Vendimi/ Gjykata: 600 mijë lekë gjobë ish-ambasadorit Tepshi në Çeki

0
359

Gjykata e tiranesFshehu pasurinë e shtuar gjatë dy viteve të qëndrimit në detyrë. Përjashtoi nga deklarata djalin dhe investimet në fushën e ndërtimit. Nuk pasqyroi rritjen e pagës së ambasadorit

 Gjykata e Tiranës dënon me gjobë ish-ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Çeki në vitet 2006-2007, Qazim Tepshi, akuzuar për veprën penale “Deklarim i rremë i pasurive të personave që ushtrojnë funksione publike”. 73-vjeçari, sipas vendimit të Gjykatës, dhënë nga gjyqtari Lazër Sallaku, akuzohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka fshehur pasurinë. Gjykata e dënoi me 600 mijë lekë të reja gjobë, aq sa kërkoi edhe organi i Prokurorisë. Ndërkohë, pala mbrojtëse kundërshtoi akuzën dhe kërkoi nga Gjykata dhënien e pafajësisë. Vendimi u dha në ditët e para të marsit, ndërsa pak ditë më parë ai u zbardh për palët në proces.

 

Rrethanat e ngjarjes        

Në vendimin e saj Gjykata argumenton se nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se i pandehuri Qazim Selman Tepshi që nga 12 shtatori i vitit 2006 ka ushtruar detyrën e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Çekisë, fakt ky i vërtetuar nga deklarata e interesave private periodike/vjetore të vitit 2006, e dorëzuar në ILDKP në datën 26.2.2007 dhe nga aktet e tjera të ndodhura në fashikullin e gjykimit. Duke qenë në funksionin e ambasadorit, në përputhje me nenin 3/d/gj, 4 dhe 9 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i pandehuri ka deklaruar pasuritë e tij, burimet e krijimit të tyre dhe detyrimet financiare. Nga materialet bashkë lidhur kallëzimit penal, rezulton se subjekti Qazim Tepshi ka deklaruar në vitet 2006-2007 tri herë interesat private dhe konkretisht me: Deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës, të përpiluar në Pragë-Çeki në datën 18.11.2006, deklaratën e interesave private periodike/vjetore të vitit 2006, e dorëzuar në datën 26.2.2007, dhe deklaratën e interesave private periodike/vjetore të vitit 2007, e dorëzuar në datën 30.3.2008. Para fillimit të detyrës Tepshi ka deklaruar se dispononte një apartament 3 dhoma dhe një guzhinë (144.2 m2) i ndodhur në rrugën “Komuna e Parisit”, kulla II, ap. 3/1, Tiranë, blerë në vitin 2003 me çmim 350 $ m2, me pjesë zotërues e 100%, 17.4% e aksioneve të shoqërisë “Albinvest” sh.p.k.., me adresë Laprakë -Tiranë, në zotërim të bashkëshortes Hajrie Tepshi, 1150 euro në muaj – të ardhura nga paga si ambasador, 40.000 lekë në muaj – paga e vajzës Suela Tepshi, 8.700 lek në muaj – pensioni i bashkëshortes Hajrie Tepshi, kredi në shumën 4.500.000 lekë, marrë nga shteti për blerjen e apartamentit të ndodhur në rrugën “Komuna e Parisit”, Tiranë, me detyrim financiar të pashlyer deri në datën e fi1limit të punës 3.600.000 lekë.

 

Mashtrimi

Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive shprehet në kallëzimin e tij drejtuar Prokurorisë se subjekti Qazim Tepshi që nga fillimi i detyrës si ambasador deri në përfundim të saj nuk ka ndryshuar asnjë të dhënë të deklaratës. Ndërkohë, nga kontrolli i dokumentacionit është vënë re se Tepshi nuk ka nënshkruar formularin e të ardhurave dhe sipas nenit 24 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2009, me email-in e datës 26.1.2009 i është kërkuar dhe administruar nga ILDKP.-ja, i nënshkruar, ky formular ku të ardhurat e deklaruara tashmë janë ndryshe:

2.004,4 euro në muaj dhe 24.052 euro në vit nga paga e tij, 49.000 lekë në muaj dhe 588.000 lek në vit nga paga e djalit Saimir Tepshi; 7.500 lek në muaj dhe 90.000 lekë në vit nga përfshirja e bashkëshortes në subjektin “Albainvest” sh.p.k. me 17,4%, 8.600 lekë në muaj dhe 103.200 lekë në vit nga pensioni i bashkëshortes. 1.100 euro në muaj dhe 13.200 euro në vit nga paga e vajzës Ornela Tepshi në Itali. Nga verifikimet e kryera nga ILDKP, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit zyrtar me ZRPP, Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor, Drejtorinë e Shitjes dhe Administrimit të Pronave Publike, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Bankën e Shqipërisë dhe gjithë bankat e nivelit të dytë, ka rezultuar se:

Sipas konfirmimit të Bankës Credins, me shkresat nr. 3477, datë 23.9.2008 dhe nr. 597, datë 18.2.2009, ky shtetas ka pasur: (1) – në datën 31.12.2006 në numrin personal të llogarisë në euro depozitën 35.000 euro, të cilën nuk e ka deklaruar në deklarimin periodik vjetor të vitit 20061.; (2) – depozitën 39.000 euro, të cilën nuk e ka deklaruar në deklarimin periodik vjetor të vitit 2007. Sipas konfirmimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, subjekti “SAITAN” sh.p.k., me administrator shtetasin Qazim Tepshi, ka kaluar në pasiv në datën 23 gusht 2003, me detyrim tatimor pranë kësaj drejtorie për TVSH në vlerën 2.666.192 lekë të pashlyera. Nga këqyrja e kryer, me procesverbalin e datës 19.11.2009, në Bankën Credins ka rezultuar gjithashtu se: Depozita e 35.000 eurove është derdhur cash nga i pandehuri Qazim Tepshi me mandat arkëtimin e datës 11.8.2006 dhe është tërhequr cash nga i biri i tij Saimir Tepshi nga data 02.02.2007 deri 24.7.2007. Depozita e 39.000 eurove është derdhur cash nga shtetasi Kristo Mati me mandat arkëtimin datë 17.7.2007 dhe është tërhequr cash nga i biri i Qazimit, Saimir Tepshi, nga data 15.8.2007 deri 26.10.2007, përveç 10 mijë eurove që janë transferuar në datën 15.8.2007 në numrin e llogarisë së të pandehurit Qazim Tepshi në Ceskoslovenska Obchodni Bank – Pragë (nga ky fakt rezulton edhe dijenia e të pandehurit për ekzistencën e kësaj depozite).

 

Sqarimi i ambasadorit      

I pandehuri Qazim Tepshi, me email-in e datës 18.2.2009, ka sqaruar inspektoren, duke i shkruar: “Nuk kam gjykuar ta deklaroj këtë shumë se nuk janë krijuar në ambasadë, kam ardhë në Ambasadë me 12 shtator 2006, që të ketë konflikt interesi apo përfitim nga pozita e punës. Unë kam qenë një vit jashtë institucionit të Parlamentit apo Ministrisë. Ato janë kursime të vajzës sime të martuar që jeton e punon në Itali dhe disa kursime të mijat, që ia kam dhënë asaj, si prikë. Janë tërhequr nga djali im Saimiri për t’i futur në ndërtim tek ndërtuesi Kole Noku. Duke qenë kështu nuk është menduar të deklarohen në deklaratën time. Instituti juaj tani ka zgjeruar, siç duket, të deklarojë edhe për fëmijët e martuar, Më duket se nuk mund të jetë kështu”. Ndërkohë, Gjykata argumenton se i pandehuri Qazim Tepshi ka deklaruar dy vajza (Ornelën dhe Suelën) në përbërjen familjare të tij në të tre formularët e deklarimet të interesave private të depozituara në ILDKP. Ndërkohë, nuk ka deklaruar djalin e tij, i cili është shprehur

“Unë Saimir Tepshi, kam marrë nga z. Kristo Mati, shumën e 80.000 eurove si kapar për blerjen e apartamentit në rr. “Komuna e Parisit”, pall. “Sara-El”, kati i tretë, me sipërfaqe 144 m2, të cilin e kam prenotuar sipas kontratës me nr. 7315 rep dhe 2998 kol datë 6.11.2002. Shuma totale për blerjen e këtij apartamenti është 115.000 euro. Pagesën tjetër prej 35.000 euro, z. Kristo do ta kryejë deri në fund të muajit Shkurt 2008. Kur ai të bëjë likuidimin përfundimtar të shumës, do hartohet edhe kontrata me shoqërinë e ndërtimit në emër të blerësit Kristo Mati. Edhe unë Kristo Mati jam dakort për sa më sipër”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency