Faturat e energjisë, jo më si titull ekzekutiv

0
168

Ervin Kaduku

Faturat e energjisë –  Tentativë për të rregulluar kreditë e këqija, por vlera e kredive të humbura në fund të janarit ishte rreth 69 miliardë lekë, në rritje 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014

Faturat e energjisë elektrike nuk do të trajtohen më si titull ekzekutiv. Nisma për shfuqizimin e këtij përcaktimi ligjor të faturës së energjisë elektrike është depozituar në Kuvend dhe pritet të shqyrtohet nga komisionet kuvendore. Ky ndryshim vjen vetëm pak vite pas nismës së ndërmarrë ndërsa kompania e shpërndarjes menaxhohej nga të huajt, me qëllim thjeshtimin dhe rritjen e arkëtimeve nga radhët e konsumatorëve. Por tashmë duket se kjo nismë është kthyer në “bumerang” për vetë kompaninë e shpërndarjes. Në relacionin e projektligjit të depozituar në Kuvend shkruhet se nisma në fjalë vjen në kuadër të zgjidhjes së problematikës së borxheve mes kompanive që operojnë në sektorin elektroenergjetik.

Në listën e borxheve janë edhe ato që kompania e shpërndarjes së energjisë u ka prodhuesve privatë të energjisë, të cilët kanë tashmë në dorë fatura detyrimi që janë tituj ekzekutivë e që mund të përdoren për bllokimin e llogarive të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes që është debitor ndaj tyre. Bllokimi i llogarive të OSHEE sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile rrezikon të sjellë shkeljen e kushteve të marrëveshjes së huasë që është nënshkruar në vitin 2014 me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. “Në bazë të kësaj marrëveshjeje përcaktohet se është detyrim i OSHEE­së që në një institucion financiar të depozitojë të ardhurat për të paguar shpenzimet e transmetimit dhe të blerjes së energjisë në përputhje me një grafik të caktuar. Si i tillë, çdo bllokim i llogarive bankare të OSHEE­së do të çonte në një shkelje të kushteve të marrëveshjes së huasë”, – thuhet në relacion.

Po ashtu, në relacion evidentohet se një problematikë e tillë është konstatuar edhe me Koorporatën Elektroenergjetike. Megjithatë, saktësohet se aktualisht qeveria shqiptare ndodhet në një proces reformimi tërësor të sektorit elektroenergjetik, ku një prej pjesëve të reformës është edhe zgjidhja e problematikës së borxheve të akumuluara.

 

Masa të paefektshme

Në fakt, edhe masat e shumta të tjera ligjore dhe rregullatore deri tani nuk kanë ndihmuar shumë që bankat të fshijnë nga bilancet e tyre kreditë e humbura. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, vlera e kredive të humbura në fund të Janarit të këtij viti ishte rreth 69 miliardë lekë, në rritje me rreth 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Për të lehtësuar fshirjen e kredive që nuk kanë më shpresë kthimi, Banka e Shqipërisë dhe Parlamenti miratuan disa akte të rëndësishme gjatë vitit të kaluar. Kuvendi ndryshoi ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke saktësuar kushtet për të njohur fshirjen e kredive të humbura si shpenzime fiskale të zbritshme. Fshirja e kredisë do të njihet si shpenzim i zbritshëm një vit pas nxjerres së urdhërit të ekzekutimit nga gjykata. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë”, në dispozitat që përkufizojnë se kur një kredi klasifikohet si e humbur dhe kur ajo duhet fshirë nga bilanci i bankës. Rregullorja e re hyri në fuqi më 1 Janar 2015 dhe saktëson se, përveç kushteve të tjera, kredia quhet e humbur pasi banka ka depozituar te përmbaruesi gjyqësor kërkesën për fillimin e procesit të ekzekutimit të detyrueshëm të kolateralit. Në rastet kur kredia nuk është e siguruar me kolateral, kredia mund të quhet e humbur pasi gjykata ka lëshuar urdhërin e ekzekutimit. Ndryshimi i dytë i rëndësishëm i miratuar nga Banka e Shqipërisë lidhet me kushtet e fshirjes së kredive të humbura nga bilancet. Rregullorja aktuale nuk përcakton afate kohore për fshirjen e kredive të humbura dhe vendimmarrja për këtë i lihet vlerësimit të këshillit drejtues të bankës tregtare. Sipas rregullores së re, kreditë e humbura nuk mund të mbahen në bilance për më shumë se tre vjet, me përjashtim të rasteve të veçanta kur banka mund të argumentojë mundësinë efektive të shlyerjes së kredisë, mbështetur në analizën e gjendjes financiare të kredimarrësit dhe në cilësinë e kolateralit. Të gjitha këto ndërhyrje u bënë me synim heqjen e pengesave për fshirjen nga bilancet e bankave të kredive të humbura dhe pa shpresë kthimi.

Fshirja e tyre do të ulte ndjeshëm shkallën e kredive me probleme të bankave dhe do të çlironte kreditimin e ekonomisë. Sidoqoftë, duket se për të parë rezultate domethënëse nga këto masa do të duhet ende kohë.

 

Rritet vlera e bonove të privatizimit

 Vlera e Bonove të Privatizimit në shitje shkoi këto ditë në 7% nga 3-4 për qind, që ishte dy javë më parë. Në një vëzhgim në tregun e zi të valutës, tregtarët (informalë) të letrave me vlerë pohuan se, rritja e vlerës është ndikuar nga vendimi i qeverisë për shtyrjen e afatit të përdorimit të tyre deri në fund të vitit 2016.

Tregtarët pohojnë se, kërkesa për bonot kohet e fundit është rritur edhe për shkak të rigjallërimit të procesit të legalizimit dhe privatizimit të disa ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Në mbarë vendin rezulton se, janë të paktën 344 shoqëri tregtare, ku institucionet publike janë aksionare të plotë apo të pjesshëm. Në shoqëritë tregtare, kur ka të dhëna të plota për pjesën e aksioneve për punonjësit e shoqërisë dhe për ish-pronarët e truallit, qeveria ka të drejtë të përcaktojë paketën e aksioneve, që i ofrohet blerësit të vetëm dhe nxjerr urdhrin përkatës për privatizim.

Ish- pronarët e truallit që gëzojnë të drejtën e parablerjes pagesën për objektin apo ndërmarrjen që privatizohet duhet ta kryejnë 20% me lekë dhe 80% me bono dhe lekë privatizimi.

Procesi i legalizimeve si konsumatori më i madh i bonove është realizuar vetëm 10 për qind te të gjitha objekteve informale. Kush e bën pagesën për legalizimin menjëherë ka të drejtë të paguajë me bono 50 për qind të vlerës.

Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Në procesin e privatizimit masiv u përdorën vetëm një pjesë e vogël e tyre 14.59 për qind e totalit ose 21.35 për qind e bonove të privatizimit të shpërndara.

 

Fillon miratimi i lejeve për rrugët hyrëse të projektit TAP

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka nisur fazën e shqyrtimit dhe miratimit të Lejeve Zhvillimore Komplekse për rrugët hyrëse të projektit të gazsjellësit TAP.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Shqyrtimit u trajtuan disa nga aplikimet e Kompanisë TAP AG, të adresuara në MEI, për marrjen e dokumentit të Lejes Zhvillimore Komplekse për rrugët hyrëse (ndihmëse) të cilat do të shërbejnë për transportimin e pajisjeve, mjeteve të punës dhe teknologjisë për ndërtimin e gazsjellësit.

Aplikimi i paraqitur në MEI nga Kompania TAP AG përfshinte në mënyrë të detajuar si dokumentacionin teknik për 19 rrugë hyrëse të projektit TAP, po ashtu edhe dokumentacionin: administrativo – ligjor të aplikantit, lejet e dhëna nga Institucionet Publike Shqiptare për Projektin TAP në tërësi dhe për rrugët e kalimit në veçanti, licencat profesionale të shoqërive projektuese si dhe oponencën teknike të kryer nga Instituti i Ndërtimit për projektet teknike të rrugëve të kalimit.

Komisioni i Shqyrtimit dha dakordësinë për miratimin e katër lejeve të para për rrugët hyrëse. Ndërkohë, duke qenë se ende nuk është kompletuar procesi i marrjes në pronësi ose në përdorim të tokave ku do të ndërtohen këto rrugë hyrëse, pavarësisht kohës së marrjes së dokumentit të LZHK, kjo leje do të bëhet efektive vetëm pas paraqitjes nga kompania TAP AG të informacioneve dhe të dhënave për marrëdhëniet e pronësisë për sipërfaqet e tokave që do të ndikohen nga ndërtimit i rrugëve hyrëse për projektin TAP, vlefshmëria e të cilit do të konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Aktualisht, Kompania TAP AG është në fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për punimet e ndërtimit mbi bazën e projekteve konstruktive të përgatitura për rrugët hyrëse (ndihmëse) dhe pritet që në periudhën maj/qershor të fillojë procesi i ndërtimi të këtyre rrugëve, si dhe Urave të cilat do të shërbejnë në ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP).

Rrugët hyrëse në përgjithësi fillojnë si devijim i rrugëve nacionale apo komunale kryesisht me shtrirje në Qarkun Berat dhe në Qarkun Korçë, dhe më pak në Qarkun Fier, dhe në total gjatësia e rrugëve qe do te ndërtohen, pjese e kësaj dosje aplikimi është rreth 100 km.

Rrugët janë projektuar që të kenë një gjerësi 5.0 m dhe me dy bankina të paktën 2 x 0.75 m. Disa prej këtyre rrugëve do të shtrohen edhe me asfalt, ndërsa një pjesë do të shtrohen deri në shtresë zhavorri të imët. Pjesë e kësaj pakete të parë aplikimi të kompanisë TAP AG janë edhe dy ura.

Rrugët hyrëse të Projektit TAP janë planifikuar të ndërtohen në një sipërfaqe të përgjithshme prej 817,404.1 m2 (rreth 82 ha). Kostoja totale e investimeve te këtyre rrugëve te reja dhe urave është rreth 31.3 mln euro.

Midis strukturave përgjegjëse të MEI dhe përfaqësueseve të Kompanisë TAP AG do të vazhdojnë punimet dhe bashkëpunimin e mëtejshëm për shqyrtimin dhe trajtimin e dokumentacioneve të radhës, e në rast se do të jenë në përputhshmëri të plotë me kërkesat e legjislacionit në fuqi, do t’i mundësohet miratimi i LZHK për rrugët e tjera ndihmëse të Projektit TAP.

 

Nënshkruhet kontrata e konsulencës “Strategjia e taksimit rrugor në Shqipëri”

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, firmosi dje me kompaninë konsulente Egnatia Odos kontratën e konsulencës bazuar në marrëveshjen e firmosur mes Qeverisë Shqiptare dhe BERZH për projektin “Strategjia e taksimit rrugor në Shqipëri”. Objektivi kryesor i këtij projekti është përgatitja e strategjisë së taksimit rrugor duke ofruar një dokument strategjik për Qeverinë Shqiptare mbi përdorimin e taksës rrugore në Shqipëri. Struktura e tarifave do të identifikohet në kontekstin e praktikave më të mira evropiane dhe legjislacionin përkatës të BE-së.

Marrëveshja e grantit adreson nevojën për një Strategji të Taksimit Rrugor (STRR), ku të përcaktohen objektivat dhe qëllimet e vënies së taksës, si dhe identifikimi i sektorëve potenciale të mundshëm për taksim. Kjo strategji do të përfshijë analizën në nivel politikash, duke përcaktuar mënyrën optimale të përdorimit të taksës rrugore në rrjetin rrugor në Shqipëri dhe identifikimin e segmenteve rrugore potencialisht të përshtatshme për aplikimin e taksës rrugore. Hartimi i kësaj strategjie do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet qeveritare, për të qenë në të njëjtën linjë me politikat dhe programin e qeverisë, duke përfshirë edhe Planin Kombëtar Shqiptar të Transportit.

Granti prej rreth 150.000 euro është financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të mbështetur reformën në sektorin rrugor dhe afati i përfundimit të projektit dhe hartimit të strategjisë është 8 muaj.

Zbatimi i projektit do të bëhet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.

 

Pse dobësohet leku?

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se prej ditësh dollari amerikan e ka kapërcyer kuotën e 130 lekëve, ndërsa paundi britanik për herë të parë po këmbehet në tregun e brendshëm me gati 200 lekë. Këto kuota historike në kursin e këmbimit janë rezultat i një zhvlerësimit të vazhdueshëm të lekut ndaj monedhave më të mëdha të botës, që nga fillimi i vitit.

Sipas të dhënave të BSH, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, leku është dobësuar me 11.1 për qind ndaj paundit, 13.3 për qind ndaj dollarit dhe po në ritme dyshifrore ka humbur terren edhe ndaj frangës zvicerane e jenit japonez.

Ky është një ritëm shumë i fortë dobësimi, i ngjashëm me atë që monedha kombëtare përjetoi në vitin 2009. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se këto lëvizje, pasqyrojnë atë që ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare të valutave, por me një veçori.

Leku ndjek me përpikmëri euron dhe çdo dobësim i monedhës evropiane ndaj dollarit, paundit apo çdo monedhe tjetër përcillet automatikisht edhe si dobësim i tij ndaj tyre. Një situatë e cila ka ngritur pyetjen se çfarë është duke ndodhur në tregun valutor dhe pse leku po ndjek me përpikmëri fatin e euros.

Shqipëria ka një regjim të lirë në kursin e këmbimit, por duket sikur kursi euro-lek është i fiksuar. Në kushte normale euro duhet të ishte dobësuar edhe ndaj lekut, por kjo nuk ka ndodhur.

Ekspertët thonë se kjo situatë është tërësisht rezultat i tregut dhe transaksioneve të lira që individët zhvillojnë në të. Sipas tyre, vetë tregu, individët dhe bizneset duket se duan një kurs të qëndrueshëm euro-lek, pavarësisht asaj që ndodh me monedhat e tjera.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency