Raporti/ Prokuroria e Përgjithshme: Energjia dhe ndërtimet, dosjet që mbizotëruan në 2014-ën

0
112

Prokuroria e PërgjithshmeNë raportin voluminoz të dorëzuar pranë Parlamentit, Prokuroria e Përgjithshme ka rritje të procedimeve për veprën penale të mashtrimeve me skemat e rimbursimit me TVSH

Ndërtimet pa leje dhe vjedhja e energjisë elektrike janë dy vepra penale, të cilat kanë mbizotëruar në hetimet e të gjitha prokurorive në rrethe gjyqësore. Ky është përfundimi që ka nxjerrë një raport i detajuar i Prokurorisë së Përgjithshme, depozituar pak ditë më parë në Parlament. Sipas të dhënave që jepen në raport, bëhet e ditur se në vitin 2014 volumin më të madh të hetimeve e kanë zënë veprat për vjedhjen e energjisë elektrike dhe ndërtimet e paligjshme. Por akuza rendit edhe një tjetër vepër penale, e cila ka mbizotëruar përgjatë vitit të kaluar. Bëhet fjalë për skemat mashtruese me TVSH. Lidhur me këtë akuzë, janë aktualisht duke u hetuar një numër i madh personash, ndërkohë që kjo vepër penale i ka shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm ekonomik që kap vlerën e 35 milionë eurove. Ky dëm llogaritet t’i jetë bërë buxhetit të shtetit, ndërsa bëhet e ditur se për këto raste janë nën hetim ish-drejtues të tatimeve.

 

Vjedhja e energjisë

Në një raport, i cili do të lexohet para Kuvendit të Shqipërisë nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, thuhet se dy janë veprat penale, mes shumë të tjerave, që kanë mbizotëruar hetimet në të gjithë vendin gjatë vitit të kaluar. Ato janë vjedhja e energjisë elektrike dhe ndërtimet e paligjshme. Këto vepra mbushën sirtarët e prokurorëve në rrethe pas ndryshimeve të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale si dhe pas nismave të qeverisë për të eliminuar ndërtimet abuzive dhe mbyllur rrugën vjedhjes së energjisë elektrike, e cila ishte kthyer në një fenomen të pashmangshëm. Sipas raportit rezulton se përgjatë 2014-ës në të gjithë Shqipërinë janë 2470 procedime në raport me 365 procedime të 2013-ës. Në raportin e saj, Prokuroria deklaron se gjatë vitit që lamë pas në Gjykatë janë dorëzuar nga këto procedime 1107, procese të cilat në afro 800 raste kanë përfunduar. Rritje ka pasur dhe numri i të pandehurve për vjedhjen e energjisë ku individë të proceduar janë 1711, në të shumtën e rasteve administrator biznesesh. Krahasuar me vitin 2013, rritje të procedimeve penale në masën e 93.6 % ka pasur dhe për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjatë 2014-ës, sipas statistikave të Prokurorisë së Përgjithshme, në 12 qarqet e vendit krahasuar me 2013-ën, procedimi penal për krimet ndaj jetës të kryer me dashje përfshi vrasjet ka pësuar ulje me 19%.

 

Skemat mashtruese

Sipas raportit të dorëzuar në parlament, një vepër penale e cila ka pësuar rritje në rastet e hetuara është ajo e skemave mashtruese me rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar ku dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit përllogaritet në 35 milionë euro. Po ashtu nga njësit task-forcë të krimit ekonomik, rezulton të jetë rritur me afro 3.5 herë hetimi për veprën penale të fshehjes së të ardhurave përfshi sektorin e tatim-taksave nga biznese dhe individ që kanë konsumuar evazion fiskal. Ndërkaq ndër procedimet më voluminoze në shkallë vendi mbetet vepra penale e prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve, ku krahasuar me 2013 janë dyfishuar në 52%.

 

Statistikat

Bilanci i hetimeve në 2014

Ndërtim i paligjshëm, rritur me 93.6%

Vjedhja e energjisë 2470 procedime / 2014

365 procedime / 2013

Tatim-taksat 72% procedime / 2014

Vrasjet 19 % më pak se në 2013

Narkotikët, 52% procedime më shumë / 2014

 

Gjobat/ Ligji antiduhan, gjobiten tri lokale në kryeqytet

Ndaj tri lokaleve në kryeqytet janë marrë masa administrative me vlerë totale 900.000 lekë të reja, për shkak se kanë shkelur ligjin antiduhan. Në vazhdën e monitorimit të vazhdueshëm të zbatimit të ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor kreu inspektime gjatë orëve të natës në lokale e ambiente të tjera që operojnë në zonën e ish-Bllokut në qytetin e Tiranës. Gjatë mbrëmjes së djeshme u kryen 20 inspektime në lokale e ambiente te tjera argëtimi. Klubet/lokalet ndaj të cilëve u morën masa janë “Soba”, “Canon” dhe “Checkpoint”. Inspektimet e ISHSH dega Tiranë u monitoruan nga inspektorët e Inspektoratit.

 

Kërkesa/ Nazime Visha kërkon lirinë, u dënua me 10 vite burg

Nazime Visha, 18-vjeçarja nga fshati Kërrabë i Tiranës, e dënuar me 10 vite burg pasi vrau përdhunuesin e saj, pasi iu mohua falja nga Presidenti, i drejtohet sërish Gjykatës për të fituar lirinë. Me një kërkesë të depozituar më 19 mars në Gjykatën e Tiranës, Nazimja kërkon të fitojë nga amnistia, pasi që prej pranimit të krimit ajo këmbëngul se Fiqir Muçën e vrau se i shkatërroi jetën duke e përdhunuar që në moshën 14-vjeçare. Më 8 maj 2013, Visha do të dënohej në Gjykatën e Tiranës me 10 vite burg për vrasje me dashje, ndërsa apeli i saj duke kërkuar mëshirë nga Gjykata për të rinisur jetën nuk u pranua. Kërkesa e Nazimes, e cila prej 3 vitesh qëndron në burgun 325 në “Ali Dem”, pritet të shqyrtohet nga gjykatësi Sokol Tona, i cili do të vendosë të amnistojë apo jo të renë, e cila me historinë e saj të dhunimit seksual tronditi opinionin publik.

 

Vendimi/ Protestuan kundër investimeve në minierë, Gjykata vendos për 11 banorë

Gjykata e Kukësit caktoi masën e sigurisë për 11 banorët që disa ditë më parë protestuan dhe dëmtuan investimin e një firme në minierën në fshatin Mamës. Pas kërkesës së organit të Prokurorisë, Gjykata vendosi të linte në arrest me burg pesë persona dhe për gjashtë të tjerë të vendos masën e arrestit me detyrim për paraqitje. Sipas vendimit të gjykatës gjashtë personat duhet të paraqiten një herë në dy javë pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore për të dhënë shpjegime lidhur me qëndrimin e tyre. Dëmet ndaj kompanisë minerare nuk ishte rasti i parë që shkaktoheshin, ndaj edhe u bë arrestimi i 11 personave. Konflikti mes dy palëve ka lindur prej kohësh, por edhe pse në bisedime janë rënë dakord për shumë pika, banorët herë pas here sulmojnë firmën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency