Skandali me grupin iso-polifnik të Gjirokastrës/ Kumbaro në gjurmët e Ramës, siç u përjashtuan çamët nga Festivali Folklorik

0
223

Violeta Murati 

grupi folkMinistria e Kulturës përsërit skandalin me folkun e Gjirokastrës. Pas grupit të çamëve nga ish-ministri i Kulturës Edi Rama, tani ministrja Kumbaro hesht për një përgjigje për përjashtimin e grupit iso-polifonik të qytetit të Gjirokastrës, “Obelisku” dhe “Argjiro”

Është përjashtuar nga pjesëmarrja në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës grupi iso-polifonik i fëmijëve gjirokastritë, “Obelisku” si dhe grupi i të rriturve “Argjiro” të drejtuar nga Roland Çenko. Ky lajm prej ditësh qarkullon edhe në mediat sociale.

Por për “Standard”, drejtuesi i këtyre dy grupeve, Roland Çenko, zyrtarisht tregon se deri tani nuk kanë marrë asnjë reagim nga Ministria e Kulturës, së cilës i janë drejtuar si shenjë “proteste” ndaj komisionit përzgjedhës, që, sipas tij, kanë bërë përzgjedhje favorizuese për zonat e tyre, pa njohur këngën gjirokastrite. Një përgjigje nga ministrja Mirela Kumbaro e prisnin qysh më datë 10 të këtij muaji drejtuesit e “Obeliskut” dhe “Argjirosë”.

Në fakt, kjo shënon herën e dytë të arbitraritetit të përjashtimit nga pjesëmarrja e Festivalit të Gjirokastrës. Në kohën kur ishte ministër Kulture Edi Rama, skandali lidhej me përjashtimin prej tij të grupit folklorik të çamëve, duke e deklasifikuar si etni më vete. Kjo ngjarje u konsiderua ndër më të rëndat sa detyroi artistët dhe njerëz të thjeshtë me origjinë çame të protestonin para derës së Ministrisë së Kulturës. Në këtë ironi politike të atëhershme, mbërrin edhe kjo situatë e sotme për përjashtimin e një prej grupeve më në zë të Jugut, që vlerësohet nga muzikologë e specialistë si pasardhës dhe bartës të kësaj pasurie, tashmë ndërkombëtare.

Këta të fundit kanë reaguar po ashtu, në rrjetet sociale duke trajtuar këtë si ngjarje të rëndë për brezninë e kësaj trashëgime. “Përjashtohet nga pjesëmarrja ne Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës grupi iso-polifonik i fëmijëve gjirokastritë “Obelisku”, shembulli më i keq që mund të jepet për transmetimin e trashëgimisë sonë shpirtërore tek fëmijët dhe të rinjtë tanë. Mbështetini ata me opinionet tuaja në faqen e tyre të FB si një dëshmi që tradita nuk mund te ndalet me vendime absurde komisionesh!”, – ka reaguar muzikologu dhe studiuesi Vaso Tole.

Ndërsa specialisti i vetëm i restaurimit të objekteve të trashëgimisë, Frederik Stamati shprehet: “Folklori fillon e kultivohet që në fëmijëri. Pjesëmarrja e tyre në festival do ta pasuronte aktivitetin. Madje edhe më gjerë me impulsin që do të jepnin. Cili komision ka vendosur kufirin kohor të moshës në zhvillimin e traditës? A e mbajnë mend se kur kanë filluar të këndojnë vetë këngë popullore?”

Njëzëri një ngjarje absurde specialistët heqin kufirin e moshës për të tilla konkurrime që kanë përmasë gjithëkohë. Por këtë ndjeshmëri për transmetimin dhe edukimin e brezave ende nuk e ka reflektuar ministria e kulturës, e cila ka si moton e saj pikërisht brezat, edukimin. Sa shpesh në këtë kontekst institucionet publike kombëtare janë shndërruar në galeri e skena teatri për fëmijë, dhe zyra të posaçme janë hapur për edukimin e tyre përmes artit.

Por kjo derë duket se nuk funksionon për të fëmijët e “Obeliskut” të Gjirokastrës. Mbi këtë absurd drejtuesit e grupit kërkojnë reagimin e njëkohësisht japin argumente mbi komisionin që shkojnë në provincializma në pasjen parasysh të konkurrimit të njësuar.

Sipas Çenkos arsyet pse nuk u përzgjodh grupi iso-polifonik “Obelisku” lidhej me anëtarët e komisionit: “një komision amatorësh që nuk njohin fare këtë fushë, të cilët nuk kanë lidhje me këngën gjirokastrite, dhe nuk i lidh asgjë me Gjirokastrën. Ata ishin marrë nga komunat përreth dhe domosdo nuk e njohin këngën gjirokastrite. Të gjithë anëtarët e tij kanë zgjedhur komunat e tyre nga kanë edhe origjinën…”

Çenko ka shpjeguar po ashtu se paraqitja para një komisioni të ardhur nga Tirana për fazën e parë të konkurrimit, grupit të të rriturve “Argjiro” i dhanë çmimin si grupi më i mirë, si prurja më e re e festivalit, e shoqëruar me certifikatë.

Por, në fazën përfundimtare kjo histori përmbyset, një komision tjetër, i zonës, shpërfilli çmimin duke skualifikuar për pjesëmarrje në Festivalin e Gjirokastrës grupin “Argjiro” dhe grupin e fëmijëve “Obelisku”, të dyja nën kujdesin dhe drejtimin e Roland Çenkos.

“Më duhet të theksoj ky është i vetmi grup në Shqipëri që këndon me dy hedhje janë aktiv si në Shqipëri, Francë, Greqi, Poloni, Itali, Gjermani, Spanjë, Turqi, Holandë etj.”.

Ky grup fëmijësh janë përzgjedhur në shkollat 9-vjeçare edhe te mesme dhe pas një viti trajnim ky grup nxori edhe albumin e parë me titull “Zëra të njomë nga qyteti i gurtë”, “Fëmijët e grupit Obelisku Gjirokastër”… Më pas vazhduan trajnimin projekt të mundësuar nga Ambasada Zvicerane për gati një vit dhe sot janë aktivë nëpër aktivitete të ndryshme. Gjithë kjo kohë dhe mundësi për ta mbajtur gjallë trashëgiminë shpirtërore të këngëve iso-polifonike merr shpërfilljen edhe nga Ministria e Kulturës që hesht për një përgjigje.

 

Themeli i dy grupeve iso-polifonike, si janë organizuar

Roland Çenko, Kastriot Çenko e kanë nisur karrierën në vitin 1976, duke qenë themeluesit e “Grupit të rinjve të Gjirokastrës”. Më pas Roland Çenko së bashku me vëllain e tij, Kastriotin, krijuan grupin “Argjiro”. Në grup luajnë rolet e marrësit kthyesit dhe hedhësit sipas karakteristikave të këngës me një zë të pangatërrueshëm, i bërë prezente në festivale që prej vitit 1978. Pjesë e grupit janë edhe Mersin Haska, i cili luan rolin e kthyesit si dhe Shkëlqim Seiti e gjen veten në grup ne rolin e kthyesit, por në këngë të veçanta edhe marrës. Isoja mbështetet tek Mariglen Berberi, Ferdi Sino, Merkur Sinani, Genci Beqo, Mirosh Gagani. “Më duhet të theksoj ky është i vetmi grup në Shqipëri që këndon me dy hedhje, janë aktiv si në Shqipëri, Francë, Greqi, Poloni, Itali, Gjermani, Spanjë, Turqi, Holandë etj.”. Rolandi dhe Kastrioti e kanë të trashëguar këngën nga babai Demo Çenko, i cili ishte pjesëtar i grupit të pleqve me Xhevat Avdallin, Lavo Erindin, Skënder Tushe etj… edhe sot këtë traditë e vazhdon edhe nipi i Rolandit, djali i Kastriotit Alvaro Çenko pjesëtar i grupit “Obelisku”… Grupi “Obelisku” është krijuar nga Roland Çenko, i cili e fitoi këtë projekt të mundësuar nga programi “Bota e ndryshimit”. Ky grup fëmijësh janë përzgjedhur në shkollat 9-vjeçare edhe te mesme dhe pas një viti trajnim ky grup nxori edhe albumin e parë me titull “Zëra të njomë nga qyteti i gurtë”, “Fëmijët e grupit Obelisku Gjirokastër”… Më pas vazhduan trajnimin projekt të mundësuar nga Ambasada Zvicerane për gati një vit dhe sot janë aktivë nëpër aktivitete të ndryshme. Gjithë kjo kohë dhe mundësi për ta mbajtur gjallë trashëgiminë shpirtërore të këngëve iso-polifonike merr shpërfilljen edhe nga Ministria e kulturës që hesht për një përgjigje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency