Një ironik i socrealizmit të `80-ës

0
138

Violeta Murati

gka1Një artist i konsideruar se i përket pas-Luftës së Dytë Botërore, por që kulmin e eksperimentit e kalon në vitet `80, me guximin e ironisë ndaj socrealizmit pa dyshim që do ta zgjeronte territorin e njohjes, duke u kthyer në emblemë të arteve pamore gjermane. Ky është Sigmar Polke, duke ndërhyrë në psikën e imazhit si njeri social e politik, i cili në përgjigje krijoi realizmin kapitalist. Prej këtij autori, një koleksion me 40 punë, që i përkasin vitit `96, janë sjellë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë

Një artist vlerësuar se i përket pas-Luftës së Dytë Botërore, por që kulmin e eksperimentit e kalon në vitet `80, me guximin e ironisë ndaj socrealizmit pa dyshim që do ta zgjeronte territorin e njohjes, duke u kthyer në emblemë të arteve pamore gjermane. Ky është Sigmar Polke, duke ndërhyrë në psikën e imazhit si njeri social e politik, i cili në përgjigje krijoi realizmin kapitalist.

Prej këtij autori, një koleksion me 40 punë, që i përkasin vitit `96, janë sjellë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në të parën ekspozitë. Emër i panjohur për publikun shqiptar, edhe vetë gjermanët e kanë pasur të vështirë t’ia kalonin kufijtë, duke u bërë shpesh rezistencë polemikave që rridhnin nga puna e tij, eksperimenti dhe alkimia; dyshimi, misteri, ende të pazbuluara krejtësisht.

Në Tiranë, ekspozita është kuruar si “muzikë me origjinë të panjohur”, e konceptuar nga vetë artisti dhe bashkëpunëtori i tij, Gotz Adriani. Ky prezantim kulturor është një model se si kultura e konsoliduar evropiane u hap mundësi njohjeje artistëve edhe në kombe të vogla, si kjo jona, duke marrë me seriozitet dy palët: publikun dhe artistin. Arsyeja që tregojnë zyrtarët e Ambasadës Gjermane, se Polke është mjaft i njohur dhe së fundi punët e tij janë prezantuar në Nju Jork apo Angli. Është kjo përgjegjësi, pasi të gjitha veprat e tij janë pronë e Republikës Federale Gjermane, ndaj ekspozita është një bashkëpunim gjermano-shqiptar me Ambasadën Gjermane dhe Qendrën e Gjermanishtes në Tiranë dhe mbështetjen e IFA (Institutit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë).

Përfaqësuesja e Ambasadës Gjermane dhe znj. Petra Behlke Campos – drejtuese e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë u shprehën se hapja e kësaj ekspozite është një ngjarje e rëndësishme për artin në Tiranë, për atmosferën tonë artistike, duke u ndier “krenarë që sot kemi mundësinë të prezantojmë së bashku këtë artist të madh të pop-artit gjerman dhe botëror”.

Për të mos mbetur mbrapa mbi këtë imazh të njohjes, drejtori i Galerisë, Artan Shabani, ka shpjeguar se në bibliotekën e GKA-së, prej 10 vitesh ndodhet për rastësi edhe katalogu i këtij autori. “Sigmar Polke krijoi një shije të re të pop-artit evropian, i cili në koncept nuk ka vetëm artin, por qëndrimin që të çon në krijimin e tij. Prej fillimit të viteve `60 ai është marrë me raportin e së vërtetës figurative dhe realitetit, artit dhe të përditshmes. Me veprën e tij ai ironizoi mrekullinë ekonomike gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, ironizoi vetë sistemin, realizmin kapitalist dhe artin klasik”.

Atasheu i kulturës në Ambasadën Gjermane, me ndërhyrjen mbi rëndësinë e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve, tha se “është bërë një punë e mrekullueshme dhe duket sikur këto vepra janë bërë enkas për Galerinë Kombëtare këtu në Tiranë…”, ndoshta nisur dhe konteksti referues për pjesën dërrmuese të punëve të autorit, në ironi të socrealizmit.

Ndërsa drejtuesja e qendrës së gjermanishtes në Tiranë, Petra Behlke Campos, tha se ideja e kësaj ekspozite ishte herët, si dëshirë e saj për të sjellë një ekspozitë të Sigmar Polkes në një nga vendet ku ka punuar. “Është veçanërisht e rëndësishme që kjo ekspozitë të pasqyrojë artin bashkëkohor gjerman në mënyrë sa më autentike. Dhe pikërisht Sigmar Polke, si një nga artistët më të rëndësishëm gjermanë, i cili me artin e vet donte të ndryshonte jo vetëm vendin e tij të lindjes, por mbarë botën, përshtatet më së miri në kontekstin shqiptar”, – tha Campos.

Sigmar Polke ka sfiduar vazhdimisht kufijtë e estetikës në punën e tij, duke zgjeruar fjalorin vizual të pikturës, fotografisë dhe printmaking përmes një procesi të gjallë të punës. Kërkimet mbi efektet që arrihen duke përzier një gamë të gjerë të materialeve, burimet figurative, dhe praktikat e artit kanë ndikuar në breza tek artistët.

Brenda kësaj pasurie, kritika ndan misterin, të quajtur shpesh enigmatike, eliptike, të panjohur për këtë autor.

Kështu në 40 vite ai ka krijuar një “trup” artistik që ka provokuar vazhdimisht, nga fillimi e vazhdon, duke u konsideruar krijimtaria e tij si një urë midis shekullit të njëzet dhe njëzet e një.

Polke ka lindur në 1941 në Oels, Silesia (pjesa lindore e Gjermanisë në atë kohë), tani Oleśnica, Poloni, e ndarë nga jeta në vitin 2010. Babai i tij ishte arkitekt, marrë me kishat e stilit barok. Kur Polke ishte dymbëdhjetë vjeç, familja e tij emigroi në Gjermaninë Perëndimore. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, ai filloi të merrte mësime nga një piktor xhami, duke një formë shekullore të artit që ishte duke përjetuar një ringjallje, për shkak të nevojës për restaurime pas luftës.

Në vitet `60-`70, kur kishte kulmin e moshës, si gjithë brezi i tij ishin të etur për të sjellë në punët e tyre një kuptim të ri social. Disa mendonin për ndikimin që kishte pop art-i amerikan, në përvetësimin e imazheve komerciale, si dhe për shkak të lëvizjes së asaj kohe, të famshmes “Fluxus”, duke nxitur performancat dhe eksperimentet.

Në këtë periudhë, Polke bashkë me shokët e tij, studentë, themeluan lëvizjen që solli “realizmin kapitalist” në 1963. Termi ishte një lojë retorike dhe ironike për realizmin socialist, atëherë stil zyrtar i Gjermanisë Lindore.

Piktura e Polke-it të kësaj periudhe ishin imazhe të krijuara me dorë, në mënyrë mekanike, kryesisht me fotografi, të cilat shoqëroheshin me komente, si një parodi e riprodhimit mekanik të botuar në American Pop. Mbi këtë përvojë ironike, Sigmar Polke u konsiderua si një nga artistët më të etur pas eksperimentit në shek. XX.

Ai përfshin në këtë retrospektivë një gamë jashtëzakonisht të gjerë të mediumeve, duke përfshirë pikturë, fotografi, film, skulpturë, vizatim, printmaking, televizion, performancë etj etj dhe një miksim të ri mes tyre. Në këtë mënyrë Polke ka shmangur gjithmonë kategorizimin, duke mos u përcaktuar aq lehtë stili i tij.

Kjo natyrë e të punuarit, vlerësuar mjaft inteligjente, e shndërroi artistin në një autoritet artistik, duke qëndruar stoik në skepticizmin e tij të thellë për familjen, fenë dhe qeveritë. Kjo u bë pothuaj e pamundur për t’u kuptuar qëndrimin e tij, duke u vendosur krijimtaria e tij në historisë evropiane të shek. XX; ka një kthesë të madhe në 45 për piktorin gjerman, afër fundit të Luftës së Dytë Botërore, familja e tij u largua nga Silesia, kur Gjermania Lindore u pushtua nga sovjetikët, ai arratiset përsëri, këtë herë në Gjermaninë Perëndimore. Vitet `50 i takojnë periudhës kur bota gjermane po vuante fajësinë për mizoritë e nazizmit, shpesh duke deformuar realitete, me alibinë “unë nuk shoh ndonjë gjë”, përkthyer me heshtjen e etërve, që shoqëroi artistin edhe me heshtjen e brezit të tij.

Polke ishte një vëzhgues i kujdesshëm, sidomos në vizione. Ai u përshtatej ndryshimeve mes pamjes dhe realitetit, i kujdesshëm për të ruajtur nocionin e punës së tij, se mund të ishte një e vërtetë universale. Këto punë përfshinin si konvencionin, kulturën e lartë e të ulët, figuracionin, abstraksionin heroik dhe banalitetin në kërkim të stabilitetit, triumfit.

Puna e artistit gjerman shpesh është kuptuar si çështje e alkimisë; kuratorët e kritikët e tij kanë vërejtur se veprat e tij më shumë shiheshin në aspektin e ndotjes dhe helmit, pothuaj çdo gjë bëhet toksike sa i takon gamës së çuditshme të substancave të përdorura nga Polke. Në fakt, në biografinë e tij ka një periudhë të errët që mendohet të jetë marrë me drogë aty nga fundviti `70.

I çuditshëm, i ndritshëm dhe enigmatik – kështu janë vlerësuar mbi 260 punë që Polkes iu prezantuan para vdekjes, më 2010, në Nju Jork.

Gjatë gjithë kohës, Polke përdor dhe tallet me një gamë të madhe të burimeve dhe kulturave: kitsch, imazhet e reklamave, letër gazete, artit konceptual, artit abstrakt, fotografisë dokumentare, teknologji kompjuterike, ekzotizëm, dhe paranormal.

Ka pasur një problem të kuratorëve në paraqitjen e piktorit në botë, duke e konsideruar si piktor pas lufte. Por, në realitet në vitet `80 ai merr famën duke u bërë një nga piktorët më të njohur, e të rëndësishëm të shekullit.

Por në gjuhët kakofone të mediave dhe modës, kuratorët janë dorëzuar para krijimtarisë së Polke-s duke gjetur pikën e tij të fortë, duke u shprehur se: ajo që shohim tek ky piktor ka mospërputhje stilistike, koherencë intelektuale ose filozofike. Cila është? Paqëndrueshmëria e vizionit, luhatja e së vërtetës, skepticizmi ndaj autoritetit. Duke gjykuar karrierën e tij thuhet se “shihet një urgjencë, një epsh, një domosdoshmëri për të mbajtur vullnetin…”

Edhe pse Polke u ka rezistuar interpretimeve të thjeshta, kur shihet biografia e punëve të tij, studiuesit vënë theksin se duke pasur parasysh se është lindur më 1941, në kohën e fashizmit, ai u bë një artist duke mos qëndruar qëllimisht me pasojat. Artisti gjerman u mor me kuptimin e destabilitetit, kur një njeri është i aftë të jetë në pasiguri, mistere, dyshime dhe pa ndonjë nervozizëm për t’u kapur pas faktit dhe arsyes. Kjo është thënë se mund të shërbejë si udhërrëfyes për të vlerësuar Polke; harroj bukurinë e pastër, argëtohem me eksperimentin.

Punët në Tiranë shoqërohen me komente, si epitaf nis puna e parë, e Polke në këtë ekspozitë, me shënimin: Gjellët me shumë kripë mund të bëhen të ngrënshme, nëse fut fletë gazetash poshtë tapetit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency