Vendimi/ Kaloi me semafor të kuq, tentoi të jepte ryshfet, dënohet me 4 muaj

0
148

police rrugoreStatistikat në Gjykatën e Tiranës për këtë vepër, në rritje. Policia Rrugore, dëshmitare në Gjykatë. Në tre muaj, dhjetë vendime për të njëjtin objekt

 Gjykata e Tiranës ka dënuar me katër muaj burg të pandehurin Edvin Kacnia, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Shqyrtimi gjyqësor i të pandehurit 34-vjeçar është bërë me gjykim të shkurtuar, pasi është kërkuar nga vetë i akuzuari. Ndërkohë, burime nga gjykata kanë bërë me dije se gjatë seancës gjyqësore rezultoi e provuar se më datë 17 mars të këtij viti rreth orës 4:00 të mëngjesit, gjatë kryerjes së shërbimit si postbllok policie në afërsi të kryqëzimit të rrugës “5 Maji”, Tiranë, është ndaluar mjeti tip “Volkswagen” autoveturë me targa TR 2771 R, që drejtohej nga i pandehuri Ervin Kacnia, pasi ka kaluar semaforin me dritë të kuqe. Punonjësit e policisë pas prezantimit i kanë kërkuar lejen e drejtimit të mjetit dhe dokumentacionin e automjetit.

 

Shkeljet

Pasi i kanë komunikuar shkeljen e kryer, ata kanë filluar edhe përpilimin e proces verbalit për shkeljen e kryer nga personi në hetim. Në këtë moment i pandehuri është afruar tek makina e tyre dhe u ka hedhur një kartëmonedhë 2000 lekëshe dhe ka marrë pa lejen e punonjësve të policisë dokumentacionin e makinës dhe është larguar. Në këto kushte është bërë menjëherë shoqërimi i të pandehurit për në Komisariatin e Policisë numër 4. Ndërkohë, nga parashtrimi i faktit të sipërcituar rezulton se me veprimet e kundërligjshme i pandehuri Edvin Kacnia ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 224 i Kodit Penal. Me veprimet e tij të kundërligjshme, nëpërmjet dhënies së një përfitimi monetar në mënyrë të parregullt ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, për të mos kryer detyrën e tyre për të ndëshkuar të pandehurin për kundërvajtjen administrative të kryer prej tij.

 

Statistikat

Gjykata e Tiranës brenda tre muajve të parë të këtij viti ka arritur të shpallë 10 vendime me objekt korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Në të gjitha rastet e gjykuara rezulton se kallëzimet penale janë kryer nga vetë punonjësit e qarkullimit rrugor. Kanë qenë raste kur drejtues të automjeteve janë përpjekur të korruptojnë punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor, pasi janë kapur në shkelje flagrante të rregullave të qarkullimit. Një pjesë e madhe e kallëzimeve lidhet me personat që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur. Një pjesë nuk kanë pasur leje të drejtimit të automjetit dhe për të mos u ndëshkuar nga ligji, janë mundur të korruptojnë efektivët e policisë. Por jo të gjitha rastet përfundojnë në gjykatë. Personat e akuzuar janë dënuar të gjithë me burg. Por asnjë prej tyre nuk e ka vuajtur dënimin. Pasi kanë pranuar gjykimin e shkurtuar, personave të dënuar u është pezulluar dënimi me kusht për 18 muaj deri në dy vite burg.

 

 Abuzimi me energjinë, evidentohen 33 raste, arrestohen 10 persona

Vijon puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se në të gjithë vendin gjatë kësaj jave, kanë vepruar 90 grupe të përbashkëta Polici-OSHEE. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren, në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 33 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 33 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 10 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Janë shpallur në kërkim 10 persona, ndiqen në gjendje të lirë 13 persona, si dhe është proceduar penalisht 1 punonjës i OSHEE në Lezhë me detyrë Faturist, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Po gjatë kësaj jave, janë ndërprerë 2.990 lidhje të abonentëve debitorë dhe 33 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 117 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

 

Tiranë, grabitet një dyqan celularësh, autori largohet

Një dyqan celularësh ka rënë pre e grabitjes gjatë ditës së diel në zonën e 9-katësheve në kryeqytet. Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka hyrë në dyqan ku tregtoheshin telefona celularë dhe ka grabitur prej andej një sasi të konsiderueshme parash, si dhe telefona celularë. Mësohet se brenda në ambientet e dyqanit ndodhej shitësi, i cili nën presionin e ushtruar nga grabitësi nuk ka ngurruar duke i dhënë më pas edhe shumën e parave që mbante në arkën e dyqanit. Menjëherë është lajmëruar policia e kryeqytetit, e cila ka mbërritur në vendngjarje shumë shpejt, por autori është larguar me shpejtësi para se forcat e policisë të mbërrinin në vendngjarje. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se sapo mbërritën në vendngjarje kanë nisur hetimet për zbulimin e grabitësit. Ndërkohë, materialet lidhur me këtë rast iu referuan Prokurorisë së Tiranës për vazhdime të mëtejshme procedurale, ndërsa policia vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

Shkodër/ Hajdutët vjedhin 4.500 euro në shtëpinë e të moshuarit

Një tjetër grabitje është shënuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Shkodër. Burime nga policia kanë bërë me dije se shtëpia e një të moshuari ka rënë pre e grabitjes në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Suka-Dajç, në Shkodër. Policia e Shkodrës bën me dije se persona ende të paidentifikuar, kanë hyrë në shtëpinë e 67-vjeçarit me iniciale M. V., duke grabitur një shumë të konsiderueshme parash, rreth 4.500 euro, si dhe një kompjuter laptop të markës “Samsung”. Ndërkohë, ende nuk dihet nëse i zoti i shtëpisë, i cili jetonte i vetëm ka qenë në banesë apo jo. Policia e qytetit të Shkodrës ka shkuar menjëherë në vendngjarje sapo ka marrë njoftimin për këtë grabitje, ndërsa ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin autorëve. Të njëjtat burime theksojnë se materialet i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për vazhdime të mëtejshme procedurale, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.

 

Shkodër/ Drejtonte mjetin pa leje drejtimi, pranga 51-vjeçarit

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga gjatë ditës së djeshme një 51-vjeçar, nën akuzën e drejtimit të automjetit pa leje drejtimi. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë me dije se në pranga është vënë shtetasi Dedë Shkreli, 51 vjeç, banues në fshatin Reç i Ri, Komuna Velipojë Shkodër, arrestimi i 51-vjeçarit mësohet se është bërë, pasi ky person sipas policisë në rrugën rurale Mali i Jushit-Velipojë, është konstatuar dhe më pas ndaluar nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar automjetin e tij tip “Volkswagen”, me targa SH 4673 D, i pa pajisur me leje drejtimi. Pas këtij konstatimi, policia ka bërë menjëherë arrestimin e 51-vjeçarit, duke i sekuestruar më pas edhe automjetin të cilin e drejtonte pa leje përkatëse. Ndërkohë, burimet nga Policia e Shkodrës kanë bërë me dije se materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për vazhdime të mëtejshme procedurale, ndërsa vijojnë hetimet ndaj tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency