“Krimet e komunistëve” të Hoxhës, një rivlerësim i historisë

0
166

Nga dr. Vasfi Baruti

“Krimet e komunistëve” të HoxhësPak shpresohej/besohej se në të 22-in vit shoqëri demokratike, që përkonte me 70-vjetorin e Çlirimit të atdheut, do të ketë një rivlerësim të Luftës Çlirimtare apo më së paku një rivlerësim për disa nga ngjarjet më të debatueshme të Luftës, si formimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Plenumi Dytë i Beratit apo dita e Çlirimit. Dhe erdhi ajo çka pritej: asgjë s’ndryshoi nga Historia e Luftës e rishkruar më shumë se katër herë në monizëm. Qeveri Berisha dha donacione për studime të Luftës dhe kapakun ia vuri 20-milionëshi për prof. dr. Paskal Milo për veprën “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” (2015), e publikuar me bujë nga autori si një vepër shkencore, objektive, e paanshme, me zbulesa të panjohura, por që s’është veçse një monstër e censurës së historisë së Luftës (themelimi i Partisë, Konferenca e Pezës etj.), e lustrës për interesa politike të ngjarjeve e figurave kryesore të Luftës, por pa kaluar disa javë nga dalja në librari vepra tërhiqej me shumë urgjencë prej autorit dhe ç’mund të ketë ndodhur vallë – nga zhurmim telefoni, si qëmoti nga drejtoria e shtypit! Ose, në vitin e përvjetorit u përgojuan aq shumë herë Mit’hat Frashëri, Abas Kupi, Hasan Dosti, Bahri Omari, Lef Nosi etj. dhe damkosen “tradhtarë” të atdheut, por të gjendur përballë rrezikut më të madh – komunizmit me ndërgjegje zgjodhën të keqen më të vogël, pse tekefundit e dinë se pushtuesit në Shqipëri do e kishin kohën mjaft të limituar, siç e patën në të vërtetë 14 muaj, kurse komunizmi jetoi për gjysmë shekulli – ja pse s’meritojnë të damkosen tradhtarë, s’mund të fshihen meritat si rilindas e luftëtarë të pushkës e të penës. Në atë përvjetor të shënuar Çlirimi, monografia më serioze, ndofta e vetme, është “Krimet e komunistëve 1941-1945”, me autor Çelo Hoxhën.

Libri “Krimet e komunistëve”, një trajtesë intelektualisht e guximshme e me argument dhe shkruhet për herë të parë në historiografinë postkomuniste. E guximshme – nga ligjësia, konceptet, “togfjalëshat”, vlerësimet historike, teknologjia, që përdor autori për shkrimin e historisë së Luftës. Amá shkel e në rrugë të pashkelur shqiptare e vështirësitë jo të pakta. E historishkruesit s’e kanë aq të lehtë të përshtaten me kësi konceptime, po ashtu e historilexuesit. Sido të jetë, studimi “Krimet e komunistëve” e historianit Çelo Hoxha mbetet një gur-themeli për të përpunuar koncepte bashkëkohore të historiografisë tone dhe për ta arkivuar tradicionalizmin e shkrimit të historisë e të fitojë të drejtë qytetarie teknologji bashkëkohore e kërkimit historik, përpunimit të materies historike, vlerësimit të saj për shkrimin e historisë së ngjarjes a figurës historike. “Krimet e komunistëve”, është prurje e re në historiografinë tonë, me konceptim e teknologji të re shkrimi të historisë, një prurje e munguar në historiografinë- për lexuesit, bibliotekat e libraritë tona, pse më shumë se dy dhjetëvjeçarë jep alergji tog-fjalësi “krimet e komunizmit”, shumatore faktesh të qepur me pe të zi e s’honepsen për lexim. Si përfundim: “Krimet e komunistëve” [komunizmit] është një leksion i mirë si gërmihet në histori dhe historishkrues të shkruajnë histori. Amá ka edhe ndonjë pikë për debat e kundërshti pro e kundër, siç është ajo “Jus ad bello – e drejta për të nisur luftë” në argumentin e Luftës Nacionalçlirimtare, dhe një forum (redaksi…) – në Akademinë e Shkencave apo në Ministrinë e Kulturës- për librat shkencore a ato të letërsisë e artit ka vdekur apo s’ka lindur ende, amá kritikat s’mungojnë me llogje në kafene! E ndoshta do të ketë e lexues që do të jenë në një mendje se titulli “Krimet e komunistëve” s’është aq i kuptimtë pse komunistët ishin pjellë e një regjimi politik të caktuar- e komunizmit të Luftës e ata zbatues të doktrinës së atij soji komunizmi, andaj do ishte më i arsyeshme titulli i librit: “Krimet e komunizmit të luftës”, por krimet e komunizmit të Luftës janë njëherësh edhe krimet e diktaturës së proletariatit: Enver H. në pranverë të vitit 1944, më saktë më 26 mars, para kuadrove të Partisë K. shtron detyrën kryesore të Luftës: “misioni kryesor i luftës në fund të saj është vendosja e diktaturës së proletariatit”.

Libri hap faqet e tij shkencore me “Hyrje në historinë e Luftës Nacionalçlirimtare”. Përfillimi shfaqen risi me tri pjesët e doktrinës për luftën e drejtë dhe autori i sjell me emërtimet latinisht, nga burimet e shqyrtuar: “1. Jus ad bellum, e drejta për të nisur një luftë. 2. Jus in bello – e drejta e veprimeve gjatë luftës. 3. Jus pos bellum – e drejta e marrëveshjes së paqes dhe përfundimi i luftës”. Nga faqja 15 – 27 ka argumente e analizë për luftën e drejtë, në argumentin e Luftës Nacionalçlirimtare. “E drejta për nisur luftën – jus ad bellum” trajtohet me plotësimin e gjashtë kushteve: “Kauza e drejtë”, “Qëllimi i drejtë”, “Autoriteti i duhur e deklarimi publik”, “Lufta si mjeti i fundit”, “Mundësia e suksesit”, “Proporcionaliteti”. Në “E drejta e veprimeve gjatë luftës- jus in bello” ka në vëmendje gjashtë kushte: “Zbatimi i ligjeve ndërkombëtare për armët e ndaluara”, “Diskriminimi dhe imuniteti joluftarak”, “Proporcionaliteti”, “Mosmbajtja e robërve të luftës në kushte të papërshtatshme”, “Mospërdorimi i mjeteve Mala in se”, “Ndalimi i reprezaljeve”. Në “E drejta e marrëveshjes së paqes dhe përfundimin e luftës – jus pos bellum” janë shtatë kushte – për rastet kur lufta mbaron dhe palët bëjnë marrëveshje: “Proporcionaliteti dhe publiciteti”, “Rikthimi i të drejtave”, “Diskriminimi”, “Ndëshkimi 1”, “Ndëshkimi 2”, “Kompensimi”, “Rehabilitimi”. Me argumente, analiza, fakte, dokumente, ngjarje.

Pjesa e dytë e librit: Krimet e luftës (f. 27 – 40.) Mbështetja ligjore e komunistëve për dënimin e kriminelëve të luftës është Ligji nr. 41, në Gazeta Zyrtare nr. 3-bis, 23 janar 1945, dhe konkretisht neni 14. Autori bën një paraqitje korrekte të llojeve të krimeve, të listuara në përkufizimin ligjor, sipas renditjes: Vrasja, Torturat, Turpërimi i femrave, Shpërngulja e popullsisë, Kampet e përqendrimit, Puna e detyruar, Djegia e shtëpive, Vjedhja-Plaçkitja-Shkatërrimi i pronës shtetërore e private. Në vëmendje janë gjyqet, që në pikëpamjen time janë faqja më kriminale e më terrorizuese e Luftës, dhe dokumenti bazë, ai i ushtrisë Jugosllave, erdhi në Konferencën e Parë të Vendit (mars ’43) e për hir të vërtetës ishte mjaft demokratik, por i deformuar skajshëm nga udhëheqja e luftës, nga Lufta doli dhe përvoja e gjyqeve politike, që në perfeksion është ai për gjykimin e Ramize Gjebresë, nga Byroja e Komitetit të Partisë të Qarkorit të Vlorës, që e jep me hollësi Thanas Nano, i pranishëm në atë gjyq (kujtime të botuara, dhënë autorit të shkrimit, v.b). Pjesa e tretë e librit janë 124 dokumente arkivore, nga f. 45 deri 319. Çdocili dokument me dy pjesë: Përmbajtja e dokumentit dhe orientimi që merr lexuesi për argumentin e dokumentit- vrasje, terror, vjedhje, shpërngulja e popullsisë, djegia e shtëpive etj. e në vijim të përmbajtjes vjen një paragraf a më shumë e dokumentit origjinal, me burimin e tij (AQSH, Fondi, Dosja, Fleta, Viti). Të 124 dokumentet, të selektuara nga shumë qindra e qindra dokumente arkivore, nga edhe dalin përfundimet, janë pjesa më kryesore e studimit. Me dukje dokumentet marrë veças s’janë “domethënëse” për krime komuniste, përkundras janë hallka të forta e të lexuara në lidhje mes tyre shihet se janë hallka të një zinxhiri të stërmadh krimesh të komunizmit të Luftës. Por dikushi merr për argument të vet kritikën e Hoxhës për Shehun (63 të ekzekutuarit e tij), dokumenti 33, dhe vjen këtu një detaj i munguar- letra shumë e gjatë e Hoxhës, e 3 nëntorit ’43, dërguar bazës së Partisë, në të cilën ai shprehet i prerë: “Të shpartallohet Balli Kombëtar…” (dokumenti i parë i vëllimit 2) dhe të shpartallohet do të thotë të shpartallohet- të shpartallohet pamëshirë, ndaj dhe s’do marrë seriozisht qortimi i Tarasit që i bënte Shehut. Përse? Dokumenti 33 daton 5 nëntor, kurse letra bazës së Partisë daton 3 nëntor, dhe në detaj konstatohet një tjetër detaj: letra për Shehun daton 5 nëntor, kurse letra për bazën e Partisë daton 3 nëntor, komenti i qartë. Librit i mbarohen shpejt faqet me “Lista e personaliteteve përgjegjës për krimet e Luftës”, ata/ato që ngarkohen me përgjegjësi të drejtpërdrejtë apo të indirektë në krimet e Luftës dhe autori në këtë parashtresë rrëfehet puritan, ngase të listuar për krime janë dhe të rënët dëshmorë apo që, të zhgënjyer nga e majta komuniste kaluan në frontin e djathtë, por të listuar ka dhe ndonjë figurë e Luftës që s’e meritonte atë listim, siç është Kahreman Ylli, një figurë me integritet të lartë në tërë jetën e tij; apo mungojnë dhe të tjerë që e meritojnë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë në krimet e Luftës, siç është Pajo Islami, protagonist në gjyqin politik të Ramize Gjebresë e të tjerë.

Monografia “Krimet e komunistëve” është një galeri krimesh, shpesh të llahtarshme, amá krimet e komunizmit të Luftës, për nga përmasat i ngjajnë një miniere, që pret të gërmihet gjithnjë, dhe për të veçuar këtu gjyqet partizane, veçanërisht ekzekutimi i femrave, edhe i femrave jopartizane, për arsye të sajuara; një përvojë tepër e hidhur është dhe ekzekutimi pa gjyq i kundërshtarëve, apo më saktë ata/ato të menduar të tillë, veçse me kodin e “Dekorimit” me kushte të rrepta: Me plumb pas koke, në fshehtësi, pa bujë e zhurmë, edhe me nderime (ditë zije, trakte) dhe pa lënë gur-shenjë varri. Së fundi, s’arrita të kuptoj mungesën në monografi të memorialistikës, në masë të arsyeshme e të besueshme (kur dëshmitë qasen me burimet arkivore), e cila e bën problematikën më të afërt me lexuesin. Ndoshta këto sugjerime do kishin interes për autorin, në rast ripunimi të monografisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency