Biznesi sllovak në Shqipëri: Pronësia dhe ndryshimi i ligjeve pengojnë investimet

0
120

Ervin Kaduku

 para euro– Prezantohet projekti për përmirësimin e mjedisit të biznesit, nismë e Republikës Sllovake

– Projekti do të ketë një kohëzgjatje prej 18 muajsh

– Do të kryhen katër analiza sektoriale, të përqendruara në luftën ndaj ekonomisë informale, lufta ndaj korrupsionit, reformat e mëdha strukturore të zbatuara në Sllovaki dhe pengesat për tregtinë ndërkufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovakisë

Komuniteti i biznesit të huaj që zhvillon aktivitetin ekonomik në Shqipëri është përballur me një sërë problematikash, ku më të dallueshmet janë çështjet e pronave dhe ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal.

Për të përmirësuar mjedisin e biznesit në Shqipëri, si një element kyç për rritjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe zvogëlimin e varfërisë së saj, u prezantua dje projekti “Përmirësimi i Mjedisit të Biznesit në Shqipëri”, i cili financohet nga Ndihma Zyrtare e Republikës Sllovake dhe do të zbatohet nga Aleanca e Biznesit të Sllovakisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA).

Projekti do të ketë një kohëzgjatje prej 18 muajsh. Ky bashkëpunim do të konsistojë në transferimin e njohurive dhe përvojës së ekspertëve nga Sllovakia, duke përfshirë edhe hartimin e analizës krahasuese të pengesave të mjedisit të biznesit. Gjithashtu, do të kryhen katër analiza sektoriale, të fokusuara në luftën ndaj ekonomisë informale, lufta ndaj korrupsionit, reformat e mëdha strukturore të zbatuara në Sllovaki dhe pengesat për tregtinë ndër kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovakisë.

 

 Kontroll i Financave në tregun e hidrokarbureve

Ministria e Financave dhe Administrata Fiskale kanë filluar një veprim të përbashkët në sektorin e hidrokarbureve. Ky veprim, pjesë e marrëveshjes së përbashkët, të nënshkruar ditë më parë mes Shërbimit Doganor Shqiptar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, do të fokusohet në një kontroll të plotë ligjor për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar me veprimtari prodhimin, përpunimin, transportimin dhe shitjen e hidrokarbureve.

Ministria e Financave bën të ditur për subjektet e këtij sektori se kontrolli i përbashkët tatimor-doganor do të ketë objektiv tatimpaguesit në sektorin e hidrokarbureve, pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, prodhuesit dhe përpunuesit e nënprodukteve të naftës, etj, me qëllim vlerësimin e zbatimit të detyrimit të tyre ligjor për të deklaruar dhe paguar në kohë detyrimet tatimore dhe doganore.

Ministria e Financave bën të ditur gjithashtu se ky kontroll i përbashkët është zbatimi konkret i “Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, me synimin për të rritur luftën kundër evazionit fiskal dhe nivelin e miradministrimit.

Administrata fiskale ka evidentuar tashmë të gjitha subjektet me risk, përfshirë edhe ato subjekte që janë regjistruar si tatimpagues të biznesit të vogël, por që kanë kryer importe të mallrave, në mënyrë të përsëritur, në vlera që i kalojnë kufijtë e tyre të regjistrimit.

Ministria e Financave dhe administrata fiskale fton të gjithë tatimpaguesit të jenë pjesë e këtij veprimi, të jenë bashkëpunues dhe të zbatojnë me korrektësi detyrimin e tyre ligjor për ofrimin e informacionit, sikundër e parashikon dhe legjislacioni fiskal.

Ministria e Financave do të jetë transparente, si deri tani, për të gjitha rezultatet e këtij veprimit të përbashkët të të dy administratave, asaj doganore dhe tatimore, me qëllim informimin e publikut dhe të sipërmarrjeve që respektojnë ligjin dhe detyrimet kushtetuese në fushën e pagimit të tatim-taksave.

Ky veprim i përbashkët synon të jetë edhe pjesë e strategjisë së plotë të hartuar nga Ministria e Financave për luftën kundër informalitetit, evazionit, shmangies dhe mashtrimit fiskal.

 

FMN kundër dhënies me koncesion të Rrugës së Arbrit kinezëve

Fondi Monetar Ndërkombëtar duket se nuk e ka pritur vendimin e qeverisë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit me koncesion nga kinezët. Shefi i FMN-së, Nadem Ilahi, i dërgoi para dy ditësh sinjal qeverisë, duke thënë se nuk e mbështet vendimin e kësaj të fundit për kalimin e këtij segmenti të rëndësishëm në duart e kinezëve.

Teksa komentoi projektet për ndërtimin e rrugëve me koncesion, Ilahi i kërkoi qeverisë shqiptare të bëjë kujdes, pasi kjo mund të çojë në një tjetër rritje të fshehtë të borxhit. “Ne e kemi diskutuar këtë çështje me qeverinë. Besoj se ajo është e vetëdijshme që vendi ka një problem borxhi, me të cilin ne jemi duke operuar. Dhe çdo investim që nuk vjen drejtpërdrejt përmes borxhit, duhet të kontabilizohet në mënyrën e duhur në llogaritë fiskale, në termat e detyrimeve potenciale që mund të lindin”, theksoi shefi i FMN, Nadem Ilahi. Të paktën ky është arsyetimi logjik i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili veç investimeve në përgjithësi flet dhe në veçanti për mbi ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm për qarkun e Dibrës.

 

Rruga e Arbrit u jepet kinezëve

Rruga e Arbrit është vendosur t’u jepet kinezëve me procedurë të veçantë, pasi qeveria synon përshpejtimin e realizimit të projektit. Qeveria ka dërguar tashmë në Kuvend për diskutim një projektligj, i cili parashikon një procedurë të veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company”. Në relacionin e këtij projektligji thuhet se përjashtimi i kësaj procedure nga ligji i koncesioneve/PPP do të mundësonte shkurtimin e afateve procedurale, të cilat do të shtynin në kohë fillimin e zbatimit të punimeve dhe realizimin e projektit.

Kështu, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, kanë ndërmarrë iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë të efektshme për negocimin dhe lidhjen e kontratës me kompanisë kineze.

Sipas qeverisë, ky përjashtim është bërë me arsyetimin që lidhja e kontratës dhe fillimi i ndërtimit të këtij segmenti rrugor të bëhet në një kohë më të shkurtër, duke mundësuar kursimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove operacionale të mjeteve. Negocimi dhe lidhja e kontratës për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company” paraqitet si një ndër projektet prioritare të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, parashikuar në programin analitik të qeverisë. Sipas projektit, rruga fillon në dalje të qytetit të Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, mbasi kalon segmentet e projektuara, tenderuar dhe në proces ndërtimi nga ARRSH-ja, dhe si segment i pafilluar ka një gjatësi prej 26.8 km, me gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara me gjerësi nga 3.75 m dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë. Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1 500 ml, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2 600 dhe 560 ml.

 

Ukraina me pozicion më të mirë në mosmarrëveshjen e gazit me Rusinë

– Tingëllon paradoksale: lufta e mbështetur nga Kremlini në Lindje e ka përmirësuar pozicionin e negociatave të Kievit në grindjen e gazit me Rusinë, por edhe dimri i butë e ndihmon Ukrainën

Pak para fillimit të negociatave për gazin në Bruksel, njëri nga oligarkët më të pasur dhe burri i fortë në konfliktin në Lindje të Ukrainës bubullin në rrjetet sociale: një videofilm në Youtube që prej së enjtes në mbrëmje e tregon Igor Kolomoijskin, që përndryshe u bën bisht mediave, si pas një mbledhjeje të bordit mbikëqyrës të firmës ukrainase të tubacioneve Ukrtransnafta, u hidhet në fyt gazetarëve: ai sapo kishte mbrojtur interesat e Ukrainës dhe do të informojë së shpejti presidentin Poroshenko. Agjencia ukrainase e lajmeve Interfax-Ukraine bën të ditur pak pas kësaj se këshilli mbikëqyrës kishte shkarkuar ekipin menaxhues. Kurse makina e propagandës ruse nga ana tjetër deklaron në internet, se Kolomoijski qe shfaqur me bodigardë të armatosur në takim. Kjo e fundit nuk shihet në videon online, ndërsa një deklaratë nga qeveria, si shumicën e herëve nuk ta japin shpejt në Kiev. Në takim duhet të ketë qenë i pranishëm edhe ministri i Energjisë i Ukrainës, Volodymur Demchyshyn.

 

Kthesë në grindjen për gazin

Një gjë është e qartë: në mosmarrëveshjen shumëvjeçare për përcjelljen e gazit rus përmes Ukrainës ka kaq shumë lëvizje sa kurrë më parë. Para së gjithash për shkak të faktorëve të jashtëm. Instituti i Ekonomisë energjetike i Universitetit të Këlnit informon këtë javë: “BE do të ishte kundër ndërprerjes së përkohshme të furnizimit me gaz në rast të shkëputjes së Ukrainës si vend transit shumë më mirë i përgatitur se në vitin e krizës 2009”. Studimi më i fundit i këlnasve arrin në përfundimin se kërkesa aktuale për gaz është shumë më e vogël se ajo që pritej. Dhe kjo me sa duket vlen jo vetëm për BE, por edhe vendin e krizës, Ukrainë.

Një ditë në fillim të dhjetorit në Kiev: temperatura bie nën zero, shumë në kryeqytetin ukrainas kanë frikë nëse konflikti me Rusinë do t’i bëjë të ngrijnë nga të ftohtit. Gjatë gjithë vjeshtës, kryeqytetasit patën blerë kaldaja elektrike, në mënyrë që në rast nevoje – kur të mos ketë më gaz – të kenë të paktën ujë të ngrohtë. Por në javët e mëvonshme, vendi përjetoi dimrin më të ngrohtë që prej kohësh.

 

Kërkesa e industrisë ka rënë

Njëkohësisht, kërkesa për energji në Ukrainë ka rënë edhe nga një shkak krejt tjetër. Dhoma gjermano-ukrainase e tregtisë publikoi këtë javë shifrat e vitit të kaluar të sipërmarrjeve të saj anëtare. Thuajse nuk ka asnjë degë të industrisë, ku prodhimi të mos ketë rënë. Dhe kjo në radhë të parë për shkak të luftës midis kryengritësve prorusë në Lindje të vendit dhe ushtrisë ukrainase. Më pak prodhim do të thotë edhe më pak nevojë për energji.

Por varësia nga furnizimet ruse me gaz është pakësuar edhe për një shkak tjetër: ndërkohë, në bazë të Institutit të Energjisë së Këlnit, rreth 40 për qind e tubacioneve të rëndësishme të përcjelljes së gazit janë shtrirë në një mënyrë të tillë, që Ukraina të mund të marrë gaz edhe nga Perëndimi.

(marrë nga “Deutsche Welle”)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency