Flet ambasadori amerikan/ Donald Lu: Nxisim partitë të largojnë të inkriminuarit, monitorojmë kandidatët për 21 qershorin

0
140

Gëzim Saliu

 Donald Lu Seanca online me pyetje-përgjigje e ambasadorit amerikan: Byroja e Hetimit duhet për të hetuar zyrtarët e lartë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, deklaroi dje se nxit partitë politike të largojnë të inkriminuarit. Në një seancë me pyetje-përgjigje online me qytetarët shqiptarë, format i iniciuar fillimisht nga ish-ambasadori Arvizu, Lu deklaroi dje se zgjedhjet vendore të 21 qershorit janë shumë të rëndësishme dhe se SHBA po monitoron procesin e nominimit të kandidatëve. Sipas tij nëse do të ketë persona me probleme me krimin apo edhe me korrupsionin, ambasada do të njoftojë partitë politike. “Në momentin kur ne shohim që ka persona që kanë lidhje me korrupsionin ose aktivitetet kriminale ne njoftojmë liderët e partive politike. Populli shqiptar duhet të ketë pritshmëri të lartë në lidhje me prezantimet politike dhe ata duhet të jenë të ndershëm. Ne besojmë se të gjithë kandidatët duhet të kenë standard të lartë të etikës, asnjë kandidat nuk duhet të ketë lidhje kriminale apo rekorde kriminale”, – tha kryediplomati amerikan.

 

Dekriminalizimi dhe korrupsioni

Lidhur me procesin e dekriminalizimit të Kuvendit dhe sjelljen e partive politike, ambasadori Lu u shpreh dje: “Ajo që ne vlerësojmë nuk është retorika, por më tepër veprimet që janë marrë nga prokurori i Përgjithshëm, Parlamenti, liderët partiakë dhe të tjerët. Është e rëndësishme që të vazhdojë procesi i dekriminalizimit që është nisur me dhjetor 2014 me marrëveshje midis palëve. Ne vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha partitë politike në Shqipëri për të hequr individët e përfshirë në aktivitete kriminale ose të korruptuar. Duartrokasim veprimet e Prokurorit të Përgjithshëm për të sjellë akuzat kundër dy deputetëve”. I pyetur lidhur me fenomenin e korrupsionit në Shqipëri ambasadori amerikan theksoi se ky është një problem që duhet adresuar me forcë në mënyrë sistematike. “Unë mendoj qe njerëzit ne Shqipëri, qeveria, bizneset, si dhe te tjerët e pranojnë se korrupsioni është një problem ne Shqipëri. Ky është një problem qe duhet adresuar me force dhe vazhdimisht. Kur ne mendojmë korrupsionin, ne mendojmë dy forma – atë te njerëzve te zakonshëm qe japin para për te marre shërbime/u kërkohen para për shërbime apo për te anashkaluar rregullat. Forma tjetër është ajo e korrupsionit ne nivele te larta. Akuzat aktuale ndaj deputetëve të Parlamentit tregon se asnjë nuk është i paprekshëm apo se askush nuk është mbi ligjin. Ne i mbështesim fuqimisht këto përpjekje ne politike, ne sistemin gjyqësor, ne sektorët publike dhe private, dhe kudo qe ato ndërmerren”, – deklaroi ai.

 

Byroja e Hetimit

Një tjetër çështje e seancës online me pyetje-përgjigje me qytetarët shqiptarë ishte edhe ajo që lidhet me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ekspertizës së FBI-së në këtë aspekt. Sipas kryediplomatit amerikan, Byroja është e nevojshme në Shqipëri, pasi vetëm përmes saj, theksoi Lu, do të mund të hetohen zyrtarët e nivelit të lartë. “Së pari, duhet të ekzistojë një institucion për zbatimin e ligjit me kapacitet të zhvilluar hetimi. Së dyti, ka gjithashtu nevojë për një institucion që ka autoritetin për të hetuar zyrtarë deri në nivelet më të larta. Skuadra jonë nga FBI ishte këtu për të biseduar se si ne mund të ndihmojmë në ngritjen e një Zyre Kombëtare Hetimi në Shqipëri, në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucionet e drejtësisë duhet të vazhdojnë të përmbushin përgjegjësitë e tyre për te zbatuar ligjin dhe siguruar një proces të rregullt”, – pohoi ambasadori amerikan. Ndërkaq të gjithë diskutimin e tij, Lu e mbylli me një deklaratë shpresëdhënës për Shqipërinë, duke theksuar se ka shpresa shumë të larta në dhjetë vitet e ardhshme. “Institucione të forta të pavarura në çdo nivel dhe qeveri funksionale, lumenj të pastër dhe liqene, brigje dhe vargje malore të mbushur me më tepër turistë, dhe institucione arsimore me cilësi të lartë që tërheqin studentët nga jashtë vendit. Unë besoj se ky vend mund të arrijë kaq shumë”.

 

 Zgjedhjet/ Kandidatja e Shkodrës, Meta e mbështet, Bazhdari krenare. Si e akuzoi në 2011-ën për videon me Priftin

Pak ditë pasi Kryeministri Edi Rama e shpalli kandidaturën e Keti Bazhdarit për Bashkinë e Shkodrës, kreu i LSI-së ishte i pranishëm dje në qytetin më të madh të Veriut për t’i dhënë mbështetje. Duke njësuar qëndrimin se kandidaturat do të kenë mbështetje të përbashkët nga partitë kryesore, Meta tha se Bazhdari është simboli i ndryshimit që i duhet Shkodrës. Fillimisht, Bazhdari u shfaq në krah të Metës gjatë përurimit të një biznesi fason, më pas Meta e prezantoi para strukturave të LSI-së në Shkodër kandidaten e përbashkët të koalicionit për këtë Bashki. “Shkodra meriton një ndryshim të madh dhe simbol i këtij ndryshimi bëhet një vajzë që di ta ndërtojë suksesin. Jam i kënaqur me këtë zgjedhje, sepse nuk kemi një kandidate që do të marrë Bashkinë për pushtet apo për ta përdorur për interesa personale, por ajo ka një ëndërr, mision për Shkodrën. Bazhdari do t’i japë shkëlqimin e plotë Shkodrës me Bashkinë e re që i ka këto potenciale. Kërkon vizion dhe sipërmarrje kjo sfidë”, – tha ai. Nga ana e saj, Bazhdari shprehu kënaqësinë për mbështetjen që i është dhënë nga strukturat e LSI-së. “Për mua është kënaqësi e madhe mbështetja dhe afeksioni që ju më keni dhënë që në takimin e parë”. Por kjo marrëdhënie e shkëlqyer mes LSI-së dhe kandidates së majtë për Bashkinë e Shkodrës ka qenë tërësisht e ndryshme katër vite më parë, kur palët qëndronin në kah të kundërt. Pas videos “Meta-Prifti”, ish-kryetarja e PS-së së Shkodrës ishte ndër të parat që reagoi duke e cilësuar atë si shfaqjen e vërtetë të kreut të LSI-së para shqiptarëve. “Është e vërtetë që z. Meta dha shfaqjen më të keqe, sepse të gjithë shqiptarët e dinin, po ai kristalizoi atë që ne dinim në kamerat dhe në televizionet e shtëpive tona. Është e turpshme dhe sjellje jodinjitoze e Kryeministrit, i cili po tregon se koalicioni që kanë ndërtuar vetëm mbi bazën e aferave korruptive dhe veprimeve ekonomike të jashtëligjshme”, – qe shprehur në atë kohë Keti Bazhdari.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency