Precedenti/ Zaganjori: Problemi në Gjykatën e Lartë, pasojë e formulës së gabuar të politikës

0
119

Alma Çuka

Zaganjori Kreu i Gjykatës së Lartë për shpërthimet me tritol dhe sigurinë e vendit: Një shtet që nuk garanton qetësinë dhe sigurinë, nuk është më i mirë se diktatura

 Ngërçi i krijuar në Gjykatën e Lartë me mosshqyrtimin e mijërave çështjeve që prej vitit 2012 mund të gjejë zgjidhje, vetëm nëse politika bashkëpunon dhe me anë të kompromisit dhe një dialogu paraprak emëron anëtarët e kërkuar. Kjo deklaratë vjen nga kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në një kohë kur gjyqësori është përfshirë në një valë kritikash nga qeveria, e cila ka nisur punën për riformimin e saj. Për kreun e kësaj Gjykate, situata e rënduar në zgjatjen në kohë të shqyrtimit të çështjeve lidhet edhe me rrëzimet e deritanishme që mazhoranca i ka bërë kandidaturave të Presidentit për anëtarë në Gjykatën e Lartë. Mund të thuhet se deri në këto momente, Presidenti Bujar Nishani i ka propozuar Kuvendit emrat e mbi 20 gjyqtarëve për të plotësuar dy vendet vakante në shkallën më të lartë të gjyqësorit. Por deri në këto momente të gjitha kandidaturat janë rrëzuar me argumentin se kreu i shtetit nuk është konsultuar me mazhorancën për emrat ashtu sikundër është shprehur Gjykata Kushtetuese. Mospasja e një emëruesi të përbashkët mes dy institucioneve ka sjellë pasoja të rëndë në Gjykatën e Lartë, të cilat prekin drejtpërdrejt qytetarët.

 

Deklarata

Shqetësimi u bë publik nga kryetari Xhezair Zaganjori në një dalje për mediat ku bëri një përmbledhje të analizës vjetore. Teksa komentoi ngarkesën e madhe të gjykatës dhe numrin e madh të çështjeve që janë në pritje ai tha: “Duke pasur parasysh ngarkesën e Gjykatës, punën e Gjykatës, me ndryshimet që janë bërë në ligjet për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, është parashikuar rritja e numrit të gjyqtarëve nga 17 në 19. Mjafton të pjesëtohet 6000 me 17 gjyqtarët dhe dalin rreth 400 çështje për një gjyqtar në vit. Do të na ndihmonte shumë sikur ky detyrim ligjor të plotësohej. Ky nuk është faji im por është problem i politikës. Mesa duket formula për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk funksionon ashtu siç duhet”.

 

Shpërthimet

Por Zaganjori nuk foli vetëm për këtë çështje. Ai bëri një deklaratë lidhur dhe me shpërthimet që kanë tronditur vendin kohët e fundit. Teksa e quajti situatën problematike ai shtoi: “Ngjarjet e kohëve të fundit e kanë tronditur shoqërinë dhe shpresoj që të gjendet bashkëpunimi, të gjendet forca e duhur për ta përballur. Lufta ndaj krimit është një luftë permanente e shtetit dhe kërkon një bashkëpunim sa më të mirë nëpërmjet vetë politikës. Një nga detyrat e shtetit është siguria dhe ne jemi qytetarë, jo vetëm gjyqtarët apo prokurorët. Si media dhe ne jemi nën presionin e punës, këto fenomene e kanë tronditur shoqërinë, lufta ndaj krimit është esenciale për shtetin. Një shprehje thotë se një shtet që nuk është në gjendje të garantojë minimum të rendit dhe qetësisë, nuk është më e mirë se diktatura”. Sipas tij, lufta kundër krimit kërkon bashkëpunim politik dhe institucional. “Duhet bashkëpunim mes vetë politikës. Krimi nuk ka ngjyrime, kërkon bashkëpunim dhe mes mekanizmave të shtetit”. Ndërkohë dosja e 21 Janarit, pritet të shqyrtohet brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Kjo dosje vazhdon të qëndroj në sirtarët e kësaj gjykate që prej vitit 2013.

 

Ndryshimet ligjore lehtësi në përshpejtimin e gjykimit

Një hap pozitiv në procesin e përshpejtimit të gjykimit të çështjeve administrative në Gjykatën e Lartë, ishin edhe ndryshimet ligjore që iu bënë ligjit për gjykatat administrative, shtator 2014, sipas propozimeve të bëra nga vetë Gjykata e Lartë. Me qëllim rritjen e efektivitetit të punës së Gjykatës së Lartë, u bën edhe ndryshime të rëndësishme strukturore, brenda të njëjtit numër punonjësish, duke zvogëluar dukshëm numrin e punonjësve të administratës, për të krijuar mundësinë e rekrutimit të ndihmësve të rinj ligjorë, puna e të cilëve ndikon drejt për drejt në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore. Pas krijimit të hapësirave të nevojshme, në vitin 2014, u hap konkursi për rekrutimin e tyre mbi bazën e kritereve objektive e profesionale dhe në fund u përzgjodhën 15 ndihmës të rinj ligjorë.

 

Gjykata e Lartë në listën e institucioneve për reformim

Gjykata e Lartë nuk i ka shpëtuar syrit të mazhorancës së majtë për ta reformuar. Në shtator të vitit 2013 menjëherë pasi e majta erdhi në pushtet ministri i Drejtësisë Nasip Naço, publikoi listën e institucioneve të drejtësisë që do i nënshtrohen reformës. Krahas, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Shkollës së Magjistraturës, Gjyqësorit në shkallën e parë dhe të dytë, në listë ishte edhe Gjykata e Lartë. Fillimisht u hodh ideja për shkrirjen e kësaj gjykate dhe bashkimin me Gjykatën Kushtetuese. Më pas kjo ide u tërhoq, Ministria e Drejtësisë i kërkoi ndihmë juridike ekspertëve të Komisionit të Venecia për mënyrën se si do të ndërhynin për të reformuar Gjykatën e Lartë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency