Tokat shtetërore/ Procedura se si do të blihen, ja pronat që do të kalojnë për kompensim

0
418

Tokat shtetëroreMiratohen procedurat se si do të shiten tokat dhe pasuritë shtetërore të individët. Vendimi parashikon që për tokat të cilat do të nxirren në shitje dhe nuk do të ketë blerës të kalojnë për kompensimin fizik të ish-pronarëve.

 

Procedurat e privatizimit të pasurisë shtetërore

Këtij vendimi i nënshtrohen të gjitha ndërmarrjet apo objektet e veçuara, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros së ndërmarrjeve, shoqërive tregtare dhe institucioneve me kapital tërësisht shtetëror, për të cilat është dhënë miratimi i ministrit përgjegjës për ekonominë, për fillimin e procedurave të privatizimit apo të transformimit në shoqëri tregtare. Institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore dërgojnë kërkesën e tyre për privatizimin e ndërmarrjeve apo institucioneve që kanë në varësi administrative ose në pronësi, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin e miratimit për privatizim, sipas kërkesës së përmendur më sipër. Në rast se ministria përgjegjëse për ekonominë u kërkon institucioneve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore kërkesën për prononcim privatizimi për pasuritë e ndërmarrjeve apo institucioneve që kanë në varësi administrative, këto institucione janë të detyruara që, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, të dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive. Në rast se ky afat tejkalohet, atëherë ministria përgjegjëse për ekonominë ngre një komision, të përbërë nga 3 anëtarë, i cili verifikon faktikisht objektin. Nëse pas këtij verifikimi rezulton se objekti është i braktisur dhe nuk përdoret nga institucioni që e ka në administrim apo në pronësi, atëherë ministri përgjegjës për ekonominë jep miratimin për privatizimin e objektit, duke konsideruar të dhënë pëlqimin nga institucioni administrues, dhe i kërkon atij caktimin e një përfaqësuesi në komisionin e vlerësimit të pronës. Nëse institucionet qendrore dhe/apo organet e njësive të qeverisjes vendore shprehen për mosprivatizimin e pasurive të ndërmarrjeve, apo institucioneve që kanë në varësi administrative, atëherë ato duhet ta argumentojnë qartë këtë fakt. Në rastet kur për objektet që janë në pronësi të organeve të pushtetit vendor është marrë vendimi i këshillit të njësive të qeverisjes vendore për privatizimin/tjetërsimin e tyre dhe këto objekte janë miratuar për t’u përfshirë në procedurë privatizimi, por organi i pushtetit vendor përkatës nuk dërgon përfaqësuesin e tij si anëtar të komisionit të vlerësimit, institucioni përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore i kërkon institucionit të prefektit përkatës të dërgojë përfaqësuesin që do të marrë pjesë në komisionin e vlerësimit.

Komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore, në zbatim të këtij vendimi, ngrihet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Ky komision ka në përbërje të tij 3 anëtarë: kryetarin e degës së shoqërive publike, në prefekturën ku ndodhet objekti, një ekspert vlerësues të licencuar dhe një përfaqësues të ndërmarrjes apo institucionit në administrim të të cilit ndodhet objekti. Komisioni kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike. Sipas nevojave të procesit të vlerësimit të objektit, ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron që në komisionin e vlerësimit të marrë pjesë edhe një ekspert kontabël apo ekspertë të tjerë të fushës përkatëse.

 

Vlerësimi i elementeve të pasurisë shtetërore

Procedurat për vlerësimin e pasurisë shtetërore fillojnë me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë. Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit, në përputhje me vlerën reale të tregut, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi për vlerësimin e kryer he për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij (genplane, situacione, aktvlerësime etj.). Me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë për ngritjen e komisionit të vlerësimit të objektit që do të privatizohet apo që do të përfshihet në fondin e kompensimit, komisioni i vlerësimit inspekton dhe verifikon gjendjen reale të objektit dhe, më pas, ekspertët vlerësues të këtij komisioni, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, përgatitin në 5 (pesë) kopje origjinale genplanin e ndërmarrjes apo të objekteve që do të privatizohen, ku përcaktohen qartë sipërfaqet nën objekt dhe trualli funksional. Dega e shoqërive publike përkatëse vendos një njoftim në objekt si dhe në mjediset e organit të qeverisjes vendore në territorin e të cilit ndodhet objekti, për efekt të ish-pronarëve të truallit, nëse ka. Eksperti vlerësues, brenda 15 ditëve nga dalja e urdhrit për privatizimin e objektit, përgatit në 5 kopje origjinale genplanin përkatës, ku përcaktohen qartë sipërfaqja nën objekt, sipërfaqja funksionale dhe ajo e përgjithshme. Eksperti vlerësues mban përgjegjësi për hartimin e saktë të këtij genplani. Komisioni i vlerësimit, pas marrjes së genplanit të përgatitur nga ekspertët, i drejton institucionit të prefektit, në territorin e të cilit ndodhet objekti, kërkesën për konfirmimin e këtij genplani. Prefekti autorizon një përfaqësues, i cili nënshkruan genplanet e objekteve të kërkuara nga dega e shoqërive publike. Institucioni i prefektit konfirmon genplanin e objektit, duke nënshkruar dhe vulosur në 5 kopje origjinale, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës së degës së shoqërive publike përkatëse, dhe i përcjell kësaj dege dokumentacionin, të nënshkruar e të vulosur. Tejkalimi i këtij afati ngarkon me përgjegjësi këtë institucion.

 

Procedura

Pas marrjes së genplanit të objektit, të konfirmuar nga prefektura, dega e shoqërive publike i kërkon zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të dhëna për pronësinë e objektit dhe truallit që privatizohet, hartën treguese, vërtetimin hipotekor apo certifikatën e pronësisë, nëse ka. Kërkesën e mësipërme dega e shoqërive publike shoqëron me një kopje të genplanit, të konfirmuar nga prefektura e qarkut përkatës. Zyra vendore regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, i dërgon degës së shoqërive publike të dhënat që disponon për pronën që privatizohet, hartën treguese, vërtetimin hipotekor apo certifikatën e pronësisë, nëse ka të tillë. Zyra vendore regjistrimit të pasurive të paluajtshme mban përgjegjësi ligjore për të dhënat e konfirmuara si dhe për tejkalimin e afatit ligjor, të përcaktuar në këtë vendim. Dega e shoqërive publike, pas marrjes nga zyra vendore regjistrimit të pasurive të paluajtshme të hartës treguese, me të dhënat përkatëse të objektit, i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave konfirmimin nëse trualli ku ndodhet objekti ka pronarë, të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe çmimin përkatës të truallit ku ndodhet objekti, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e çmimeve nga kjo agjenci, dhe të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston në hartën e çmimeve, atëherë ekspertët vlerësues përcaktojnë çmimin e shitjes së truallit të objektit që do të privatizohet. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, i dërgon degës së shoqërive publike konfirmimin për çmimin e truallit të objektit si dhe vendimet përkatëse të kthimit dhe kompensimit të pronave, të shoqëruar me planvendosjen e pronës, ku të jetë përcaktuar qartë kufiri i pronës si dhe çdo informacion shtesë, nëse ka, që lidhet me vendimin përkatës të kthimit dhe kompensimit të pronave. Eksperti vlerësues përcakton çmimin e truallit ku ndodhet objekti përkatës, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e çmimeve, të hartuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston në hartën e çmimeve, atëherë ekspertët vlerësues përcaktojnë çmimin e shitjes së truallit të objektit që do të privatizohet sipas çmimit të tregut. Eksperti vlerësues mban përgjegjësi për vlerësimin e truallit të bërë prej tij. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mban përgjegjësi për çmimin e truallit, të konfirmuar me shkresën përkatëse si dhe për tejkalimin e afatit ligjor, të përcaktuar në këtë vendim. Kryetari i komisionit të vlerësimit i dorëzon ekspertit vlerësues gjithë dokumentacionin e mësipërm dhe eksperti vlerësues harton raportin e vlerësimit për objektin përkatës. Eksperti vlerësues zgjedh metodën përkatëse të vlerësimit të objektit dhe mban përgjegjësi për vlerësimin e bërë dhe vlerën e përcaktuar prej tij. Afati i plotësimit të dokumentacionit të vlerësimit për ndërtesat, ndërtimet dhe linjat e prodhimit/shërbimit duhet të jetë jo më shumë se 50 ditë, nga data e daljes së urdhrit për ngritjen e komisionit të vlerësimit nga titullari. Për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit etj. ky afat duhet të jetë jo më shumë se 20 ditë, nga data e daljes së urdhrit. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi për respektimin e këtij afati.

 

Procedura e shitjes së pronës shtetërore

Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, e pranon dosjen e vlerësimit për objektin që do të privatizohet, nëse për këtë objekt ka dokumentacion të rregullt, i cili u ka kaluar strukturave përkatëse, të përcaktuara në këtë vendim. Në rast të kundërt, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kërkon plotësimin e dokumentacionit. Shitja e objektit bëhet si më poshtë vijon:

– Për rastet kur konfirmohet se objekti ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, shitja bëhet pa ankand dhe subjektet e shpronësuara të truallit, në zbatim të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerën fillestare. Në këtë rast, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, afishon një njoftim në mjediset e saj, për një afat njëzetditor, vetëm për pronarët e truallit, ndërsa dega e shoqërive publike afishon këtë njoftim në mjediset e veta dhe në objekt. Dokumentacioni për dhënien e së drejtës së parablerjes, për objektin që privatizohet, në çdo rast, shqyrtohet e konfirmohet me procesverbal të veçantë dhe miratohet nga komisioni i ngritur nga drejtori i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave.

– Për rastet kur komisioni i ngritur nga drejtori i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, ka vështirësi në përditësimin e dokumentacionit hartografik (planvendosja e pronës së ish-pronarëve, genplani i objektit në proces privatizimi dhe harta treguese lëshuar nga zyra vendore përkatëse regjistrimit të pasurive të paluajtshme) për truallin, sipërfaqen nën objekt dhe sipërfaqen funksionale të objektit, apo ndërmarrjes në proces privatizimi, sipas pikës 12, të këtij kreu, atëherë Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, do të angazhojë ekspertë të licencuar të fushës së hartografisë. Në përfundim të verifikimit, eksperti i licencuar do të dorëzojë dokumentacionin hartografik, me shënimet përkatëse, për rezultatin e verifikimit. Eksperti mban përgjegjësi ligjore për përfundimet që do të paraqesë në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave. Shpenzimet për kryerjen e këtyre verifikimeve do të mbulohen nga vetë pala e interesuar për blerjen e objektit apo ndërmarrjes.

– Në rastet kur ish-pronarët e truallit, pas afishimit të njoftimit, nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dhe degët e shoqërive publike në prefekturën përkatëse, nuk kanë paraqitur dokumentacionin, bëhet një njoftim, duke i përcaktuar ish-pronarit të truallit një afat të ri tridhjetëditor për dorëzimin e dokumentacionit ligjor. Nëse edhe në këtë afat të dytë ish-pronari nuk paraqitet, atëherë objekti kalon në publikim për shitje me ankand, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Në rast të realizimit të shitjes së objektit, bashkë me truallin, me ankand, vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës, i shkon drejtpërdrejt ish-pronarit të truallit.

– Në rastet kur konfirmohet se objekti që privatizohet nuk ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, si dhe për rastet kur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk është në gjendje të konfirmojë pronësinë e truallit, për objektin që privatizohet, ai i nënshtrohet ankandit, sipas procedurave të këtij vendimi. Kur, në datën e zhvillimit të ankandit, paraqitet ish-pronari i truallit, me dokumentacionin përkatës, atëherë ky e gëzon të drejtën e parablerjes me vlerën fillestare të objektit. Edhe në këtë rast do të veprohet si më sipër, por vetëm pasi të jetë konfirmuar dokumentacioni i pronësisë, i depozituar nga ish-pronari i truallit pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, organeve të pushtetit vendor, zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo çdo institucioni tjetër shtetëror.

 

Formula

Në ankandet për shitjen e pasurive të shoqërive në likuidim e sipër, të cilat janë të përfshira në kapitalin e tyre, nuk zbatohet e drejta e parablerjes për ish-pronarët e truallit. Ata marrin pjesë në ankand si të gjithë të tjerët. Në rastet e shpalljes fitues, ish-pronarëve u zbritet vlera e truallit, e njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit, miratuar nga Këshilli i Ministrave. Procedurat e publikimit fillojnë pasi të jenë dorëzuar, në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dokumentet e vlerësimit të objektit. Vlera e fillimit të ankandit është VAM-I (vlera e amortizimit të mbetur), i përcaktuar sipas kreut II, të këtij vendimi, (mjete kryesore + mjete xhiroje + vlera e truallit). Ankandi zhvillohet vetëm për vlerën e mjeteve kryesore + vlerën e truallit, ndërsa vlera e mjeteve të xhiros i shtohet vlerës së arritur në ankand. Shitja e pasurisë së luajtshme bëhet vetëm me ankand, sipas procedurave të këtij vendimi.

 

Dokumentet

Pjesëmarrësit në ankand duhet t’i paraqesin komisionit të ankandit, në vendin, datën dhe orën e njoftuar, këto dokumente:

– kërkesën me shkrim për blerjen e objektit të regjistruar në protokollin e Ministrisë së Financave

– mandatpagesën, apo garancinë bankare, që vërteton derdhjen, apo ngurtësimin e 20 për qind të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë, për llogari të Ministrisë së Financave.

Ish-pronari i truallit, për blerjen e ndërmarrjes ose të objektit që shtrihet mbi të, duhet të paraqesë në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dokumentacionin e mëposhtëm:

– kërkesë me shkrim për blerjen e objektit, të regjistruar në protokollin e Ministrisë së Financave

– mandatpagesën apo garancinë bankare, që vërteton derdhjen, ose ngurtësimin e 20 për qind të vlerës fillestare të ankandit, në lekë, vetëm për objektin, për llogari të Ministrisë së Financave, në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, detyrimisht, brenda afatit të pranimit të kërkesave

– vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të shoqëruar me planvendosjen e pronës, ku përcaktohet se ai është subjekti pronar i tokës

– dëshminë e trashëgimisë, prokurë përfaqësimi etj., nëse ka të tilla

– deklaratën noteriale, në të cilën trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar, që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e parablerjes për objektin në proces privatizimi, të deklarojnë se, që nga momenti që janë pajisur me vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nuk kanë përfituar kompensim në asnjë nga format e parashikuara në ligj. Gjithashtu, të deklarojnë se vendimi i ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka ndryshuar, ose është shfuqizuar me ndonjë akt administrativ apo vendim gjykate të formës së prerë.

Kur sipërfaqja e tokës e njohur apo e kthyer ish-pronarit të truallit, shtrihet në mbi 70 për qind të sipërfaqes së truallit nën objektin që privatizohet, e drejta e parablerjes shtrihet në të gjithë objektin, nëse pjesa tjetër nuk ka pronarë. Në të kundërt, pavarësisht se njëri nga ish-pronarët apo bashkëpronarët e plotëson kushtin e përcaktuar në paragrafin e parë, dhe pjesa tjetër ka pronarë trualli të identifikuar, objekti privatizohet në bashkëpronësi, me marrëveshje të dokumentuar. Nëse nuk arrihet marrëveshje dokumentuar ndërmjet bashkëpronarëve, objekti u nënshtrohet procedurave të ankandit dhe ish-pronarët kompensohen financiarisht, sipas vlerës së truallit, të vlerësuar sipas hartës së vlerës. Në rastet e shpalljes fitues të ankandit që zhvillohet për shitjen e objektit të njërit prej ish-pronarëve të truallit (trashëgimtarëve të tij), në pagesën e vlerës së fitimit të ankandit zbritet vlera e truallit që i përket pjesës së tij, e njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit.

 

Rastet e veçanta

Në rastet kur për objektin që privatizohet ka një pronar apo disa bashkëpronarë, të cilët kanë një marrëveshje të dokumentuar dhe gëzojnë të drejtën e parablerjes, por një pjesë e truallit, sipas genplanit të privatizimit, nuk bie në pronën e ish-pronarëve të konfirmuar shtetërorë, veprohet, si më poshtë vijon: Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, ua ofron për blerje bashkëpronarëve që gëzojnë të drejtën e parablerjes së objekteve. Në rast se ish-pronarët shprehen me shkrim se nuk janë dakord ta blejnë këtë sipërfaqe trualli, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i dërgon një shkresë, të shoqëruar me kopje të genplanit, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për përdorimin e kësaj sipërfaqeje për fond kompensimi për ish-pronarët, duke vënë në dijeni edhe ministrinë përgjegjëse për ekonominë.

Në rastet kur objektit i është ulur vlera e fillimit të ankandit, ish-pronari i truallit, për të ushtruar të drejtën e parablerjes, duhet të bëjë pagesën e plotë, sipas vlerës fillestare dhe jo sipas vlerës së ulur. Kur për objektet e shpallura për shitje me VAM fillestar, sipas procedurave të këtij vendimi, nuk paraqitet asnjë kërkesë për blerje, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, cakton një VAM tjetër, më të ulët se VAM-i fillestar, për privatizimin e objektit, duke filluar procedurat e publikimit. Ulja e VAM-it të objekteve bëhet sipas këtij kategorizimi:

– për ndërmarrjet ose objektet, deri në 30 për qind

– për makineritë, pajisjet, inventarin ekonomik, mjetet e transportit, mjetet e xhiros, deri 50 për qind. Në këto raste, objekti u nënshtrohet edhe një herë të gjitha procedurave të shitjes, të parashikuara në këtë vendim. Në rastet kur mbetet vetëm një blerës, si në publikimin me vlerë fillestare, ashtu edhe në rastin kur objekti është i publikuar me ulje VAMi, vendoset një njoftim, me afishe, pranë mjediseve ku do të kryhen procedurat e zhvillimit të ankandit, për një periudhë dhjetëditore, dhe brenda këtij afati bëhet një njoftim, vetëm 1 herë në një gazetë me qarkullim kombëtar. Pas këtij publikimi, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, realizon shitjen e objektit blerësit të vetëm, nëse nuk ka kërkesa të tjera për blerje pas këtij publikimi.

Për kompensimin fizik

Për rastet kur nuk është realizuar shitja, veprohet, si më poshtë vijon:

-Për objektet ndërtimore, të cilat kanë kaluar të gjitha fazat e shitjes dhe nuk janë shitur, dokumentacioni i vlerësimit të objektit kthehet nga Ministria e Financave, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë, pas 8 muajve nga zhvillimi i fazës së fundit të shitjes. Në rast se gjatë kësaj periudhe ka kërkesa me shkrim për blerje të objektit, atëherë përsëritet procedura e fazës së fundit të shitjes. Ministria përgjegjëse për ekonominë e dërgon dokumentacionin e kthyer në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për t’u përdorur si fond i kompensimit fizik. Në rast se për objektin, dokumentacioni i të cilit është kthyer për t’u përdorur si fond kompensimi fizik, ka kërkesa me shkrim nga ish-pronarët e truallit, ministria përgjegjëse për ekonominë i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kthimin e dokumentacionit të vlerësimit, pasi kjo e fundit të ketë bërë verifikimin e vlefshmërisë së vendimit që njeh pronësinë.

-Makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros, inventari ekonomik etj., të cilat nuk janë shitur, pasi janë zbatuar fazat e shitjes, sipas VAM-it fillestar dhe VAM-it të ulur, kthehen nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, në degën e shoqërive publike përkatëse, për të cilat veprohet sipas ligjit nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, dhe udhëzimit nr. 30, datë 27.12.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për menaxhimin e aktiveve të njësive të sektorit publik”, në zbatim të tij.

 

Blerja e objekteve

Të ardhurat e realizuara nga shitja ndahen, si më poshtë vijon:

– Për shitjen e objektit (mjete kryesore, mjete xhiroje etj.):

– 5 për qind e vlerës së shitjes i kalon Ministrisë së Financave

– 30 për qind e vlerës së shitjes i kalon ministrisë përgjegjëse për ekonominë

– 65 për qind e vlerës së shitjes i kalon buxhetit të shtetit.

Për shitjen e truallit, 100 për qind e vlerës së shitjes kalon në buxhetin e shtetit, përveç rasteve kur është i identifikuar ish-pronari i truallit. Nëse personi që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit nuk paguan brenda 30 ditëve pjesën e mbetur të çmimit të arritur në ankand, si fitues ankandi, ai humbet të drejtën e blerjes si dhe të marrjes pjesë në ankandin që do të zhvillohet për rishitjen e këtij objekti. Pagesa e ngurtësuar prej 20 për qindësh, për pjesëmarrje në ankand, nuk i kthehet. Objekti rishpallet për shitje, duke zbatuar procedurat e publikimit nga e para, sipas këtij vendimi. Nëse ish-pronari i truallit që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit nuk paguan pjesën e mbetur të çmimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit, atëherë pagesa e ngurtësuar prej 20 përqindësh, për pjesëmarrje në blerje, nuk i kthehet. Objekti rishpallet për shitje, duke zbatuar procedurat e publikimit nga e para.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency