Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së/ Zannier: Pa standarde në zgjedhje s’ka integrim, shqetësues infiltrimi i elementëve kriminalë

0
109

Gëzim Saliu

basha zannierBasha takon Zannierin: Mazhoranca kërkon të ndryshojë vullnetin e zgjedhësve në zgjedhjet vendore

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, deklaroi dje se shkelja e standardeve në zgjedhjet vendore do të godiste integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në një takim të zhvilluar me kryedemokratin Basha, pasi dëgjoi shqetësimet e Bashës lidhur me ato që ai i cilësoi si tentativa të forta manipulimi nga ana e mazhorancës, Zannier nënvizoi rëndësinë e standardeve në 21 qershor. “Do të merren të gjitha masat që vëzhguesit e OSBE-së të jenë prezent dhe monitorojnë procesin dhe në fund do të ketë një raport të vërtet dhe të detajuar për atë që do të ndodh me 21 qershor. Në qoftë se do të shkelen standardet në këto zgjedhje kjo do të ishte goditje shumë e rëndë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”, – theksoi ai në takimin me kreun e PD-së. Ndërkaq ky i fundit ndau me drejtuesin e lartë të OSBE-së shqetësimin për ato që i quajti përpjekje të vazhdueshme të mazhorancës për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve duke vënë në rrezik standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Kjo mazhorancë e ka dëshmuar me zgjedhjet e Korçës se është shumë larg standardit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pasi u faktua botërisht blerja e votës në Korçë nuk u mor asnjë masë nga kjo mazhorancë që ishte dhe përgjegjësja kryesore e organizimit të skemës së shitblerjes së votës por në mënyrë të paprecedentë ngjarja u amnistua. Me dhjetëra raste janë bërë tashmë publikë të skemës së re të ngritur nga dyshja Rama-Meta, për manipulimin e vota, që nga presioni i hapur ndaj drejtorëve të administratës publike, për të blerë votat dhe për të marrë vota me çdo mënyrë e deri tek falsifikimi i kartave të identiteti e shtimi i votuesve në zona të ndryshme të vendit”, – deklaroi Basha. Më tej, ai bëri të ditur rastin e dy ditëve më parë në Shkodër lidhur me falsifikimin e kartave të identitetit në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit, por shumë shqetësuese tha kreu i PD-së janë edhe tentativat për manipulimin e listave zgjedhore të konstatuara në Durrës dhe në Kavajë, ku janë vendosur fiktivisht qindra qytetarë në lista. Nga ana tjetër Basha ndau me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-s edhe shqetësimin për përfshirjen në listat e kandidatëve të personave me precedent kriminal. “Mazhoranca pasi i ka promovuar në postet më të larta drejtuese në administratë dhe në Parlament i ka kandidat për kryetar Bashkie. Mazhoranca përmes KQZ tenton të eliminojë garën në këto zgjedhje, duke mos lejuar kandidimin në disa zona të disa kandidatëve, aty ku Rama dhe Meta dyshojnë se këto alternativa tërheqin vota të shumicës. Gjithashtu, përmes presioneve ndaj KQZ, mazhoranca përpiqet të eliminojë në tryezë kandidatin e opozitës për Kurbinin duke mos lejuar regjistrimin e tij”, – tha Basha.

 

Takimi me Presidentin

Ndërkohë në takimin e zhvilluar me kreun e shtetit Nishani, zyra e shtypi e Presidencës bëri të ditur se Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së kishte shprehur shqetësime lidhur me infiltrimin e elementëve të lidhur me krimin në administratë si edhe në kuadër të zgjedhjeve lokale të qershorit. Në këtë kontekst Zannier kërkoi që kjo gjë të ndiqet me përparësi si një çështje që përbën problem serioz. Po ashtu ai shprehu gjithashtu shqetësimin e polarizimit të fortë të situatës politike në vend, gjë që mund të dëmtojë avancimin e mëtejshëm të vendit drejt integrimit evropian. Situata në Maqedoni ishte pjesë e diskutimit mes sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së dhe ministrit të Jashtëm Bushati. “Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar është thelbësor për zgjidhjen e çështjeve që e mbajnë peng Maqedoninë drejt integrimit të plotë euroatlantik”, – thuhej në njoftimin e MPJ.

 

Rama në Kuçovë: PD nuk di të drejtojë punët e komunitetit

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje dje qytetarëve nga Kuçova që të mos votojnë kandidatët e opozitës, pasi, sipas tij, “do të marrin në qafë veten dhe komunitetin”. Rama kërkoi votën jo vetëm për kandidatin Selfo Kapllani, por edhe votën për këshillin me qëllim që projektet e Rilindjes të bëhen realitet. Sipas kreut të qeverisë, opozita nuk krijoi asnjë model qeverisjeje vendore, duke sulmuar kryetarin e opozitës se në drejtimin e Tiranës vetëm fjeti gjumë. “Ata nuk dinë dhe kur dinë nuk duan të drejtojnë punët e komunitetit. Në 20 e kusur vite nuk arritën të krijonin një model për të thënë ja si dimë ne të drejtojmë një bashki. Parafytyroni se më të mirin e tyre kanë atë të Tiranës u cili në 4 vjet nuk bëri asgjë. 2 vjet e para, kush ishin ata në qeveri fjeti gjumë dhe kur erdhëm ne zgjohej vetëm për të bërtitur më lini rehat se dua të fle”, – tha ai, duke shtuar se fushata e demokratëve nuk ka asnjë deklaratë për nevojat që ka komuniteti. “Unë s’po kërcënoj njeri por kush do votojë kandidatët e PD-së do marrë veten në qafë dhe komunitetin në qafë. Sepse ata nuk janë për këtë punë dhe nuk vlejnë për këtë punë”, – tha Kryeministri.

 

Basha në Vorë e Petrelë: Mazhoranca i është vërsulur kandidatëve të PD

Kryetari i Partisë Demokratike në vijim të turit elektoral u takua dje me banorët e Petrelës dhe Vorës, ku i solli në vëmendje banorëve premtimet e pambajtura të Ramës 2 vite më parë. “Premtuan që do të hiqnin akcizën e naftës për bujqësinë, premtuan një fond prej 40 milionë dollarësh në vit për bujqësinë. A kanë parë gjë fermerët e Petrelës nga këto fonde? Sa prej jush kanë marrë subvencione në këto dy vite? Ne i çuam propozimet që ju të paguanit më pak kur blini farërat, fidanët, lëndët e tjera të para, propozuam të hiqej taksa e qarkullimit, naftën që përdorni ju dhe këta i rrëzuan pa argument”, – deklaroi ai. Ndërkohë kreu i PD ka dënuar presionin qe po ushtrohet ndaj kandidatëve të Partisë Demokratike ne qytete te ndryshme. “Ditë e natë janë vërsulur me tatimorë, janë vërsulur me xhandarë, janë vërsulur me banditë, u janë vërsulur aktivistëve të opozitës, u janë vërsulur kandidatëve të opozitës, u janë vërsulur punëdhënësve. Asgjë nuk do të na bëni, përveçse do të shtoni vendosmërinë tonë, guximin tonë, bashkimin tonë për fitore, nuk do t’i shpëtoni llogaridhënies, ora e drejtësisë po afron”, – tha ai.

Përballja për Tiranën/ Veliaj: Ushqimi i pashitur i marketeve te shtresat në nevojë. Kosova: Çdo banor i barabartë

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Erion Veliaj, premtoi dje që ashtu si Franca edhe në Tiranë të gjitha ushqimet e pashitura të supermarketeve të dhurohen për bamirësi për familjet në nevojë. Teksa ka risjellë ne vëmendje ato që ai i cilësoi si sukses si Ministër i Mirëqenies Sociale, Veliaj u kërkoi përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme që ta mbështesin edhe kur të jetë në krye te Bashkise. “Duhet të marrim shembullin francez ku ne te kemi një ligj që mund ta bëjmë me Ministrinë e Mirëqenies Sociale ose të kemi një vendim lokal të Këshillit Bashkiak, ku ne të detyrojmë që të gjithë ushqimi i pashitur i supermarketeve të Tiranës të detyrohet të dhurohet për familjet në nevojë”, – tha ai. Ndërkaq kandidati i opozitës për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua dhe pa nga afër kushtet e jetesës së banorëve të komunitetit egjiptian në zonën e njësisë 4 në Tiranë. Në këtë takim Kosova u angazhua që Bashkia do të mbajë detyrimet e saj për çdo banor të qytetit. “Varfëria ekstreme ku njeriu çohet në mëngjes dhe nuk ka çfarë ti japë fëmijëve për të ngrënë jam i sigurt se është një terren i përshtatshëm që mund të shfrytëzohet nga politikanë të caktuar për të blerë votë. Nuk duhet të guxojë njeri të vërë dorë mbi lekun e shtresës më në nevojë që jeni ju. Unë jam i angazhuar që çdo banor të jetë i barabartë në Tiranë”, – deklaroi ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here