhur, për të gjithë tenderët e minutës së fundit, për çdo padrejtësi që është shkaktuar nga punonjës të policisë bashkiake dhe të gjithë gangsterët që uniformën e Bashkisë e kanë përdorur si kërbaç në kurrizin e qytetarëve”. Në mbështetje të Veliajt ishte edhe ministri i Brendshëm Tahiri, i cili theksoi mungesën e bashkëpunimit që ka pasur Bashkia me Ministrinë që ai drejton. “Me një gjë që ka munguar që ka qenë bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës. Me shumë gjasë, Bashkia e Tiranës nuk e ka konsideruar prioritet sigurinë e qytetarëve deri më sot, është kjo arsyeja që nuk ka gjetur vullnetin të bashkëpunojë me ne”, – u shpreh Tahiri. Nga ana tjetër, kandidati i majtë bëri publike kontratën e tij me qytetarët e Tiranës, ku tha se do të përshpejtohen punimet për realizimin e menjëhershëm të Unazës së Madhe. “Ne do të hartojmë masterplanin e Tiranës, ne do të bashkëpunojmë me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për zhvillimin e mëtejshëm të qendrës së menaxhimit të trafikut, ne do të rikonceptojmë totalisht linjat e autobusëve në Tiranë, ne do rikthejmë korsitë e dedikuara për transportin publik që u shkatërrua në katër vitet e fundit”, – theksoi Veliaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here