Pretenca/ Prokuroria: 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e Fierit, Baftjar Zeqo

0
128

Artan Cena

gjykata e fieritInstitucioni i akuzës së Fierit ka kërkuar dënimin e drejtuesve të Bashkisë së Fierit pas denoncimit të banorëve për abuzime me dhënien e banesave sociale

Kryetari i Bashkisë së Fierit, bashkë me gjashtë zyrtarë të tjerë, anëtarë të Komisionit të Strehimit në këtë njësi vendore, janë vënë nën akuzë për shpërdorim detyre, pasi dyshohen se kanë dhënë kredi të buta për shtëpi për disa persona, të cilët e kanë përfituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 persona, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Kallëzimet, pavarësisht specifikave të tyre, që lidhen me faktin se përse duhet të ishin trajtuar si të pastrehë, në përgjithësi trajtojnë të njëjtat problematika dhe shkelje të procedurave ligjore nga ana e Komisionit të Strehimit, të ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë.

 

Hetimi ndaj Bashkisë

Prokuroria e Fierit kërkon dënimin me burgim për kryetarin e Bashkisë së Fierit dhe 7 punonjës të tjerë, të gjithë anëtarë të Komisionit të Strehimit, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 shtetas, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Kallëzimet, pavarësisht specifikave të tyre, që lidhen me faktin se përse duhet të ishin trajtuar si të pastrehë, në përgjithësi trajtojnë të njëjtat problematika dhe shkelje të procedurave ligjore nga ana e Komisionit të Strehimit, të ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë. Nga hetimet dhe pyetja e personave të cilët nuk janë kualifikuar për trajtim me banesë sociale, është konstatuar se pretendimet e tyre lidhen së pari me faktin se Komisioni i Strehimit ka publikuar një listë e cila nuk ishte e pikëzuar, në ambientet e Bashkisë Fier. Në këtë mënyrë asnjëri prej tyre nuk kishte mundësinë për të mësuar se me sa pikë ishte vlerësuar nga Komisioni, që të kishte mundësinë të ankohej nëse nuk ishte dakord me vlerësimin.

 

Dëshmitë e denoncuesve

Denoncuesit kanë shpjeguar se Komisioni i Strehimit nuk ka marrë për bazë listën e parë të personave të cilët kanë aplikuar por kanë futur në listën e aplikuesve edhe persona të tjerë të rinj, të cilët kanë përfituar me vendimin përfundimtar të Këshillit të Bashkisë. Kallëzuesit pretendojnë se pavarësisht se kanë marrë pikët e nevojshme nga Komisioni i Strehimit, nuk kanë fituar në listën përfundimtare të miratuar nga Këshilli i Bashkisë. Ata kanë shpjeguar faktin se nuk ka pasur transparencë gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre, pasi në listën e fituesve janë futur edhe persona të cilët janë me prona, biznes ose të afërm të këshilltarëve që kanë votuar në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Fier, datë 9 korrik 2012. Duke u nisur nga fakti se nuk kanë përfituar banesa sociale me qira, denoncuesit kanë ndjekur rrugën penale duke depozituar kallëzim në Prokurorinë e Fierit si dhe kanë ngritur padi administrative në Gjykatë duke goditur vendimin e Këshillit të Bashkisë.

 

 

Pretenca e Prokurorisë

 Baftjar Zeqo për “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me 2 vjet e 6 muaj burg. Heqjen e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike për 2 vjet.

Agron Begaj për “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me 2 vjet e 6 muaj burg. Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 2 vjet.

Fatmir Kajolli për “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me 2 vjet e 6 muaj burg. Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 2 vjet.

Ramiz Hoxhaj për “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me 2 vjet e 6 muaj burg. Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 2 vjet.

Alfred Boçova për “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me 2 vjet e 6 muaj burg. Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 2 vjet.

Selman Braçe për “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me 1 vit burgim. Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 2 vjet.

Esmeralda Kapllanaj për “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e saj me 2 vjet e 6 muaj burg.

Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 2 vjet.

Mimoza Kollçinaku për “Falsifikim dokumentesh”, 6 herë, dhe dënimin e saj me 1 vit burgim për secilin rast. Dënimin përfundimisht të Mimoza Kollçinaku me 4 vjet burgim e konvertuar në një dënim prej 3 vjetësh në periudhë prove.

 

Shpërthimet në Marinzë, dëshmon administratori shqiptar e kanadezët

Katër zyrtarë të lartë të kompanisë kanadeze të karburanteve Bankers Petroleum janë thirrur gjatë ditës së djeshme për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Rrethit të Fierit. Këta persona mësohet se kanë dhënë shpjegime për çka ndodhi një muaj më parë teksa gjatë kërkimeve për naftë në Patos-Marinzë shpërtheu gazi duke sjellë dëme të shumta në shtëpitë e banorëve dhe ndotje të madhe mjedisore. Seanca e marrjes në pyetje ka zgjatur disa orë ku administratori shqiptar Leonidha Boçova dhe tre kanadezë i janë përgjigjur pyetjeve të prokurorëve të çështjes. Institucioni i i akuzës tha se nga marrja në pyetje e zyrtarëve të Bankers, Prokuroria ka mësuar versionin e tyre për shkaqet e shpërthimit. Raporti i grupit të punës, ngritur nga Ministria e Energjisë pak ditë pas shpërthimit bëri përgjegjëse kompaninë Bankers për incidentin. Hetimi dhe akuza për shkatërrim prone dhe ndotje mjedisi është në vazhdim ku priten raportet zyrtare të Drejtorisë së Shëndetit Publik, Inspektoratit Mjedisor dhe Institutit Gjeologjik për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Shpërthimi i fontanës së gazit në Marinzë në 1 prill dëmtoi mbi 120 shtëpi dhe shkaktoi ndotje të larte mjedisore e cila solli probleme shëndetësore për banorët. Nga monitorimi i Institutit të Shëndetit Publik rezultoi se niveli i gazit metan ishte disa herë mbi normë, ndërsa një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit doli në përfundimin se ajri është ndotur në të gjithë parametrat e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here