I përkasin viteve ’70/ Zbulohen dy libra të rrallë për Gjon Milin

0
83

Kristaq BALLI

 Gjon MiliGjon Mili, fotografi artist shqiptaro-amerikan nga Korça, një prej personaliteteve shqiptare më të famshëm, përfaqëson një nga ato shëmbëlltyra humane e artistike, jeta dhe vepra e të cilëve jo vetëm shkëlqejnë nga një vezullim suksesi të përbotshëm, por që me inovacionin e tyre revolucionar shkencor e artistik do të mbeten përjetësisht figura ikonike në historinë e fotografisë universale. Për jetën dhe veprimtarinë e tij është folur mjaft nga shumë këndvështrime e interpretime kreative, madje edhe vetë ai për së gjalli ka shkruar dy libra me formate albumi me ilustrime të shumta fotosh 1.Gjon Mili Photographs & Recollections (Gjon Mili Foto dhe Kujtime) dhe 2. Picasso’s Third Dimension (Dimensioni i Tretë i Pikasos), si dhe disa artikuj që pasqyrojnë modestisht kontributin e vet krijues dhe përvojën e tij eksperimentuese e konceptet mjeshtërore, filozofike, estetike, mesazhet vizuale, si dhe sintaksën shkencore, laboratorike që tejkalonin kohën e fotografisë tradicionale “statike”.

Midis një opusi të pafund bibliografik e publicistik mbi jetën dhe krijimtarinë foto-artistike të Gjon Milit, këtë herë unë po veçoj dy libra, që nuk janë njohur, cituar, përdorur, interpretuar, apo referuar deri sot rreth personalitetit të tij krijues, por që janë aq autentike, komplementare e të besueshme, sepse burojnë nga vetë goja, apo aparati dhe botëkuptimi i tij, në moshë madhore, kur ai e kishte fituar qytetarinë e reputacionit dhe famës së tij të një fotografie novatore në lëvizje e nën efektin e një ndriçimi të ri elektronik që kryeherit u pagëzua si “drita stroboskopike” dhe që konfirmon katërcipërisht gjithçka pozitive që ishte thënë rreth tyre dekada të tëra rresht e do të retorizohej edhe më pas, edhe sot, edhe në të ardhmen.

Libri i parë titullohet “Photography Within the Humanities” (Fotografia Brenda Njerëzimeve), botuar nga “The Art Department, Jewett Arts Center, Wellesley College, Massachusets” Addison House Publishers, Danbury, New Hampshire, 1977, ka 157 faqe me format 28cmx20cm me tekst dhe ilustrime fotografike. Libri përfaqëson një përmbledhje ligjëratash të 10 personaliteteve të njohura fotografike amerikane të asaj kohe të mbajtura në Kolegjin Artistik Wellesley College në vitin 1975: 1.John Morris-ish editor fotosh, New York Times Pictures, 2.Paul Schuster Taylor, ekonomist, bashkautor me Dorothea Lange i librit An American Exodus (Një Eksod Amerikan), 3.Gjon Mili-fotograf i revistës “Life”, 4.Robert Frank-fotograf, prodhues filmash, 5.Frederick Wiseman-prodhues filmash dokumentarë, 6.John Szarkowski-drejtor, Departamenti i Fotografisë, Muzeu i Artit Modern, New York, 7.W. Eugene Smith-foto eseist, 8.Susan Sontag-kritike, prodhuese filmash, 9.Irving Penn-fotograf portretesh dhe mode, 10.Robert Coles-autor dhe kërkues psikiatër, Universiteti i Harward-it.

Aktiviteti i konceptuar si një simpozium me 10 sesione njëditore shoqërohej me një ekspozitë me 100 foto të pjesëmarrësve, ku ilustroheshin konceptet e tyre, përvojat, marrëdhëniet me realitetin, teknikat dhe retrospektiva fotografike qysh prej agut të parë fotografik, vitit 1839, por fokusi kryesor ideor konvergonte në funksionin e fotografisë, në raportet midis anës së rëndomtë ilustrative e dokumentare të realitetit dhe kontekstit artistik, sidomos kur bëhej fjalë për fotografë që prireshin ndaj këtij trendi duke zbuluar, fantazuar, eksperimentuar e interpretuar në mënyrë krijuese marrëdhënie të përveçme estetike me realitetin fizik, koshiente apo subkoshiente në formë, përmbajtje e teknologji novatore, shpesh edhe fantastike e fantazmagorike.

