Ballafaqimi/ Deputeti Frroku rrëzon para prokurorëve pretendimet e Doshit

0
145

Deputeti Frroku rrëzon para prokurorëve pretendimet e DoshitBrenda së njëjtës ditë Prokuroria zhvilloi një ballafaqim të domosdoshëm midis dy kolegëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Ky i fundit mësohet se ka mohuar sërish akuzat e Doshit

Katër ditë më parë, deputeti i Partisë Kristian-Demokrate i tha Prokurorisë se nuk kishte lidhje me pretendimin e ngritur nga Doshi se ai ishte njeriu që e kishte njohur me planin për eliminimin fizik të tij. Gjatë ditës së djeshme Prokuroria e Krimeve të rënda zhvilloi ballafaqimin, ndërsa mësohet se Frroku i ka qëndruar besnik versionit të parë. Bëhet e ditur se Frroku u ka thënë prokurorëve se nuk ka dijeni për sa ka argumentuar Doshi dhe se këtë ngjarje e ka mësuar nga mediat dhe nga deklaratat e vetë Tom Doshit. Deputeti i Partisë Kristian-Demokrate, Mark Frroku, i ka rrëzuar sy më sy Doshit pretendimin se ka qenë ai personi që e ka lajmëruar për një atentat të mundshëm ndaj tij gjashtë muaj më parë. Tom Doshi ka qëndruar në këtë ballafaqim me Mark Frrokun përreth dy orë, ndërsa në dalje nuk ka dhënë detaje të shumta. Frroku mësohet se u ka thënë prokurorëve se u qëndron deklaratave të bëra ditën e premte.

 

Alibia

Me këtë dëshmi, Frroku rrëzon për së dyti alibinë e Doshit, i cili deklaroi publikisht në media se ishte kolegu i tij i Kristian-Demokrates që e kishte sinjalizuar për planin e vrasjes së tij gjashtë muaj më parë dhe që e kishte prezantuar me Durim Bamin, personi që Doshi pretendon se ishte paguar nga Meta për eliminimin fizik të tij. Kjo përbën një kthesë rrënjësore në hetimet e nisura pas deklaratave publike të deputetit të përjashtuar nga PS-ja se kreu i Kuvendit Ilir Meta kishte paguar 600 mijë euro për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit demokrat të Lezhës, Mhill Fufi.

 

Frroku

Arben Frroku përfundoi seancën e ballafaqimit dhe la Prokurorinë. Ndërkohë, kolegu i tij deputet qëndroi edhe një orë më pas. Deputeti i përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, Tom Doshi, doli nga zyrat e prokurorëve 1 orë e 10 minuta pas Frrokut. Nuk dihen detaje se përse është mbajtur më vonë nga prokurorët, por mësohet se gjatë kësaj kohe ai është pyetur për gjithçka. Pas daljes së Frrokut, Doshi ka folur vetëm për vetëm me hetuesit. Me një orë e 10 min diferencë nga dalja e deputetit Frroku, ambientet e Prokurorisë i ka lënë dhe Doshi, i cili është shprehur se nuk ka asnjë koment për çështjet në hetim. Ballafaqimi i dëshmive të dy deputetëve erdhi pas kërkesës së prokurorëve pasi në dëshmitë e tyre Doshi dhe Frroku pak ditë më parë ishin kontradiktorë. Mësohet se seanca e djeshme e ballafaqimit mes Frrokut dhe Doshit ka qenë e tensionuar, kjo për faktin se dy kolegët kanë kundërshtuar njëri-tjetrin për ato çfarë deklaronin para Prokurorëve të çështjes. Dy deputetet mbërritën në Gjykatë të veçuar nga njëri-tjetri. Tom Doshi ishte i rrethuar nga një numër i madh punonjësish policie të cilët e kanë marrë në ruajtje. Ndërsa Mark Frroku mbërriti i vetëm. I shoqëruar nga dy makina dhe me oficerë policie, në orën 10.50 mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi. Prej më se një jave Doshi është marrë në mbrojtje nga policia dhe mbahet nën ruajtjen 24 orë të efektivëve të GOS. Ish-deputeti socialist i Shkodrës zgjodhi të futet në ambientet e organit të akuzës nga dera e pasme e këtij institucioni për të shmangur mediat e shumta që ndodheshin në hyrjen tjetër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

Çështja “Doshi”, merret në pyetje edhe deputeti i djathtë Fufi

Për herë të parë në organin e Prokurorisë është paraqitur edhe deputeti i djathtë Mhill Fufi, emri i të cilit u përmend nga deputeti Doshi, si person që ishte vënë në shënjestër të ekzekutimit dhe për kokën e të cilit ishin ofruar rreth 100 mijë euro, ndërsa për Doshin 500 mijë euro. Mhill Fufu qëndroi rreth 50 minuta në Prokurori ku mësohet se ka rrëfyer të njëjtat gjëra që ka deklaruar edhe më parë në një deklaratë publike. Ndërsa ishte parashikuar për në orën 11:00, deputeti demokrat i Lezhës Mhill Fufi është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në orën 12.00. Deputeti i përjashtuar nga PS-ja, Tom Doshi, pretendon se Mhill Fufi ka qenë objektiv i atentatit të porositur nga Meta. Në reagimin e parë zyrtar mbi këtë çështje, Fufi tha se nuk kishte pasur asnjë informacion për planin e pretenduar nga Doshi. Fufi është shprehur se nuk ka pasur dijeni për një atentat të mundshëm, nuk ishte njohur nga askush, përfshi këtu dhe zyrtarët e lartë të shtetit që tashmë është bërë publike se e kanë mësuar gjashtë muaj më parë. Fufi i ka qëndruar deklaratës së parë që dha për mediat në lidhje me pretendimet publike të Doshit. “Përpara prokurorit dhamë përgjigje për çfarë ka ndodhur, nëpërmjet medias e kam dhënë njëherë një deklaratë dhe i kam qëndruar asaj deklarate. Ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj”, – tha në një prononcim të shkurtër për mediat Fufi.

 

Prokuroria pritet të marrë në pyetje prokurorin Beci

Historia me akuzat e Tom Doshit nuk ka përfunduar ende. Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të marrë në pyetje edhe prokurorin Eugen Beci, i cili pak ditë më parë u shkarkua nga drejtimi i Prokurorisë për Krime të Rënda për t’u emëruar në krye të Prokurorisë së Elbasanit. Teksa janë marrë në pyetje një pjesë e mirë e politikanëve që kanë bërë deklarata publike dhe ka rezultuar se kanë dijeni për atentatin e mundshëm që Doshi pretendon se ishte duke u organizuar kundër tij, ka mbetur pa u pyetur edhe prokurori Beci. Ky i fundit është filmuar dhe fotografuar në një lokal në qendër të Tiranës, teksa ishte ulur në tavolinë me persona emrat e të cilëve tashmë janë bërë publik. Një prej tyre është kunati i Sali Berishës, Agim Rama, dhe një tjetër është Fatjon Skënderi, njeriu që pretendohet se ka porositur vrasjen e Tom Doshit. Por ajo që ende nuk dihet është pozicioni i personit që mbahet aktualisht në paraburgim dhe është Durim Bami. Ai është lënë në arrest me burg nga Krimet e Rënda për veprën penale “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency