Kandidati i opozitës/ Basha prezanton Voltana Ademin në Shkodër: Votë kundër atyre që sollën eksodin e varfërinë

0
124

Gëzim Saliu

 basha prezanton ademinKreu i PD-së: Vota është një armë në dorë të shqiptarëve për t’u thënë ndal oligarkëve, Ademi përfaqësuesja e denjë e Shkodrës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi dje në Shkodër kandidaten e koalicionit të djathtë për Bashkinë e kësaj njësie administrative, Voltana Ademi. Duke e cilësuar si një lajm të bukur zgjedhjen e Ademit si kandidate të PD-së në këtë garë, Basha theksoi se qytetarët duhet të dënojnë me votë mazhorancën qeverisëse, e cila, sipas tij, riktheu eksodin e shqiptarëve në nivele të papara në këto 20 vite. Për kryedemokratin, dyshja drejtuese Rama-Meta në dy vite sollën vetëm varfëri e mjerim për shqiptarët. “Në këto kohë ka pllakosur mynxyrë pas mynxyre, zullum pas zullumi, e keqe pas të keqes, që, siç thonë shkodranët, korçarët, fierakët, durrsakët, i ka kapur shqiptarët prej fyti e nuk i lëshon. Kjo e keqe e ka emrin Edi Rama dhe Ilir Meta. Rruga e eksodit, ku shqiptarët 25 vjet pas eksodit historik të viteve ’91-’92 janë rikthyer përsëri në statistikat evropiane si qytetarët me numrin më të madh të azilkërkuesve në Evropë, pas një vendi ku lufta civile po bën kërdinë, siç është Siria?!”, – u shpreh Basha. Në këtë kontekst, duke iu referuar deklaratave të Kryeministrit sipas t cilave janë banda dhe organizata kriminale që e shkaktojnë eksodin, kreu i opozitës pohoi: “Por banda e ka emrin qeveria e Republikës së Shqipërisë, me në krye Ilir Metën e Edi Ramën. Është kjo bandë me banditë të rinj e të vjetër që ia doli dy vjet pas ardhjes në pushtet të rikthente eksodin; ia doli të dyfishonte listat; ia doli të shpunësonte masivisht shkodranët e të gjithë shqiptarët; ia doli të kthente krimin në sistem; ia doli të rikrijonte radhë të gjata të varfërisë e të dëshpërimit”, – deklaroi ai.

 

Vota e 21 qershorit

Në fjalën e tij para qytetarëve të shumtë shkodranë, që pritën Bashën dhe kandidaten Ademi në prezantimin e saj në garën për Bshkinë e Shkodrës, kryedemokrati tha se përmes votës në 21 qershor shqiptarët kanë mundësi t’i thonë jo qeverisë se mjerimit. “Vota e 21 qershorit është një armë në dorën e çdo shkodrani e shkodraneje, është një armë në dorën e çdo shqiptari e çdo shqiptareje, për të ngritur kokën, për t’u thënë ndal oligarkëve, për t’u thënë oligarkëve Rama-Meta dhe kohërave të tyre kriminalë se shqiptarët nuk e pranojnë këtë poshtërim, se Shkodra nuk e pranon këtë poshtërim. Ne do i ndalim me fuqinë e votës, në 21 qershor dhe do të bëjmë gati portën e largimit të tyre pas 21 qershorit, jo vetëm nga Shkodra, Tirana, Durrësi, por edhe nga qeverisja e vendit, – pohoi ai.

 

Voltana Ademi

Ndërkaq, sipas Bashës, arsyeja kryesore për votën e shkodranëve në 21 qershor është kandidatja e opozitës në këtë qytet, e cila, theksoi ai, ka ngritur zërin në Parlament në këto dy vite për zonën e saj. “Ekspertja e shquar e pushtetit vendor, drejtuesja e departamentit të pushtetit vendor në kryesinë e PD-së, zëri juaj i deritanishëm në Parlamentin e Shqipërisë që nuk e ka braktisur për asnjë moment Shkodrën, që e do Shkodrën, që është kujdesur për Shkodrën dhe shkodranët në detyra të ndryshme që i janë besuar dhe që nesër do kujdeset për çdo shkodran e shkodrane e do të luftojë për shkodranët si kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi”, – tha ai. Ndërkaq, vetë kandidatja pohoi në fjalën e saj të parë si kandidate se ajo dhe stafi i saj do të punojnë me angazhim dhe përkushtim për t’u kthyer shpresën qytetarëve të Shkodrës që sot janë të braktisur nga qeveria. “Ne, ajo që u ofrojmë qytetarëve tanë, banorëve të Shkodrës, është besnikëria. Ne do punojmë me besnikëri, me besnikëri ndaj parimeve të shenjta tonat që i kemi në gen, që kemi punuar dhe jetuar fort me vite me shekuj”, – u shpreh Ademi. Pasi përfundoi tubimin, Basha preferoi edhe një xhiro në këmbë në këtë zonë së bashku me kandidaten dhe mbështetësit e PD-së. U vu re se kreu i PD-së në këtë takim nuk shoqërohej as nga i deleguari i partisë për këtë bashki, Arben Imami, si edhe as nga deputetja e këtij qarku, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

 

Emrat zyrtarë/ PD kandidon Krosin për Dibrën dhe Boxhon për Sarandën. Në Gramsh garon Çala, Saraçi në Shijak

Partia Demokratike vijoi dje zyrtarizimin e kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, duke bërë publikë dje emrat për Bashkinë e Dibrës, të Sarandës, Shijakut dhe Gramshit. Kështu, Ilir Krosi do të garojë për Dibrën, Kreshnik Bozho për Sarandën, Kodhel Çala për Gramshin dhe Redi Saraçi për Shijakun. Gjithashtu, PD njoftoi për Bashkinë e Poliçanit se do të garojë Florian Qama, ndërsa për Bashkinë e Pustecit do të kandidojë Mihallaq Apostollofski. Një ditë më parë, Partia Demokratike zyrtarizoi edhe kandidatët e Bashkisë së Vlorës, Selenicës dhe asaj të Librazhdit. Genc Deromema do të garojë për Bashkinë e Vlorës, duke u përballur me Dritan Lelin, i shpallur nga Partia Socialiste. Ndërkohë, Përparim Shameti kërkon kreun e Bashkisë së Selenicës, i cili do të ketë përballë në këtë garën kandidatin e propozuar nga LSI-ja Kasem Sena. Në Librazhd, demokratët do të garojnë me Fadil Brazhdën, që do të ketë përballë kandidatin socialist, Kastriot Gurra.

 

 Takimi në Vlorë/ Shoqatat e ish-të përndjekurve: Bashkë me PD-në, të përfshihemi në vendimmarrje

Në takimin e organizuar në Vlorë nga Partia Demokratike u bashkuan dje shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, ish-të burgosurve, të internuarve, të dëbuarve si dhe Unioni Mbarëkombëtar i të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë. Departamenti për ish-të përndjekurit politikë dhe pronarët në Partinë Demokratike organizoi dje konventën kombëtare për “Pjesëmarrjen në politikëberje të familjeve të të përndjekurve politikë, si domosdoshmëri për demokracinë”. Më shumë se 500 pjesëmarrësit e këtij takimi shprehën vullnetin për bashkimin e të gjithë shtresës së të përndjekurve politikë rreth Partisë Demokratike, si dhe deklaruan nevojën imediate që ka vendi për përfshirjen e kësaj shtrese politike në vendimmarrje dhe politikëbërje. Duke parë situatën kritike dhe duke bërë një analizë të aktualitetit politik, të përndjekurit u zotuan se do të bashkohen me Partinë Demokratike në këto zgjedhje vendore, si e vetmja alternativë dhe shpresë për vendin. Në emër të Shoqatës Antikomuniste Demokrate të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj vlerësoi atë çfarë ka bërë Partia Demokratike dhe u shpreh se ka ende për të bërë. Në emër të Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni shprehu zhgënjimin për qeverinë aktuale dhe bëri thirrje për afrim pranë Partisë Demokratike dhe politikave të saj. Në emër të Partisë të Drejtat e Mohuara e Re, z. Fatmir Hoxha, tha se sot më shumë se kurrë është jetik bashkimi me Partinë Demokratike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency