Artan Fuga
Prej kohësh në mendimin filozofiko-politik klasik u përpunua ideja e ndarjes mes shoqërisë dhe shtetit. Ndarja e shtetit nga feja u zhvillua edhe si një pavarësi e shoqërisë nga pushtetet politike. Politika dhe shteti nisi të dilte si një dyshe instrumentesh në shërbim të qytetarit, si vullnet i përgjithshëm i qytetarit. Ndërsa më parë, sipas të drejtës hyjnore, sovrani në formën e Perandorit a Mbretit sillte me ligjin dhe vullnetin e tij arbitrar fjalën dhe mesazhin hyjnor për formësimin e shoqërisë, më pas, konceptohet pushteti dhe shteti si të dala nga shoqëria dhe në shërbim të saj.
Përparësia e shoqërisë dhe qytetarit mbi politikën dhe shtetin – ky ishte edhe parimi i demokratizimit në vendet e Lindjes si edhe në Shqipëri – çka përbënte një thyerje institucionale me të kaluarën moniste ku konceptohej teorikisht se diktatura e “proletariatit” do t’i jepte tonin jetës shoqërore.
Por, çfarë ka ndodhur? Sot ne vëmë re se pavarësia e shoqërisë nga politika është bërë si një lloj gargare fjalësh, një dogmë që nuk përputhet fare me realitetin, një ideologji që u mësohet nxënësve dhe studentëve si një lloj iluzioni me të cilin të gjithë ata që janë në brendësi të çështjes tallen nëpër zyra, tavolina kafenesh dhe tregojnë barcaleta të hidhura.
Pavarësia e shoqërisë dhe e aktorëve të shoqërisë civile ndaj shtetit dhe politikës po kthehet gjithmonë e më shumë në zero dhe mosqenie. Shoqëria ka nisur të hyjë kështu me shpejtësi të frikshme drejt një autizmi dhe monologu institucional dhe ligjërues, ku shoqëria dhe aktorët shoqërorë, që duhet të krijojnë politikën dhe frymëzojnë politikëbërjen, në fakt nuk janë në thelb veçse kukulla, majmunë imitues, zare, në duart e politikës dhe të administratës shtetërore.
Pavarësia e shoqërisë ka shkuar në fund të nivelit dhe ne jemi kthyer përsëri në një shoqëri të politizuar po aq, në mos edhe më shumë, sa edhe shoqëria moniste e viteve përpara 1990. Këtu në këtë pikë, nuk do të desha në asnjë mënyrë të ndihesha i gëzuar që parashikimi i Gustav Le Bonit aty nga vitet `30 të shekullit të kaluar, sipas të cilit revolucionet nuk janë veçse etiketimi me fjalë të reja i të njëjtave procese dhe gjendje shoqërore, ka dalë i vërtetë.
Është bërë vërtet e dhimbshme ajo që qytetarët shqiptarë shohin e ndjekin përnatë në ekranet televizive. Mirë a keq, pa dashur të marr një rol që nuk e kam dhe nuk e dua për të ndarë të drejtën nga e padrejta, shohim se edhe analistët që paraqiten atje në 90 për qind të rasteve janë njësh me vijën politike të partisë me të cilën janë lidhur. Janë të njëjtat argumente politike konfliktuale dhe të ndara sipas vijave politike.
Këtu rolin e vet të politizimit ekstrem të mediave e nis vetë gazetari që animon emisionin ku edhe vendosjen e të ftuarve e bën në hapësirë si dy kampe të ndara nga pikëpamja politike dhe i vendos analistët përballë njëri-tjetrit. Në vend që të kemi analiza në shërbim të shpjegimit të politikës qytetarit, kemi një riprodhim të politikës nga media. Përmbajtja politike dhe përmbajtja mediatike mbivendosen me njëra-tjetrën, njësohen me njëra-tjetrën dhe media shndërrohet në një regji spektakli ku në skenë nuk janë veçse personazhet politike. Media transformohet në një skenografi të thjeshtë të politikës.
Në këtë mënyrë merr fund edhe media, edhe gazetaria, por merr fund edhe profesioni i analistit dhe i vetë gazetarit. Përtej kësaj vetë gazetaria po shndërrohet gjithmonë e më shumë thjesht në një raportim nga dyert e Kuvendit, të Kryeministrisë, të partive politike dhe të deklaratave që bëjnë politikanët, duke e shuar krejtësisht dallimin midis gazetarit dhe konsulentit të marrëdhënieve publike të politikanit.
Ne, sot, në media nuk kemi më analizën e politikës, por artikulimin e politikës me kanalet mediatike.
Por, sikur t’i ndodhte ku politizim vetëm medias atëherë do të kishte kuptim disi më të lehtë. Por, rënia e shoqërisë, në kuptimin e politizimit të saj, humbja e çdo pavarësie të shoqërisë nga ana e politikës dhe e vetë shtetit ka kapur edhe mekanizma të tjera shoqërore.
Më ka bërë përshtypje të thellë dhe shumë të keqe rasti i fundit i gjendjes të ekspertizës, e cila edhe ajo kur thërritet nga politika apo administrata, në fakt s’është veçse një lojë hipokrite në një masë shumë të madhe dhe nuk ka asgjë nga ekspertiza e vërtetë dhe e pavarur. Ja shembulli.
Dihet se Ministria e Arsimit ka pretenduar se ka ngritur një grup ekspertize për të shkruar tekstin e një projektligji për arsimin e lartë dhe shkencën. Deri këtu nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe. Por, ajo që kemi parë gjatë këtyre dy viteve është pikërisht ajo që nuk do të duhej të ndodhte. Shpeshherë në takime të ndryshme, shumë formale dhe pa bukë, pozicionin e Ministrisë e kanë mbrojtur ata që Ministria i ka konsideruar si ekspertë të pavarur. Aq më keq, ekspertët dhe përfaqësuesit e dikasterit shpesh paraqiten në mënyrë të paturpshme si një ekip i integruar ku nuk kupton se ku janë ekspertët e pavarur dhe ku janë shërbëtorët tanë, nëpunësit.
Aq më keq, që duke ia deleguar fshehurazi grupit të ekspertëve gjoja të pavarur fjalën e vet, dikasteri nuk del në publik për të paraqitur strategjinë e vet politike, e cila nuk mund të jetë një çështje ekspertize, por një vendimmarrje politike, e cila duhet të jetë e sinqertë dhe transparente. Si është e mundur, pyet njeriu veten, që dikasteri të mos jetë në gjendje dhe të ketë guximin politik dhe qytetar të shpallë vijën e vet politike strategjike, por fshihet pas një grupi që e ka shpallur si grup ekspertësh dhe nuk ka asnjë distancim të këtyre të fundit nga vetë shteti dhe ministria.
Kjo ndodh, sepse i jepet kollaj emri “ekspert i pavarur” kujtdo që, ndonëse mund të ketë kompetencat përmbajtësore, nuk ka statusin e të pavarurit, nuk i përket një kabineti ekspertize me status profesional (këta mungojnë), por janë përzgjedhur dhe zgjedhur nga administrata, duke pranuar të jenë nën zgjedhën e saj.
Në të vërtetë, ka ardhur koha për t’u thënë mjaft këtyre lloj ekspertësh të pavarur, sepse nuk mund të jetë i pavarur një “ekspert” që fillimisht paraqitet i tillë, i paanshëm, dhe pak më vonë e sheh se ka marrë një post pikërisht nga dikasteri që e ka paraqitur si ekspert i paanshëm. Kjo është paanshmëria? Pse tallen me qytetarët???
Ekspertizën e paanshme nuk mund ta zgjedhë shteti, pushteti, qoftë ai qendror, qoftë ai lokal, i kujtdo ngjyre politike qoftë, sepse qysh në përzgjedhje administrata dhe politika përzgjedh atë ekspertizë të pavarur që, në fakt, pranon të jetë nën hyqmin e politikës dhe administratës, paguhet prej tyre dhe ka lidhje të hapura ose të tërthorta midis tyre.
Më tregonte dikush historinë e një kabineti urbanistike që do të duhej të bënte planin urban të një qyteti. Ishte zgjedhur një kabinet i huaj, nga vetë bashkia e qytetit. Dukej se çdo gjë ishte e vendosur mbi baza ekspertize. A thua se bashkia është një force e pavarur dhe e paanshme. Ky është kuptim i pasaktë që shpesh e dëgjojmë. Sikur dikasteri është një vullnet asnjanës, qeveria një vullnet asnjanës etj. Jo, nuk është ky konceptimi i sotëm demokratik, sepse edhe bashkia, qeveria, dikasteri janë thjesht palë sikurse edhe qytetari në balancën vendimmarrëse të ekspertizës. Dikasteri, qeveria, pushteti lokal nuk janë pushtete hyjnore, por drejtohen nga administratorë, pjesë e burokracisë shtetërore, dhe si e tillë kjo burokraci është përballë qytetarit.
Qytetari kundrejt burokracisë institucionale dhe burokracia institucionale kundrejt qytetarit.
Kur ekspertiza zgjidhet nga njëra prej palëve që këtu ka nisur hileja e madhe. Burokracia i jep të drejtën vetes të zgjedhë ekspertët, të cilët sigurisht anojnë nga ajo kundër zërit oponent qytetar. Dhe pasi e ka rekrutuar ekspertizë, administrata burokratike i tund vendimet që ajo i ka imponuar ekspertëve nën “zgjedhë” si vendime neutrale dhe i kërkon bindje qytetarit.
Jo, nuk është kjo demokracia, kjo është hipokrizia.
Dhe për t’u kthyer te rasti i planit urbanistik të atij qyteti, burimet e mia më besuan këtë: “Çfarë thua bre profesor, ata vetë e zgjodhën atë kabinetin urbanistik, vetë ia dhanë projektet që ai duhej të legjitimonte, madje as transparencë financiare nuk pati ta zëmë për udhëtime të bashkiakëve drejt vendit ku është vendosur kabineti i huaj urbanistik, aq më shumë që edhe juria e vlerësimit të projekteve më të mira u ndërtua nga vetë bashkia, pra nga një palë e interesuar dhe përballë qytetarit, që si palë u kuptua si i njehsuar me burokracinë lokale”.
E keqja e politizimit ka kapur edhe organizata të ndryshme joqeveritare. Kjo lidhje varësie midis OJF-ve të ndryshme dhe pushtetit politik, partive politike, administratës lokale etj. vjen për dy arsye kryesore. E para, sepse shpesh përfaqësuesit e pushtetit politik bëjnë zgjatime të ndikimeve të tyre, duke krijuar organizata joqeveritare nën ndikimin e tyre tërësor dhe, e dyta, sepse shumë organizata joqeveritare, për të përfituar fonde, janë të detyruara që të krijojnë partnershipe me administratën, të bien nën ndikimin e saj, të humbasin sensin kritik dhe korrigjues të aktiviteteve të tyre.
Më ka qëlluar të vrojtoj edhe çmime që shpërndahen për vepra të ndryshme me përmasa kulturore, artistike dhe mediatike. Kurrë këto çmime nuk i fiton një autor që nuk ka një shërbim të kryer, një lidhje me autoritetin atribues të çmimit.
Shoqëria jonë po bëhet njëdimensionale, po të marrim konceptin e Herbert Markyzes, pra ajo nuk e ka më sensin kritik, e shumta zhvillon dhe merr pjesë në një ndeshje politike midis dy krahëve të politikës, pra mbetet e përmbyllur dhe e kapur brenda hullisë politike. Shoqëria nuk ka fuqi të ngrihet mbi modelimin në mendime, ide, oferta, zgjidhje, që i jep politika.
Politika dhe pushteti modelojnë shoqërinë.
Kur autorë si Glyksman dhe Bernard Henry-Levy, e theksonin këtë prirje për shoqëri të tjera nuk arrija ta kuptoja se si mund të ndodhte kjo, e quaja të pabesueshme dhe të pamundur. Por, tashmë e shoh qartë në evoluimin tonë. Është e qartë se një shoqëri që humb sensin kritik ndaj vetvetes dhe paloset nën modelimin e politikës, krejt i pamjaftueshëm për t’u bërë ballë korrigjimeve që kërkohen, sepse përqasja politike sado e zonja është përsëri shumë e kufizuar nga vetë thelbi i saj i të menduarit konfliktual dhe propagandistik, për elektoralizëm, nuk mjafton t’i japë shoqërisë ndërgjegjen e vet.
Një shoqëri e privuar prej kësaj ndërgjegjeje shkon drejt humnerës, sepse u ngjan aparateve fluturuese që kanë defekt në sistemin e drejtimit.