Vizita e Vuçiçit dhe varri i Isa Boletinit

0
166

Nga Avni Nezaj

Vizita e Vuçiçit dhe varri i Isa BoletinitAsnjë të keqe nuk ka nëse varret e dëshmorëve të ruhen, të kenë përkujdesje, të stabilizohen dhe të shërbejnë si vende përkujtimi edhe për heroin, por edhe për ato se çfarë ka bërë ai për ta marrë këtë titull dhe këtë nder. Nuk më duket shumë interesante që varri i Isa Boletinit të hapet në Vlorë dhe aty të varrosen dhe kockat e këtij burri të madh të historisë shqiptare.

Dhe nuk e kam këtë mendim për të kundërshtuar nismën e të majtëve të Kosovës dhe të majtëve të Shqipërisë. Jo aspak. Ata kanë të drejtë të propozojnë ç’të duan, por jo për historinë e kombit. A janë konsultuar ata me historianët, sepse Isa Boletini nuk i përket vetëm familjes së tij, por edhe gjithë kombit. Revolta ime prej gazetari vjen edhe si reflektim ndaj ngutjes së Ramës dhe Thaçit. Rrënjët e atij trimi janë në Mitrovicë dhe atje duhet të qëndrojnë mbjellë. Kjo edhe për të frymëzuar të rinjtë, pasardhësit shqiptarë, por edhe për t’u kujtuar atyre që duan të kenë pak njohuri për historinë se ky varri këtu është i Isa Boletinit që ka qenë dikushi dhe që ka mbrojtur me sakrificë e vetëmohim pavarësinë e këtyre trojeve ku ka edhe kockat.

Nëse e zhvendosim atë diku në Vlorë apo diku në trojet e tjera shqiptare, do të thotë ta largosh edhe nga historia, edhe nga tabani i tij. Do të thotë që një pjese të historisë t’i japish një kuptim tjetër. Ta transformosh, ta devijosh. Ndoshta jo sot, por pak më vonë edhe mund të ndodhë. Atëherë kur edhe serbet të dalin në kërkim të eshtrave të ushtarëve të tyre, siç kanë vite që bëjnë grekët me kazmë e me lopatë në dorë nëpër përrojet e Shqipërisë.

Edhe Ismail Qemali, edhe Isa Boletini kanë dhënë një kontribut për kombin, por nuk do të shtonte asgjë në kontributin e tyre sikur ata do t’i kishin varret ngjitur me njëri-tjetrin. Nisma e Kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Thaçi në një kohë rrëmuje në Ballkan, kur në Kumanovë vriten shqiptarë, nuk të jep kuptimin e një goditjeje të bukur propagande (komunikimi) siç qe ajo e lapsave me ngjyra që Rama kishte futur në xhepin e xhaketës për të vizituar Francën pas vrasjes së gazetarëve të një reviste humoristike.

Kjo nismë e këtyre dy liderëve politikë aktualë të hapësirës shqiptare ka një domethënie me hije. Flamuri që u ngrit në Beograd në ndeshjen e futbollit Shqipëri – Serbi duket se i ka nxehur keq muskujt e ballkanasve. Në fund të këtij muaji vjen për vizitë në Tiranë, Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe nëse kjo nisma e varrosjes së heroit Isa Boletini nja 600 kilometra larg truallit të tij është një dhuratë për Kryeministrin serb (çka e kam të vështirë ta besoj) atëherë ky do të ishte një krim i madh historik.

Nuk dua aspak ta politizoj çështjen dhe as t’i jap ngjyrime nacionaliste luftërash apo paqeje, por Mitrovica ka më shumë nevojë që kockat e heronjve t’i ketë aty sesa në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë. Paqja akoma nuk ka ardhur për shqiptarët dhe varri i një heroi simbol qëndrese si Isa Boletini do të shërbente edhe si frymëzim për brezat e sotshëm që rriten me një liri të sforcuar, sidomos në Mitrovicë apo qytete të tjera shqiptare në Maqedoni.

Në kontekstin kur është vendosur të merret një nismë e tillë nuk ka shpjegim tjetër veçse një pranim në heshtje i humbjes së Mitrovicës në tavolinë ashtu siç humbëm ndeshjen në tavolinën e Platinisë dhe Platinive të tjerë të Evropës aspak plakë. Toka trashëgohet brez pas brezi dhe ka amanete që ruhen e lihen edhe me varre, edhe në varre. Në vend që të ndiqnim instinktin e mbrojtjes së historisë me varret e saj, me kullat e saj, me dështimet dhe humbjet e saj, sot po ndjekim instinktin e gabuar të dy majtistëve që mendojnë akoma si në kohen e “proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”.

Jam i sigurt që po ta kishin pyetur vetë Isa Boletinin se ku duhej t’i preheshin kockat, ai nuk do të kishte pranuar kurrë dhe tjetër përveç atij të oborrit të kullës së tij. Të jenë të sigurtë edhe Rama, edhe Thaçi se Vuçiç do të vijë në Tiranë edhe pa premtimin se Isa Boletinit i kemi gjetur një varr në Vlorë. Pavarësia është shpallur një herë dhe Ramës e Thaçit u ngelet vetëm ta nderojnë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here