Me klerikët & median/ Rama: “Të rrezikuar nga fundamentalizmi islamik, justifikimi i kasaphanës në Paris, fyerje ndaj Profetit”

0
133

Gëzim Saliu

 rama takim me kreret e medias dhe kleriketDy nismat, Rama: Mbështetje Forumit Rajonal të Bashkëpunimit Ndërfetar dhe së dyti do të hapet kati i parë i Kryeministrisë, ku të gjithë mund të shprehin opinionet e tyre kundër ekzekutivit

Kryeministri Rama deklaroi dje se Shqipëria mbetet një vend i rrezikuar nga fundamentalizmi islamik e për këtë arsye, sipas tij, është i domosdoshëm një aksion i gjerë për të ruajtur bashkëjetesën dhe harmoninë fetare. Në takimin e zhvilluar me drejtues të komuniteteve fetare, të medias dhe disa ministra të qeverisë, kreu i qeverisë tha se sulmet ndaj “Charlie Hebdo”-së përbëjnë një kasaphanë të paparë deri më tani në Evropë. Duke u fokusuar tek kjo ngjarje, Rama theksoi se Shqipëria është dyfish e rrezikuar, nga njëra anë e një fundamentalizmi islamik, e cila, sipas tij, mund të vijë nga dobësia ekonomike e vendit. “Kam vënë re se disa, këto ditë e kanë quajtur bashkëjetesën fetare, indiferencë fetare. S’dua të bëj debat, por nëse do ta pranoja për një moment, kur jobesimtarët janë indiferentë ndaj besimeve, ku indiferenca nuk cenon të drejtat dhe liritë e askujt. Ndërkohë që zelli i nxitur prej injorancës nuk është një shprehje e thënë nga ndonjë libër i shenjtë apo ndonjë profet. Në kushtet e kanosjes së fesë, Shqipëria është dyfish sfidues. Nga njëra anë për shkak të kushteve ekonomike, ku pas 50 vjetësh Shqipëria është e rrezikuar nga fondamentalizmi islamik, siç është e rrezikuar nga një valë islamofobe, edhe nën efektin e djathtë evropian. Ashtu siç u pa edhe dje nga marshimi i klerikëve shqiptarë, Shqipëria është e fortë në shembullin unikal që mund të rrezatojë për Evropën”, – u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, Rama tha se duhet një kontribut, në kuadër të dijes dhe diplomacisë, për ta bërë sa më të kuptueshme se çfarë buron urrejtja e besimit të tjetrit. “Si mund dhe duhet t’i bëjmë ballë furisë, që synon as më shumë dhe as më pak bashkëjetesën që ne kemi zgjedhur si qytetarë dhe si shqiptarë”, – pohoi ai.

 

“Charlie Hebdo” dhe shqiptarët

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, ngjarjet e Parisit nuk kanë lidhje me Profetin Muhamed, pasi kush ka studiuar jetën e tij, tha Rama, nuk njeh asnjë rast dhune në emër të besimit. Në këtë kontekst, Kryeministri pohoi se ata shqiptarë që e justifikojnë kasaphanën me faktin se “Charlie” është tallur me Profetin Muhamed, deformojnë nga besimi. “Kam ndjekur reagimin e disa shqiptarëve në rrjetet sociale, të cilët e justifikojnë kasaphanën me faktin se “Charlie Hebdo” është tallur me Profetin Muhamed. Është një opinion që nuk duhet nënvlerësuar nëse nuk duam, që të deformojë pak nga pak besimin, bindjen, sjelljen e qoftë të një fëmije të sotëm të Shqipërisë së nesërme. Kush njeh jetën e Muhamedit, nuk njeh asnjë rast dhune në emër të besimit, por përkundrazi, miqtë e komunitetit mysliman dinë mijëra thirrje të Profetit, që janë thirrja më kumbuese ndaj këtij opinioni. Por mua më ka mbetur në mendje dita kur Muhamedi hyri triumfator në Mekë dhe 10 vjet pasi ishte larguar nga Meka ku ishte shpallur armik që duhej vrarë. Dhe ky njeri, triumfatori që me një lëvizje të gishtit mund të urdhëronte shfarosjen, kur fitoi dhe hyri në Mekë, u fut me kokën ulur, shpalli faljen për këdo dhe nuk preku asnjë fije floku. Por shkoi drejt Qabesë, mori një shkop dhe i rrëzoi të gjitha statujat e zotave të rremë, duke dhënë mesazhin se lufta e tij nuk ishte me njerëzit, por me veset dhe injorancën që ishte në Mekë. Asnjë nuk e justifikon harresën e të shkuarës, asnjë shqiptari nuk i takon të fyejë besimin e vetë duke u kthyer në armik të besimit tjetër. Ashtu siç fyen çdo shqiptar që atë kasaphanë e konsideron justifikim për të shfryrë mllef ndaj islamit dhe fyen vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin komunist, që fajëson fenë islame apo çdo besimtar për atë që ndodhi në Paris”, – u shpreh Rama.

 

Dy nismat

Për kreun e qeverisë, duke parë rrezikun që i kanoset botës demokratike nga terrorizmi, ajo që vlen me rëndësi parësore është që të ruhen vlerat që kanë karakterizuar popullin shqiptar ndër vite, dhe më e rëndësishmja në këtë drejtim: bashkëjetesa fetare. Rama bëri të ditura dy nisma, që do të ndërmerren në këtë drejtim. E para do të jetë mbështetja edhe më e madhe për Forumin Rajonal të Bashkëpunimit Ndërfetar, që synon, siç nënvizoi Rama, të fuqizojë lidhjet ndërfetare dhe të parandalojë të rinjtë e të qenët pjesë e rrjeteve terroriste. “Kjo ka të bëjë me fuqizimin e lidhjeve ndërfetare, dhe parandalimin e të rinjve, në rrjete terroriste, dhe që promovojnë bashkëjetesën harmonike mes fesë dhe shtetit laik, sepse sot terrorizmi ka tejkaluar çdo kufi shtetëror, dhe përballja duhet të jetë kombëtare, por edhe lokale dhe globale. Duhet të jetë e mirë organizuar edhe në nivelin ndërqeveritar dhe ndërkombëtar”, – tha ai. Ndërkaq, lidhur me nismën e dytë, Kryeministri bëri të ditur se do të hapet kati i parë i godinës së Kryeministrisë ku të gjithë mund të shprehin opinionet e tyre kundër qeverisë. “Një iniciativë e dytë më modeste ka të bëjë me hapjen e kësaj godine për të mbështetur angazhimin qytetar, duke e vënë në dispozicion katin e parë të godinës, për ata të cilët dëshirojnë të përdorin godinën kryesore të qeverisë për të shprehur opinionet e tyre kundër qeverisë, apo për të imponuar hapjen e një dialogu me qeverinë për çështje nga më të ndryshmet. Është një mjet, më shumë modest, por simbolikisht i dobishëm për të fuqizuar mjetet tjera që mbështesin kulturën që japin mundësi të re shprehje penës dhe imazhit dhe që krijojnë hapësirë ndërlidhje të instrumenteve fetarë, të një bote që ia vlen të jetohet, që egërsia kërkon të na e bëjë të pajetueshme”, – deklaroi kreu i qeverisë.

 

 Reagimi/ PD: Kryeministri që sulmon fjalën e lirë dhe opozitën s’mund të predikojë lirinë e shprehjes

Partia Demokratike reagoi dje ndaja deklaratave të dhëna nga Kryeministri Rama në takimin me klerikët dhe krerët e medias, duke e akuzuar atë si sulmues të fjalës së lirë dhe opozitës. “Rama shpenzoi më shumë se një orë me tjerrje fjalësh, por nuk gjeti asnjë minutë për të dënuar kërcënimet me jetë të fjalës së lirë, përfaqësuesve të opozitës e kreut të saj. Më shumë se një orë predikoi lirinë e shprehjes, por nuk gjeti asnjë minutë për të dënuar apo për t’u distancuar nga kërcënimi që i është bërë kryetarit të opozitës, pikërisht për fjalën. Predikon lirinë e shprehjes ndërkohë që përgënjeshtron vetën e tij në çdo hap që hedh. Edi Rama është ai që organizoi goditjen fizike ndaj deputetit të opozitës, pikërisht ngaqë nuk përballon lirinë e shprehjes. Është ai që frymëzon kërcënimin me jetë të përfaqësuesve të opozitës, sepse ai nuk e duron dot lirinë e shprehjes. Ndaj ka sjellë në administratë, zyra e deri në parlament, persona të inkriminuar, ata që janë errësira, e kundërta e lirisë së shprehjes”, – tha zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebijaj. Më tej ajo bëri të ditur se propaganda është një përpjekje e dëshpëruar e Kryeministrit për t’u fshehur nga realiteti i zymtë e lirisë së shprehjes që ai ka krijuar. “Ndaj sa herë që Edi Rama të flasë për lirinë e të shprehurit, është e sigurtë audienca e telenovelave të pasdites. Ai nuk bind më askënd dhe qytetarët nuk harxhojnë asnjë dekikë të jetës së tyre plot halle për retoriken boshe e të tejfryrë të Kryeministrit”, – u shpreh Nebijaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency