Itali/ Shkatërrohet baza e ISIS-it, rekrutonte luftëtarë për në Siri

0
143

Alban EleziPjesë e bazës që rekrutonte shtetas të ndryshëm përmes propagandës fetare janë edhe dy shqiptarë. Xhaxhai dhe nipi nga Kavaja ishin bërë pjesë e organizatës terroriste ISIS

Policia italiane në bashkëpunim me atë shqiptare kanë arritur të shkatërrojnë një bazë të organizatës terroriste ISIS, e cila vepron në Siri. Bëhet fjalë për një grup kriminal, i cili ishte ngritur në Itali dhe në përbërje të tij kishte edhe elementë shqiptarë. Grupi kriminal i krijuar si një celulë e përbashkët vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë. Ekstremistët islamikë, lufta kundër të cilëve ka nisur më herët, kishin arritur prej muajsh të dërgonin drejt Sirisë luftëtarë të shumtë, ndërkohë që një pjesë e tyre sigurohej në Shqipëri. Brenda ditës së djeshme mësohet se janë vënë në pranga tre persona, dy prej të cilëve shqiptarë. Është identifikuar tashmë se pjesë e celulës janë shqiptarët me lidhje gjaku, xhaxhai me nipin. Policia e Shtetit njoftoi se vuri në pranga ditën e djeshme 38-vjeçarin Alban Elezi në Kavajë. Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Breshias pak kohë më parë kishte lëshuar për të një urdhër arresti. Ndërkohë që nipi i tij paralelisht me operacion në Kavajë, u vu në pranga në banesën e tij në Torino së bashku me një shtetas maroken 20-vjeçar. Tre personat u vunë në pranga pas operacionit të koduar “Balkan Connection”.

 

Rekrutimi

Nga hetimet paraprake që ka zhvilluar prokuroria e shtetit fqinj rezulton se dy shtetasit shqiptarë, xhaxhai e nipi, kishin si detyrë të rekrutonin luftëtarë për t’i dërguar më pas në Siri. Rruga mësohet se ka qenë e njëjtë. Xhaxhai dhe nipi kontaktonin luftëtarë nga Shqipëria. Pasi dërgoheshin në Itali, ata më pas niseshin drejt Sirisë për të luftuar përkrah organizatës terroriste ISIS. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se 20-vjeçari maroken, i cili qëndronte në Itali, kishte botuar edhe një libër propagandistik për ISIS-in. Ai ishte përdorues i rregullt i internetit dhe është autor i një dokumenti propagandues prej 64 faqesh në italisht i shfaqur së fundmi në web me titull “Shteti Islamik, një realitet që duhet komunikuar”. Shqipëria dhe Italia u identifikuan si baza rekrutimi dhe trajnimi të militantëve të ISIS-it nga hetimet 2-vjeçare që bëri publike në mars prokurori i Përgjithshëm i Breshias, Luigi Maria Dell’ Osso. Prokurori i Breshias në një deklaratë për mediat e cilësoi Shqipërinë si bazën e rekrutimeve të luftëtarëve, ndërkohe në të njëjtën kohë ai nuk përjashtoi Italinë nga përfshirja në organizatë. Ai tha se edhe në Itali ka baza të ISIS-it dhe për këtë, sipas tij, po punohej prej gati dy vitesh për t’i shkatërruar ato. Hetimet ndaj personave të dyshuar si ithtarë të ISIS-it vijojnë edhe në provincat në Lombardi, Piemonte dhe Toskanë. Grupi i antiterrorizmit i komisariatit të Breshias dhe shërbimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Policisë po veprojnë edhe në Shqipëri, në Tiranë.

 

Shkatërrimi

Tre të arrestuarit mbanin kontakt si nëpërmjet telefonit ashtu dhe nëpërmjet Facebook-ut, me Anas El Abboubi-n, një luftëtar i huaj italo-tunizian që ndodhet aktualisht në Siri. Ky i fundit, pak para se të transferohej në Siri, kishte udhëtuar drejt Shqipërisë ku jetonte një prej ekstremistëve islamikë të dyshuar, të arrestuar nga grupi i antiterrorizmit. Dhe nga hetimet ky person rezulton pikërisht Alban Elezi nga fshati Rrakull i Kavajës. Në kuadër të operacionit ndërkombëtar për arrestimin e personave të përfshirë në akte terroriste, Policia e Shtetit Shqiptar ka vënë në pranga një 38-vjeçar nga Kavaja. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Kavajë, nga strukturat Interpol Tirana në bashkëpunim me komisariatin e policisë Kavajë, u bë ekzekutimi i urdhrit të kërkimit ndërkombëtar dhe arrestimi i Alban Elezit, 38 vjeç, lindur e banues në fshatin Rrakull të Kavajës. Sipas policisë, arrestimi i tij u krye në zbatim të kërkesës së Interpol Romës për ekzekutimin e vendimit të arrestit lëshuar nga Gjykata e Breshias në Itali në ngarkim të 38-vjeçarit i dyshuar si autor i veprave penale “Akte terroriste”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprime të mëtejshme me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë. Operacioni i nisur në Itali për arrestimin e personave të dyshuar si rekrutues dhe të lidhur me terroristët e ISIS është shtrirë edhe në Shqipëri. Sipas mediave italiane, policia e Breshias në bashkëpunim me Interpolin dhe autoritetet shqiptare krahas arrestimeve të kryera në Torino vazhdon operacionin edhe në Tiranë si dhe në provincat e Lombardisë, Piemontes dhe Toskanës në Itali.

 

 Vendimi/ Trafik droge në Britani, dënohen me 53 vite burg 7 shqiptarët e arrestuar

Ishin arrestuar një vit më parë për akuzën e trafikut të drogës dhe pas një hetimi gjyqësor Gjykata e Londrës ka dënuar 7 shqiptarë si pjesë e një grupi kriminal. Gjykata e Londrës ka dënuar me 53 vite burg, 7 shqiptarë të arrestuar shatorin e vitit të kaluar për trafik droge. Për anëtarin e 8 të bandës shqiptare të trafikut të drogës në Britani, vendimi do të jepet javën e ardhshme. Mësohet se shqiptarët e dënuar janë Taulant Bushi, 37 vjeç, Enrik Mullahi, 27 vjeç, Aurel Hoxha, 27 vjeç, Albert Krasniqi, 27 vjeç, Artur Sufaj, 36 vjeç, Olsin Llanga, 28 vjeç dhe Blendi Kellici, 26 vjeç. Llanga dhe Sufaj janë dënuar me nga 10 vite e 8 muaj burg, Mullahi për 8 vite, ndërsa Krasniqi, Kellici, Hoxha dhe Bushi u dënuan me nga 6 vite burg. Ndërkohë për anëtarin e 8 të bandës shqiptare të trafikut të drogës në Britani, për 34-vjeçarin Bledar Vranari vendimi i Gjykatës së Londrës do të jepet javën e ardhshme. Mediat britanike bëjnë me dije se 27-vjeçari Albert Krasniqi, u kap në muajin shtator me rreth 400.000 paund me vete. Policia britanike bazuar tek hetimet, beson se makina e Krasniqit është përdorur sisa herë për të kaluar lëndë narkotike dhe lekët që do përdoreshin për të blerjen e saj përmes kufijve ndërkombëtarë.

 

Asistenca/ Prokurori kroat: Hetoni zyrtarët e lartë për korrupsion

 Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë, pas dy ditësh qëndrimi në vendin tonë, ku drejtoi trajnimin e 20 prokurorëve të Krimeve të Rënda, theksoi se ky institucion duhet të përqendrohet tek hetimi i zyrtarëve të lartë për korrupsion. |Vetëm në këtë mënyrë, – është shprehur ai, – Shqipëria do të ecë më shpejt drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian”. Duke thënë këtë fjalë, prokurori i Kroacisë kujtoi se vendit të tij iu vendos ky kusht që të integrohej në BE. Kryeprokurori Cvitan theksoi në fjalën e tij se problem në vendin tonë është shtyrja e proceseve gjyqësore. Ai bëri të ditur se në Kroaci shtyrja e procesit gjyqësor sjell gjobitje deri në 5 mijë euro për avokatët, të cilët paraqesin justifikime që kanë për qëllim zvarritjen e procesit. Cvitan po ashtu nënvizoi se është në të mirë të transparencës ndaj publikut që vendimet e gjykatave të bëhen publike dhe të komentohen në media. “Problemi i gjyqtarëve shqiptarë është ai i shtyrjes së proceseve. Në Kroaci gjyqtari u vendos gjoba deri në 5 mijë euro avokatëve që zvarrisin proceset. Vendimet është gjë e mirë që të komentohen në media. T’i bëni proceset transparente në media. Ne na u vu kusht që të integroheshim duhet të vinim para drejtësisë zyrtarë të lartë”, – theksoi Kryeprokurori Cvitan. “Gjykata juaj e njëjtë me gjykatën që kemi ne në Kroaci. Të gjithë zyrtarët e lartë hetohen nga kjo gjykatë, mirë do ishte që të kishit eksperiencën tonë. Rekrutimi i gjyqtarëve te ne bëhet me ato persona që kanë integritet moral dhe nuk janë përfolur. Ata nënshkruajnë deklaratën personale para se të futen në gjykatë, përzgjidhen nga brenda sistemit në Gjykatën e Krimeve të Rënda”, – tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency