Raportuesi i PE-së/ Harta e bojkoti i zgjedhjeve? Fleckenstein: Basha, burrë i zgjuar, partitë të lira në vendimin e tyre

0
105

Gëzim Saliu

Fleckenstein “Nëse PD-ja s’do të ishte kthyer në Parlament, në Bruksel do të kishim menduar që dhënia e statusit ishte gabim, por edhe qeveria që ka përgjegjësinë për atmosferën dhe klimën e bashkëpunimit”

Raportuesi i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, deklaroi dje se të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, por, sipas tij, vendimmarrja mbetet në dorë të lirë të çdo force politike. Në konferencën me gazetarët, pas takimeve të zhvilluara me krerët e politikës, Fleckenstein, duke iu referuar kundërshtive të opozitës për ndarjen administrative territoriale dhe deklaratës se me këtë hartë nuk do të ketë zgjedhje, theksoi: “Basha është burrë i zgjuar dhe nuk më ka folur shumë rreth kësaj çështjeje. Por, e theksoj se unë nuk jam arbitër. Nëse një parti nuk dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, është vendim i saj i lirë. Kam dëgjuar se legjislacioni apo çështja e ligjit është një çështje që fut në lojë Gjykatën Kushtetuese, kështu që mendoj se Gjykata është shprehur mbështetur në bindjet e saj dhe unë nuk mund të jem më i zgjuar se Gjykata. Pavarësisht nga kjo, shpresoj vërtet që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje, sepse ato përbëjnë të drejtën demokratike të njerëzve dhe janë njerëzit ata që do të përzgjedhin personat që duan t’i drejtojnë. Shpresoj që të marrin pjesë të gjithë në to”.

 

S’jam arbitër e mësues

Në konferencën për mediat, raportuesi i PE-së përsëriti shpesh gjatë fjalës së tij se nuk ishte as arbitër dhe as mësues. “Dua të përfitoj nga rasti e të shpjegoj se këtu nuk kam ardhur as si arbitër dhe as si mësues. Ky është një pozicion që nuk më pëlqen dhe kështu do të ishte mënyra e gabuar e përqasjes ndaj gjërave. Unë dua të mësoj e të kuptoj e t’i vij në ndihmë Shqipërisë për realizimin e reformave”. Më tej, duke vënë në dukje se kjo është vizita e parë në vend si raportues i përhershëm, Fleckenstein theksoi se nga ky moment e deri në përfundim të mandatit legjislativ, do të paraqesë një raport vjetor për reformat evropiane në Shqipëri. “Ajo që ndodh në Shqipëri është me rëndësi, sepse në 2009-ën vendi ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE. Gjatë 48 orëve të fundit kam diskutuar me shumë kolegë të mi, si Kryetarin e Kuvendit, Presidentin, ministra dhe përfaqësues të partive kryesore politike e kur të largohem nesër në mëngjes nga Shqipëria, do të takohem edhe me shumë qytetarë, përfaqësues të të rinjve dhe grupeve të tjera”, – theksoi ai.

 

Integrimi

Nga ana tjetër, raportuesi theksoi se në rrugën e saj të integrimit Shqipëria duhet të plotësojë tri sfida kryesore. “Forcimin e shtetit të së drejtës; ndryshimin e kulturës politike: besim tek institucionet publike, dialog ndërmjet partive politike; bashkëpunim me shoqërinë civile”. Në këtë kontekst, duke u përqendruar tek ndryshimi i kulturës politike, Fleckenstein u dha një shembull gazetarëve, duke pohuar: “Nëse PD-ja nuk do të kishte vendosur të kthehej në Parlament, ne në Bruksel do të kishim menduar që dhënia e statusit kandidat ishte gabim prej nesh. Kjo nuk do të thotë që vetëm PD-ja të ndryshojë diçka; sigurisht, edhe qeveria që ka përgjegjësinë për atmosferën dhe klimën e bashkëpunimit duhet të bëjë diçka dhe opozita nga ana e saj të jetë më e përgjegjshme. Pra, të dyja”. Më tej, ai shpjegoi se anëtarësimi nuk ka afate kohore, nuk ka “deadline”, pasi Parlamenti i përcakton vetë afatet kohore dhe ka një listë gjërash për të përmbushur. “Nëse gjërat realizohen, ne hapim negociatat. Nuk është çështja t’i bëni një nder zonjës Merkel apo zotit Hollande. Çështja është se nëse ne kemi një tjetër panoramë për shoqërinë ku duhet të rrisim fëmijët tanë dhe i takon shoqërisë për ta ndryshuar këtë vend. Progresi nuk mund të përmbushet gjatë mandatit të një qeverie. Ky është proces afatgjatë. As BE-ja nuk u bë në një natë, por në 5 dekada. Shqipërisë s’i duhen 5 dekada, por është një proces afatgjatë; po flasim për një maratonë afatgjatë ndaj grupimet politike në Parlament duhet të punojnë bashkërisht”, – u shpreh raportuesi i PE-së.

 

Reformat, Fleckenstein: Në përgjithësi, vendi në drejtimin e duhur

Një pjesë e rëndësishme e konferencës së raportuesit për Shqipërinë u përqendrua edhe te reformat e ndërmarra deri më tani, duke theksuar se vendi është në drejtimin e duhur. “Është premtuese që qeveria ka nisur t’i zbatojë ligjet, por nga ana tjetër duhet të veprohet në mënyrë të ligjshme dhe ky është një element me rëndësi për tu theksuar. Janë të rëndësishme për t’u zbatuar reforma në administratën publike; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe mbrojtja e lirive dhe e të drejtave themelore të njeriut. Në përgjithësi vendi është në drejtim e duhur. Por më duhet të shtoj dhe dy përparësi të tjera që kanë të bëjnë me lirinë e medias, lirinë e gazetarëve, që nuk realizohet vetvetiu as këtu dhe as në vendet anëtare të BE. Ajo nuk varet vetëm nga qeveria, por edhe nga presioni ekonomik, ndaj duhet të luftojmë gjithmonë për të siguruar atë të medias”. Nga ana tjetër, Fleckenstein pyetjes së çfarë pret në veçanti nga takimi që do të ketë me bashkëshorten e njërit prej viktimave të 21 Janarit, bashkëshorten e Aleks Nikës iu përgjigj duke pohuar: “Nuk mund t’jua them dot tani, po kam marrë një e-mail, letër, nga bashkëshortja e njërit prej viktimave e që do ta takoj nesër, e cila dëshiron të flasë me mua. Por nuk mund të flas tani pa bërë takimin. Nga ana tjetër, 4 vjet janë periudhë shumë e gjatë për hetimet dhe jam i interesuar të shoh se si e shohin ata progresin e hetimeve. E rëndësishme është të mos e harrojmë dhe kjo do të jetë e përfshirë në këtë raport”.

 

 Takimi me raportuesin e PE-së/ Bregu dhe Bumçi: Qeveria po shkel të drejtat e njeriut, nuk po zbatohet ligji

Dy përfaqësues të PD-së, Majlinda Bregu dhe Aldo Bumçi, u takuan dje me eurodeputetin Fleckenstein për ta informuar mbi zhvillimet politike në kuadrin e raportit që do të përgatisë për Shqipërisë e do të prezantohet brenda muajit shkurt. “Raportuesi i BE-së do të përgatisë brenda muajit shkurt, besoj, afatet kohore për t’u miratuar në Parlamentin Evropian, raporti për Shqipërinë. Ai është në misionin faktmbledhës të së vërtetave që nuk mund të fshihen poshtë qilimit, të ngjarjeve dhe të situatës në Shqipëri. Në takim kemi diskutuar për të gjitha pikat që do të jenë pjesë e raportit dhe kanë të bëjnë kryesisht me fushat që janë brenda 5 prioriteteve, detyrimeve të Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë dhe për mënyrën e moszbatimit, të shkeljes së tyre, me fokus kryesor, të drejtat e njeriut. Gjithashtu, duke ndjekur edhe problematika të lidhura jo direkt me Raportin – por që do të jenë pjesë e tij – të cilat janë pjesë e atij pakti apo marrëveshjeje ndërmjet mazhorancës dhe opozitës me vëmendje kryesore tek procesi i dekriminalizimit të Parlamentit”, – tha Bregu. Më tej kryetarja demokrate e Komisionit të Integrimit theksoi se në takim u diskutua edhe për “moszbatimin e ligjit, shkeljen dhe moszbatimin e vendimit të gjykatave dhe të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me shkelje të drejtave të njeriut, për të cilat mendoj se ka pasur një vëmendje më të shtuar dhe më të madhe se në takimet e tjera”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency