Vendimi/ Ben Qimja i shpëton ekstradimit drejt Italisë

0
171

Ben QimjaProkuroria: Do të apelojmë vendimin. Kërkohet për trafik droge në Itali, Ben Qimja fiton lirinë, Gjykata e Fierit nuk pranon kërkesën për ekstradimin e tij

Ben Qimja nuk do të ekstradohet në Itali. Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e tij në Itali. Mësohet se kërkesa e Prokurorisë për ekstradimin e Ben Qimes është rrëzuar pas një vendimi të autoriteteve italiane, ku vepra penale për të cilën ai akuzohej është ndryshuar, nga pjesëmarrje në organizatë kriminale në trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Megjithatë, shteti italian nuk ndryshoi kërkesën për ekstradimin e Ben Qimes, duke kërkuar nga autoritetet shqiptare arrestimin e tij. Vendimi i Gjykatës së Fierit rrëzoi kërkesën për ekstradim dhe njëherazi masën e sigurisë që ishte arrest shtëpie. Për Prokurorinë, ky vendim nuk është bazuar në fakte dhe është i papranueshëm. Sipas burimeve të Prokurorisë, mësohet se vendimi i dhënë nga Gjykata, duke rrëzuar kërkesën për ekstradim të Ben Qimes në Itali do të apelohet së Gjykatën e Apelit Vlorë. Procesi gjyqësor ndaj të fortit të Fierit nisi afërsisht një vit më parë pas kërkesës së drejtësisë italiane që e akuzonte për trafik të organizuar narkotikësh. Çështja u shqyrtua fillimisht nga Gjykata e Tiranës, e cila miratoi kërkesën për ekstradim. Por Gjykata e Apelit e prishi këtë vendim, me argumentin se Gjykata e Tiranës nuk është kompetente për rastin në fjalë. Kështu, çështja nisi të shqyrtohej në Gjykatën e Fierit, e cila fillimisht ndryshoi masën e arrestit nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”, deri në vendimin për rrëzim të ekstradimit duke i dhënë lirinë Arben Isufajt apo siç njihet ndryshe Ben Qimja.

 

Kush është Ben Qimja

Emri i Ben Qimes apo Arben Isufajt është lakuar disa herë nga drejtësia shqiptare, e cila ka bërë disa përpjekje për ta vënë nën akuzë për vrasje dhe trafik droge. Madje, në vitin 2008, mësohet se ai është ndaluar në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë, i dyshuar për vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu, në vitin 2002. Në atë kohë, pra në vitin 2008, arrestimi i Ben Qimes është bërë pa urdhër prokurorie, pra me iniciativë nga Policia e Tiranës e cila kishte rihapur hetimet për vrasjen e Koçiut. Por, në momentin e përballjes me gjykatën, kjo e fundit e liroi madje duke rrëzuar provën kryesore që çoi në ndalimin e Qimes, të një akt-ekspertimi që pretendohej se ishte gjetur në vendin e ngjarjes ku ishte ekzekutuar Pirro Koçiu, ku si i dyshuari kryesor ishte pikërisht fieraku. Duket se hetimi për Isufajn ishte një “lojë”, asokohe. Akti i ekspertimit duhet të realizohej në shtetin anglez. Prokuroria e Përgjithshme përgatiti materialin për letër-porosinë, material i cili është dërguar në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo e fundit e ka përkthyer dosjen dhe besohet se kërkesën e ka dorëzuar pranë policisë angleze në datën 16 qershor të vitit 2013. Por e papritura për organin e akuzës ka qenë kthimi i përgjigjes nga pala angleze, e cila në shkresën përcjellëse shkruante se materiali ka ardhur në Shqipëri në datën 12 qershor. Pra, sipas dokumenteve, letër-porosia më parë ka ardhur sesa është dërguar në Angli. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se Ben Qimja është arrestuar me kërkesë të drejtësisë italiane, e cila në muajin qershor të vi ti 2010 mësohet se ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndaj tij. Tashmë Ben Qimja ka fituar lirinë e tij nga Gjykata e Fierit, e cila ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e tij në llogari të shtetit italian.

 

Lezhë/ Përplasen makinat, vdes 60-vjeçari, në kërkim autori

Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një 60-vjeçari në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës kanë bërë me dije se përplasja e dy automjeteve kanë në superstradën Lezhë-Laç ka shkaktuar vdekjen e një personi, ndërsa drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin është larguar nga vendngjarja. Aksidenti i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar rreth orës 1:00 të ditës së djeshme në vendin e quajtur kryqëzimi i Shënkollit, ndërsa viktima e tij ka mbetur 60-vjeçari Dodë Lleshi, banor i lagjes “Varosh”, në Lezhë. Në tentativë për të dalë nga një rrugë dytësore për në superstradë, sipas policisë automjeti tip “BMW X6”, me targa AA 002 JR që drejtohej nga Aleks Lala, 29-vjeç, banues në Tiranë i ka ndërprerë rrugën autoveturës Land Rover me targa të Lezhës 8424 A që drejtohej nga viktima Dodë Lleshi. Përplasja mes dy mjeteve ka qenë tepër e fortë, kjo edhe për shkak se fuoristrada po lëvizte me shpejtësi tejet të madhe, e për pasojë i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme 60-vjeçarit. Menjëherë pas aksidentit 29-vjeçari që drejtonte fuoristradën është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia ka nisur ndaj tij një procedim penal dhe e ka shpallur në kërkim. Ndaj Aleks Lalës policia ka referuar materialet në prokurori për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor më pasojë vdekjen”, si dhe “Largim nga vendi i aksidenti”. “Më datë 26.03.2015, filloi procedimi penal, u bë shpallja në kërkim e punohet për kapjen e shtetasit Aleks Lala, 29 vjeç, banues në njësia Bashkiake nr. 6, Tiranë, pasi në orën 00.45, në rrugën Laç-Lezhë, në vendin e quajtur Kryqëzimi i Shënkollit, duke drejtuar mjetin tip “BMW-X6 ”, me targë AA002JR, është përplasur me automjetin Tip “Land-Rover”, me targë LE8424A, të drejtuar nga shtetasi Dodë Lleshi , 60 vjeç, banues në lagje “Varosh”, Lezhë, i cili ka gjetur vdekjen. Pas aksidentit shtetasi Aleks Lala është larguar nga vendi i ngjarjes. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, nenet 290 e 273 të Kodit Penal.

 

Fier, e përndiqte prej ditës së divorcit, arrestohet 52-vjeçari

Policia e Fierit ka vënë në pranga gjatë ditës së djeshme një 52-vjeçar, nën akuzën e përndjekjes. Burime zyrtare nga Policia e Fierit kanë bërë me dije se në pranga ka përfunduar 52-vjeçari Arben Kalemaj. Të njëjtat burime kanë theksuar se Kalemaj, që prej ditës së divorcit e në vazhdim, kishte përndjekur ish bashkëshorten e tij. Uniformat blu të Policisë së Fierit kanë bërë me dije se ish bashkëshortja e të arrestuarit, 49-vjeçarja me inicialet T. I., ka kallëzuar rastin në fjalë në policinë e qytetit të Fierit, çka ka bërë me dije se prej disa ditësh ish-bashkëshorti i saj i shkaktonte frikë dhe pasiguri për jetën. Menjëherë pas kallëzimit të bërë në polici nga 49-vjeçarja, është bërë menjëherë arrestimi i ish bashkëshortit të saj nën akuzën e përndjekjes. Materialet ne ngarkim të 52-vjeçarit iu referuan Prokurorisë së Fierit për vazhdime të mëtejshme procedurale për kryerjen e veprës penale të “Përndjekjes”. Policia po vijon punën për sqarimin e plot të kësaj çështje dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

Kukës, përmbyset kamioni, 1 person mbetet i bllokuar në të

Përmbysja e një kamioni ka sjellë bllokimin e një personi për pak kohë në të. Burime nga Policia e Kukësit kanë bërë me dije se aksidenti automobilistik ka ndodhur në Kukës ku kamioni është përmbysur në afërsi të Repsit, ndërkohë, menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, teksa është bërë e mundur edhe bllokimi i lëvizjeve të automjeteve në njërën prej korsive të qarkullimit. Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Segelf iliazi, ishte shoferi i cili udhëtonte nga Fieri me mjetin tip trajler me targa AA331HL. Ndërkohë që brenda në mjet ndodheshin edhe dy pasagjerë të tjerë njëri prej të cilëve ka mbetur i bllokuar brenda në mjetin e përmbysur ndërkohë që drejtuesi i mjetit dhe një prej pasagjerëve kanë arritur të dalin prej aty. Me mbërritjen e forcave të policisë në vendngjarje është bërë e mundur edhe nxjerrja e pasagjerit tjetër që mbeti i bllokuar në kamion.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency