Për 21 qershorin/ PD sfidon PS-në: Ju ofrojmë pakt për dekriminalizimin

0
143

Jetmir Olldashi

Oerd BylykbashiBylykbashi: Prej dy javësh PD i ka propozuar mazhorancës ‎nënshkrimin e një pakti mes partive politike për verifikimin e kandidatëve

Prej dy javësh i kemi ofruar një pakt mazhorancës për largimin e individëve me rekorde kriminale nga kandidimi për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Kjo është deklarata e bërë nga Partia Demokratike, e cila vazhdon të këmbëngulë në dekriminalizimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore që do të mbahen në më pak se tri javë. Selia blu, nëpërmjet deputetit Oerd Bylykbashi, bëri të ditur dje se prej dy javësh i ka ofruar një pakt kombëtar shumicës së majtë parlamentare. Pakti i përmbledhur në disa pika konsiston në përjashtimin e kandidatëve me rekorde kriminale nga e drejta për t’u zgjedhur si kryebashkiak në 21 qershor. Deputeti Bylykbashi bëri me dije se prej dy javësh, Partia Demokratike i ka propozuar mazhorancës ‎nënshkrimin e një pakti mes partive politike për verifikimin e kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e 21 qershorit në kuadër të dekriminalizimit dhe largimin menjëherë nga gara të atyre kandidatëve që kanë rekorde kriminale. Përfaqësuesi i partisë më të madhe të opozitës bëri publike katër pika, të cilat do bëjnë të mundur pastrimin e plotë të listave të kandidatëve:

1-  Verifikimin për pasjen ose jo të rekordeve të rënda kriminale, për cilindo nga kandidatët e regjistruar për zgjedhjet e 21 qershorit, nëse një nga subjektet politike nënshkruese të paktit e kërkon këtë;

2-  Përdorimin e gjurmëve të gishtërinjve për çdo rast të kërkuar, me qëllim verifikimin e plotë e të saktë të rekordeve kriminale;

3-  Tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatëve që rezultojnë me rekorde të rënda kriminale ose refuzojnë verifikimin e të dhënave të tyre.

4-  Partia Demokratike është e bindur se dekriminalizimi është mbi të gjitha vullnet politik dhe se nuk jemi kurrë vonë për ta fituar këtë betejë.

Kjo thirrje e Partisë Demokratike vjen pas reagimit të Ambasadës Amerikane, e cila mbështeti fuqimisht selinë blu për tërheqjen e kandidatit të saj për Këlcyrën. Prej një viti dekriminalizimi ka qenë kali i betejës së demokratëve pas dhunës së ushtruar në Kuvend nga dy deputet socialist ndaj deputetit Genti Strazimiri. Deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu goditën kolegun e tyre demokrat pasi në fjalimin e tij i mëshoi faktit që disa individ të dënuar për prostitucion në Itali ishin bërë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë si deputet të Partisë Socialiste. Dy deputetët e majtë e goditën në ambientet e Kuvendit me ç’rast u hap edhe një hetim për goditje për shkak të detyrës. Çështja shkoi në Gjykatën e Lartë dhe së shpejti pritet vendimi i cili mund të rezultojë fatal deri në heqjen e mandatit për deputetët e majtë. Pas largimit të opozitës nga Parlamenti dhe ndërhyrjes së ndërkombëtarëve u vendos nënshkrimi i një marrëveshjeje për hartimin e një ligji për dekriminalizimin e politikës. Rikthimi i opozitës në Parlament u kondicionua me miratimin e këtij ligji. Në media u përfol për një listë me 19 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë të përfshirë me rekorde kriminale në vendet e Bashkimit Evropian.

Partia Demokratike ka bërë gjithmonë publike qëndrimin e saj se shumica e majtë parlamentare po e pengonte në mënyrë burokratike miratimin e këtij ligji. Me nisjen e fushatës zgjedhore të 21 qershorit ambasadorët e vendeve evropiane dhe SHBA-së u bënë thirrje partive polikë të mos kandidojnë individë me të dhëna kriminale. Ishte Partia Demokratike, e cila hodhi hapin e parë për tërheqjen e kandidatit të saj të përfolur si individ me të dhëna kriminale, Gentian Muhameti, nga Bashkia e Këlcyrës. Vendimi i selisë blu solli reagimin e menjëhershëm të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila nëpërmjet një njoftimi për shtyp bëri të ditur se e duartroket vendimin e Partisë Demokratike si një veprim që sjell mundësi të reja dhe i shërben dekriminalizimit të shoqërisë.

Afrimi i zgjedhjeve të 21 qershorit, vendosja e kandidaturave solli në një optikë më të gjerë nevojën për të ndalur ndërhyrjen e kandidatëve të fortë në bashkitë e reja. Me ndarjen e re administrative kryetarët e bashkive fitojnë më shumë pushtet dhe autoritet në njësitë e tyre vendore. Një nga emrat publikë dhe të shumëpërfolur të së majtës është edhe kryebashkiaku aktual i Poliçanit, Adriatik Zotka, i cili kërkon një mandat të katërt në krye të kësaj Bashkie. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë roli i ndërkombëtarëve në ditët që vijnë mbi çështjen e dekriminalizimit. Shpresat e publikut janë për një ndërhyrje të fortë dhe duke vendosur gishtin mbi secilin kandidat për të cilin posedohen të dhëna se janë përzier me veprimtari të jashtëligjshme. Goditja e individëve me rekorde kriminale do të ishte një ogur i mirë dhe një sinjal i qartë për pastrimin e politikës dhe administratës publike nga të tillë elementë.

Në një përpjekje për të fituar mbështetje politike, por edhe për të arritur qëllimin e saj Partia Demokratike i bëri thirrje Kryeministrit Rama dhe mazhorancës të tregojnë vullnetin e tyre politik për të larguar personat me rekorde kriminale nga listat e kandidimit ne zgjedhjet e 21 qershorit, duke nënshkruar pa vonesë këtë pakt politik mes partive dhe duke hapur rrugën për zbatimin e menjëhershëm të tij. Deklarata e djeshme e deputetit Bylykbashi vjen pas disa daljeve për media të eksponentëve të Partisë Demokratike dhe veçanërisht të kryetarit Basha. Në çdo dalje publike i ftuar në studiot televizive kryedemokrati Basha e ka ngritur si një shqetësim të madh, si një çështje e cila prek të ardhmen e vendit. Një parim mbi të cilin ai vetë dhe forca politike që ai drejton do të zhvilloj luftën e saj politike.

 

Precedentët

-Në korrik të vitit 2014 pas një fjalimi mbi përfshirjen e deputetëve të inkriminuar në Kuvendin e Shqipërisë u godit me grushte deputeti Gent Strazimiri nga dy kolegët e tij socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu. Strazimiri dhe Partia Demokratike akuzuan kryesocialistin Rama se po tenton t’i mbyllë gojën opozitës. Prokuroria e Përgjithshme ngriti çështje të cilën e paraqiti para Gjykatës së Lartë. Aktualisht Prokuroria ka lexuar dhe pretencën ku ka kërkuar dënimin e dy deputetëve socialistë nga burgim deri në punë të detyrueshme. Gjykata e Lartë pritet të dalë me një vendim në ditët që vijnë, ku në rast dënimi mund t’u kushtojë mandatin e deputetit Ndokës dhe Ndreut.

-Shpërthimi i akuzave për dekriminalizim përkoi dhe me këmbënguljen e drejtësisë belge për ndalimin dhe arrestimin e ligjvënësit socialist Mark Frroku. Pas fshehjes që i ishte bërë nga Interpol Tirana të shkresave të drejtësisë belge më në fund u bë e mundur publikimi dhe arrestimi i deputetit socialist. Aktualisht Mark Frroku ndodhet në paraburgim dhe pritet një vendim i Gjykatës së Lartë për zhvillimin e procesit penal ndaj tij.

-Një tjetër precedent i rrezikshëm në këto zgjedhje është kandidimi i Fredi Bejlerit nga PBDNJ në Bashkinë e Himarës. I njohur si anëtar i organizatës MAVI, Bejleri është dënuar nga drejtësia greke për masakrën e Peshkëpisë ku një grup paraushtarakësh grek hynë në territorin shqiptar dhe vranë disa ushtarë shqiptarë në një repart ushtarak.

 

KQZ, me dy standarde

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dje disa raste dorëheqjesh të kandidatëve pas mbylljes së afatit zyrtar të regjistrimit. Ndryshe nga rasti i Këlcyrës, kandidatit të pavarur në Memaliaj iu pranua dorëheqja, ndërsa atij të Frontit të Majtë në Kuçovë nuk iu pranua dorëheqja. Tërheqja nga gara iu pranua edhe kandidatit të partisë MEGA në Sarandë, ku ishte anëtari i propozuar nga LSI që bashkoi votat me ata të propozuar nga opozita, që i dha shumicën e votave kësaj dorëheqjeje, ndërsa dorëheqja e kandidatit të së njëjtës forcë politike në Dropull u pranua gjithashtu. Ndërkaq, rasti i kandidatit të PD-së në Këlcyrë u shty për sot pasi KQZ i është drejtuar selisë blu të paraqesë arsyetimin e tërheqjes së të propozuarit të saj nga gara.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here