Korrupsioni/ Policia, akuza Prokurorisë: Është inefiçente, nuk heton gjyqtarët e korruptuar

0
116

Alma Çuka

 artan didi2Drejtori i Përgjithshëm Artan Didi përforcon akuzat e eprorit të tij, ministrit Saimir Tahiri, kundër organit të akuzës. Hije dyshimi për neglizhencë në hetimin e gjyqtarëve për korrupsion

Atë që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka bërë më se një herë me organin e Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që i ka akuzuar për neglizhencë në hetimin e gjyqtarëve të korruptuar, kontrollin e dosjeve gjyqësore, e përforcoi gjatë ditës së djeshme drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi. I pranishëm në tryezën konsultative, të mbajtur me qëllim luftën ndaj korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë, Didi ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj organit të Prokurorisë së Përgjithshme. Takimi mes përfaqësuesve të akuzës dhe policisë është zhvilluar me dyer të mbyllura, por deklaratat e forta mes dy palëve nuk mbetën pa u dëgjuar jashtë dyerve të sallës. Për kreun e Policisë së Shtetit, Prokuroria duhet të jetë më serioze në hetimin e çështjeve të shumta me karakter korruptiv, ndërkohë që u theksua edhe mosefiçenca e policisë gjyqësore. Për këtë të fundit, shefi i Policisë tha se nuk duhet të neglizhohet. Në tryezën e mbajtur me temë luftën ndaj korrupsionit, ishin të pranishëm ekspertë vendas dhe të huaj, ndërkohë që mësohet se drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka dhënë deklarata të forta. Takimi i organizua në zyrat e Bashkimit Evropian.

 

Prokuroria inefiçente

Mësohet se gjatë debatit drejtori i Policisë, Didi, të jetë shprehur për mungesë profesionalizmi në radhët e prokurorëve dhe neglizhencë në hetimin e çështjeve të ndryshme. Mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë jo në pak raste ka pasur debate që lidhen me zvarritjen e hetimeve, pezullimin e çështjeve të shumta si dhe me marrjen e meritave pas çdo operacioni. Në takimin e djeshëm, Didi pati mundësinë të fliste hapur dhe me gjuhë të ashpër kundër Prokurorisë, për atë që ai e quan shmangie nga hetimet dhe lënia e tyre të paplota. Para ekspertëve të huaj, Didi ka shtruar disa pyetje, ndër to, ajo se “çfarë e ka penguar Prokurorinë të hetojë gjyqtarët, po funksionarët e lartë”. Pas takimit, drejtori i Policisë deklaroi jashtë për mediat: “Unë ngrita problemin e forcimit të rolit të Policisë Gjyqësore, sepse shpesh shikojmë që përdoret termi Polici Gjyqësore duke e trajtuar si një element të veçantë të sistemit të drejtësisë apo të sistemit të hetimit, ndërkohë që aktualisht dhe praktikisht ky element funksionon në varësi të plotë të Prokurorisë, gjë që e bën atë një strukturë jo fort efiçente. Unë trajtova problemin në këtë këndvështrim, pasi po shikojmë se lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë në nivelet e larta të funksionarëve të shtetit dhe te të zgjedhurit vendorë u evidentua se nuk ka rezultate të dukshme. Ngrita problemin e mungesës së hetimeve të mirëfillta, pasi nuk mund të ketë gjyqtarë aq të paskrupullt, që nuk mund të kenë frikë nga ligji, në qoftë se akuza do të jetë e argumentuar me prova të plota. Por ka boshllëqe në hetime dhe në akuzë, nga ku gjyqtarët pastaj gjejnë mundësinë të luajnë brenda këtyre hapësirave”.

 

Ndryshimet

Mospasja e hetimeve të plota, për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kërkon ndërhyrje në ligj. Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Penal ka shumë hapësira që u japin mundësi të korruptuarve të mos ndëshkohen, por sipas Didit, përveç këtyre boshllëqeve dhe nevojës për një Prokurori intensive në hetime, pozicioni i Policisë Gjyqësore duhet ndryshuar me ligj. “Patjetër që kërkohet një aktivizim më i madh i Prokurorisë, por gjithsesi ajo nuk i ka kapacitetet që ka Policia Gjyqësore, ndaj dhe roli i kësaj të fundit është jetik në zhvillimin e hetimeve të Prokurorisë. Hetimet e Policisë Gjyqësore patjetër që e ndihmojnë Prokurorinë, e sigurisht që do të kontrollohen nga ky institucion. Kemi diskutuar edhe me kryeprokurorin këtë çështje dhe po ta shikosh të gjithë e ndiejnë këtë ngërç, pasi janë bërë memorandume bashkëpunimi për ta forcuar atë, por janë elementë që nuk mund të mbivendosen mbi ato dispozita, rregulla apo raporte, që ka vendosur Kodi i Procedurës Penale. Raporte të cilat mendoj se duhen rishikuar që në këtë Kod, por edhe në ligjin për Policinë Gjyqësore”, – deklaroi shefi i Policisë, Didi.

 

 Tiranë/ Gjykata, “Arrest me burg” për ish-punonjësin e ALUIZNI-t

 Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për ish-punonjësin e ALUIZNI-t Dritan Petro Prifti. Burime të Gjykatës së Tiranës thanë pas caktimit të masës së sigurimit, se ish-punonjësi i ALUIZNI-t ishte shpallur në kërkim nga policia për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Gjatë kësaj kohe, personi që doli para Gjykatës, është munduar t’i shmanget drejtësisë, ndërsa bëhet e ditur se ai u arrestua në Aeroportin e Rinasit, në përpjekje për të kaluar kufirin. Ndaj të ndaluarit, organi i Prokurorisë ka nisur hetimin për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Bëhet e ditur se Prifti, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën, ka lëshuar certifikata pronësie.

 

Durrës/ Pasuria e dyshimtë çon në pranga dy persona

 Dy persona po procedohen penalisht nga policia e Durrësit, pas informacioneve të marra lidhur me aktivitetin e tyre të dyshimtë. Sazan Hysi, 48 vjeç, dhe Fatbardha Hysi, 48 vjeç, po ndiqen penalisht pasi nga informacionet rezulton se këta dy persona kanë kryer shumë transaksione bankare në shuma të konsiderueshme parash, në kohë të ndryshme. Në vijim të këtyre informacioneve është dërguar dhe një raport i policisë gjermane në lidhje me hetimet në ngarkim të Sazan Hysi si dhe personave të tjerë, pasi në vitin 2013 dyshohet se ka marrë në dorëzim 26 kg marijuanë. Lidhur me të ndaluarit materialet i kaluan Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.

 

Tiranë/ Grabisnin me dhunë telefona celularë, pranga dy të rinjve

 Policia bën me dije se ka arritur të vërë në pranga dy të rinj, pas dyshimeve se kanë grabitur me dhunë disa telefona. Arrestimi u arrit nga efektivët e komisariatit numër dy në kryeqytet. Në kuadër të operacionit të koduar “Imail” u bë arrestimi në flagrancë i 18-vjeçarit Taulant Sala dhe i 25-vjeçarit Gazmir Sala, nga Fusha Mamurrasi i Laçit, kushërinj me njëri-tjetrin. Arrestimi i tyre u bë sepse pasditen e djeshme janë kapur në flagrancë duke tentuar të vjedhin me dhunë telefonin e 26-vjeçares E. A., banuese në Laprakë. Ndërkohë nga hetimet e uniformave blu, rezulton se dy kushërinjtë Sala mund të jenë autor të vjedhjeve me dhunë, duke kërcënuar nëpërmjet armës së ftohtë disa persona, ngjarje të ndodhura më datat 27.11.2014; vjedhjen me dhunë të një shtetasi më datë 10.12.2014 ; më datë 19.1.2015 vjedhjen me dhunë të një shtetasi më datë 20.1.2015; vjedhjen me dhunë të një shtetasi më datë 23.1.2014; vjedhjen me dhunë të një shtetasi më datë 26.1.2015; vjedhjen me dhunë të një shtetaseje më datë 26.1.2015.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency