Sfidat reale ekonomike përballë shqiptarëve nuk zgjidhen me show mediatik

0
136

Ervin Kaduku

mbledhje qeverie–  ­Ekspertët kosovarë të biznesit e presin me skepticizëm rezultatin e takimeve “nacionaliste” të qeverive të Tiranës e Prishtinës

–  Retorika boshe vijon pa fund, ndërkohë që korrupsioni, bllokimi i vendeve të punës, shtimi i vështirësive ekonomike detyron shqiptarët të emigrojnë në masë…

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai Shqipërisë, Edi Rama, edhe një herë u kanë premtuar para dy ditësh shqiptarëve në të dyja anët e kufijve shtetërorë se do të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve. Në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive, që është mbajtur në Tiranë, ata kanë thënë se tregu i Kosovës dhe Shqipërisë, nuk duhet të konsiderohet si konkurrent, por si plotësues i njëra tjetrës.

Por, ndërsa udhëheqësit e qeverive të të dyja shteteve premtojnë bashkëpunim në të gjitha fushat, ekspertët e çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Prishtinë, kanë pohuar se marrëveshjet e arritura deri më tash nuk kanë qenë të leverdishme dhe disa nga to nuk janë zbatuar.

Drejtori i Institutin për Studime të Avancuara GAP Agron Demi thotë se është e rëndësishme që qeveritë e të dyja vendeve arrijnë marrëveshje bashkëpunimi, por barrierat edhe me tutje në aspektin e shërbimeve tregtare ekzistojnë. “Ka shumë ngecje, të cilat kanë mbetur pa u zgjidhur për shkak të neglizhencës ose mos formimit të grupeve punuese për t’i vazhduar tutje marrëveshjet të cilat janë arritur në nivel të qeverive. T’i përmend disa të cilat duhet të zbatoheshin nga mbledhja e fundit e dy qeverive po nuk janë zbatuar; është marrëveshja për uljen e tarifave të roamingut. Po ashtu, ende nuk ka një progres të duhur lidhur me atë se si të shfrytëzohen burimet energjetike në të dy vendet”, – thekson Demi.

Mbledhje e përbashkët e dy qeverive, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ishte zhvilluar edhe në janar të vitit të kaluar në Prizren dhe ishte vlerësuar si mbledhje që ka vënë gurin themeltar për hapjen e një rruge të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor në këto dy shtete.

Por, Demi konsideron se të dyja qeveritë, si ajo e Kosovës, po ashtu edhe ajo Shqipërisë, duhet të krijojnë mundësi që sa më shpejt të realizohen marrëveshjet e arritura. “Të ketë konkretisht zbatim të marrëveshjeve dhe jo vetëm shfaqje të dy qeverive, ashtu siç po i shohim, vetëm për fotografi. Ajo çka mbetet problem është se ne të dyja vendet kemi një bazë të ulët të prodhimit dhe kjo e vështirëson tregtinë për shkak se nuk kemi edhe aq çka të tregojmë. Mallin që më së shumti ne e eksportojmë në Shqipëri është metalet apo skrapi. Njësoj edhe Shqipëria në Kosovë eksporton skrap”, – tha Demi.

Nga ana tjetër, edhe drejtori ekzekutiv i Odës ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ndërkaq vazhdon të shpresojë se takimi i cili është mbajtur të hënën mes dy qeverive do të jetë më produktiv nga ai i kaluari. “Të dyja tregjet e plotësojnë njëra – tjetrën dhe nuk i konkurrojnë njëra-tjetrës në formë direkte. Kështu që pengesat të cilat lihen nga qeveritë e të dyja vendeve në tregtinë dhe qarkullimin e lirë të mallrave realisht nuk kanë kurrfarë kuptimi”, – tha Zeka.

Marrëveshjet e nënshkruara vitin e kaluar mes dy qeverive kanë qenë për bashkëpunim dhe lehtësimin e tregtisë dhe marrëveshje për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës.

Por, sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, nga viti 2005 deri në vitin 2013, shuma e përgjithshme e importeve nga Shqipëria në Kosovë ka arritur mbi 581 milionë euro, kurse eksporti nga Kosova në Shqipëri kap shumën mbi 235 milionë euro.

Ndërsa vlera e investimeve direkte nga kompanitë me pronarë shqiptarë të Shqipërisë në Kosovë është 104 milionë euro.

Është fakt që marrëveshjet dhe projektet konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës (sidomos në planin e energjisë, ekonomisë, procedurave dhe të politikës së jashtme) janë të një rëndësie të vërtetë. Këto janë në fakt, shtyllat reale të një bashkimi kombëtar, i cili realizohet në terren dhe jo në ëndrrën e pamundur të një qeverie të përbashkët me seli qendrore te tuneli i Rrugës së Kombit.

Por në vend që të përqendrohet në realizimet e deritanishme dhe në sfidat konkrete dhe mundësive përpara, diskutimit i vendoset një emblemë kombëtare përsipër – heshtja si kapak floriri.

Korrupsioni nuk luftohet duke u betuar për nacionalizëm dhe vendet punës nuk çelen me eufori nga pas kamerave kur përmenden shqiptarët e Preshevës. Kosova nuk mund të ketë regjim të lirë vizash me zonën Shengen, sepse vetëm në pak muajt e parë të 2015-s rreth 50 mijë shtetas morën arratinë në mënyrë të paligjshme pikërisht drejt kësaj zone. Ky është faji i qeverive të saj, jo i qytetarëve, e as i Bashkimit Evropian. Kurse Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e BE-së në një kohë kur krimi dhe korrupsioni ende gëlojnë nga zyrat në rrugët e saj në përmasa tronditëse. Dhe ky është faj si i qeverive, ashtu dhe i qytetarëve. Me e puth flamurin është kollaj, por ta bësh të valëvitet me krenari të merituar është shumë e vështirë.

Para se shpërthejnë dashuritë e reja për politikanët e dy anëve të kufirit si shampanja në pritjet zyrtare, duhet më së pari të zgjohet vetëdija se çka nevojitet në mënyrë prioritare dhe të dobishme për shoqëritë. Kjo ende nuk po duket nën shtresën e trashë të nacionalizmit fals nga të dy qeveritë.

 

Ndryshojnë rregullat për dorëzimin e bilancit tek Tatimet

Këtë vit bizneset duket të dorëzojnë deri në 31 mars bilancet e vitit 2014 tek tatimet në mënyrë elektronike dhe jo me postë, siç ka ndodhur deri tani.

Sipas një njoftimi të tatimeve, bazuar në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, neni 29 si dhe udhëzimit nr. 5 datë 30.1.2006, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, në zbatim të tij, VKM-së Nr. 922, datë 29.12.2014 “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, si dhe kërkesave të ligjit nr. 9228, datë 29.4.2004” Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, i ndryshuar”, data 31 mars 2015 është afati përfundimtar për të dorëzuar në formë elektronike Formularin e Deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi Fitimin të vitit ushtrimor 2014, bashkë me bilancin kontabël dhe anekset e tij, në të cilat përfshihen:

– bilanci (aktivet, pasivet dhe kapitali)

– pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve

– pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë ose pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow)

– aneksi për shpjegimet shpjeguese

– raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë (kur ky raport kërkohet në zbatim të ligjit nr. 10 091, datë 5.3.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, neni 41 “Personat juridikë që detyrohen për auditimin ligjor të pasqyrave financiare”, apo akteve nënligjore).

Dokumentacioni shtesë i kërkuar në bazë të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 60, i cili do të dorëzohet elektronikisht së bashku me pasqyrat financiare është:

– Kontratat e qerasë për ambientet e marra me qera, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi

– Gjendja e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2014 (analitik)

– Inventari i mjeteve të transportit në pronësi

– Pasqyra e aktiveve afatgjata materiale

 

Dyqanet “Duty Free” do të hapen me firmë të ministrit

Dy lajme të reja për Doganat: kalon një projektligj për licencimin e dyqaneve pa taksa në pikat kufitare, si dhe largohet edhe nr. 2 i administratës doganore, që pason largimin e ish-drejtoreshës Elisa Spiropali.

Komisioni i Ligjeve miratoi dje ndryshimet në Kodin Doganor, që i japin mundësinë ministrit të Financave të autorizojë hapjen e dyqaneve pa taksa, të ashtuquajturat “Duty Free” në pikat doganore të vendit. Potenciali për hapjen e dyqaneve pa taksa është për 17 të tillë, të paktën sipas parashikimeve që ka bërë Ministria e Financave.

Në përgjigje të pikëpyetjeve që ngritën deputetët rreth hapësirave të evazionit, zëvendësministrja e Financave, njëkohësisht drejtuese e komanduar e Drejtorisë së Doganave Irena Beqiraj, tha se zhvillimet në sistemin doganor mundësojnë një kontroll më të mirë të tyre. Anëtarët e komisionit të Ligjeve ngritën pikëpyetje rreth faktit se ky amendim i Kodit Doganor vjen vetëm pak muaj pas miratimit të tij. Mungesa e një studimi, mosparashikimi i rastit të mbylljes së këtyre dyqaneve apo e masave kontrolluese që shmangin klientelizmin u vlerësuan si problematika të nismës së sjellë nga qeveria. Pavarësisht kritikave për nismën, gjatë diskutimit nen për ne u reflektuan propozimet e deputetëve, çka solli më pas edhe votimin në tërësi të saj.

Po dje u mësua se zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Doganave Blerte Kraja ka dhënë dorëheqjen nga ky post për arsye personale.

Dorëheqja e saj vjen pas dhënies së dorëheqjes së Elisa Spiropalit nga posti i drejtoreshës. Mësohet se dorëheqja së saj është bërë për arsye personale pasi do të merret me një projekt ballkanik. Kraja me profesion avokate, gjatë postit të saj si zëvendësdrejtore e doganave ka pasur përgjegjësinë lidhur me lidhjen e kontratës me “Crown Agents” dhe zgjidhjen e kontratës me kompaninë “Rapiscan” e kontratë e firmosur në kohën e qeverisë së mëparshme, por e cilësuar si e pazbatueshme gjatë qeverisë aktuale.

 

Interesat e bonove të Thesarit pësojnë ulje

Interesat e bonove të thesarit ndoqën një korrektim të vogël në ulje në ankandet e kësaj jave, por sërish pa regjistruar luhatje të mëdha. Pas lajmeve se financat do të dalin në tregun e jashtëm për të kërkuar borxh, interesat e bonove të thesarit kanë shënuar rënie për herë të parë pas më se tre muajsh.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 3.57%, nga 3.6% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm. Në një horizont më të gjatë, që nga fillimi i vitit, interesat e bonove 12 mujore janë rritur me afërsisht 0.3 pikë përqindje. Ulje regjistruan edhe interesat e bonove me maturim 3­mujor, që u shitën në ankand me një interes mesatar prej 3.09%.

Për t’u shënuar në këtë ankand ishte një rritje e kërkesës së tregut për të blerë bono qeveritare. Nga 14.9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankande u paraqitën gjithsej oferta në vlerën e 17.5 miliardë lekëve. Në ankandet e fundit të vitit 2014 dhe gjatë muajve të parë të këtij viti, në përgjithësi kishte pasur një ekuilibër mes kërkesës dhe ofertës, madje në raste të veçanta qeveria nuk kishte arritur të siguronte të gjithë shumën e shpallur për financim. Por, këtë javë interesi i tregut për bono regjistroi rritje, çka u reflektuar menjëherë në një ulje, sado modeste, të normave të interesit.

Muajt e fundit u vu re një rritje e interesave të bonove të thesarit si rrjedhojë e tërheqjes së bankave nga blerja e letrave me vlerë të qeverisë, teksa mëmat sinjalizuan bankat e mëdha se kishin arritur ekspozimin maksimal në këtë treg. Kjo i ka detyruar Financat të kërkojnë 250 milionë euro në tregun e jashtëm, me synim uljen e varësisë në tregun e brendshëm, varësi që sipas FMN-së përbën një nga rreziqet e ekonomisë shqiptare

Sidoqoftë, ekspertët nuk presin që tregu i bonove të regjistrojë luhatje të mëdha në afatin e shkurtër. Bankat e kanë investuar një pjesë të mirë të likuiditeteve të lira në tituj të qeverisë dhe kreditimi për sektorin privat paraqitet më i gjallëruar. Kjo gjendje, gjithsesi, nuk pritet të sjellë zhbalancime në tregun e bonove, përtej një rritjeje të lehtë të interesave. Edhe bonot pritet të shoqërojnë tendencën e interesave të ulët në tregun financiar, që në thelb e bëjnë më pak të leverdishëm investimin financiar, por favorizojnë huamarrjen me norma relativisht të ulëta interesi.

 

Shtohet stoku i borxhit

Stoku borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto u rrit me 4.27% gjatë vitit 2014, duke shënuar nivelin 69.09 për qind të PBB nga 64.82% që ishte në fund të vitit 2013, sipas statistikave të Ministrisë së Financave në përmbyllje të treguesve të borxhit publik për vitin që shkoi.

Kjo është rritja më e madhe vjetore që nga viti 2009, kur borxhi publik u rrit me 4.5 për qind për shkak të ndërtimit të rrugës së re Durrës- Kukës. Ministria e Financave ka sqaruar më parë se,kishte planifikuar një borxh në rritje për vitin 2014 si, rezultatet angazhimeve për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nëpërmjet një linje krediti nga FMN.

Vitin që shkoi u shlyen rreth 35 miliardë lekë detyrime të prapambetura të cilat kanë qëndruar të fshehura në bilancet e qeverive të mëparshme dhe nuk janë reflektuar në shifrat zyrtare.

Qeveria ka program ambicioz në uljen e borxhit. Sipas kuadrit Makroekonomik 2015-2018, borxhi pas tre vitesh do të shkojë në 62.7% të PBB.

Por Fondi Monetar ndërkombëtar në një raport të posaçëm vitin e kaluar ka lajmëruar se borxhi publik i Shqipërisë mund të arrijë më shumë se 80 % të PBB së në fund të 2018.

Qeveria e Shqipërisë ka planifikuar të arrijë projektin e saj për borxhin nëpërmjet politikave shtrënguesve si në krahun e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore.

 

Rritje e madhe e transaksioneve bankare me internet

Transaksionet bankare nga shtëpia nëpërmjet internetit pësuan një shpërthim gjatë vitit 2014. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, mbi 1.2 milionë transaksione u kryen nëpërmjet Home Banking nga 323 mijë që u kryen në vitin 2013 me një rritje 285%. Po sipas statistikave, “braktisja” e sporteleve bankare për të kryer veprime nga kompjuteri në shtëpi ose nga telefoni, ka vijuar edhe gjatë janarit 2015 ku janë zhvilluar mbi 90 mijë transaksione.

Të gjitha bankat janë të pranishme në internet me një faqe të tyren, që jep informacion të përgjithshëm. Banka e Shqipërisë e argumenton këtë rritje me fleksibilitetin që internet banking u lejon klientëve të futen nëpërmjet internetit në llogaritë e tyre on-line 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, drejtpërsëdrejti nga shtëpitë ose zyrat e tyre dhe të kryejnë operacionet bankare që duan.

Internet banking, të paktën në fazën aktuale, nuk tenton të zëvendësojë kanalet tradicionale të shpërndarjes së produkteve bankare. Ai qëndron bashkë me një tërësi kanalesh, që shkojnë nga ato tradicionale (si sportelet e filialeve) tek ato automatike (si ATM, Pos), në kuadrin e plotësimit dhe të përforcimit të raportit klient – bankë.

Për klientët një tjetër përparësi e internet banking është kontrolli dhe pakësimi i kostove. Mijëra klientë mund ta përdorin këtë shërbim njëkohësisht, pa ndihmën e arkëtarëve dhe të nëpunësve të bankës.

Përsa u përket bankave, zgjedhja e të kaluarit online sjell për to kosto të konsiderueshme. Kostot më të mëdha lidhen me investimin në teknologji. Në radhë të parë, këto kosto shkojnë për blerjen dhe instalimin e pajisjeve dhe sistemeve hardware dhe software; së dyti për riorganizimin e strukturës së brendshme, për punësimin e personelit informaticien, për sigurinë dhe për integrimin me sistemin e brendshëm informativ.

 

Rënia e vlerës së dollarit, diçka e planifikuar?

Indeksi i dollarit amerikan ka rënë me rreth 2.5% gjatë javës së fundit, pasi tregjet po mundohen ende të përshtaten me mesazhin më të fundit të Rezervës Federale të SHBA mbi ecurinë e normave të interesit. Përpara se Rezerva Federale të hiqte fjalën “i kujdesshëm” nga fjalori i saj, përsa i përket rritjes së normave të interesit, dollari amerikan dhe aksionet e bursave kishin prekur majat. Frika në tregje tashmë mund të shkaktojë edhe humbjen e parë sezonale të fitimeve që prej vitit 2009. 500 firmat kryesore të kuotuara në Bursë pritet të raportojë fitime negative gjatë tremujorit të parë të vitit, me një rënie prej 3.1% të të ardhurave neto. Në terma vjetorë, indeksi i dollarit amerikan është forcuar me rreth 7.5%. Gjithsesi, ky trend mori një kah krejt të kundërt pas njoftimit të Rezervës Federale për rritjen e normave të interesit. Analistët shprehen se një dollar i fortë sjell një lloj shtrëngimi për korporatat amerikane. Rënia e fitimit të këtyre korporatave i dedikohet, veç forcimit të dollarit, edhe rënies së çmimit të naftës, duke ulur ndjeshëm fitimet e kompanive të cilat operojnë në sektorin energjetik. Edhe tremujori i dytë i vitit, parashikohet të jetë negativ për sa i përket fitimeve.

Aktualisht tregjet ndodhen në konfuzion total, pasi parashikimet janë të pavlefshme, duke u lënë vend spekulimeve. Ndërsa vetë Rezerva federale u tregua mëse hermetike për të dhënë edhe sinjalin më të vogël përsa i përket kohës se kur mund të fillojë rritja e normave të interesit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency