Superliga Shqiptare/ Tirana nuk toleron ndaj Kukësit, në lojë kupat e Evropës

0
143

 

tirana kukesiBardheblutë nuk mund të tolerojnë hapa falsë, pasi kështu mund t’u thoshin lamtumirë eliminatoreve për Europa Ligë

Superliga Shqiptare vazhdon me emocionet si rrallëherë deri në sfidën e fundit. Kjo pasi akoma janë në lojë skuadrat për sa i përket pjesëmarrjes në eliminatoret e Europa Ligës. Tirana ka një përballje tepër vendimtare në “Zeqir Ymeri” ndaj Kukësit. Tre mungesa për ndeshjen e të dielës për skuadrën e Maganit në një tjetër sfidë malore dhe shumë vendimtare për fatin e skuadrës bardheblu në Evropë. Tirana numëron tre lojtarë të padisponueshëm për ndeshjen e radhës në kampionat me Kukësin. Bardheblutë do të bëjnë pa Elis Bakajn, lojtar i cili ka plotësuar numrin e kartonëve dhe është i skualifikuar për këtë takim. Veç tij, të padisponueshëm janë kapiteni Ervin Bulku dhe Gjergji Muzaka për shkak dëmtimesh. Sot me skuadrën në “Skënder Halili” nuk është stërvitur as Selemani Ndikumana, por sulmuesi nuk rrezikon. Ai ka vijuar i diferencuar për shkak të një shqetësimi në tendinë. Transferta e së dielës do të jetë një 90-minutësh me një biletë për në Evropë dhe hapat falsë janë të patolerueshëm. Mbrojtësi Gentian Muça flet përpara sfidës së Kukësit, duke vënë theksin në rëndësinë e 90-minutëshit të “Zeqir Ymerit”. “Jemi të përqendruar për këtë ndeshje, sepse na ikën dy finale të rëndësishme dhe ky është treni i fundit për në Evropë dhe do të luajmë gjithçka atje”. Në vijim të intervistës, lojtari bardheblu e pranon se në ndeshjen e radhës Tirana duhet të korrigjojë gabimet e bëra ndaj Partizanit dhe Skënderbeut. “Kemi zhvilluar lojëra të mira, por nuk kemi marrë pikët dhe këtë herë nuk ka rëndësi loja, por vetëm pikët edhe nëse luajmë keq. Raste kemi krijuar shumë si me Partizanin ashtu edhe me Skënderbeun. Duhet të jemi më konkretë përpara portës”. Të martën skuadra dhe tifozët diskutuan për ecurinë e këtij sezoni dhe Muça e zbulon disa detaje të bisedës së zhvilluar me ta. “Tema kryesore e diskutimit ishte se në të keq dhe në të mirë ata janë pranë ekipit. Na kërkuan që të jemi të motivuar deri në ndeshjen e fundit për të arritur Evropën”. Në fund, mbrojtësi i skuadrës kryeqytetase nuk pranoi t’i vendoste një notë ecurisë së tij dhe të ekipit gjatë këtij sezoni, por kërkoi një dhuratë nga skuadra për ditën e 28-vjetorit të lindjes së tij “Dhurata më e bukur do të ishte fitorja në Kukës”. Ndeshja Tirana-Kukësi do të luhet të dielën në stadiumin “Zeqir Ymeri” në orën 17:00. Një ndeshje e cila do të vendosë shumë. Dje në kompleksin sportiv “Tirana International”, kanë vijuar përgatitjet edhe për Partizanin në kuadër të sfidës ditën e Shtunë ndaj Vllaznisë në program për javën e 35-të. Në seancën e sotme trajneri Duro dhe stafi teknik kanë pasur në dispozicion grupin e plotë të lojtarëve ku janë rikthyer stërvitjes Hoxha dhe Vila të cilët munguan në seancat e fundit stërvitore dhe gjithashtu edhe në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit për arsye dëmtimesh. Gjendja fizike e skuadrës paraqitet optimale. Një vendim i fundit i Federatës Shqiptare të Futbollit ka spostuar të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore ditën e diel, ora 17:00. Ky ndryshim erdhi për arsye të zhvillimit ditën e Shtunë të të gjitha ndeshjeve të Kategorisë së Parë. Takimi Partizani – Vllaznia është programuar ditën e diel, ora 17:00, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa.

 

 

Gundogan me një këmbë në Premier League

Ilkay Gundogan nga sezoni i ardhshëm mund të bëhet pjesë e Premier League-s angleze. Mesfushori nuk ka pranuar të rinovojë kontratën e tij me Borusian e Dortmundit, e cila skadon në vitin 2016, dhe në këtë mënyrë duket i destinuar të largohet nga “Signal iduna Park”, pasi klubi verdhezi nuk ka ndërmend ta humbasë turko-gjermanin falas në qershor të vitit të ardhshëm. Arsenali, Manchester City dhe Manchester United janë vënë në gjurmët e 22 vjeçarit dhe pritet që gjatë merkatosë së verës të dërgojnë edhe ofertat e tyre në drejtim të klubit nga Westfallen. Raportohet se “topçinjtë” kanë nisur edhe kontaktet e para si me Borusian po ashtu edhe me vetë lojtarin, ndërsa dy klubet e Manchesterit duket se po kërkojnë pak më shumë kohë, për të kuptuar më mirë edhe gjendjen fizike të futbollistit pas dëmtimit të rëndë të pësuar në rruazat e shtyllës kurrizore, në Gusht të vitit 2013, gjatë një takimi miqësor mes Gjermanisë dhe Paraguait, dëmtim i cili e la jashtë djaloshin e lindur në Gelsenkirchen për më shumë se një sezon. Gjithsesi e sigurt është se do të jetë një verë jo e qetë përsa i përket të ardhmes së Ilkay Gundogan. Ndërkohë që për të mbetur tek merkato duket se do të jetë Lazio skuadra e re e Kevin Prince Boateng. 28 vjeçari u përjashtua nga Schalke 04 pak ditë më parë dhe nga kjo situatë po kërkon të përfitojë në maksimum drejtori sportiv i bardhekaltërve dhe ish-kapiteni i kombëtares sonë Igli Tare. Madje sipas mediave italiane kryeqytetasit i kanë ofruar tashmë ganezit një kontratë 4 vjeçare nga e cila, nëse firmos do të përfitoj 2.2 milion euro në sezon. Me sa po kuptohet gjasat janë që shumë shpejt ish-lojtari i Milanit t’i bashkohet në “Formello” Etrit Berishës dhe Lorik Canës.

 

Kahn kritika Guardiolës, nuk di nga mbrojtja

Dikur mbronte portën e Bayernit, ndërsa sot sulmon ashpër Pep Guardiolën, të cilin e bën përgjegjës për zhgënjimin e bavarezëve për të dytin vit radhazi në gjysmëfinale të Champions Leagues. Oliver Khan nuk kursehet në kritika ndaj trajnerit aktual të Bayernit, të cilit i kujton edhe gabimet që ka bërë në pozicionimin e futbollistëve. “Në ndeshjen e kthimit me Barcelonën nuk gjeti mënyrën e duhur për të ndërtuar një mbrojtje solide. E aktivizoi Lahmin në vend të Robben dhe nuk besoj se kjo ishte zgjidha më e mirë. Boateng është i vetmi që luan përherë mirë, por Pep një herë aktivizon Benatia dhe herë të tjetër Batstuber në krah të tij. E pastaj e Danten. Kështu nuk shkon”. Në fakt, Guardiola nuk u kritikua shumë nga shtypi gjerman, për shkak të mungesave të shumta. Barcelona ishte një kundërshtar më i fortë dhe eliminimi mund të jetë normal. Gjithsesi, ekzistojnë disa probleme që trajneri spanjoll duhet t’i zgjidhë. Sipas Bild, 44-vjecari nuk ka marrëdhënie të mira me të gjithë lojtarët dhe një ndër ta është Thomas Muller. 25-vjeçari këtë sezon është aktivizuar në 30 ndeshje të Bundesligës, ndërsa në 13 raste është zëvendësuar. Vetëm në 3 takime është hedhur në fushë si zëvendësues. Mënyra e lojës së tij nuk e magjeps Guardiolën, i cili dëshiron që ai të jetë vendimtar si Robben dhe Riberi. Por edhe me Gotzen gjërat nuk po shkojnë mirë. Mario ankohet për mungesë komunikimi ndërsa trajneri është shprehur se nuk do të ishte çudi nëse 22-vjecari do të largohej. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Boateng dhe Lahm, me të cilët Guardiola ka raporte të shkëlqyera. Ndërsa sipas Kicker, Guardiola është emri i duhur për t’u rinisur me prepotencë sezonin e ardhshëm, edhe pse nuk mungojnë kritikat për të. Aktivizimi i Gotzes për pak minuta në vend të Muller rrezikon të shkatërrojë talentin e futbollistit që i dha Kupën e Botës Gjermanisë. Pa zgjidhur problemet me këta dy lojtarë të rëndësishëm të përfaqësueses, Byernbi i Guardiolës nuk mund të shkojë gjëkundi. Zëvendës-presidenti i Palermos, Guglielmo Micicche, ka thënë se Juventusi është duke u përpjekur shumë për ta transferuar yllin e tyre, Paolo Dybalan. 21-vjeçari argjentinas është bërë shënjestër kryesore e Juventusit për afatin kalimtar veror, teksa dje eksperti i merkatos italiane, Gianluca Di Marzio, raportoi se një marrëveshje mes dy klubeve është arritur. Sidoqoftë, këtë e ka mohuar zëvendës-presidenti i Palermos. “Nuk ka lajme të reja për momentin, por mund të konfirmoj një interesim të madh nga Juventusi”, – ka thënë fillimisht Micicche. “Presidenti jonë, Maurizio Zamparini, është jashtë shtetit, kështu që duhet të presim që ai të kthehet për zhvillime të tjera”, – ka shtuar italiani.

 

Juventus shumë pranë Dybala

Trajneri i Fiorentinës, Vicenzo Montella, shpreson që skuadra e kij të ketë fat për ta përmbysur rezultatin 3-0 të ndeshjes së parë kundër Sevillas në kuadër të Europa League. “Sevilla është skuadër e madhe, por ne nuk jemi shumë mbrapa tyre. Ne duhet ta gjejmë cinizmin e kërkuar dhe një dozë fati. Një gol mund ta ndryshojë krejt lojën”, ka thënë fillimisht italiani. “Në mendjen time, unë i kam menduar të gjitha skenarët e mundshme. Do të jetë e rëndësishme të kemi besim dhe të qëndrojmë në lojë deri në fund. Ne mund të fitojmë 5-0, pse jo?”, – ka shtuar Montella.

Ish-ndihmës trajneri i Liverpoolit, Phil Thompson, ka thënë se sulmuesi anglez, Raheem Sterling, do të largohet nga skuadra në verë. “Mendoj se do të jetë shumë e vështirë që ai të qëndrojë te Liverpooli tani. Ai i ka treguar të gjitha shenjat se është i gatshëm për t’u larguar nga klubi”, – ka thënë fillimisht Thompson. “Por, nëse ai qëndron, do të doja ta shihja atë duke luajtur në krah, sepse nuk mendoj se ai duhet të luajë si sulmues qendror, për arsye se nuk është golashënues i lindur”, – ka shtuar ai.

 

De Bruyne pranë largimit

Kevin De Bruyne nuk garanton nëse do ta vazhdojë karrierën te Wolfsburgu. Futbollisti belg është i kërkuar nga shumë klube falë formës së tij këtë edicion. Manchester City, Bayern Munich e Paris Saint-Germaini, janë ndër skuadrat që duan shërbimet e 23-vjeçarit. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë në verë. Si lojtar është budallallëk të them se do të qëndroj këtu dhe pastaj një klub i madh do t’i bëjë ofertë të majme Wolfsburgut dhe ata do të më thonë shko, apo diçka të ngjashme”. “Jam shumë i lumtur këtu dhe mendoj se do të luaj këtu në sezonin e ardhshëm, por nuk ju garantoj qind për qind”, – ka theksuar De Bruyne për Eurosport.

 

Rosell dhe Bartomeu në gjyq

Gjykatësi spanjoll, Jose de la Mata, e ka miratuar vendimin që ta dërgojë në gjyq klubin e Barcelonës dhe disa individë për parregullsitë në rastin e transferimit të Neymar. Presidenti aktual, Josep Maria Bartomeu dhe ish-presidenti Sandro Rosell do të gjykohen për mashtrim me tatime, për faktin se kanë paguar më shumë sesa i kanë njoftuar autoritetet e tatimeve. Transferimi i sulmuesit brazilian në vitin 2013 ndodhi në rrethana kundërthënëse duke shkaktuar më pas dorëheqjen e Rosell nga posti i presidentit të klubit. Çmimi i raportuar i blerjes ishte 57.1 milionë euro, ndërsa besohet se Barcelona ka paguar 86 milionë euro për blerjen e Neymar. Prokuroria kërkon që Rossell të dënohet me shtatë vjet e gjashtë muaj burg, kurse Bartomeu të burgoset për dy vjet e tre muaj, ndërsa klubi të dënohet me 11.4 milionë euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here