Berisha në Prokurori: Tregova për ngjarjen, nuk tregoj thelbin, çështja në hetim

0
118

sali berisha ne prokurorine e krimeve te rendaPër Berishën, Prokuroria ndihet nën presion politik. Ai cilësoi fajtor Edi Ramën dhe ministrin e Brendshëm. Tahiri: Berisha herën tjetër si i pandehur në Gjykatë

 Ishte ora 09:09 kur ish-kryeministri Berisha zbriti nga makina dhe pasi përshëndeti përfaqësuesit e medias që ndodheshin përballë Gjykatës në pritje të tij, i shoqëruar nga këshilltarja personale Erla Mëhilli, u drejtua nga dera ku drejtohesh për nga zyrat e prokurorëve të çështjes. Ish-kryeministri iu përgjigj ftesës së organit të akuzës, të cilën e konsideroi të rëndësishme, ndërsa shtoi se në 24 vite ishte hera e parë që vendi përballej me akuza kaq të rënda, në thelb të të cilave janë politikanët. Për herë të parë gjatë karrierës së tij politike prej më shumë se dy dekadash, ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në organin e akuzës ku dha dëshminë e tij në lidhje me pretendimet e bëra publike nga Tom Doshi se Kryeparlamentari Meta ka paguar për ekzekutimin e tij gjashtë muaj më parë. Përreth 50 minuta përballë kreut të Krimeve të Rënda, Adnan Xholi, dhe prokurorit Blerim Tominaj, deputeti demokrat u përgjigj për deklaratën që dha nga Kuvendi kur tha se e dinte tre muaj më parë për atentatin e mundshëm.

 

Berisha në deklaratë

Berisha nuk bëri publike asnjë fjalë për çfarë kishte deklaruar në organin e akuzës, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si deputeti Mark Frroku në dëshminë e të premtes, se nuk do të dekonspirojë hetimin. “Thelbi i dëshmisë nuk dekonspirohet në mënyrë absolute nga unë. Merrni çfarë kam deklaruar para se të vij në Prokurori. Tani që erdha këtu nuk ju deklaroj asnjë gjë”, – tha Berisha. Po ashtu, Berisha la pa përgjigje edhe faktin se përse nuk e kishte denoncuar atentatin e mundshëm tre muaj më parë, kur ai mësoi për të. Pa përgjigje mbeti edhe pyetja e gazetarëve se kush është personi që e ka sinjalizuar për planin e pretenduar për eliminimin fizik të Doshit. Ish-kryeministri Berisha shprehu rezerva për hetimin, duke thënë se puna e prokurorëve do të jetë e vështirë në kushtet kur, sipas tij, ka presionin e Kryeministrit, Kryeparlamentarit dhe ministrit të Brendshëm. “Nuk paragjykoj përpjekjet, por nga ana tjetër edhe gurë po të ishin prokurorët, me një presion të tmerrshëm, me një manipulim të paimagjinueshëm duke pasur në bllok, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, atyre u vështirësohet puna në shkallë ekstreme”, – u shpreh Berisha. Ish-kreu i ekzekutivit shqiptar tha se protesta e opozitës më 12 mars do të jetë pikërisht për të kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. “Ndaj dhe sovrani vjen këtu me 12 mars në protestën më të fuqishme të shqiptarëve për të mbështetur dhe hapur rrugën drejtësisë. Ilir Meta ka një alternativë, të japë dorëheqjen, të mos ulet para prokurorëve si zoti kryetar, por si një njeri i akuzuar”, – tha ish-lideri i Partisë Demokratike.

 

Deklarata e plotë

“Prokuroria e Krimeve të Rënda më çoi dy ditë më parë thirrjen për t’u paraqitur si person që ka dijeni për ngjarjen në hetimin e akuzës më të rëndë të 23 viteve të fundit skenarit të vrasjes së dy deputetëve për qëllime të mirëfillta politike pavarësisht nga pretekstet në mënyrë që të shpëtohet Rama nga kundërshtari politik që u krijua brenda partisë së tij dhe Meta t’i japë një goditje opozitës për qëllime personale. E prita ftesën me kënaqësi në kuptimin që të mund të kontribuoj sadopak në rrëfimet e mia për këtë çështje, natyrisht ato ç”ka thash aty përbëjnë sekret deri në momentin që prokuroria t’i nxjerrë nga klasifikimi, por nuk është aspak sekret dhe është tronditëse fakti që këtë skenar ogurzi kreu i qeverisë, kreu i parlamentit, ministri i Brendshëm, e mbajti për 6 muaj njëlloj si në shpellën e mafies, e mbajti jashtë ligjit, si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzoi para ligjit dhe për ligjin. Jo vetëm nuk e dorëzoi por në 6 muaj kupola e përfshirë në këtë krim ndërmori veprime që të rrënojë dhe të bllokojë me çdo kusht hetimin. U kryen 2 atentate ndaj dorësit që do të realizonte vrasjet dhe ndaj paguesit të parave dhe sekserit të Metës në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare. Gjatë kësaj periudhë jo vetëm tentuan të eliminojnë 2 dëshmitarët kryesorë, por hetimin ja besuan kryetarit të PS për Tiranën mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit, Saimir Tahirit. Tani e merrni ju me mend kur hetimi bëhet nga kryetari i PS të Tiranës dhe firmoset nga kryetari i PS për Shqipërinë, pra në këto rrethana dhe krahas kësaj u përpunua skenari tjetër, sipas të cilës fajin e ka opozita. Në këtë skenar të turpshëm Meta, kryesisht ai por edhe Edi Rama nuk lanë akuzë pa nxjerrë për opozitën. Kryehetuesi i partisë Saimir Tahiri pas 6 muajsh pasi e priti në zyrë në kundërshtim me çdo lloj rregulli etik të zyrave të ministrave, kodit e kushtetutës, Tahiri zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin, të tjerat mund t’i ketë zhvilluar gjetiu unë nuk di, por në fund Tahiri përfundoi avokat i pamposhtur i Bamit. Kjo është e faktuar që përfundoi i dashuruar me Bamin, aq shumë e bindi Bami saqë i thotë unë nuk pranoj të funksionoj si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, se jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit, se ndihet më i fuqishëm me Tahirin. Kemi të bëjmë me një bllokim për qëllime politike të hetimit për 6 muaj, përpjekje për manipulim të gjithanshëm ,presion mbi institucionin e akuzës sepse paraqitja para drejtësisë 6 muaj më vonë kur kryeministri, kryetari i kuvendit dhe ministri i Brendshëm janë në bllok, nuk ka në botë prokuror as në vendet më të zhvilluara që mund të hetojë një gjë të tillë. Nuk mundet që një kryeministër të informohet që ka pasur një tentativë vrasje për deputetin e tij të mos kërkojë ndihmën dhe të adresojë në prokurori çështjen për ta zbardhur. Donte ta zbardhte me Tahirin e partisë, dhe në fund Tahiri tha se Bami im është i pafajshëm, kurse Rama vet tha se është një aktor”.

 

Tahiri: Berisha këtë herë si deklarues, herën tjetër si i pandehur në Prokurori

“Mua më vjen mirë që ish-kryeministri pas 25 vjetësh e gjeti rrugën për të shkuar në Prokurori. Shpresoj që kjo si herë e parë të mos jetë hera e fundit, por në qoftë se kësaj radhe shkoi si dëshmitar, herët e tjera të shkojë si i akuzuar”. Këtë deklaratë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e bëri teksa ishte në përurimin e zyrës së shërbimit unik për qytetarët në komisariatin numër 1 në kryeqytet. “Unë jam në krye të detyrës dhe jam shumë i vendosur të bëj atë për të cilën qytetarët më kanë mandatuar mua, kolegët e mi, Kryeministrin, qeverinë dhe mazhorancën. Kemi bërë gjithçka ka qenë në dorën tonë dhe tani është radha që të flasë Prokuroria dhe unë shpresoj te prokuroria, dhe nxis madje që të mbyllen hetimet në mënyrë të shpejtë dhe cilësore, që të dalin para përgjegjësisë të gjitha ata që sajuan skenarë të tillë, që nuk janë aspak të denja për pritshmëritë e qytetarëve”, – tha ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Teksa foli për ndihmën që u jep qytetarëve hapja e zyravetë tilla në të gjithë vendin, Ministri i Brendshëm tha se, ky është një shembull mjaft i mirë për suksesin që mund të arrijmë nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët tanë dhe mbi të gjitha nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët privatë. “Kemi filluar me zyrat e shërbimit ndaj qytetarëve sepse t’ju marr shembull vetëm në Komisariatin numër 1 ofrohen rreth 70 shërbime për afërsisht 100 qytetarë në ditë ndaj është parë më prioritare përmirësimi i shërbimit në mënyrë thellësisht cilësore për qytetarët, eliminimi i korrupsionit dhe do vazhdohet paralelisht me përmirësimin e kushteve sa i takon dhomave të shoqërimit”, – tha Tahiri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency