Prokuroria / “Çështja Doshi”, Frroku njihet në spital me akuzën, Doshi kërkon ballafaqime

0
126

Artan Cena

doshi frrokuDeputeti Mark Frroku është vënë nën akuzë për “Kallëzim të rremë”. Avokatët pretendojnë se nuk qëndron. Ndërkaq, Tom Doshi kërkon përballje me disa politikanë

Deputetit kristiandemokrat, Mark Frroku, është njohur gjatë ditës së djeshme në lidhje me akuzën që rëndon ndaj tij në atë që njihet si “çështja Tom Doshi”. Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuzën e “Kallëzimit të rremë” ndaj Frrokut. Deputetit të Pukës i është komunikuar akuza në spitalin e burgut, ku ndodhet prej disa kohësh i shtruar për shkak të problemeve shëndetësore në zemër. Ndërkaq për çështjen “Doshi”, Mark Frroku po ndiqet në gjendje të lirë, por ai hetohet nga Prokuroria për një vrasje të kryer në Belgjikë në vitin 1999 dhe fshehje të pasurisë, ndaj dhe është në masë “Arrest me burg”. Pas komunikimit të akuzës, dy avokatët mbrojtës të deputetit Frroku i kanë hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë me arsyetimin se nuk qëndrojnë.

 

Akuza e Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme i komunikon akuzën e “Kallëzimit të rremë” deputetit Mark Frroku. Oficeri Arian Muça, i shoqëruar nga dy avokatët mbrojtës, hyri brenda spitalit të burgut për të kontaktuar me deputetin Frroku që prej ditësh ka shfaqur problem shëndetësore. Sipas prokurorisë, deputeti Frroku ka konsumuar element të veprës penale të “Kallëzimit të rremë” në bashkëpunim me deputetin Tom Doshi dhe shtetasin nga Fushë-Kruja Durim Bami. Të tre së bashku, sipas grupit hetimor, i kanë servirur material dhe deklarata të rreme institucionit të akuzës, e cila ka iniciuar një procedim penal. Prokurorët thonë se është provuar tashmë se nuk ka pasur ndonjë komplot apo porosi për vrasjen e deputetit Tom Doshi, pasi gjithçka është sajuar nga tre të pandehurit. Për këtë fakt, prokurorët thanë se do të përgjigjen para drejtësisë të tre të pandehurit për akuzën e “Kallëzimit të rremë”.

 

Pretendimet e mbrojtjes

Pasi kanë dëgjuar akuzën e ngritur ndaj klientit të tyre, avokatët mbrojtës, Genc Gjokutaj dhe Saimir Vishaj, në dalje të spitalit të burgut, thanë se akuza e prokurorisë nuk qëndron. Dy përfaqësuesit ligjorë të tij, Vishaj dhe Gjokutaj, kanë kundërshtuar akuzat dhe sipas tyre, Mark Frroku ishte thjeshtë një dëshmitar në këtë çështje, kështu që një vepër e tillë nuk mund të konsiderohet krim. “Për dy akuzat e tjera është vendosur pushimi. Akuza për kallëzim të rremë nuk qëndron kur nuk ka krim. Nuk ekziston një skenar për vrasje, ndërkohë që nga ana tjetër prokuroria e kallëzon për deklarim të rremë”, – thanë Vishaj e Gjokutaj.

 

Kërkesa e Doshit

Nga ana tjetër, avokatët e deputetit Tom Doshi kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme se do të kërkojnë nga grupi hetimor kryerjen e disa ballafaqimeve mes deputetit shkodran dhe personave të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur, por që kanë dhënë shpjegime para hetuesve. Akuzën e “Kallëzimit të rremë” mësohet se prokurorët ia kanë komunikuar edhe Durim Bamit brenda qelisë së burgut të Fushë-Krujës.

 

 Gjykata e Lartë nuk pranon kërkesat e Palokës, Rama thyen premtimin

Gjykata e Lartë ka rrëzuar dje kërkesën e kreut të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohej testit të drogës. Pavarësisht nga vendimi i Kolegjit Penal, deputeti Paloka ka vazhduar duke e përsëritur kërkesën e tij drejtuar Kryeministrit. Në seancën gjyqësore të ditës së djeshme, trupi gjykues ka hedhur poshtë edhe kërkesën për marrjen dhe zbardhjen e të gjitha tabulateve telefonike, të hyrje-daljeve të Kryeministrit Rama nga janari i 2011-ës e në vazhdim. Sipas Palokës, bërja publike e këtyre tabulateve telefonike do të zbardhte dhe provonte pretendimet e tij se Kryeministri ka lidhje me njerëz të botës së krimit. Në vendimin e ndërmjetëm, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë tha se kërkesat e deputetit Paloka nuk kanë lidhje me këtë çështje. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, është paditur për shpifje në janar të këtij viti, pasi akuzoi kreun e qeverisë për lidhje me krimin. Në seancën gjyqësore, Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë, duke u përfaqësuar nga avokatja mbrojtëse. Në fakt, Rama ka thyer premtimin se do të ishte i pranishëm në çdo seancë që do të zhvillohet. Në përfundim të kësaj seance, u vendos shtyrja për javën tjetër, që palët të paraqesin pretendimet përfundimtare.

 

E akuzon si trafikant, vëllai i kryebashkiakut të PS-së dhunon sekretarin e PS-së

Sherr brenda radhëve të socialistëve në Bashkinë e Divjakës. Loni Kokoneshi, i cili është vëllai i kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, një i zgjedhur lokal nga Partia Socialiste, ka dhunuar sekretarin e PS-së në këtë zonë. Siç bëhet e ditur, sekretari i PS-së në Divjakë është Berti Mone. Sekretari i PS-së është dhunuar pasi ka lëshuar akuza ndaj kryebashkiakut aktual dhe njëkohësisht edhe kandidat i PS-së për zgjedhjet e ardhshme lokale të 21 qershorit. Berti Mone mësohet se ka denoncuar Fredi Kokoneshin si person me të shkuar kriminale, pasi akuzohet nga Italia. Gjithashtu ai ka deklaruar se Kokoneshi ka shpërdoruar edhe fondet publike. “Fredi Kokoneshi është i kërkuar nga drejtësia italian për prostitucion”, – ka thënë Mone. Sipas këtij të fundit, kryebashkiaku i Divjakës akuzohet gjithashtu se ka shpërdoruar fondet publike. Por kjo gjë nuk është pritur mirë nga vëllai i kryebashkiakut, Loni Kokoneshi. Ky i fundit ka shkuar dhe ka dhunuar sekretarin e PS-së, Berti Mone, i cili ka denoncuar rastin në polici. Pas kësaj, uniformat blu kanë vënë në pranga dhunuesin Loni Kokoneshi. Duke folur pas kësaj ngjarjeje, Berti Mone ka thënë se kjo nuk ishte hera e parë që dhunohej nga vëllai i kryebashkiakut dhe se kishte denoncuar edhe herë të tjera në prokurori për ngjarjet e ndodhura.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here