Flet deputeti i PS-së/ Blushi, Ramës: Konsultimet për kandidatët për zgjedhjet, jo si bëre me zgjedhjen e ministrave

0
139

blushiDeputeti socialist Ben Blushi pas kritikave të njëpasnjëshme ndaj qeverisë, i dërgoi dje një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit dhe kryesocialistit Rama në kuadër të përzgjedhjes së kandidatëve për lokalet e 21 qershorit. Sipas Blushit, është e domosdoshme që Rama të konsultohet me grupin parlamentar për emrat që do të zgjedhë dhe mos veprojë sipas Blushit në të njëjtën formë si me përzgjedhjen e ministrave të kabinetit qeveritar. “Unë shpresoj që në radhë të parë të jetë personalitet. Tirana e meriton. Nëse Ata që e kanë në dorë të zgjedhin, dihet se kush e ka, zgjedhin kandidatë për kryetarë bashkisë me të njëjtën metodë që zgjodhën ministrat para dy vitesh kjo do të ishte e gabuar. Qeveria nuk i rezistoi kohës. Shpresoj që do ketë konsultime për të gjithë kandidatët. Dhe kjo është një nga gjërat që duhet thënë. Nëse deputetët e PS-së anashkalohen, siç ka një tendencë, nga përzgjedhja e kandidatëve, kjo do të ishte fatale dhe do të hynte në një garë shumë të vështirë duke pasur parasysh dhe konsumin e lartë të qeverisë”, – tha ai. Nga ana tjetër duke konfirmuar darkën me Kryeministrin Rama, Blushi tha se ai nuk do të jetë kandidat për bashkinë e Tiranës. “Unë kam pasur takim me kryeministrin tani në fund. Kjo gjë nuk është më sekret. Gjërat që janë private nuk preferoj ti bëj publike. Nuk jam në garë, por jam i gatshëm të marr pjesë në fushatë e të mbështes çdo kandidat në Tiranë edhe kudo, por unë nuk jam në garë këtë herë”, – u shpreh deputeti i PS. I pyetur lidhur me mundësinë e rikandidimit të kryedemokratit Basha në këtë garë, ai u përgjigj duke pohuar se,: “Si socialist do të doja të kandidonte se e mundim kollaj. Si qytetar i Tiranës do të doja të mos e shihja në garë sepse është kandidat shumë i dobët”.

 

Përplasja/ Blushi: Dorëheqja, mënyrë e keqe. Shkëmbi: Jo leksione nga ai që paguhet si deputet e jeton si shkrimtar

Në reagimin e tij lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve të ardhshëm për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, Blushi komentoi edhe dorëheqjen e ish-kryebashkiakut të Pogradecit Artan Shkëmbi, të cilën e cilësoi si një mënyrë të keqe. “Miqësisht do t’i thosha ishte mënyra më e keqe për të braktisur detyrën sepse arsyet për të cilat ai iku ishin të papërligjura. Njerëzit që janë në detyrë, funksionarë shtetërorë, kryetarë bashkie apo kushdo qoftë administrator i zgjedhur nuk ikën nga detyra 3 muaj para se ti mbarojë afati, për arsyet që tha Artan Shkëmbi, për ti hapur rrugë dikujt tjetër, apo për ti hapur rrugë partisë për të zgjedhur dikë tjetër, ikin ose kur e kanë të pamundur ose kur janë në izolim për shkaqe që nuk varen nga ata, apo kur dikush ia bën të pamundur detyrën”, – u shpreh ai. Ndaj kësaj deklarate nuk mungoi reagimi i ish- kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, i cili nuk nguroi të akuzonte Blushin si një person që bën gjithnjë kritikun dhe bashkon zërin me të dëshpëruarit. “Kam ndjekur deklaratën e z. Blushi ne mbledhjen e grupit parlamentar te PS. Ne te vërtetë nuk jam i befasuar, por megjithatë atakimi personal me bën t’i përgjigjem po drejtpërdrejt. Nuk besoj se me dorëheqjen time kam fyer bashkëqytetarë e mi, gjë qe ne fakt me rezulton e kundërta këtu ne Pogradec mes tyre. Kurrsesi nuk do te pranoja leksione nga një njeri qe paguhet si deputet dhe jeton si shkrimtar, qe për te paktën 8 vite me radhe, ne vend te punës se deputetit, bën analistin dhe kritikun, duke bashkuar zërin me te dëshpëruarit dhe gjithnjë – të pakënaqurit. Qytetaret e Pogradecit nuk kane nevoje t’ju qaje hallin z. Blushi, sepse nuk e ka bere kurrë këtë gjë as kur ishte deputet i qarkut te tyre, dhe as nuk ja kane kërkuar këtë ndonjëherë. Përmendja për herë të parë në jetën e tij te qytetareve pogradecare dhe qarja e “hallit te tyre” zben asgjë tjetër përveçse e turpëron atë vete”, – tha Shkëmbi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency