Ndarja te PS/ Veliaj nuk ka mbështetjen e Tahirit dhe Blushit, pse Rama ndërmjetësoi me Majkon

0
130

Gëzim Saliu

 Veliaj me Majkon e HajdaragenKandidati i së majtës e nis fushatën me punët e kryera si ministër, lobon për reformën e pensionit, ish-të përndjekurit dhe dosjet

Kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka një mbështetje të plotë nga e gjithë struktura drejtuese e Partisë Socialiste. Kreu i PS-së së Tiranës, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ishte një ndër figurat e brendshme të forcës më të madhe opozitare, i cili nuk e simpatizon ministrin aktual të Mirëqenies Sociale. Mësohet se në kohën e konsultave dhe sondazheve për përzgjedhjen e kandidatit të majtë për Tiranën, Tahiri, ka shprehur mbështetje më se shumti për kandidaturën e Klosit dhe më parë për atë të Majkos. Ajo që e vërteton edhe më shumë këtë ndarje mes dy ministrave është fakti se Veliaj ka tri ditë që ka nisur fushatën e tij për zgjedhjet e 21 qershorit, por ende nuk ka zhvilluar një takim me kreun e PS-së së Tiranës, i cili normalisht duhej të ishte një ndër bashkëpunëtorët kryesorë dhe parësorë të tij në këtë garë. Ditën e parë pas zyrtarizimit të emrit si kandidat, Veliaj zgjodhi të konsumonte një kafe me ish-kryeministrin Pandeli Majko, i cili ishte një ndër kandidatët e përfolur më së shumti për Bashkinë e Tiranës. Në këtë takim mori pjesë edhe ish-ministri i Brendshëm në kohën e qeverisë “Nano”, Luan Hajdaraga. Madje, në statusin e tij, Veliaj theksonte se asgjë nuk është rastësore dhe se po punohet bashkërisht me brezin e vjetër në PS për fitoren e radhës të së majtës. “Asgjë nuk vjen vetiu, gjithçka ka një histori kontributesh e punë! Me Pandin dhe Luanin për historinë dje dhe fitoren sot”. Ndërkaq, ditën e djeshme, Veliaj u pa në një takim në hotelin “Tirana International” me drejtorin e komunikimit të Kryeministrit për median Endri Fuga si edhe drejtorin e Antikorrupsionit në Kryeministri Ergys Hoxha. Miqësia mes Veliajt dhe këshilltarit kryesor të Ramës njihet prej kohësh, gjë e cila ka ndikuar jo pak edhe tek marrëdhënia mes Ramës dhe ministrit të Mirëqenies Sociale. Por nëse kandidati për Tiranën në këto tri ditë të fushatës ka zhvilluar një sërë takimesh ka rënë në sy se ende ai nuk ka nisur konsultat me atë që duhej të ishte boshti i fushatës së tij, marrëdhënia me kreun e PS-së së Tiranës. Në këtë ngurtësi mes dy ministrave ndoshta ndikon edhe marrëdhënia mes tyre, e cila duket se po shmang fijet miqësore.

 

Ben Blushi

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së PS-së, deputeti Ben Blushi, është shprehur më parë kritik ndaj procesit të përzgjedhjes së kandidatëve të socialistëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Blushi ka theksuar në mbledhjen e fundit të Ramës me deputetët se procesi i përzgjedhjes së emrave nuk ishte proces. Në takimin me dyer të mbyllura të një jave më parë, mes Blushi dhe Ramës është debatuar lidhur me rrugën që është ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave. “Nuk janë mbledhur strukturat, nuk është respektuar statuti i partisë, nuk është mbledhur Asambleja dhe as Kryesia. Kjo parti ka rregulla dhe janë shkruar jo që të zbatohen kur të duam dhe kur na interesojnë”, – ka pohuar Blushi. Gjithashtu, i pyetur specifikisht për garën e Tiranë brenda partisë pak ditë më parë, Blushi tha se kandidatët finalë “janë vetëm emra të një njeriu dhe jo të Partisë Socialiste”. Deputeti socialist njihet për miqësinë e tij me ministrin e Brendshëm dhe një ndër rrugët ka ata janë gjendur me të njëjtin mendim është edhe kjo për kandidaturën e Veliajt, e cila me të gjitha gjasat nuk do të ketë deri në fund parapëlqimin e tyre. Por nëse Blushi është treguar shpeshherë kritik me kreun e qeverisë, Tahiri njihet si një ndër besnikët e Kryeministrit dhe vetëm falë kësaj marrëdhënieje duket se vetëm “në dukje” ai do të mund të shfaqet si një mbështetës i kandidatit të së majtës për Bashkinë e Tiranës. Për të mundësuar një mbarëvajtje sa më të mirë të fushatë dhe duke u munduar të sheshojë pakënaqësitë mes socialistëve për kandidaturën e Veliaj, kryesocialisti ka negociuar me deputetin Pandeli Majko duke e bindur atë që të jetë ai bashkë udhëheqësi i fushatës për Tiranën.

 

Sulmi i parë i së majtës ndaj Kosovës vjen nga Balla: Është kandidat i lodhur

Nënkryetari i Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla, ishte i pari ndër të majtët që shprehur kritika ndaj kandidaturës së Halim Kosovës për garën e Tiranës. Ndonëse deri më tani, si Meta, por edhe deputetë të PS-së kishin shprehur vlerësime për figurën e Kosovës, Balla bëhet politikani i parë nga e majta që hap fushatën e akuzave ndaj rivalit politik. Duke iu kundërvënë deklaratave të kreut demokrat Basha në Shkodër, Balla e cilësoi si “të lodhur” kandidaturën e Kosovës në Tiranë. “Tirana është gati të fillojë një histori të re më 21 qershor. Halim Kosova është zgjedhja e lodhur e jotja, Lul, dhe e Partisë Demokratike, pasi te gjithë kandidatet e tjerë u tërhoqën nga sfida për shkak te humbjes se sigurte. Trego fare te tha Jorida dhe Gerti kur i thirre për kandidate. Ke lenë grope te madhe ti Lul”, – tha Balla. Ndërkaq, ai kundërshtoi deklaratën e Bashës sipas së cilës, vota është një armë në dorën e çdo shqiptari kundër qeverisë së mjerimit. “Ky krahasim i votës me armën është i papranueshëm dhe duhet dënuar me forcë. Nuk kam asnjë dyshim që Lulzim Basha do ta mbyllë të ardhmen e tij në politikë më 21 qershor, për t’u mbajtur mend si një ndër politikanët që gjatë gjithë karrierës së tij dha vetëm idiotësi, si kjo e sotmja. Vota, mer Lul, është liria, është demokracia, është e drejta baze e çdo qytetari për te zgjedhur. Vota është ndëshkim, por kurrsesi nuk është arme, sepse zgjedhjet nuk janë lufte”, – tha ai. Ndërkaq, një tjetër politikan i së majtës, zv.ministri i Mbrojtjes, kreu i PSV 91, Petro Koçi, deklaroi dje se Kosova do humbasë në Tiranë. “Me Doktor Halim Kosovën PD ka zgjedhur të humbasë, por me nder ama! Kjo sakrificë duhet respektuar”, – shkruante ai në rrjetin social FB.

 

Deklaratat për bashkimin Kosovë-Shqipëri, Rama këtë javë në Bruksel

Pas deklaratës se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike nëse BE vonon procesin e anëtarësimit të dy vendeve, si dhe thuajse rikonfirmim të saj në intervistën për “Sky News”, Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Brukselit këtë javë ku pritet të zhvillojë takime me krerët e institucioneve evropiane. Të martën kreu i qeverisë do të jetë në Bruksel, vizitë e cila zhvillohet në një moment kur tonet e Tiranës janë ashpërsuar ndjeshëm ndaj politikave të zgjerimit që BE po aplikon ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Rama ka kritikuar fort javët e fundit mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë me vendet e zonës Shengen, si dhe shtyrjen e hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE-në. Ndërkaq, BE nga ana e saj ka dënuar deklaratën e Ramës për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, por kritikat e Brukselit nuk janë marrë parasysh nga Kryeministri Rama. Rritja e shpejtë numrit të azilkërkuesve shqiptarë vetë në pak ditë në vendet e Bashkimit Evropian, pritet të jetë një çështje tjetër që do të diskutohet midis Ramës dhe zyrtarëve të Brukselit.

 

Ristani: E majta me kandidatë që kanë vizionin e etërve të tyre

Në emër të Partisë Demokratike, sekretari i përgjithshëm, Arben Ristani, theksoi dje nga Vlora në takimin me shoqatat e të përndjekurve se varfëria ka arritur kulmin me kërkesat masive për azil në Gjermani. “Kanë nisur ridiskutimet për të rivendosur vizat, sepse qeveria nuk është në gjendje të kontrollojë kufijtë dhe të ndalojë këtë eksod”, – tha ai. Për Ristanin, mazhoranca nuk i ka mbajtur premtimet, ndërsa ka hedhur akuza për kandidatin e PS-së dhe të majtës në Vlorë, duke nënkuptuar se e majta riciklon kandidatë me të njëjtin vizion. “Po vijnë bijtë e etërve, dardha nën dardhë bie. E majta ka zgjedhur kandidatë që kanë po të njëjtin vizion me etërit e tyre. Ajo që po ndodh është riciklim me forma dhe mënyra të tjera, por me të njëjtin qëllim. Po flasim për njerëz që u ngjajnë etërve e që nuk e duan dhe nuk do t’i shërbejnë popullit”, – u shpreh Ristani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency