Prangosja/ Arrestohen Tom Doshi dhe Mark Frroku, avokatët: Vendim arbitrar

0
146

Arrestohen Tom Doshi dhe Mark FrrokuPas vendimit të Parlamentit për t’u hequr imunitetin dy deputetëve, Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi arrestimin e tyre. Reagojnë avokatët mbrojtës. Do të kërkojnë lirimin e menjëhershëm

Rreth orës 16:30 minuta, pak orë pasi Parlamenti vendosi t’u hiqte imunitetin deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit janë vënë në lëvizje për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve për dy deputetët. Urdhri për arrestimin u dërgua në Drejtorinë e Policisë Tiranë nëpërmjet një korrieri. Policisë së Tiranës i janë dashur vetëm pak minuta për të organizuar planin e ndalimit dhe zbatimin e dy urdhër-ndalimeve thuajse në të njëjtin interval kohor. Dy grupe të forcave “Shqiponja”, të shoqëruar nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe prokurorët, janë drejtuar, njëra për në biznesin e deputetit Mark Frroku dhe tjetra për në banesën e deputetit Tom Doshi. Rreth orës 16:30 të dy grupet e efektivëve të policisë kanë qenë në të njëjtën kohë në të dy objektet për të ekzekutuar urdhër-ndalimet. Më i lehtë ka qenë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit për deputetin Mark Frroku, i cili ka qenë në ambientet e biznesit të tij në zonën e Kombinatit në prani të avokatëve Saimir Visha dhe Genc Gjokutaj.

Janë dashur vetëm pak minuta që prokurorët dhe efektivët e policisë t’i komunikojnë Frrokut akuzën e ngritur ndaj tij dhe më pas të prangosur e kanë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, rreth 30 minuta më vonë, ndërkohë që avokatët kanë qëndruar me oficerët e policisë për të zbatuar urdhrin e kontrollit të banesës.
Kontrolli

Policia ka zbarkuar në banesën e deputetit Tom Doshi. Pas arrestimit i është bërë kontroll banesës ku nga të dhënat e para mësohet se janë sekuestruar një laptop dhe një USB, por nga ana e avokatëve mbrojtës nuk konfirmohet një fakt i tillë. Avokatët pas arrestimit dhe kontrollit të banesës thanë për median se gjithçka është bërë sipas rregullave. Po kështu, konfirmuan se policia ka vepruar sipas ligjit. Nuk ka qenë kaq e thjeshtë në banesën e deputetit Tom Doshi, pasi ky i fundit nuk ka pranuar të shoqërohet dhe as të kryhet kontrolli i banesës së tij pa ardhur më parë avokati i tij mbrojtës. Në orën që patrullat e policisë ndodheshin në banesën e Tom Doshit, avokati i tij Vladimir Meçi sapo kishte dalë nga zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, ku nuk kishte mundur të takonte asnjë nga prokurorët. Gjatë kësaj kohe, deri kur mbërriti avokati, deputeti Tom Doshi ka gjetur kohën për të postuar dhe një status në rrjetin e tij social “Facebook”, duke deklaruar se “gjendet në banesën e tij në pritje të përballjes me Prokurorinë në Gjykatë”. Pas më shumë se 50 minutash dhe pas mbërritjes në banesën e Doshit të avokatit të tij mbrojtës, rreth orës 17:25 minuta, efektivët e policisë kanë shoqëruar deputetin Tom Doshi dhe me një prej automjeteve të tyre, janë nisur në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Vetëm pak minuta pas mbërritjes së deputetit Doshi në polici është shfaqur dhe avokati i tij mbrojtës, Vladimir Meçi, i cili është shprehur se do të kërkohet lirimi i menjëhershëm në Gjykatën e Lartë, pasi është shkelur Kushtetuta dhe vetë vendimi i Parlamentit.

 

Avokatët e të pandehurve tek Drejtoria e Policisë

Menjëherë pas arrestimit reaguan dhe avokatët mbrojtës. Janë tejkaluar procedurat për arrestimin e deputetit Mark Frroku. Kështu ka thënë për mediat avokati i Mark Frrokut, Saimir Vishaj, teksa ka theksuar se do të ankimojnë këtë vendim pasi është i padrejtë. Ndërkohë ashtu sikurse thanë edhe avokatët e Doshit, po njësoj edhe Frroku nuk është marrë ende në pyetje nga efektivët e policisë. Ndërkohë, avokati tjetër Genc Gjokutaj ka thënë se tashmë avokatët janë njohur me akuzën e Prokurorisë që çoi deri në arrestimin e deputetit Mark Frroku, i cili, sipas avokatit, deri në mesditë ishte një njeri i rëndësishëm dhe i dobishëm për politikën, ndërsa pak orë më pas u bë njeri i rrezikshëm. Saimir Vishaj, avokati i Mark Frrokut: “Frroku nuk është marrë ende në pyetje. Nuk mund të merrnin pjesë në procesin e votimit për imunitetin personat që janë pyetur për këtë çështje. Nuk jemi në kushte të flagrancës ndaj nuk mund të kërkohej arrestimi. Për veprën penale që akuzohet Frroku masa është vetëm gjobë, ndërsa Prokuroria e ka arrestuar pa vërtetuar provat. Duhej kaluar më parë në gjykim dhe pas kësaj në arrestim”. Vladimir Meçi, avokati i Tom Doshit, ka thënë për mediat se deri më tani klienti i tij nuk ka bërë asnjë deklarim në polici dhe se të gjitha procedurat pas shoqërimit janë kryer me mjaft korrektësi nga ana e efektivëve të policisë. Meçi tha se Doshi mbahet në një dhomë dhe pritet që të merret në pyetje menjëherë pasi tashmë ai është zyrtarisht i shoqëruar nga policia. Doshi nuk është pyetur ende dhe nuk ka bërë asnjë deklarim. Vetëm sa janë bërë procedurat e ndalimit me shumë korrektesë nga policia dhe do presim afatin ku brenda 48 orësh do paraqitet kërkesa në gjykatë. Doshi është në dhomë vetëm dhe pritet të merret në pyetje menjëherë sipas ligjit por ende nuk i kanë komunikuar akuzën. Ne do bëjmë një kërkesë kundër urdhrit të marrë nga prokurori i përgjithshëm pasi e konsiderojmë atë të pabazë pasi sipas ligjit ky urdhër lëshohet vetëm nëse personi ka rrezik të largohet nga vendi gjë që Doshi nuk e ka pranuar asnjëherë. Nga kontrolli i banesës nuk është gjetur asgjë komprometuese. Avokati i Tom Doshit ka thënë jashtë ambienteve të Drejtorisë së Policisë se ndalimi i Doshit nuk ka qenë korrekt pasi arrestimi i klientit të tij është bërë pa një urdhër nga gjykata ashtu sikurse e parashikon edhe ligji. Për këtë arsye ka thënë avokati Meçi do të reagojmë nesër për të kundërshtuar urdhrin e prokurorit të përgjithshëm për ndalimin e deputetit Doshi. “Jemi në kushtet kur prokuroria nuk duhej të ndërhynte sepse shkel një nga të drejtat themelore”, – tha Meçi. Policia ndryshon rrugën për të dërguar në drejtorinë e policisë deputetin Mark Frroku. Policia e ka dërguar deputetin në Drejtorinë e Tiranës përmes rrugës “Myslym Shyri” dhe e kanë futur atë në sallën ku futen të shoqëruarit e policisë në drejtorinë e policisë së Tiranës.

 

Shkodër, vetëvaret një 25-vjeçar, policia nis hetimet

Një djalë i ri i moshës 25-vjeçare i ka dhënë fund jetës së tij gjatë ditës së mërkurë në Shkodër. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë me dije se viktima është 25-vjeçari me iniciale E. L., i cili mësohet se është vetëvarur me litar në një kasolle bagëtish pranë me banesën e tij në fshatin Mjedë të Shkodrës. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se si pasojë e varjes me litar, i riu ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Po ashtu mësohet se trupi i pajetë i tij është gjetur nga familjarët e tij i varur në ambientet e brendshme të kasolles, e cila ndodhej pranë banesës ku ai banonte. Menjëherë, familjarët pasi e kanë gjetur të riun të varur e kanë dërguar për në Spitalin e Kukësit, por çdo mundim i tyre ka qenë i kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë. Sipas deklaratave të familjarëve, mësohet se 25-vjeçari vuante nga depresioni. Policia e Kukësit bën me dije se po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Kukësit për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency