Mbrojtja/ Vrasja e katërfishtë, Xhuvani: Mos më gjykoni si kriminel

0
130

Vrasja e katërfishtë, Xhuvani“Të merret parasysh gjendja ime mendore në momentin kur kam kryer ato veprime. Nuk jam kriminel”. Xhuvani dorëzon në Gjykatë mbrojtjen të shkruar në 4 fletë

“Nga Gjykata kërkoj një gjykim të drejtë dhe të merren parasysh rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja. Po ashtu, kërkoj që të merret parasysh edhe gjendja ime mendore në të cilën ndodhi ngjarja, pasi nuk ka qenë e mirë”, – është shprehur i pandehuri Kostandin Xhuvani ditën e djeshme para Gjykatës. Për t’i shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm, 26-vjeçari Kostandin Xhuvani përdor edhe faktin se ai nuk ndodhet në një gjendje të mirë mendore. Ai pretendon se vrasjen e katërfishtë në orët e para të mëngjesit të 4 nëntorit të vitit të kaluar e ka kryer pasi ka qenë në një gjendje mendore jonormale për të kufizuar edhe veprimet e tij të padrejta. Po ashtu, gjatë seancës së djeshme, kur edhe dërgoi konkluzionet e tij përfundimtare të përgatitura me shkrim, ai u shpreh para Gjykatës që të merreshin parasysh edhe rrethanat në të cilën ka ndodhur edhe ngjarja tragjike. Xhuvani pretendon se atë natë ka qenë në një gjendje jo të mirë dhe jo vetëm mendore, por edhe në një gjendje të rënduar me konsumimin e pijes alkoolike si dhe të lëndës narkotike. Ishte ky një tjetër fakt që duhej të merrej parasysh nga gjykata, pasi, sipas tij, veprimet e kryera nga vetë ai kanë qenë të pavetëdijshme. Por, rezultati me të cilën do të dalë gjykata pritet të dalë ditën e sotme, ku do të japë edhe vendimin përfundimtar për ngjarjen tragjike të 4 nëntori 2014, në lokalin e natës “Ante Grand”, me autor kryesor Kostandin Xhuvanin, djali i ish-deputetes Luiza Xhuvani dhe i regjisorit Gjergj Xhuvani. Gjatë seancës së zhvilluar ditën e djeshme, i pandehuri teksa mbante në duar konkluzionet përfundimtare të përgatitura me shkrim, nuk ka pranuar t’i lexojë ato, por t’ia dorëzojë gjykatës. Ai ka pranuar të thotë vetëm dy fjalë lidhur me kërkesën ndaj gjykatës të cilat janë sipërcituar. Gjykata e Tiranës del sot për të dhënë vendimin përfundimtar ndaj tij. Xhuvani ka kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua edhe nga gjykata, çka i jep mundësinë të pandehurit të shpëtojë nga dënimi me burgim të përjetshëm.

 

Pretenca

Dy javë më parë Prokuroria ka dhënë pretencën ndaj 26-vjeçarit, ku ka kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Në seancën e datës 10 shkurt, Prokuroria e Tiranës paraqiti konkluzionet përfundimtare duke kërkuar deklarimin e fajshëm të të pandehurit Xhuvani dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë për burgim të përjetshëm, dënimi përfundimtar i Xhuvanit shkon në 35 vjet heqje lire. Xhuvani akuzohet si autor i vrasjes së shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaji, pas një grindjeje të çastit në ambientet e një lokali nate në Rrugën e Elbasanit. Nga të shtënat me armë zjarri kanë humbur jetën edhe shtetasi Arbër Demiraj, si dhe shtetasi italian Gianpaolo Azzolo, i cili ka ndërruar jetë në spital. Burime nga policia bëjnë me dije se Xhuvani është arrestuar menjëherë pasi ndodhi ngjarja e rëndë pak metra larg nga vendi ku ndodhi ngjarja, i cili mësohet se ndodhej nën efektin e pijes alkoolike dhe të lëndëve narkotike. Ndërkohë, atë ditë policia ka vënë në pranga edhe shokun e 26-vjeçarit, Erald Sidën, i cili akuzohet për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Por, ky i fundit nuk ka dalë ende para gjykatës për shqyrtim gjyqësor.

 

Vrasja e Lamajt, Gjykata mbyll shqyrtimin gjyqësor, të mërkurën tjetër jepet pretenca

Pas 46 seancave dhe afro një viti nga nisja e procesit gjyqësor ndaj të pandehurit Arben Frroku, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka dhënë fund shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të tij, duke i lënë Prokurorisë të drejtën për të lexuar konkluzionet përfundimtare më 18 mars. Në seancën gjyqësore të radhës për këtë çështje të mërkurën tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të paraqesë pretencën se sa vite burg do të kërkojë për Arben Frrokun. Ky i fundit është marrë i pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim ndaj kryepolicit të kombinatit Dritan Lamaj shkurtin e vitit të shkuar si dhe mbajtjes së armëve luftarake pa leje. Ndërkohë, gjatë gjithë shqyrtimit të tij gjyqësor, i pandehuri për këtë çështje, Arben Frroku nuk e ka pranuar asnjëherë këtë akuzë, teksa procesin ndaj tij e ka quajtur një manipulim të qëllimshëm të organit të akuzës. Po ashtu, avokatët e tij mbrojtës shprehen se nuk ka asnjë provë të mundshme që të pandehurin e implikon në këtë ngjarje, ndërsa pritet që gjykata të dalë me një vendim përfundimtar dhe të drejtë për të pandehurin. Ndërkohë, mbrojtja e Frrokut disa seanca më parë ka kërkuar që të bëhet një eksperiment kohor të udhëtimit nga Tirana në Kapshticë, pasi vetë i pandehuri pretendon se kohën kur ka ndodhur ngjarja, më 24 shkurt të 2013, ndodhej në pikën kufitare të Kapshticës duke shkuar në shtetin grek. Ky eksperiment është kryer më 26 shkurt, por jo në favor të mbrojtjes, çka ka rezultuar se rruga Tiranë – Kapshticë u krye për 2 orë e 46 minuta, çka për prokurorinë brenda këtij harku kohor Frroku ka pasur mundësi të vrasë kryekomisarin e të shkojë në Kapshticë. Por, ky version është kundërshtuar ashpër nga mbrojtja, ku janë shprehur se automjeti me të cilën u krye eksperimenti udhëtoi me 170 km në orë, si dhe duke mos respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. Por, pavarësisht këtyre replikave, gjykata ka pranuar që ky eksperiment t’i shtohet si provë dosjes ndaj të pandehurit Frroku.

 

Vrasje dhe ikje nga burgu, arrestohet në Pogradec 45-vjeçari

Policia e Pogradecit ka vënë në pranga ditën e diel një burrë të moshës 45-vjeçare, pasi ishte i shpallur në kërkim policor, si dhe i dënuar me 83 muaj (afro 7 vjet) burg. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se në prangat e policisë është vënë Arif Topalli, banues në fshatin Llëngë të Pogradecit . po ashtu, të njëjtat burime kanë bërë me dije se i arrestuari 45-vjeçar është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec me 29 prill të vitit 3013, me 6 vjet e 11 muaj burg. Uniformat blu të Policisë së Pogradecit kanë theksuar se Arif Topalli akuzohet për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe mbajtje të armëve të zjarrit”, “Vrasje me paramendim”, si dhe “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”. 45-vjeçari është arrestuar ditën e diel, ku kohë më parë ai pamundur të largohet nga vendi ku ishte duke vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Pogradecit. Policia e këtij qytetit bën me dije se materialet në ngarkim të tij iu referuar Prokurorisë për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency