Debati në Kuvend/ Përplasja për këshillin e qarkut. Propozimi i Finos: Kryetarët e bashkive, kufizim në dy mandate

0
112

Gëzim Saliu

 komisioni ligjeveBylykbashi: Po i largohemi demokracisë së drejtpërdrejtë, më shumë emërime se zgjedhje

 Fino: Qarqet ose t’i shkrijmë fare, ose t’i bëjmë me zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli

Deputeti socialist Bashkim Fino propozon që me nisjen e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit të sanksionohet me ligj që kryetarët e bashkive të ardhshëm të kenë kufizim pushteti deri në dy mandate. Këtë propozim ish-kryeministri që ka drejtuar në karrierën e tij edhe bashki, e bëri gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit për qeverisjen vendore. Ndonëse qëndrimi i kolegëve deputetë, si ata të majtë ashtu edhe atyre të djathtë, u shpreh kundërshtues në parim përmes heshtjes, Fino bëri të ditur se propozimin e tij do ta hedhë edhe në seancën plenare të Parlamentit. “Unë jam që kryetari i bashkisë së re, pas 21 qershorit, të zgjidhet dy herë kryetar bashkie me këtë sipërfaqe dhe me këto kompetenca që do ketë kryetari i bashkisë. Pra, të zgjidhet 4-vjeçarin që fillon në 21 qershor dhe një 4-vjeçar, dhe pas tetë vjetësh të mos zgjidhet më. Ky është një propozim i imi dhe nëse nuk gjen mbështetje në komisionin e Ligjeve do e sjell amendament në seancë plenare”, – tha Fino.

 

Debatet

Një pikë e nxehtë e debatit mes palëve në diskutimin e djeshëm në Kuvend ishte ajo për këshillat e qarqeve, ku demokratët shprehën kritika për mënyrën se si ligji e trajton këtë pjesë. “Ka një letër të shoqatës e qarqeve për kryetarin e Komisionit Xhafaj, ku shprehet shqetësimi për pikën 18 të këtij projektligji. Ka një problem me anëtaret e këshillit te qarqeve. Të bëjmë amendamente tani se ndryshe shkelim kushtetutën, e cila ka ndodhur që në vitin 2001. Nëse bëhet kjo zgjidhje që propozojmë si opozitë nuk shtrohet më ky problem. Ndërruan mazhorancat, këshilltarët e qarkut nuk ndryshojnë më”, – tha Bylykbashi. Më tej duke shtjelluar argumentin e shkeljes së kushtetutës, pas qëndrimit të ministri për çështjet vendore sipas së cilit nuk ka asnjë shkelje të ligjit themelor si i përket përpjesëtimit të anëtarëve të këshillit me numrin e banorëve të bashkisë, Bylykbashi theksoi se ligji i ri është thjesht arnim. “Por nëse qenka kaq e vërtetë që fshati ndryshon nga qyteti, pse e zhdukëm komunën që është kategorinë kushtetuese. Komuna ishte në Kushtetutë që i përgjigjet zonave rurale. Ne e zhdukëm se thamë që është gjithandej njësoj. Kjo është çorap me arna”, – tha ai. Po ashtu duke marrë shkas nga propozimi i ligjvënësit socialist Armando Subashi, i cili kërkoi që si administratori i lagjes, ashtu edhe kryetari i fshatit të emërohet dhe jo të zgjidhet, Bylykbashi tha se mazhoranca po i largohet gjithnjë e më shumë demokracisë së drejtpërdrejtë. Ndërkaq deputeti Bashkim Finoi propozoi që për qarqet të vendoset me konsensus mes palëve nëse do të hiqen fare ose do të zgjidhen me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët. “Demokracinë e drejt për drejtë, bashkinë e kemi normalisht. Po nivelin e dytë mund ta rregullojmë me Kushtetutë. Hajt ta bëjmë me zgjedhje të drejt për drejtë nga populli dhe është zgjidhur problemi. Bëjmë dy zgjedhje, një për kryetarin e bashkisë, dhe një për kryetarin e qarkut dhe këshillat përkatëse. Dhe populli të vendosë se sa këshilltarë do të jenë nga partitë politike. Ose hajt ta heqim fare nëse nuk duam ta kemi”, – u shpreh deputeti i PS-së. Pas diskutimit Xhafaj, tha se relatori i projektligjit Fino së bashku me Nënkryetarin e Komisionit, Bylykbashi dhe Ministrin Çuçi do të diskutonin për pikat që nuk u arrit dakordësia dhe do të paraqiten para votimit në seancë plenare. “Unë mendoj që zoti Bylykbashi të flasë me zotin Fino dhe zotin Ministër. Në qoftë se gjen një formulë që nuk gjeneron tension nesër, duke e reflektuar normën kushtetuese, unë jam pro të gjetjen një zgjidhje të kësaj natyre për ta votuar në seancë. Kështu që, këtu se zgjidhim dot se mund të bëjmë eksperimente dhe mund të kemi tensione kot”, – pohoi kreu i Komisionit të Ligjeve.

 

Debati

 Fino: Unë jam që kryetari i bashkisë së re, pas 21 qershorit, të zgjidhet dy herë kryetar bashkie me këtë sipërfaqe dhe me këto kompetenca që do ketë kryetari i bashkisë. Pra, të zgjidhet 4-vjeçarin që fillon në 21 qershor dhe një 4-vjeçar dhe pas tetë vjetësh të mos zgjidhet më.

Bylykbashi: Ky është ligj organik për pushtetin vendor. Prandaj s’mund t’ia lëmë në diskrecion të qeverisë për konsultime me vendoret, se ajo mund të mos dojë t’i japë pushtet.

Fino: Ky ligj le hapësirë për konsultim të qeverisë me krerët e bashkive.

Bylykbashi: Nëse qenka kaq e vërtetë që fshati ndryshon nga qyteti, pse e zhdukëm komunën që është kategorinë kushtetuese.

Fino: Hajt ta bëjmë me zgjedhje të drejt për drejtë nga populli dhe është zgjidhur problemi. Bëjmë dy zgjedhje, një për kryetarin e bashkisë, dhe një për kryetarin e qarkut dhe këshillat përkatëse.

Subashi: Propozoj që si administratori, ashtu edhe kryeplaku mos zgjidhet por të emërohet.

Bylykbashi: Shoh se po i largohemi gjithnjë e më shumë demokracisë së drejtpërdrejtë

Fino: Jam shumë i zhgënjyer nga diskutimi i kolegut, ç’është kjo deklaratë kështu që po i largohemi demokracisë. Ne kemi propozuar që ai të zgjidhet dhe kolegu propozoi që meqenëse administratori emërohet, të emërohet edhe kryeplaku.

Çuçi: Kemi vendosur që sa i përket kryeplakut të respektojmë traditën, pra të zgjidhet dhe jo të emërohet.

Majko debaton me Subashin pa mikrofon lidhur me propozimin për kryeplakun.

Subashi: Po rri e tani mos fol kot, ke vajt ndonjëherë në fshat ti…

Majko: Po lëre tani se s’ka kuptim, ai po flet (ministri) po të përgjigjet për propozimin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency