Në Malësinë e Madhe/ Basha: Keqqeverisja zhyti vendin në varfëri, do të ulim taksat

0
101

Jetmir Olldashi

Basha Në Malësinë e Madhe“Oferta e Partisë Demokratike propozon 25% ulje të çmimit të energjisë dhe faljen e kamatëvonesave për të gjithë shqiptarët”

“Me votat tuaja do të ulim çmimet dhe taksat, do të rrisim mirëqenien duke hapur vende të reja pune”. Me këto fjalë kryetari i Partisë Demokratike i është drejtuar dje banorëve të Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Bushatit. Ai shigjetoi dyshen Rama dhe Meta, duke i akuzuar se po bëjnë çdo gjë për t’i ikur ballafaqimit, se ata e dinë që i kanë rritur taksat. Basha: “Më 21 qershor, me votën e shqiptarëve, të ulim taksat, të ulim çmimin e energjisë, të ulim çmimin e naftës dhe t’i japim mundësi biznesit të hapë vende pune, të shtojë të ardhurat. Vetëm këto mund ta hapin prapë këtë qepen, vetëm këto mund ta hapin perspektivën, me punë dhe dinjitet”.

Tregtarët thonë se qytetarët marrin me listë që nga ushqimet e deri tek veshmbathjet. Kjo gjë ka vënë në vështirësi shumë tregtarë, të cilët kanë vendosur të mos japin më me listë. Shumë biznese kanë shkuar drejt falimentimit dhe qindra qytetarë kanë marrë rrugët e emigrimit. Shqetësim për banorët ishin edhe faturat abuzive të energjisë elektrike.

Oferta e Partisë Demokratike propozon 25% ulje çmimin e energjisë dhe faljen e kamatë-vonesave për të gjithë shqiptarët.

Përballë tentativave për blerje votash, një shkodran ka dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët: “I bëj thirrje gjithë popullit të Shkodrës e popullit shqiptar, s’ka të majtë e të djathtë, fukarallëku është i njëjtë për të gjithë. Nuk duhet me e shit votën, se e pamë 20-mijëlekëshin a 30-mijëlekëshin ku na çoi”.

Kryetari i Partisë Demokratike vazhdoi në fjalën e tij duke pasur në qendër akuzat ndaj dyshes Rama-Meta. Rritja e varfërisë, e taksave dhe papunësisë po sjellin çdo ditë dëshpërimin e shqiptarëve. Si në çdo takim tjetër, zoti Basha ka dëgjuar me vëmendje qytetarët, të cilët shohin tek opozita ngritjen dhe ndryshimin e gjendjes ekonomike. Sipas zotit Basha, keqqeverisja, rritja e kriminalitetit dhe korrupsioni i lartë janë arsyeja kryesore e zhytjes së vendit në varfëri dhe dëshpërim. Me votën masive të 21 qershorit do t’i jepet një sinjal i fortë mazhorancës për të ulur taksat, uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe faljen e kamatëvonesave. Partia Demokratike u ka kërkuar qytetarëve ta kthejnë në një votë referandare votën e 21 qershorit.

Voltana Ademi udhëheq kryqëzatën e demokratëve në Bashkinë e Shkodrës, ndërsa Anton Koka në Malësinë e Madhe. Të njohura si dy bastione të sigurta të se djathtës PD ka kërkuar votën edhe për këshillat bashkiakë, duke synuar një fitore të thellë dhe të dyfishtë në këto dy njësi.

 

Njësia 2 dhe në Farkë/ Kosova: E kam merak kafen me Ramën, i sigurt se do më thërrasë

Turi i kandidatit të djathtë Halim Kosova për të prezantuar planin e detajuar për Tiranën nisi dje nga njësia 2 e deri në Farkë, ku ai bëri të ditur planet për rrugë të reja, gjelbërim, kopshte. “Jam i sigurt që të gjithë ju dhe mijëra të tjerë do të më besoni kur ta bëj këtë, edhe për faktin që të hënën kam shpjeguar me zemër dhe me shpirt arsyen përse jam këtu para jush. Plane dhe projekte mund t’i bëjë çdo njeri dhe ne jemi bërë specialistë për të bërë letra, por problemi që atë letër ta bësh realitet për qytetarët është një lloj sekreti, që nuk e ka çdonjëri”, – tha ai. Ndërkaq, pas ftesës për kafe për Kryeministrin dy ditë më parë dhe kur ende nuk ka përgjigje prej tij, Kosova deklaroi dje se nuk i ka humbur shpresat. “Dua t’i them vetëm të mos ma vonojë atë kafen, le ta caktojë atë dreq dite, sepse e kam merak për ta sqaruar. Me të vërtetë e ka ai burrë që, po të jetë socialist kryebashkiaku i ardhshëm do ta ndihmojë dhe po të jetë demokrat do ta groposë? Kjo më duket e pabesueshme, por them që e ka shaka elektorale, siç kishte mjekësinë falas e shumë gjëra të tjera. Megjithatë, këtë do ta sqaroj përpara datës 21 dhe të jeni të sigurt që do të më thërrasë për kafe”, – deklaroi kandidati i djathtë, i cili premtoi nga ana tjetër se si kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk do të bëjë dallime partiake mes banorëve të kryeqytetit. “Të majtë, të djathtë, të varfër e të pasur, çdo gjë që do ta bëjmë, do ta bëjmë për banorët e Tiranës, për Tiranën kryeqytet të të gjithë shqiptarëve”, – tha Kosova.

 

Alibeaj: E majta ju ka braktisur, reagim përmes votës

“Imazhe të realiteteve të njëjta dhe fate të ngjashme të banorëve fierakë në çdo fshat e komunë ku kemi shkelur… Në fshatin Lalar dallohen qartë gjurmët e braktisjes: ujëra të zeza mbi tubacionet e ujit të pijshëm, rrugë të pashtruara, mungesë e shërbimit shëndetësor, familje pa tokë që nuk marrin asnjë lloj ndihme nga shteti, një shkollë 9 vjeçare pa oborr e territor përreth… Ka vetëm një mënyrë për ta ndryshuar këtë realitet: Reagimi qytetar përmes votës së 21 qershorit, për një të nesërme më të mirë”.

 

Korçë, Mero: Mos u gënjeni nga çakulli elektoral

Në lagjen 17, kandidati Gjergji Mero pa nga afër mungesën totale të investimeve publike nga Bashkia në tetë vite të pushtetit lokal. Këto çështje ai i trajtoi me shumë banorë që takoi nëpër rrugët e zonës, të cilët i shprehën kandidatit pakënaqësinë e madhe për braktisjen dhe shpërfilljen ndaj tyre. Kandidati Mero tha se gjatë këtyre dy javëve po hidhet çakull elektoral, për t’u mbushur mendjen banorëve se Bashkia kujdeset për ta. Duke ecur nëpër rrugë me gropa të lëna pas dore nga investimet e Bashkisë, kandidati Mero vuri në dukje se banorët korçarë nuk janë trajtuar me respekt e dinjitet të barabartë në këto tetë vite. Ai tha se lagjet e harruara do të jenë në krye të rendit të punëve të Bashkisë së re. Vetë banorët u shprehën se tek kandidatura e Gjergji Meros shohin qytetarinë me vlera të Korçës që mban fjalën e dhënë. “Për mua nuk ka lagje të djathta dhe të majta, por lagje të korçarëve, të gjithë të rëndësishëm për rolin dhe kontributet që i kanë dhënë qytetit”, – u shpreh profesori Mero.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here