Por le të përqendrohemi tek ajo pjesë e librit që i kushtohet mjeshtrit tonë të madh, Gjon Milit. Sesioni i tij është mbajtur më 11 Prill 1965. Para dite ai është takuar me studentët dhe ka zhvilluar disa konferenca informale me grupe apo studentë të veçantë në të cilat ai ka shkëmbyer mendime e pikëpamje rreth zhvillimeve fotografike, karrierës dhe eksperimentimit shkencor e artistik në fushën e zbulimit dhe aplikimit të fotografisë në lëvizje dhe të përdorimit për herë të parë të flashit stroboskopik, pra rreth temave të lira në interes të kontekstit shkencor e artistik të 10 fotove të tij të vendosura në ekspozitën e përbashkët të çelur me këtë rast.

Kapitulli mbi Gjon Milin fillon me një biografi sintetike të tij, e cila duhet të jetë me e sakta nga të gjitha ato me të cilat ne e kemi takuar në shkrimet indirekte mbi të dhe ku gjejmë edhe disa të dhëna të tjera që nuk i kemi ndeshur gjetkë, pasi kjo CV është dhënë nga vetë ai. Kështu p.sh., gjatë fazës së parë të punës së tij 1928-1938 ku ai punonte Kompanitë Westinhouse Electric and Manufacturing Co (1928) dhe si inxhinier kërkimesh mbi ndriçimin në Westing House Lamp Division (1928-1938) ai ka shkruar një sërë artikujsh teknikë mbi kërkimet e tij në fushat e projektimit të dritës, optikës e fotografisë. Ai zbuloi e aplikoi llambën me filament dyplanësh-burimi më i ndriçueshëm tungsten deri atëherë. Ai ka bërë gjithashtu punë të konsiderueshme interpretuese të koncepteve fotometrike në kontekst të fotografisë me anë të tufës së dritës, llojit të filamenteve dhe qelqeve të llambave ndriçuese. Midis viteve 1930-1935 ai zbatoi teknikën ndriçuese që përdorej aktualisht në fotografimin me ngjyra me llamba inkandeshente me intensitet të lartë si dhe fotoflashin (blicin). Ai është përfshirë që më 1938 në eksperimentimin komercial të fotografisë me flash me shpejtësi të lartë në bashkëpunim me Dr. H. E. Edgerton të Institutit Teknologjik të Massachusets (M.I.T.), ku dhe Mili ishte diplomuar. Kariera e Gjon Milit si fotograf profesionist filloi kur fotot e tij të kampionit në tenis Bobby Riggs në lëvizje u botuan në Revistën “Life” (16 Shtator 1938) dhe vijuan të zenë vend konstant në faqet e saj. Në fund të vitit 1969 ai dha një seri leksionesh në Universitetin e Yala-s të titulluar “The Photo Essay“ (“Esse mbi Fotografinë”) dhe mbajti ligjërata mësimore në Projektin e Artit Veror të Kolegjit Sarah Lawrence në La Coste, Francë në vitet 1972, ’73, ’74. Në kohën kur ai ndodhej në Simpoziumin “Photography within the Humanities” ai ishte në vijim instruktor në “Principles of Photography)” (“Principet e Fotografisë”) në kolegjin Hunter, New York, ku ai jepte mësim qysh në vitin 1973. Fragmenti i tij biografik shoqërohet me një foto-profil artistik anonim të atyre ditëve.

Mbas dite ai mbajti ligjëratën e tij formale në prani të studentëve dhe shumë organizatorëve e dashamirësve të aktivitetit. Substrati i saj konsistonte në raportet humane, të dëshirës, pasionit, vullnetit, këmbënguljes fillimisht për të nxënë dije duke qenë në kontakt me zhvillimet alternative bashkëkohore dhe prirjet progresive e futuriste, veçanërisht kur ndodh edhe një koincidencë si në rastin e tij që studimet dhe profesioni si inxhinier elektrik dhe afiniteti me proceset e fotografimit si art e shkencë konverguan në fokusin e aparatit fotografik. “Gjon Mili është një rastësi e llogaritur” – thuhet në shënimin redaksional të librit të tij “GJon Mili-Foto dhe Kujtime” Lidhjet e tij me fotografinë ai i zhvendos në kohë qysh në fëmijëri, kur ndodhej në Rumani e ku një shoku i vet gjimnazist “stamponte” negativët prej xhami në një “letër fotografike” të vendosur prapa tyre përkundrejt dritës së diellit. Qysh atëhere kjo gjurmë mbresëlënëse do të mbetej e pashuar dhe do të ishte shkëndija e parë e parapëlqimeve të tij. Ndërkohë, kur studionte inxhinierinë elektrike me shumë sukses, ai ndoqi edhe kursin e fotografisë që u hap rishtas në M.I.T. më 1923-24 e që do të shënonte fillesën e ndrojtur “ilegale” të eksperimentit të krijimtarisë së tij amatore me një foto të shkrepur nga brenda dritareve të laboratorit të këndit jugperëndimor të ndërtesës së Institutit. Këtë rievokim të përpiktë që prej 52 vitesh për këtë moment deçiziv “të orës 13.30 të datës 9 Tetor 1924 me mot të kthjellët e të ndritshëm me shpejtësi ekspozimi 0.5 sekonda e me film 4×5 të përafërt me ASA 2”, tregon se Mili e ka fiksuar në kujtesën e tij si ngjarjen më entuziaste të rinisë së tij, pra foton e parë e cila do të shënonte fillimin e një beteje me vetveten, “si peshku brenda rrjetës”, jo për t’u bërë thjesht një fotograf profesionist, por për të t’i hapur mundësi e perspektiva të reja proceseve elektronike e estetike të fotografisë aktuale tradicionale “statike” me dritë natyrale ose me djegie.

Pas eksperimentimeve të mëtejshme të viteve ’20 me filma, ndriçime e shpejtësi të kombinuara me teknikat e teknologjitë e sajuara prej vetë atij, Mili përballet me auditorin nëpërmjet dy fotove pasardhëse të vitit 1931 duke treguar detajet e realizimit të tyre. E para është fotoja e një vajze (Margaret Aue) që luante Bahun në violinçel, e para tentativë për fotografimin e një subjekti në lëvizje me një llambë fotoflash me krisaf alumini të prodhuar po atë vit në Gjermani. Fotoja nuk jepte vetëm idenë e lëvizjes e thellësisë, por edhe të vijimësisë komunikuese të muzikës. Sipas tij, me gjithë se fotoja u realizua sipas parashikimit, ajo doli pak e turbullt sidomos në mprehtësinë e siluetave e detajeve. Ky “defekt” i nxiti Milit idenë e rrugëzgjidhjes, aplikimin e sinkronizuesve që bënë të mundur ekspozimet e flashit elektrik me 1/100 deri 1/250 e sekondës. Dobinë e tyre ai e konstatoi në foton e po atij viti ku një burrë është duke qeshur dhe lëvizjet gjatë këtij gjesti nuk krijojnë problem në qartësinë e plotë dhe në mprehtësinë e siluetave të subjektit në lëvizje.

Në vitin 1937, gjatë një Simpoziumi të Shoqërive Inxhinierike, ku Mili mbajti një ligjëratë shkencore rreth burimeve të dritës në fotografi ai u njoh me një tjetër kërkues të kësaj fushe dr. Herald E. Edgerton pedagog i M.I.T., i cili foli rreth aplikimit të tij të një flashi elektronik me shkrepje të shkurtër praj 1/100.000 e sekondës, e cila i kishte bërë të mundur` realizimin e një sere fotosh të jashtëzakonshme. Sipas fjalëve të Milit “Pas aktivitetit ai më thirri në zyrën e tij dhe më pyeti: “Ç’do të bëjmë me këtë burim drite, sipas pikëpamjes tënde?” Unë iu përgjigja: Ma jepni mua dhjetë herë këtë dritë dhe unë do të heq dorë nga Westinghouse”. Profesor Edgerton pranoi kështu të më dhuronte një bateri të dritave të tij për aplikime komerciale…Gjashtë muaj më vonë unë kisha shpenzuar 5 seanca me dritën e tij, si dhe me ndihmën e kompanisë AGFA e cila na vuri në dispozicion filmin e parë super panoramik, i cili ishte tre herë më i shpejtë se filmat e deriatëhershëm. Për 6 muaj bëra fotografi eksperimentale e më pas fillova punë tek revista LIFE.”
Fotot e para në lëvizje për revistën LIFE ishin ato të datës 4 shtator 1938 që paraqitnin kampionin e tenisit Bobby Riggs gjatë shërbimeve të topit në ajër nga para e prapa trupit të tij, kur muskujt shformoheshin. Ishin sigurisht surprizuese që shikuesit të shihnin objekte të “ngrira” në lëvizje, por syri dhe ndjeshmëria vetëkritike e Milit konstatuan ende një lloj “statizmi”, të cilin ai e korrigjoi në fotot e ngjashme të kampionit pasardhës Don McNeil dy vite më vonë, në të cilat trupi, shprehja e fytyrës, raketa dhe topi kombinohen në një dinamizëm më të dukshëm.

Sipas konceptit estetik të Milit “një foto është një marrëveshje e fshehtë e shkurtër midis largpamësisë(tejshikimit, parashikimit) dhe rastësisë. Ajo nuk kërkon grishjen e shembullimit, më shumë se sa të krijojë një “goditje” e cila nxit spektatorin ndaj habisë së pasazhit”. Ky kombinim refleksesh, asiacionesh e momentesh shpërfaq thelbin e aftësisë intuitive të një artisti në kërkim të rrugëve e mënyrave të reja për një fotografi të mirëfilltë artistike.

Takimi me piktorin e famshëm Pikaso më 1949 në Rivierën franceze dhe odiseja e ciklit të fotove të paparashikuara që ai ka realizuar me të është një eksperiencë unikale në fotografinë botërore, e, megjithëse është bërë e njohur dhe botuar shpesh, nuk anashkalohet edhe në këtë rast në kuriozitetin e studentëve. Veç se, në këtë rast, konteksti i bashkëpunimit me të reflekton një anë të rëndësishme metaforike të fotografisë artistike që ka të bëjë me pasqyrimin e personalitetit dhe botës së brendshme shpirtërore artistike gjeniale të këtij artisti të përbotshëm nëpërmjet teknikash fotografimi po aq ekspresioniste sa edhe arti i tij kubist e neoekspresionist. Sipas tij në çdo subjekt human artisti (fotografi) duhet të zbulojë tiparin kryesor dominues, apo të përveçëm të shfaqjes së tij. Një ilustrim plotësues ndaj këtij koncepti estetik përbën edhe fotoja e beftë që ai i ka bërë aktores Sofia Loren gjatë xhirimeve të filmit “Lady L.”. Në një çast që sipas aktores ishte i papërshtatshëm dhe befasues, ajo vendosi dorën para fytyrës që ta fshihte atë ndaj fotoaparatit që ishte bërë gati të shkrepej. Instinktivisht, Mili në këtë gjendje e shkrepi dhe komenton “Të them të drejtën, nuk isha i sigurt nëse kisha qullosur ndonjë foto por, për fat, dhëmbët dhe syri që duken nëpërmjet gishtave të saj janë mjaft për të treguar shprehjen e nevrikosur dhe vitalitetin, pra feminitetin e një zonje.” E kësaj periudhe është gjithashtu ideja e Milit për të fotografuar Pikason në lëvizje duke vizatuar në ajrin e errësirës së plotë me një llambushkë inkandenshente, gjë të cilën Mili dhe Pikaso e realizuan në mënyrë sensacionale me një set fotosh artistike të paimagjinuara që bënë xhiron e Botës dhe e bënë Milin protagonist të inovacionit fotografik.

Afeksioni me sportet dhe sidomos me baletin mbeten një përvojë personale dhe e papërsëritshme. Fotografimi në mënyrë koherente i balerinëve apo trupave të baletit gjatë vallëzimit i nxiti sërish një mënyrë të re fotografimi eksperimental që konsistonte në shkrepjen e aparatit jo më me shpejtësi të madhe por duke e lëvizur aparatin në drejtim të kundërt me lëvizjen e balerinëve me një koherencë intuitive që do të determinonte si produkt artistik fotoimazhe në lëvizje të shumëfishuar, me kundrabalancë, tallazitëse e shumë të qarta nga mprehtësia e siluetave, ku balerinët dhe baleti merr një pamje fantazmagotike e me impakte të jashtëzakonshme artistike e estetike për shikuesin.

Edhe pse në një kohë kur ai kishte më se 50 vjet që hapte shtigje të reja në artin e fotografimit dhe me një opus të pasur suksesesh e atributesh eksperimentale profesionale, ligjëratën e tij e përshkon një atmosferë humane, tepër modeste e jo imponuese e egoiste. “Brezi im ishte me fat që jetonte në një kohë kur fotografia evoluonte shumë shpejt, duke na detyruar ne të eksperimentonim vazhdimisht dhe të synonim qasje të reja”. Ai e përfundon ligjëratën e tij atë me këto fjalë: “Përvoja më ka mësuar atë që Herakliti ka shprehur “N.q.s. nuk shpresoni, nuk do të mund të arrini të paparashikuarën, sepse ajo është e vështirë për ta gjetur’. Unë ju them studentëve që, shpesh herë, është ambiguiteti ai që krijon fotografinë… Por unë nuk erdha këtu si fotograf, erdha si një humanist. T’ju mësoj apo t’ju jap leksione për fotografinë-ky do të ishte një nonsens. Si mund të mësoni diçka që më ka narrë mua 50 vjet për të mësuar e harruar?…”

Në fund të kapitullit që i kushtohen Gjon Milit në këtë libër të rrallë njihemi gjithashtu me titujt e veprave të tij të deriatëhershme të botuara (përveç mijëra e mijëra fotove e fotoeseve të ekspozuara, apo jo në faqet e revistës “LIFE”, ekspozitave e librit autobiografik “Gjon Mili, Photographs and Recollection, të cilin e botoi më 1980). Ja titujt e disa të dhëna për to deri në vitin 1975:

Libra: “The Magic of the Opera”, ilustrues, New York, 1960, “Picasso’s Third Dimension” Friton Press, 1970.

Artikuj: “Gjon Mili Photographs ballet Dancers at High Speed.”, LIFE 19 shkurt 1940; “World Charter” LIFE, 23 korrik 1945, San Francisko Conference; “The World of Sean O’Casey”, LIFE, 26 korrik 1954; “Queen of cathedrals”, LIFE, 15 dhjetor 196; “The relentless Spectre of Brecht”, LIFE, 18 shtator 1964; “Mr. B. talks about Ballet”, LIFE 11 qershor 1965; “Serenade to Ninety Years of Greatness”, LIFE, 11 nëntor 1966; “An American Masterpiece”, LIFE 3 tetor 1969 Përkthim mbi fotografitë e Jerome Robbins.

 

Filma: “Jaming the Blues, 1944; “Raul Dufy Paints”, New York, 1950 10 min;“Casals, Prades festival, 1950, 15 min; “Jean babilee, dancer, 1951, 4 min.;“Salvador Dali”, 1951, 6 min.;“Stomping for Mili”, Brubecjk jazz Quartet, 1955, 10 min.;“Eisenstadt Photographers ‘The Tall Man’ “, 1955, 15 min.;“Tempest”, 1958, 15 min.; “Henri Cartier-Breson, Photographer, 1958, 3 min.; “Homage to Piccaso”, 1967, 6 min.

 

Ndërkaq, libri i dytë titullohet “How To Shoot the U.S. Army Riefle” (“Si të shtiesh me karabinën e ushtrisë të Shteteve të Bashkuara”) Libri përfaqëson një manual professional ushtarak me tekst të Arthur Goodfriend dhe ilustrime të shumta të Gjon Milit. Ka 122 faqe dhe botimi është bërë nga Literrary Licensing, LLC, me dimensione 22cm x 15 cm. Si duket, autori i tekstit ka njohur mjeshtërinë e fotografimit në lëvizje të fotografit të shquar dhe e ka shfrytëzuar këtë aftësi të tij për të shfaqur në mënyrë lineare në sinkron të tekstit spjegues të gjitha pozicionet e një ushtaraku që përdor karabinën nga pozicioni fillestar, itinerarin e lëvizjes e deri tek ai i ekzekutimit të shkrepjes. Me detaje të hollësishme stroboskopike e shumë thjesht për t’u kuptuar e praktikuar Gjon Mili ka aplikuar kombinacione të larmishme të shpejtësisë së shkrepjes dhe fraksioneve të dritës flesh për të shfaqur në mënyrë sa më perfekte e të sinkronizuar vizive gjithë procesin e përdorimit të armës nga pozicione e qëndrime të ndryshme luftarake. Por, përveç anës utilitare, Gjon Mili ka mishëruar edhe një herë aftësitë e tij imagjinare, duke i trajtuar fotot e tij edhe si vepra të mirëfillta artistike e në vijim të eksperimentimit të tij në këtë fushë krijuese, origjinale e unikale fotografimi. Një pjesë e këtyre fotove janë botuar edhe në revistën “LIFE”.

 

Krijimtaria artistike dhe vetë personaliteti mjeshtëror krijues i Gjon Milit në vlerësimet e njerëzve të shquar kanë krijuar në mënyrë të vetëdijshme epitete e kuota profesionale të panumërta, dashamirëse, me shumë bujari, por të merituara, si: “rastësi e llogaritur”, “shqiptari gjenial”, “fotográfi i çmendur”, “teolog i fotografisë”, “njeriu që ngrin lëvizjen”, “fotografi që ndalon kohën”, “vizionar i vërtetë”, “Papa i fotografisë”, “fotograf që ka bërë xhiron e botës”, “fotografi i dritës”, “magjistari i fotografisë”, “shpikës”, “avangardist”, “novator”, “futurist” etj., të cilat përligjin botërisht gjenialitetin e veprës së tij.

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here