Inflacioni rritet në 2.3%, nivel që nuk e kapte që prej 2 vjetësh

0
156

Ervin Kaduku

 treg ushqimor–  Karburantet, të parat që “sfidojnë” shqiptarët, me rritje të egra dhe të pajustifikuara çmimesh

–  Cilët ishin sektorët e tregut që rënduan më shumë xhepat e qytetarëve

Shenja të këqija nga tregu vendas i mallrave të konsumit bazë. Ndërkohë që deri tani ka qenë problem inflacioni i ulët, që rrezikoi madje edhe deflacionin, muajin e kaluar rezulton që të ketë pasur një kërcim të dukshëm të inflacionit, duke arritur nivele që kishte dy vjet që nuk i kapte.

INSTAT njoftoi se në muajin shkurt 2015 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2.3%, pas një periudhe të gjatë që rritja e çmimeve ka qëndruar nën kuotën minimale, të preferuar nga Banka e Shqipërisë, prej 2 përqindësh.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.9%.

Krahasuar me muajin shkurt 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 10.2%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6.3%, grupi “Komunikimi” me 3.7%, etj. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 4.8%. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “Zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 17.1%, pasuar nga nëngrupi “Fruta” me 11.4%, “qumësht, djathë e vezë” me 3%, etj. Çmimet e nëngrupit “Vajra dhe yndyra” u ulën me 3.5%, pasuar nga nëngrupi “Kafe, çaj e kakao” me 2.3%, etj.

Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 4.5%, pasuar nga grupi “Transporti” me 3.3%.

Por, krahasuar me muajin janar 2014 çmimi i eurodiezelit u rrit me 3.4% dhe çmimi i benzinës u rrit me 1.9%.

 

Rritja e taksave shtrenjton karburantet

Ndërkohë që vëmendja e opinionit publik është përqendruar rreth çështjes “Doshi”, tregu i karburanteve, larg presionit të politikës, mediave dhe publikut, ka nisur rritjen e çmimeve. Në fund javë pikat e pakicës rriten çmimin me 6 lekë për litër në varësi të distancës nga periferia në Tiranë.

Nga 158 lekë që kushtoi në fundjavë një litër naftë në pikat me pakicë të kompanisë Kastrati që është edhe distributori më i madh në vend, dje çmimi shkoi në 174 lekë.

Kjo është rritja e tretë në pesë javët e fundit, ku çmimi pakicës në tregun e brendshëm është rritur me 10%. Tregtarët e shpjegojnë këtë rritje, me çmimin e naftës në Bursa i cili shkoi 10 ditë më parë në mbi 63 USD për fuçi. Por javën e fundit çmimet në tregjet ndërkombëtare shënuar sërish ulje.

Treguesi referencë për naftën e papërpunuar evropiane, Brent ra në drejtim të 59 dollarë për fuçi dje, ndërsa vetëm javën që shkoi çmimi ka shënuar rënie me 4.6%.

Por siç shikohet nga lëvizjet e tregut të brendshëm, tregtarët janë duke reflektuar rritjen e barrës fiskale me 12 lekë në fund të vitit. Taksa e rritur nuk u përçua në çmimet me pakicë të naftës me një janar kur hyri edhe në zbatim për shkak presionit të madh që solli ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Muajin që shkoi Autoriteti i Konkurrencës mbylli një hetim të thelluar mbi në tregun me shumicë të karburanteve dhe arriti në përfundimin se nuk kishte gjetur fakte, se pozitat monopol ishin shfrytëzuar në favor të rritjes së çmimeve.

 

Bankat nuk duan t’ia dinë për krizë

Pasi mbylli vitin 2014 me fitime rekord, sistemi bankar shqiptar e ka nisur me rezultate pozitive edhe vitin 2015. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për muajin Janar sektori bankar realizoi një fitim prej 3.7 miliardë lekësh, rreth katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ecuria pozitive e kreditimit dhe gjendja më e stabilizuar e kredive me probleme po sjell efekte pozitive edhe në treguesit e përfitueshmërisë. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, rritja vjetore e portofolit të kredisë në fund të Janarit rezultoi rreth 5.7%. Shkalla e kredive me probleme ishte 22.8%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë kishte qenë 24.1%. Sistemi bankar vazhdon të ketë nivele të larta të kapitalizimit. Sipas statistikave më të fundit, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte në nivelin 16.8%. Në tërësi, sistemi bankar vazhdon të rritet dhe totali i aktiveve arriti në 1,295 miliardë lekë, afro 5% më shumë kundrejt Janarit 2014. Rritja pozitive e kreditimit ka mbështetur vijimësinë e zgjerimit të përmasave të sistemit bankar.

 

Leku vijon zhvlerësimin ndaj valutave

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë dollari ka vijuar rritjen e tij, duke shkuar dje në nivelin 128.87 lekë, 1.09 lekë më shumë se një ditë më parë. Edhe euro ka shënuar një rritje prej 0.04 lekë, duke u këmbyer me 140.30 lekë.

Mosrënia e euros në tregun vendas po bën që kërcimi i dollarit të jetë më i lartë në raport me rritjen e tij në bursat ndërkombëtare (me qëllim ruajtjen e kursit të kryqëzuar).

Edhe në tregjet ndërkombëtare dollari ka shënuar rritje kundrejt ‘shportës’ së valutave kryesore të hënën teksa tregjet vlerësuan se Rezerva Federale mund të rrisë normat e interesit më shpejt se sa pritej. Dollari amerikan qëndroi fort edhe kundrejt sterlinës dhe homologut të tij kanadez, duke e rritur indeksin e dollarit DXY deri në 97.828, nivele të larta që për herë të fundit janë arritur që në shtator të 2003-it.

Ndërsa euro ra në 1.0822 dollarë në Azi, për të arritur nivele të ulëta të cilat nuk janë ndeshur që nga shtatori i vitit 2003. Shifra e fundit e arritur ishte në 1.0837 dollarë.

 

“Business Monitor”: Ekonomia shqiptare, në një trajektore të ulët rritjeje

“Business Monitor International” ka botuar së fundmi raportin “Shqipëria, raporti i riskut të vendit për Q2 2015”, në të cilin thekson se ekonomia e Shqipërisë do të mbetet në një trajektore të ulët të rritjes gjatë viteve të ardhshme, veç nëse do zbatohen më tepër reforma strukturore që kanë të bëjnë me rregullim të tregut të konkurrencës dhe korrupsionit.

Përveç kësaj, portali Balkans.com shkruan se ky raport i fundit kërkimor ka në brendësi çështje që përfshijnë:

– shpenzimet shtëpiake ( të konsumit të përgjithshëm) do të jenë nxitësi kryesor i rritjes reale të PBB-së në vitin 2015. Ky është një shqetësim, duke pasur parasysh se përmirësimet në modelet e shpenzimeve të konsumit janë më të nxitur nga zhvillimet e çmimeve të jashtme, sesa nga përmirësime themelore në financat shtëpiake.

– Pozicioni fiskal i qeverisë do të mbetet i rrezikshëm, me ngarkesën e borxhit publik që pritet të mbetet mbi 70% të PBB-së.

– Kërkesa e vakët e jashtme nga partnerët kryesorë tregtarë të eurozonës, joefikasiteti në industritë kyçe të eksportit dhe kolapsi i çmimeve të naftës globale, janë elementë që sugjerojnë se eksportet shqiptare do të “luftojnë” në vitin 2015.

– Banka Qendrore e Shqipërisë do të mbetet “e qetë” në 2015, për shkak të pritjeve të inflacionit në rënie, huadhënies bankare të dobët dhe kërkesës së brendshme relativisht të ulët.

– Dinamika e borxhit të akumuluar, lufta politike dhe tensionet e ngritura me fqinjët si Serbia, do të bindë BE-në të tërhiqet nga fillimi i bisedimeve zyrtare për pranimit në BE me Shqipërinë këtë vit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency