21 qershori/ Patozi lë pas kritikat, me Bashën në zgjedhje. Kreu i PD-së: Të vetmit që rilindën ishin kriminelët

0
111

Gëzim Saliu

basha fiqiriu dhe patoziBasha: Ekonomia kërcet nën barrën e rëndë të kërbaçit dhe arbitraritetit qeveritar. Rama, Kryeministër i qeverisjes fasadë

Edhe pse prej kohësh ka shprehur kritika për vonesat në ringritjen e partisë si edhe për procesin e zgjedhjeve, ish-kreu i grupit parlamentar demokrat, deputeti Astrit Patozi, u bashkua dje me kryedemokratin Basha në kuadër të zgjedhjeve vendore. Në prezantimin e kandidatit të Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili rikandidon për këtë Bashki, Patozi ishte në krah të Bashës, duke lënë kështu mënjanë pakënaqësitë e brendshme dhe duke shprehur mbështetjen për fitoren e zgjedhjeve nga demokratët në Vorë. Nga ana e tij, kreu i PD-së, Basha, i kujtoi mazhorancës premtimet e mëdha me të cilat erdhën në pushtet në 2013-ën dhe që deri më sot nuk kanë mbajtur asnjë, përkundrazi erdhi si fatkeqësi për çdo qytetar. “Premtuan 300 mijë vende të reja pune, premtuan uljen e çmimit të energjisë, premtuan se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa. Premtuan se fermerët do të paguanin çmimin e reduktuar të naftës dhe do të përfitonin subvencione për punën e tyre të lodhshme. Premtuan shëndetësi falas, legalizime falas dhe mosprishjen e asnjë objekti, sikur Enver Hoxha të ngrihej nga varri. Braktisën një nga një premtimet e tyre dhe sot, në çdo shtëpi vepra e tyre, dora e tyre ndihet vetëm si fatkeqësi, si papunësi, si mjerim apo si burgosje e njerëzve të pafajshëm të cilëve nuk u ka lënë asnjë mundësinë për të shlyer detyrimet e tyre. Misioni ynë më i madh, misioni më i madh i të zgjedhurve vendorë të 21 qershorit është të hapim me votën tuaj rrugëdaljen, rrugëdaljen e shpresës”, – tha Basha.

 

Kandidatët

Po ashtu, dje Basha prezantoi kandidatët për kryetarë Bashkie edhe në Krujë ku kandidon Hamdi Pasha dhe Shijak ku kandidon kandidati i propozuar nga PR, Redi Saraçi. Sipas shefit të opozitës, qytetarët në të gjithë Shqipërinë, janë bashkuar rreth ofertës së re të Partisë Demokratike sepse duan punë dhe dinjitet, duan një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre. “Vërshimi juaj këtu është padurimi për të hapur së bashku rrugën e re, rrugën e re të Shqipërisë dhe shqiptarëve, rrugën e punës, rrugën e dinjitetit për çdo krutan, për çdo shqiptar”, – tha ai. Më tej, Basha theksoi se vendi ka shkuar në drejtimin e gabuar dhe të vetmit që rilindën sipas tij janë qeveritarët dhe kriminelët. “Janë dyfishuar listat nëpër dyqane, ekonomia kërcet nën barrën e rëndë të kërbaçit dhe arbitraritetit qeveritar. Premtuan se do të ulnin çmimin e energjisë por në fakt e rritën atë dhe faturat e kripura të energjisë janë bërë shkak për varfërimin e çdo ekonomie familjare. Çfarë bëri me paratë që mori nga taksat tuaja? Sa kantiere të reja hapi? Sa vende pune hapi? Zero për besë. Kantieret e luksit, palmat, kullat e korrupsionit janë treguesit e vërtetë të kësaj qeverie”, – pohoi Basha.

 

Në Tepelenë

Ndërkaq nga Tepelena, e cila është një zonë tradicionalisht e majtë, Basha e nisi takimin me batutë ku tha se ndihej si i shtëpisë. “Që unë kam privilegjin ta quaj shtëpinë e nuses sime”, – tha ai në takimin me banorët. Kryedemokrati në prezantimin e kandidatit të opozitës, Veip Çela, në një bastion të majtë e cilësoi Edi Ramën si Kryeministrin e qeverisjes fasadë. “Nuk japin vende pune për rininë, por u heqin prindërit nga puna, u rrisin çmimin e energjisë dhe u thonë ‘ja, ju bëmë sheshin’. Pse e bëjnë këtë? Jo sepse janë budallenj, por sepse ju marrin juve si budallenj. Këta investojnë projekte luksi, sepse treçereku i parave zhduket në xhepat e tyre”, – deklaroi Basha.

 

Prezantimi i kandidatit në Durrës/ Rama-Meta: Në 18 muaj bëmë sa për 20 vite. Dako: I ndryshuam faqen qytetit

Krerët e mazhorancës, Edi Rama dhe Ilir Meta, u ndalën dje në Durrës ku prezantuan kandidatin e së majtës për këtë Bashki, Vangjush Dako. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se qeveria ka dhënë në këto 18 muaj për qytetin e Durrësit më shumë se 20 vitet paraardhëse të marra së bashku. “Kemi bërë për Durrësin më shumë se ç’është bërë në 20 vite të marra së bashku. Kemi plotësuar zotimin tonë për mbështetjen e Durrësit dhe besojmë se do të marrim një mbështetje edhe më të madhe se ajo e katër viteve më parë”, – deklaroi Rama. Më tej, ai theksoi se këto zgjedhje nuk janë politike dhe se këto sipas tij janë: “zgjedhje për të vendosur se sa përmes bashkëpunimit me qeverinë, bashkia do të stimulojë bizneset private dhe vendet e punës, sa do të zgjidhë trajtimin e mbeturinave, ujit të pijshëm, transportin. Vangjushi e ndjen qytetin dhe është borxh me besimin që ka marrë prej 8 vitesh, dhe unë jam i bindur që ai do ta kthejë këtë borxh”. Besim tek fitorja e kandidati të mazhorancës shprehu edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili theksoi se bashkëpunimi mes qeverisë dhe bashkisë së Durrësit ka dhënë frutet e veta në 18 muaj. “Jap mbështetjen më të madhe për fitoren e Dakos në Bashkinë e Durrësit. Fitorja do të jetë mjaft bindëse. Ne kemi respektin për kandidatët e tjerë, por Shqipëria është në rrugën e duhur dhe Bashkia e Durrësit do të ecë në këtë bashkëpunim me qeverinë sepse konflikti politik është i dëmshëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për probleme të përditshme të qytetarëve”, – tha ai. Nga ana e tij, kryebashkiaku Dako, i cili do të kërkojë mandatin e tretë, ka nënvizuar se 18 muaj nga ndërrimi i pushteteve qendrore, Durrësi ka ndryshuar rrënjësisht fasadën e tij. “Në 18 muaj ne kemi realizuar shumë projekte që i kanë ndryshuar qytetit faqen. Mund të përmend këtu sheshin qendror të Durrësit, rrugën e portit, që është mbajtur peng për 5 vitet e qeverisë së kaluar, mbikalimin e Urës së Dajlanit, Urës së Plepave, si dhe 10 rrugë të reja në zonën e ish-Kënetës. Këto janë investime të cilat ju i keni parë dhe jeni dëshmitarë të tyre. Por ne mbetemi të etur për më shumë investime”, – tha Dako.

 

KQZ “harron” debatin për fushatën para kohe, Luzi replika të forta me Kosovrastin e PD-së

Edhe pse vetëm dy ditë më parë kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, kërkoi nga partitë që të mos zhvillonin fushatë para afatit zyrtar, pasi ndryshe do dënoheshin me gjoba, në mbledhjen e djeshme të KQZ-së duket se kjo çështje u “harrua” nga palët. Si kryetarja, si anëtarët e KQZ-së ashtu edhe përfaqësuesit ligjor të partive politikë as nuk e përmendën fushatën para kohe të partive. Ndërkaq debati në mbledhje u përqendruar mes kryetares së KQZ dhe përfaqësuesit të PD në këtë institucion Kosovrasti gjatë shqyrtimit të kërkesës së një kandidati të pavarur në Rrogozhinë. “Unë s’kam mbaruar zonja kryetare. Kemi një rregullore e cila thotë se bëhet diskutimi për 10 minuta dhe pastaj…”, – tha përfaqësuesi i demokratëve. “Po kur s’mbarove si i dhashë fjalën përfaqësuesi tjetër, si më thotë mua”, – iu përgjigj Luzi. Në replikën e tij, Kosovrasti kërkoi respektimin e rregullores, e ndërsa Luzi në debat e sipër deklaroi: “E ndërpresim mbledhjen këtu dhe mblidhemi sërish në 13:00”. Kandidati në Rrogozhinë, aktualisht kryetar i Komunës Kryevidh i Partisë Socialiste do garojë në këto zgjedhje nën siglën e PSD-së së Skënder Gjinushit. Ndërkaq KQZ miratoi Albert Çaçit, ish-deputet i PS, i propozuar nga partia e Gjinushit si kandidat në Fier, Vasil Bedinaj si kandidat i pavarur në Vlorë dhe Gjergj Bojaxhi si kandidat i pavarur në Tiranë.

 

Bogdani, Veliajt: S’kemi qenë shokë gjimnazi, ke stil jete falsitetin dhe gënjeshtrën

Deputeti i PD-së, Gerti Bogdani, iu përgjigj dje kandidatit të së majtës për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj, ku ky i fundit theksoi se e kishte pasur mik dhe shok gjimnazi ligjvënësin demokrat. “Qe gënjen kur flet për fiq, e kanë kuptuar pjesa më e madhe e njerëzve, por që gënjen kur flet edhe për miq, këtë shpresoj ta kuptojë edhe pjesa tjetër! Nëse kandidati Veliaj konsideron mik edhe një njeri me të cilin nuk është ulur asnjëherë as edhe për një kafe, atëherë të gjithë ata njerëz të cilët i ka quajtur miq dhe e konsiderojnë mik, duhet ta rivlerësojnë marrëdhënien mes vetes dhe atij! Nëse krenohet me faktin që ka mbaruar “Samiun”, nuk mund të quaj shok gjimnazi dikë që ka mbaruar “Fultzin” dhe nëse këtë nuk e di, mjafton të shkoje një herë tek “Harry Fultzi” se e sheh fotografinë time direkt tek hyrja kryesore!… Sa për shokë universiteti nuk flet dot, se atje ku e ka mbaruar ai, nuk shkonin as nxënësit më të dobët të shkollës sime!!! Kur një njeri gënjen për gjera kaq lehtësisht të vërtetueshme, si mund t’i besohet për gjëra që mezi provohen? Si mund t’i besosh kur bën premtime kaq të mëdha e të panumërta për Bashkinë e Tiranes, ndërkohë që gënjen kaq hapur edhe për gjëra bazë? Si mund t’i besosh jetën e një qyteti të tërë, kur gënjen pa të keq për çdo gjë që i del përpara?”, – shkruante dje Bogdani në rrjetin social.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here