Operacioni/ Shkatërrohet organizata e shpërndarjes së heroinës në Kombinat

0
149

edi palokaU identifikuan që në vitin 2013, pas vdekjes së një 30-vjeçari nga overdoza. Prokuroria thotë se heroina ishte e cilësisë së keqe dhe shitej nga anëtarët e grupit

Policia e Shtetit ka shkatërruar një organizatë kriminale, e cila merrej me shpërndarjen e heroinës në zonën e Kombinatit. Arrestimi u bë pas lëshimit të urdhër-arrestit nga Gjykata, e cila kishte vendosur më parë për ta masën e sigurimit në mungesë. U arrestuan 9 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se të gjithë këta persona janë të dyshuar si shpërndarës të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit heroinë në kryeqytet. Në vijim të vendimit të gjykatës, efektivët e policisë kanë ekzekutuar arrestimin e shtetasve, të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal” të parashikuar nga nenet 283/2 e 333/a të K. Penal, si më poshtë: Hetimi i Prokurorisë ka arritur të evidentojë edhe rolin e të dyshuarve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Kështu, shtetasit Gjergj Kolvani dhe Grigor Baloshi blejnë sasi lënde narkotike nga i dyshuari Ilia Elezi. Ky i fundit e perzien lëndën narkotike duke e bërë gati për shitjen e saj në rrugë. Shtetasi Grigor Baloshi (Gori) për shitjen e saj përdor si shitës shtetasit Blendi Spaho dhe Gentian Hoxha të cilët përgatisin dhe shesin në Kombinat duke e ndarë lëndën narkotike në doza të vogla në shtëpinë e shtetasit Gjergji Kolvani dhe me pas dozat e lëndës narkotike të llojit heroinë i mban në shtëpi shtetasja Myzejen Nuzi (Xhoi) si dhe te ardhurat të përfituara prej shitjes së këtyre dozave të cilat me pas ja dorëzon shtetasit Gjergj Kolvani dhe ky i fundit bën likuidimin e blerjes së lëndës narkotike tek shtetasi Ilia Elezi. Gjatë hetimit të këtij procedimi mësohet se janë proceduar edhe 6 persona të tjerë.

 

Provat

Sakaq, gjatë finalizimit të këtij operacioni u sekuestruan 2 automjete me të cilat kryhej aktiviteti kriminal i shpërndarjes së lëndëve narkotike; një sasi prej rreth 300 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë; një peshore rreth 10 gramë metadon; 16 telefona celulare dhe karta telefoni, shuma prej rreth 1.000.000 lekë. Ky grup kriminal, sipas policisë mësohet se aktivitetin e tij e shtrinte ne qytetin e Tiranës në zonën e Kombinatit, Unaza e re, Yzberisht, Parku i Autobusëve, si dhe në qytetet Durrës, Fier dhe Vlorë. Hetimi për këtë grup nisi pas vdekjes së një shtetasi 30 vjeç nga overdoza dhe cilësia e keqe e heroinës. Disa anëtarë të këtij grupi, të cilët ishin nën mbikëqyrje si të dyshuar se shisnin heroinë, sapo mësuan se shtetasi A. M., 30 vjeç nga Kombinati, në datë 22.11.2013 vdiq për shkak të overdozës, u larguan nga Tirana, pasi e dinin që lëndën narkotike viktima e kishte blerë prej tyre. Largimi i tyre për pak ditë nga Tirana forcoi dyshimet e grupit hetimor se këta persona ishin pjesë e një rrjeti shpërndarjeje heroinë. Për të faktuar me prova veprimtarinë kriminale dhe anëtarët e këtij grupi të strukturuar, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetime të plota dhe në datë 1.4.2015 kërkoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për 11 persona, gjë e cila u pranua nga Gjykata për Krime të Rënda. Hetimet e mëtejshme në kuadër të këtij procedimi penal, kanë çuar prokurorinë në përfundimin se në këtë grup të strukturuar kriminal janë përfshirë edhe shtetasit e tjerë. Ky grup, të ardhurat e fituara i ka shpërndarë sipas meritave dhe ata i shpenzojnë për të blerë pasuri dhe një pjesë i shpenzojnë për të blerë lëndë narkotike. Ky grup sipas raporteve të vëzhgimit ka një bazë ne zonën e Kombinatit dhe një tjetër në zonën midi rrugëve “Mujo Ulqinaku” e “Him Kolli”.

 

Padia e Ramës, Paloka dorëzon në Gjykatë 12 prova kundër

 Gjykata e Lartë administroi dje në seancë gjyqësore 12 prova të paraqitura nga avokati i Edi Palokës, Ivi Kaso, për të vërtetuar akuzat kundër Edi Ramës, bërë gjatë daljeve publike. Rama dhe Paloka nuk ndodheshin në seancë, ndërkohë që përfaqësoheshin të dy nga avokatët. Kaso paraqiti disa prova për të cilat tha se janë të gjitha të vërtetuar dhe nuk mund të quhen të pavërteta. Në materialet e paraqitura në Gjykatën e Lartë nga avokati i tij Ivi Kaso, deputeti demokrat Paloka konsideron si prova të mirëqena shkrime të gazetës “55” apo edhe deklarata të ish-numrit dy të policisë së Tiranës Erzen Breçani se e ka arrestuar disa herë Emiljano Shullazin për të cilin PD pretendon se është i lidhur me krimin. Një tjetër provë e paraqitur nga Kaso janë edhe deklaratat e Dritan Priftit se Rama konsumon drogë. Pjesë e këtyre provave është edhe deklarata e deputetit të përjashtuar nga PS Tom Doshi, lidhur me atentatin e mundshëm ndaj tij dhe kolegut Mhill Fufi. Për selinë blu dhe Palokën, kjo është një tregues i qartë i lidhjes së krimit nga ana e mazhorancës.

Ja provat e Palokës:

  1. Thëniet e Edi Ramës kur ishte lider i opozitës, dhe pretendonte persona të inkriminuar në Policinë e Shtetit.
  2. Fotoja e një prej personave të pranishëm në përplasjen me armë te Rruga e Kavajës, që del nga selia e PS.
  3. Deklaratat e Erzen Breçanit në lidhje me arrestimin disa herë të Shullazit dhe një nga rastet, ai i vitit 2011, ku ka shkaktuar një incident gjatë një aktiviteti të PS.
  4. Deklarata e Ambasadës Amerikane, 2 mars 2015, ku përshëndet përjashtimin e Tom Doshit nga Grupi
  5. Një botim i gazetës “55” në vitin 2012 në lidhje me disa përgjime të kryera nga drejtësia italiane ku dy anëtarë për llogari të “Bandës së Lushnjës”, përmendin se Rama është i lidhur me krimin.
  6. Deklaratat e ish-deputetit Dritan Prifti, që etiketon Ramën si person që konsumon lëndë narkotike.
  7. Deklaratat e PD për denoncimin e dënimeve të dhëna në Itali ndaj deputetit Arben Ndoka.
  8. Vendimi i Gjykatës Administrative të Shullazit kundër Ministrisë së Financave për shpërblim burgimit të padrejtë, i cili nuk është ankimuar nga Ministria.
  9. Denoncimi i Tom Doshit për një tentativë vrasjeje ndaj tij. Edhe pse ka qenë në dijeni, Rama nuk e ka kallëzuar.
  10. Deklarata e Ministrit Tahirit, 4 mars 2015, për hetimin sipas tij të farsës, ku pranon të jetë takuar me persona të inkriminuar, të cilët nuk i ka kallëzuar, apo referuar.
  11. Dokumenti policor sekret i publikuar në media, që një deputet i rëndësishëm i mazhorancës ka fshehur në automjetin e tij nga kontrolli policor një person të dyshuar si trafikant të lëndëve narkotike.
  12. Rezoluta e nënshkruar në dhjetor 2014 në lidhje me dekriminalizimin e Kuvendit.

Këto materiale janë marrë në shqyrtim nga Gjykata e Lartë në një seancë ku si Rama ashtu edhe Paloka nuk kanë qenë prezentë duke u përfaqësuar përmes avokatëve të tyre. Akuzat ndërmjet palëve kanë nisur në lidhje me plagosjen me armë të Emiljano Shullazit, ku sipas selisë blu, ai është një person me të shkuar kriminale dhe i lidhur me qeverinë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency