“Xibraka”, ekspertiza gjermane: Solucioni, me përmbajtje kokaine

0
99

“Xibraka”, ekspertiza gjermaneMbërrin para disa ditësh ekspertiza nga Gjermania. Në lëndën e sekuestruar ka përmbajtje kokaine. Sasia e kokainës në solucione dhe pajisje kapte miliona euro

Ekspertët gjermanë dorëzojnë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ekspertizën lidhur me gjetjet e mbetjeve në laboratorin e drogës në Xibrakë. Sipas të dhënave që dalin nga organi i akuzës, bëhet me dije se në materialet e sekuestruara në këtë laborator rezultojnë të ketë përmbajtje të lëndës narkotike, të llojit kokainë. Rezultati ka mbërritur tre ditë më parë. Sipas ekspertëve gjermanë, në pajisjet e gjetura në laborator dhe solucionet, ka gjurmë kokaine. Kjo përmbajtje e lëndës narkotike kalonte në procese kimike përmes përzierjes me substanca të tjera punë, që e bënin dy kolumbianët e arrestuar Valter Moreno dhe Cesar Avila. Sipas burimeve të organit të akuzës, ekspertët nuk e kanë përcaktuar sasinë e kokainës brenda këtyre solucioneve, por mendohet se ajo është e konsiderueshme dhe kapte vlerën e miliona eurove. Po ashtu, sipas të njëjtave burime, mësohet se ekspertët nuk i kanë përfunduar të gjitha ekzaminimet e substancave dhe rrobave që u morën nga laboratori i Xibrakës, ndaj priten ende përgjigje të tjera nga autoritetet e drejtësisë gjermane, të cilët po i kryejnë këto ekzaminime. Sipas burimeve, mësohet se pala gjermane po e bën këtë ekzaminim për llogari të hetimeve që e kanë nisur në këtë vend, gjë që e ka shfrytëzuar Prokuroria Shqiptare për të kërkuar prova të mundshme dhe përgjigjet e analizave. Po ashtu, hetuesit dyshojnë se edhe solucionet e gjetura në magazinën e Xhafzotajt në Durrës mund të kenë të njëjtën përmbajtje. Edhe për materialet e sekuestruara në këtë magazinë priten përgjigje nga laboratori i Policisë Shkencore. Burimet bëjnë me dije se të gjithë të arrestuarit janë rimarrë në pyetje në prani të avokatëve, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të japë shpjegime për akuzën e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Prokuroria tashmë ka shpallur në kërkim Genci Xhixhën, i cili rezulton të ketë bërë disa transferta parash drejt Kolumbisë dhe Kubës. Lëvizjet e parave janë bërë edhe në emër të personave të tjerë nën hetim.

 

Hetimet

Që nga marsi 2014, Inspektorati Qendror për Krimet në Gëtingen, nën drejtimin e Prokurorisë së Hanoverit, po kryen hetime në ngarkim të një rrjeti ndërkombëtar trafiku të lëndëve narkotike, i cili dyshohet se trafikonte sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut për në Evropë. Në fillim këto hetime nisën ndaj një shtetasi shqiptar 46-vjeçar, i cili jetonte përkohësisht në Gjermani, si dhe një 47-vjeçareje e dyshuar si bashkëpunëtore e tij. Pasi në vjeshtën e viti të kaluar u shtuan dyshimet se baza e kokainës ndodhej në Shqipëri, autoritetet gjermane dërguar një shkresë autoriteteve shqiptare duke i përcjellë më pas çdo informacion të mundshëm rreth këtij rrjeti kriminal. Pas këtyre veprimeve, hetimet në vendin tonë çuan në zbulimin e një laboratori të madh kokaine në një kompleks ndërtesash të ruajtura në masa të rrepta sigurie në afërsi të qytetit të Elbasanit. Pas hetimeve intensive të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit, më datë 14 janar të këtij viti, Forcat Speciale të Policisë së Shtetit Shqiptar kryen kontrolle në këtë objekt. Gjatë kontrollit të ushtruar u arrit të gjendej rreth 20 kg kokainë. Më tej autoritet shqiptare arritën të sekuestronin edhe disa armë zjarri, para në monedha të ndryshme të cilat arrinin shumën e 400 mijë eurove, disa automjete në brendësi të të cilave u gjetën edhe kimikate të ndryshme. Nga hetimet paraprake, kokaina dyshohet të jetë përzier në Amerikën e Jugut me substanca të parrezikshme dhe pas mbërritjes në Shqipëri ajo përftohej sërish. në operacionin “Xibraku”, Policia e Shtetit arrestoi 11 persona si të implikuar në këtë rrjet kriminal, mes tyre dy kolumbianë, si dhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha.

 

Marinzë, sot raporti i ekspertëve si dhe marrja e masave të sigurisë

Grupi i punës për shpërthimin e puseve të naftës në Marinzë pritet që gjatë ditës së sotme të bëjë publik raportin për çka ndodhi në këtë fshat. Nga raporti pritet që të dalë teknikisht ajo çka ndodhi në Marinzë dhe pse shpërthyen puset e naftës. Pas publikimit të raportit në bazë të përfundimeve të tij do të kalohet edhe tek masat e sigurisë dhe mbajtja e përgjegjësive për fajtorët. Sipas burimeve është bërë me dije se në grupin e punës që u mor me verifikimet kishte specialistë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, nga AKBN, Albpetrol si dhe ekspertë të tjerë të fushës. Ndërkohë, dy banore të Marinzës në Fier janë dërguar në spitalin rajonal me simptoma helmimi mëngjesin e 5 prillit 2015, si pasojë e shpërthimit të puseve të gazit pak ditë më parë. Entela Nushi 39 vjeçe dhe Eglantina Nushi 38 vjeçe, u vendosën për disa orë nën kujdesin spitalor në Fier, pas problemeve shëndetësore që ato shfaqën. Ato rrëfejnë se që prej shpërthimit të puseve me gaz të Bankers Petroleum, kanë ndjerë vazhdimisht dhimbje koke, tharje fyti, marrje mendsh dhe të vjella. Sipas dy banoreve të sëmura të Marinzës, të njëjtat shenja kanë me dhjetëra banorë, të shfaqura për shpërthimit të fontanës së gazit mëngjesin e 1 prillit. Jashtë kamerave mjekët pohojnë se rasti i helmimit të dy grave, vjen si pasojë e ndotjes së mjedisit në vendbanesat e tyre, ndërsa konfirmojnë se janë të parat prej banorëve të Marinzës të paraqitura në spital. Këto janë rastet e para që banorët e Marinzës në Fier shfaqin probleme shëndetësore pas shpërthimit të pusit të naftës. Ndërkaq, situata vijon të jetë e vështirë në fshat, ku uji është i papërdorshëm dhe shtëpitë e dëmtuara. Nga shpërthimet e puseve të naftës në Marinzës në Fier, u shkaktuar dëme të shumta në mjedis dhe në shtëpitë e banorëve të cilët i kanë ndërtuar shumë pranë puseve ku nxirrej naftë.

 

Berat/ 52-vjeçari varet me litar pranë varrit të babait dhe gruas

Një 52-vjeçar nga qyteti i Beratit i ka dhënë fund jetës së tij në mënyrën më tragjike të mundshme. Burime zyrtare nga Policia e Beratit kanë bërë me dije se viktima është gjetur i varur në një pemë, e cila ndodhej pranë varrit të babait dhe bashkëshortes së tij në fshatin Vojnik, në Berat. Të njëjtat burime kanë theksuar se viktima është 52-vjeçari me iniciale H. J. Po ashtu, nga të dhënat paraprake të policisë së qytetit të Beratit mësohet se shtetasi me inicialet H. J., vuante nga depresioni dhe kjo mendohet të jetë shkaku që e ka shtyrë atë të marrë një vendim ekstrem për veten e tij. 52-vjeçari mësohet se është gjetur i pajetë në varrezat e fshatit Vojnik, nga disa persona të cilët kanë kaluar aty rastësisht, të cilët më pas kanë njoftuar menjëherë policinë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë së Beratit të cilët e dërguan trupin e pajetë të 52-vjeçarit në morgun e qytetit dhe më pas filluar hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency