Overdozë interneti

0
146

Alba Kepi

te varur nga interneti Një adoleshent 15-vjeçar pas tri ditë kërkimesh u gjet në stacionin qendror të një kryeqyteti evropian në gjendje amnezie totale. Prej disa orësh bisedë me psikologun mundi të kujtonte emrin e tij. Diagnoza: Varësi nga interneti! Shumë orë të kaluara para kompjuterit e përdorimit të rrjeteve sociale kishin krijuar në të një gjendje konfuzioni të përgjithshëm.

Dy të rinj 14-15-vjeçarë në një tjetër qytet të botës, pasi kapen duke vjedhur në një dyqan rrobash, u kërkojnë agjentëve të policisë të bëjnë një selfie para se t’i dërgojnë në komisariat.

Diku tjetër një grup të rinjsh filmojnë skena nudo me një mikeshë, duke i publikuar më pas në internet. Ndërsa një profil “Facebook”-u fals, i hapur në emrin e një 14-vjeçari, i vë në lojë seksualitetin dhe e çon atë në vetëvarje.

12-13-14-15-vjeçarë, adoleshentë të persekutuar nga shokët e klasës për mënyrën e të veshurit, të sjellit, për format trupore, për episode e ngjarje të së përditshmes e që kjo e fundit i largon çdo orë e më shumë nga realiteti deri në izolim.

Profile adoleshentësh në rrjete sociale “të zbukuruara” nga realiteti i ditës, nga e vërteta e përditshme duke synuar qëllimin e “të qenit interesant”. Gënjeshtra, vetmi, amnezi. Dhunim, degjenerim, kërcënim. Lajme të tilla lexon çdo ditë e vijnë nga çdo anë e botës. Janë ngjarje që shpeshherë nuk kursehen nga tragjedia. Overdozë interneti, cyberbullizmi, ludopatia, pedopornografia, seksualiteti i parakohshëm, shqetësime psikologjike, identitet i dyzuar, varësi patologjike janë rreziqet e sëmundjet që po kërcënojnë aktualisht adoleshencën.

Me një dorë u përgjigjen mesazheve në smartphone, me dorën tjetër lëvizin mouse-in me sytë e ngulur në ekranin e një kompjuteri, kufjet në vesh e muzikë. Ecin, ushqehen, flejnë, mësojnë e argëtohen pa u ndarë asnjë çast nga smartphone-i i tyre. Gjëja e parë sapo zgjohen është të kontrollojnë mesazhet në “Whats up”, “Facebook”, “Instagram” etj e po kjo është dhe gjëja e fundit para se t’i marrë gjumi. Kalojnë më shumë orë në internet se sa u nevojitet për të fjetur. Shumë prej tyre kanë harruar të lexojnë libra, plot të tjerë kanë harruar të shkruajnë me shkrim dore. Dikur e ardhmja ëndërrohej me sytë hapur, sot ndërtohet në një botë ideale, virtuale dhe e rreme. Ky është identikiti i adoleshentit të sotëm.

Statistikat dhe studimet e fundit dëshmojnë se tek adoleshentët përkrah drogës, alkoolit e duhanit gjithnjë e më shumë hapësirë po zë varësia nga interneti. Psikologët japin alarmin se teknologjia po lejon modifikimin dhe modelimin e imazhit real social e po shton frikën për të jetuar një jetë të vërtetë. Këtë varësi të re specialistët e njohin me emrin “Internet Addiction Disorder”, patologji e studiuar nga doktor Ivan Goldberg, e shkaktuar pikërisht nga ky abuzim i tepruar i botës së web-it.

 

Brez alienësh

Pak kohë më parë, filozofi francez Michele Serres publikoi në faqet e të përditshmes “Le Monde” një studim provokues e mjaft aktual për problematikën e fëmijërisë së epokës moderne. Fjalët e tij janë një pasqyrim filozofik i gjithçkaje që studimi i mësipërm evropian ofroi e të gjithçkaje që fëmijëria e mijëvjeçarit të tretë po jeton. Shkrimtari italian Umberto Eco, gjithnjë kritik e i pranishëm me mendimin e tij, e përpunoi esenë e Serres, duke e përmbledhur me pak fjalë në rreshtat e mëposhtëm.

 

 Umberto Eco

Të rinjtë nuk njohin as natyrën e as vuajtjen, jetojnë në një botë virtuale. Ne filozofët nuk e kuptuam këtë transformim, pasi ishim shumë të impenjuar me politikën (Michele Serres).

Mendoj se Michele Serres është mendja më e hollë filozofike që ekziston sot në Francë, e si çdo filozof i mirë di t’i përshtatet e të reflektojë ndaj aktualitetit. Paturpshmërisht po përdor (me përjashtim të ndonjë komenti personal) një artikull shumë të bukur të tij botuar në “Le Monde”, ku flitet për gjëra që u përkasin fëmijëve të lexuesve të mi më të rinj apo nipërve tanë, për ne që jemi të moshuar.

Sa për ta nisur, këta fëmijë e nipër nuk kanë parë kurrë një derr, një lopë, një pulë (më kujtohet se pothuajse 30 vjet më parë një studim amerikan kishet treguar se shumica e fëmijëve të Nju Jorkut besonin se qumështi që shihnin të konfeksionuar në supermarket ishte një produkt artificial si “Coca Cola”. Qeniet e reja njerëzore nuk janë mësuar të jetojnë më në natyrë e njohin veç qytetin (po ju kujtoj se kur shkojnë me pushime jetojnë pak a shumë në ato që Auge i ka përkufizuar “jovende”, pra ku kampi i pushimit është në gjithçka i ngjashëm me aeroportin e Singaporit e në çdo rast i prezanton atyre një natyrë artificiale). Bëhet fjalë për një nga revolucionet më të mëdha antropologjike pas neolitit. Këta fëmijë jetojnë në një botë të mbipopulluar, shpresa e tyre e jetesës është pranë tetëdhjetë viteve, për shkak të jetëgjatësisë së baballarëve dhe të gjyshërve e kur kanë trashëguar diçka nga ata, ndryshe nuk do të jetë më shumë se tridhjetë vite, pra janë në prag të pleqërisë së tyre.

Fëmijët evropianë prej 60 viteve nuk njohin më luftë, për shkak të mjekësisë së përparuar nuk kanë vuajtur si paraardhësit e tyre, kanë prindër më të vjetër se ne (e shumica e tyre të divorcuar), studiojnë në shkolla krah më krah me fëmijë me ngjyrë, me besim fetar e tradita të ndryshme (e Serres pyet për sa kohë do t’i këndohet akoma Marsejezës, që i referohet “gjakut të papastër” të të huajve?)

Sa vepra letrare do të shijojnë akoma, kur nuk kanë njohur jetën rurale, të korrat, dyndjet, memorialët e luftës, parullat e shkatërruar nga plumbat e armiqve, nevojën jetësore të një morali?

Janë trajnuar nga media, konceptuar nga të rritur që kanë zvogëluar në shtatë sekonda qëndrueshmërinë e një imazhi e në 15 sekonda kohën e përgjigjes ndaj pyetjeve e ku shohin gjëra që në jetën e përditshme nuk i gjejnë më, kufoma të gjakosura, shkatërrime: “Në moshën 12-vjeçare të rriturit i kanë detyruar të shohin 20 mijë vrasës”.

Janë edukuar me reklamat që ekzagjerojnë me shkurtime e fjalë të huaja, që kanë humbur sensin e gjuhës mëmë, nuk kanë më koshiencën e sistemit metrik të dhjetëshes, duke qenë se i premtojnë shpërblime në mijëshe, shkolla nuk është më vendi i mësimit, të mësuar në kompjuter këtë fëmijë jetojnë pjesën më të mirë të jetës së tyre në virtualitet. Të shkruash me një gisht në vend se të përdorësh një dorë të tërë “nuk eksiton më të njëjta neurone apo të njëjta zona cerebrale (e përfundimisht janë totalisht “multitasking”).

Ne jetojmë në një hapësirë metrike të perceptueshme, ndërsa ata jetojnë në një hapësirë ireale ku largësia e afërsia nuk kanë më asnjë efekt.

Nuk po ndalem në reflektimet e Serres mbi mundësinë e trajtimit të kërkesave të reja për edukim. Panorama e tij flet në çdo rast për ndryshimet totale nga shpikja e shkrimit shekuj më parë e deri te shtypi sot. Veçse teknikat e reja zhvillohen me shumë shpejtësi e në të njëjtën kohë trupi metamorfizohet, ndryshon lindja e vdekja, vuajtja e shërimi, zanatet, hapësira, banimi, qenia – në këtë botë. Pse nuk ishim përgatitur për këtë transformim?

Serres e mbyll se faji është dhe i ne filozofëve, të cilët nga profesioni duhet të parashikojnë ndryshimet e dijeve dhe praktikave, e nuk bëmë sa duhet, “të impenjuar në politikën e përditshme nuk e kuptuan se si erdhi modernizmi”. Nuk di të them se Serres ka të drejtë në gjithçka, por di se një farë të drejte e ka.

 

IAD – Internet Addiction Disorder SIMPTOMAT

– Nevoja për të kaluar gjithnjë e më shumë kohë në internet për t’u ndjerë sa më të kënaqur.

– Qëndrimi për një kohë shumë më të gjatë se sa ta lejon planet e imepenjimet e ditës.

– Paaftësia për të perceptuar e vlerësuar rreziqet e sjella nga përdorimi i pakontrolluar i internetit

– Pamundshmëria për t’u shkëputur me dëshirë nga përdorimi i internetit.

– Nervozizëm psikomotor. Ankth, emërim, depresion, mendime obsesive se çfarë po ndodh në rrjetet sociale

– Probleme fizike si pagjumësi, takikardi, emikrania, dhimbje muskujsh, hiper djersitje

– Izolim nga marrëdhëniet familjare e shoqërore.

– Rendiment i dobët shkollor.

– Mungesë e higjienës personale.

 

Tre janë tapat kryesore të zhvillimi të IAD:

Intoleranca. Vëmendja e vazhdueshme e obsesive ndaj instrumentave tekonologjik. Kontrolli i vazhdueshëm i postës elektronike dhe i mesazheve. Qëndrimi mjaft i gjatë në rrjetet sociale e në chat-eve online. Maturimi. Humbja e sensit mes realitetit e virtuales. Nervozizëm e kërkesa e vazhdueshme për t’u lidhur në internet. Carving apo toksikomani. Nevoja kompulsive dhe e pafrenueshëm për t’u lidhur në internet. Vuajtje fizike e psikike, fiksime, ankthi e nervozizëm i pashkak. Urrejtja ndaj jetës reale e cila të pengon në kohë për t’iu kushtuar virtuales.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency