Tirana si një hale e madhe? Moskërkim ndjese!

0
135

Artan Fuga(Shënim politik nga Artan Fuga)

Tirana një fshat i madh? I merr të keqen fshatit. Fshati me kishë e me varre, shkruante ai poeti për fshatin e tij të bukur

Tirana një qytet? I merr të keqen qytetit, se qyteti, edhe ai më i humburi sot në Evropë nuk është një gjë e pisët dhe e ndyrë, e palarë prej dy a tri dekadash…

Vjen era urinë e mut gjithandej. Më falni zonja e zonjusha për fjalën e duhur të ndyrë që përdora. Asnjë fjalë tjetër nuk ma sjell në mënyrë aq autentike në hundë atë aromë. Ta shijojmë mirë përpara sesa të shkojmë në kutinë e votimit me njërën dorë fletën e votimit e në tjetrën shaminë zhytur në hundë për të mbyllur vrimat prej erës së qelbur.

Tirana qytet dhe metropol lindor?

Umerr të keqen metropoleve lindore. Kur kam parë bukuritë, luksin dhe rregullin e Stambollit buzë Bosforit, ngela pa mend, për pak rashë në ujë nga tronditja e madhe dhe u thosha miqve: Më lini ore rehat se nuk ngopem së pari mjerimin tonë! Dhe vetëm edukata patriotike e familjes nuk më bëri të mallkoja pavarësimin nga Perandoria Otomane kur krahasoja Stambollin me Halen time. Por, çfarë është, fjetore? I merr të keqen fjetores që llamburit në një kazermë ushtarake ta zëmë në Kine a Japoni. Tirana, më falni shprehjen tironse, është një hale e madhe ku ne jetojmë, flemë, jashtëqisim, bëjmë projektligje, organizojmë panaire “open”, organizojmë fushata elektorale për të zgjedhur kryetarin e hales sonë të përbashkët. Të kërkosh WC publike në Tiranë është njësoj si të kërkosh që në Hale të ketë hale… Pa dyshim qyteti më i pisët i të gjitha galaksive. Çfarë turpi more çfarë turpi… Na është futur koka në hale nga turpi. Shënim: Kujdes, halja nuk është një WC, por një gropë në fund të bahçes, mbuluar nga ferra ku gjatë verës gëlojnë miza të stërmëdha dhe një aromë e thatë fekalesh përzihet me erën e fiqve të kalbur e ku shkohet pasi vesh çizmet e hales…

 

Reagimi/ Moskërkim ndjese!

Kur thashe se Tirana është një haaaaale e madhe, nuk bëra asnjë gabim kuptimor, por përsëri fola e shkrova në mënyrë jo delikate. E pranoj. Kur pa dashje fyej ose lëndoj ndokënd unë jam gati t’i përulem tërësisht dhe nëse duhet edhe t’i laj këmbët me përunjësi. Por, gjithçka u bë si një teknikë komunikimi me qytetarët e shumtë. Gjuha e qytetarit masiv dhe gjuha e komunikimit në familje, mes miqsh në një darkë, a në auditor janë të ndryshme. Kush nuk kupton këtë është një budalla i pashpresë. Nuk kam kohë të merrem me të. Tirana-haaaaale nuk mund të komunikohet me fjalë që janë të vlefshme për qytete të tjerë jashtë vendi, por jo për qytetet tona. Realizmi më kërkonte të hiqja dorë nga disa terma që quhen gjoja teknikë, shkencorë, por në fakt janë hipokritë dhe të gënjeshtërt. Edukata është bërë fatkeqësisht hipokrizi, censurë, delir. Nuk të lejon t’i quash gjërat me emrin e tyre të vërtetë. Dhe suksesi i atij komenti e vërtetoi teorinë time. 35.088 lexime brenda 24 orësh. 128 share që sikur nga 500 lexues të kenë pasur jep 6000 lexues të tjerë. Pra shkon më shumë se 41.000 lexime. Mos harroni se sikur secili nga këta lexues të nderuar ta flasin me 5 vetë, jep një shifër marramendëse prej 200.000 vetësh, pra sa çereku i popullsisë të Tiranës – haaaale. Çfarë duhet më shumë për të ndarë mendimet midis nesh qytetarëve të braktisur…??? 921 pëlqime brenda 24 orësh. E çfarë janë përpara këtij orteku komunikues ca palaço, jo më shumë se 15 që më ofendojnë duke u shërbyer si qen rrugësh të çmendur disa interesave meskine, të paguara??? Dhe mos harroni se unë kurrë nuk ofendoj ndokënd, duke e quajtur Tiranën haaaaale, kuptojeni se ajo nuk është njeri, dhe një objekt nuk ofendohet. Unë e quaj ashtu sepse e dua, sepse jam i lidhur me të, sepse kam vite e vite, jo sot, që analizoj me sy kritik çka ndodh në të.

Nuk është se flas sot sikurse kujtojnë disa që sot kanë nisur ndofta të lexojnë. Gërmoni, gërmoni se do të gjeni. Por, keni qenë pa veshë, e pa sy… Dhe mos harrojmë se komentin e morën edhe pesë gazeta në letër e nja shtatë a tetë gazeta online. Ku ka më ndryshim pozitiv që gazetat në letër të ushqehen nga rrjetet sociale dhe jo rrjetet sociale nga gazetat në letër. Kohët janë përmbysur. Bashkë me qytetin kanë rënë dhe mediat, ka rënë komplet edhe arsimi, e ndokush do të bëjë ligje për arsimin pa ditur se çfarë flet. Edhe qyteti, edhe mediat, edhe arsimi, edhe shëndetësia mund të ngrihen, por nuk po shihet në horizont ai dhe ata që dinë ta bëjnë këtë gjë. Ca nëpunës servilë po marrin në qafë qeverisjen. Halli i tyre nuk është rregullimi i gjendjes, por si ta shtyjnë sa më shumë qëndrimin në poste përpara sesa t’i heqin të tyret. Aq ju bën atyre. Kur mos jenë më në post, a nuk ka rënë kolera!!! Kush flet kundra kaosit të sotëm, nuk dëgjohet, anatemohet, sulmohet nga një bandë keqbërësish idiotë të paguar me thërrime nga disa nëpunës të dorës të dytë që kanë frikë se u dalin të palarat. Sa keq!!!

Gjithsesi, kush po pyet për ata të mjerë që u djeg qimja që kanë nën kësulë. Qentë le të lehin, por këta nuk dinë as si të lehin…Nisin të lehin dhe vetëm mjaullijnë. Tërheqja e vëmendjes të publikut nuk mund të bëhet sot veçse me fjalë paedukatë. Këtu ka mbërritur puna. Kush është pa edukatë, ata që flasin gjuhën e realitetit, që përbuzin gjuhën hipokrite me fjalë pa kuptim, që edhe ata vetë nuk ua dinë kuptimin, apo ata që tregojnë dramën e madhe ku gjendet qytetari? Kush është pa edukatë, ai që i thotë mekanizmit me katër rrota “vetura ime”, apo ai që e quan këtë “qerrja e vjedhur e shefit”. Ai që e quan banesën e tij “vila ime”, apo ai që i vendos emrin: “Strofkulla e bërë me korrupsion e komshiut”???

Kush është pa edukatë, ata që i thonë qytetarit të vërtetën apo ata që qëndrojnë në heshtje plot edukatë duke pritur ndonjë thërrime që t’u hedhin nga lart poshtë??? Gjuha shqipe ka hyrë në krizë, nuk ka fjalë për ta quajtur këtë realitet dhe prandaj përdor fjalë hipokrite të përkthyera. I thotë “doganë”, asaj që të tjerët e quajnë me të drejtë doganë, por që te ne prej dekadash mund të quhet “dajaku lara-lara i korrupsionit”, i thotë pra derrit dajë. Kush është pa edukatë, ai që i thotë derrit derr apo ai që i thotë derrit dajë???Kështu flet populli dhe kështu kupton ai. Prandaj ankohen se përse nuk lexohen mediat dhe shpikin teori se gjoja qytetari nuk ka dëshirë të komunikojë. Gënjeshtër. Ja sesi komunikon qytetari, madje të rinjtë, mbi 40.000 lexime brenda 24 orësh. I kanë mediat e shkruara këta lexues??? Prandaj qytetari ka braktisur gjuhën shqipe sepse gjuha shqipe është bërë hipokrite, i thotë parking një sheshi të rrethuar ku marrin lekë ata që nuk kanë asnjë të drejtë, i thotë spital një kazerme të infektuar, i thotë profesor një vjedhësi shkrimesh a një zhgarravitësi shkrimesh pa kuptim, i thotë këshilltar bashkiak një militanti servil, i thotë ajër pluhurit etj. Çfarë doni pastaj që ankoheni se të rinjtë janë keq në gjuhë shqipe!!! Ja çfarë duhet për të komunikuar, duhet braktisur komunikimi hipokrit që i shërben atyre që duke qenë derra duan t’u thuash dajallarë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here