Tragjedia e Otrantos, kthehet me pranga skafisti pas 11 vitesh

0
168

foto e skafistit te ekstraduar viron41-vjeçari u arrestua mëngjesin e djeshëm nga autoritetet italiane. Fshihej tek të afërmit. Ekstradohet skafisti Viron Robaj, përgjegjës për tragjedinë

Ekstradohet në Shqipëri 41-vjeçari Viron Robaj, i cili konsiderohet si përgjegjës kryesor i tragjedisë së Otrantos, ku gjetën vdekjen 21 perona, ndërsa u zhdukën shtatë të tjerë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se Robaj është përgjegjësi kryesor për këtë tragjedi, si dhe ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Vlorë, më 24 janar 2005, e ka dënuar 41-vjeçarin me 25 vite burgim për kryerjen e veprës penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen”. Policia e Shtetit bën me dije se Robaj u ekstradua ditën e djeshme nga Roma për në Tiranë duke iu dorëzuar kështu autoriteteve shqiptare. Ai u arrestua mëngjesin e djeshëm në Peruxha të Italisë, ndërsa menjëherë u krye edhe ekstradimi i tij për në vendin tonë.

 

Arrestimi

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se 41-vjeçari Viron Robaj është arrestuar mëngjesin e djeshëm nga autoritetet italiane, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Ai kërkohej nga drejtësia shqiptare, pasi e priste dënimi i dhënë nga Gjykata e Vlorës me 25 vjet burg. Ishte ora 18:00 e 9 janarit 2004 kur nga Shqipëria në Itali u nis një skaf me emigrantë, të cilët kishin paguar për kalim 1500 euro secilit. Pak orë pasi skafi u mbyt në det të hapur në Gjirin e Otrantos, mësohet se mbetën të vrarë 21 njerëz dhe 7 të humbur. Një tragjedi e parandalueshme, sipas hetimeve të kryera nga autoritetet shqiptare, nëse kontrabandistët do të kishin raportuar në kohë pozicionin e tyre, në mënyrë që të mundësohej shpëtimi në kohë. Pas gati 11 vitesh nga ajo tragjedi, Guardia di Finanza e Peruxha­s, ka identifikuar dhe arrestuar mëngjesin e djeshëm një nga autorët kryesorë të këtij trafiku kriminal, i dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Vlorës për trafikimin e qenieve njerëzore i shpallur në kërkim që nga viti 2005 me një urdhër arresti ndërkombëtar. “Tuttoggi.info”, shkruan se policia ra në gjurmët e të kërkuarit, i cili dyshohet të jetë ende aktiv në tregtinë ndërkombëtare të drogës, duke vëzhguar lëvizjet dhe mënyrën e jetesës së disa prej të afërmve të tij, banues në Peruxha. Sipas mediave3 italiane mësohet se ndjekja e tij nisi mbrëmjen e 27 dhjetorit të shkuar, kur janë vërejtur lëvizje të çuditshme në një lokal të frekuentuar nga shqiptarë. Gjatë kontrollit të shqiptarit, në dukje me dokumente të rregullta, ishin shenjat e gishtërinjve që treguan se bëhej fjalë për shqiptarin Viron Robaj. Policia italiane në bashkëpunim me Interpolin dhe policinë shqiptare, identifikoi se Viron Robaj kishte përdorur identitetin e një personi me iniciale F. K., që kishte emigruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe që nuk dihej për fatin e tij.

 

Përmbledhje e ngjarjes

Viron Robaj, tashmë i arrestuar dhe ekstraduar në vendin tonë, mësohet se në bashkëpunim me shtetasit N. H., dhe Z. M., si dhe me persona të tjerë, kanë organizuar trafik të paligjshëm të qenieve njerëzore duke u premtuar personave të ndryshëm kalim në Itali kundrejt shumës 1500 euro për person. Konkretisht më datën 9 janar 2004, një gomone me 36 persona në bord është nisur nga Vlora drejt Italisë pranë gadishullit te Karaburunit. Policia e Shtetit bën me dije se gomonia është përmbysur në det dhe si rrjedhojë 21 persona gjetën vdekjen.

 

Gramsh, përplaset autobusi me mësues, 1 i vdekur 10 të plagosur

Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në segmentin rrugor Gramsh – Kodovjat, në fshatin Çekrez të Gramshit. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se një autobus, i cili transportonte mësues, është përplasur fuqishëm me një automjet tip fuoristradë mëngjesin e djeshëm, rreth orës 7:00, në Gramsh. Mësohet se gjithçka ka nisur gjatë parakalimit të automjetit tip fuoristradë me targa AA 875 KC, me drejtues Rifat Ajazin. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pikërisht në këtë moment fuoristrada ka humbur kontrollin dhe ka përplasur fuqishëm autobusin me të cilin ishin duke udhëtuar mësues të shkollave të ndryshme të shkollave të Gramshit. Ndërkohë, pas përplasjes së fuqishme që autobusi me targa AA643 CK me drejtues Rexhep Mesidi, ka marrë nga fuoristrada, ka përfunduar jashtë rrugës duke rënë poshtë urës nga një lartësi prej rreth 3 metrash. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se si pasojë e aksidentit të rëndë ka mbetur i vdekur Hysen Braçja, rreth 60 vjeç, i cili po udhëtonte me fuoristradën me targa AA875CK. Por, policia bën me dije se nga ky aksident ku është përfshirë autobusi dhe fuoristrada, kanë mbetur të plagosur rreth 10 pasagjerë të cilat kanë mbërritur në spitalin rajonal të Gramshit dhe morën menjëherë ndihmën e parë mjekësore. Burime nga ky spital konfirmojnë se të gjithë personat e plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave të para bëhet e ditur se autobusi po transportonte nga Sulti drejt Skënderbegasit mësuesit e shkollave të kësaj komune. Menjëherë pas njoftimit të kësaj ngjarje, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumte policie, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të plagosur nga autobusi dhe viktimën nga automjeti, duke i transportuar ata më pas për në Spitalin e Gramshit, të cilët morën ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

Vrasja e 20-vjeçares në Shkodër, policia arreston 3 persona

Policia e Shkodrës arrestoi pjesëmarrësit në vrasjen e 20-vjeçares Elsa Tusha nga fshati Kaçe. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë me dije se të ndaluarit janë Mirsad Aleti, 28 vjeç, banues në Bërdicë, i cili akuzohet për vrasje me dashje; Paulin Ndoj, 22 vjeç, banues në fshatin Kaçe, për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe Toni Toma, 31 vjeç, me të njëjtën akuzë. Arrestimi i këtyre personave u krye pasi më datë 7 mars, te lokal “Argenti”, në vendin e quajtur Bushat, pas një konflikti për motive të dobëta, është vrarë me armë zjarri shtetasja Elsa Tusha si dhe janë plagosur rëndë me armë zjarri shtetasit Paulin Ndoj dhe Selim Aleti. Të njëjtat burime bëjnë me dije se nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën 18 gëzhoja model 56, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për ekzaminime të mëtejshme. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Toni Toma u gjetën dhe sekuestruan 80 vazo me dhe, e sipër tyre disa llamba si dhe një sasi me fara të dyshuara si fara lëndë narkotike.

 

Dhunuan dhe grabitën prostitutën shqiptare, pranga dy italianëve

Policia italiane ka vënë në pranga dy persona, pasi kanë dhunuar për orë të tëra një prostitutë shqiptare. Sipas mediave italiane mësohet se dy personat me inicialet D. C., 27 vjeç, dhe G. F., 58 vjeç, u vunë në pranga në të gdhirë të ditës së djeshme pasi vajza shqiptare, 31 vjeçe, kishte telefonuar nr 113 duke kërkuar ndihmën e Policisë së Bolonjës. Mësohet se ata e kishin prenotuar vajzën për pak orë kundrejt një shume prej 100 euro, por përveç parave që nuk ia kanë dhënë ata e kanë mbajtur atë me forcë edhe për disa orë të tjera. Po ashtu, ata e kanë rrahur dhe më pas grabitur shqiptaren, e cila në këto kushte ka gjetur momentin të kërkojë ndihmë tek policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe rreth orës 4:30 të mëngjesit të djeshëm ka arrestuar dy personat. Në cilësinë e provave materiale, policia sekuestroi sendet që dy burrat i kishin vjedhur viktimës. Më pas ato kanë marrë në pyetje edhe 31-vjeçaren. Dy të arrestuarit akuzohen për dhunë dhe grabitje në bashkëpunim me njeri-tjetrin.

 

Fshehu drogën në pyll, kapet shqiptari 35-vjeçar

Tentoi të “hiqte qafe” drogën që mbante me vete gjatë kohës që u pikas nga policia italiane, por nuk ia doli mbanë. Mësohet se shtetasi shqiptar Albert Bushaj, 35 vjeç, ishte nën vëzhgimin e policisë italiane prej kohësh, deri në momentin që ata vendosën të ndërhynin. Policia italiane ka bërë me dije se arrestimi i tij u bë gjatë kohës që shqiptari hyri në një pyll në zonën Chatillon, pranë shtëpisë së tij. Por në momentin që kuptoi se po ndiqej nga policia, ai tentoi të fshihte disa prej qeseve me kokainë duke i hedhur në pyll. “La Stampa”, shkruan se shqiptarit iu sekuestruan rreth 50 kuti karamelesh, të cilat përmbanin në total rreth 250 gramë kokainë. Pas kontrollit në shtëpinë dhe makinën e tij, 35-vjeçarit Albert Bushaj iu sekuestrua rreth 210 gram marijuanë, si dhe 5.600 euro, të ardhura të mundshme nga trafikimi i drogës. Shtetasi shqiptar tashmë mësohet se ndodhet në paraburgim në Brissogne, nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency