Operacioni/ Pranga “babagjyshave” që vidhnin argjendaritë në gjithë vendin

0
129

Alma Çuka

miljan elezi dhe Ilir Kupa ..kupa brenda hekurave150316 Në krye të grupit të strukturuar kriminal, Ilir Kupa. Dyshuar për grabitje në tetë raste. Dy arrestohen, katër shpallen në kërkim. Operacioni “Babagjyshat” zgjati 48 orë

 Policia e Shtetit njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Babagjyshat”, përmes të cilit bëri të mundur arrestimin e personave të dyshuar si autorë të grabitjes së argjendarisë në qendrën tregtare “TEG” një vit më parë. Në krye të këtij grupi të strukturuar kriminal, sipas Policisë së Shtetit, qëndron shtetasi Ilir Kupa, i arratisur nga një prej burgjeve të Greqisë dhe i arrestuar në janar të këtij viti. Sipas policisë, brenda 48 orëve që zgjati operacioni, u bë i mundur arrestimi i dy personave, ndërsa katër të tjerë u shpallën në kërkim dhe një prej tyre tashmë ndodhet në burg. Policia gjithashtu shprehet se gjatë momentit të arrestimit të dy personave u gjetën dhe u sekuestruan një sërë provash materiale.

 

Operacioni

Në datë 16.12.2014, pas një pune disamujore, të mirorganizuar me metodat speciale të hetimit, në bashkëpunim ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda, Drejtorisë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorive të Policisë në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër, Shkodër dhe Lezhë u finalizua operacioni policor i koduar “Babagjyshat”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë i mundur dokumentimi ligjor i disa ngjarjeve të rënda kriminale të kryera nga një grup i organizuar kriminal si dhe arrestimi i 3 prej anëtarëve të këtij grupi. Policia shprehet e bindur në njoftimin e saj se ka arritur të vërë në pranga një prej grupeve më të strukturuara kriminale në fushën e grabitjeve që në të shumtën e rasteve kanë qenë nën kërcënimin e armëve.

 

Të arrestuarit

Policia e Shtetit njofton se ka vënë në pranga shtetasin Agustin Sula, 25 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë me 23 vjet heqje lirie për veprën penale të vjedhjes me armë, me pasojë plagosjen e dy shtetasve në Durrës si dhe i dënuar në Greqi për vjedhje me armë. Sipas të dhënave, duket se Agustin Sula është bashkuar me shtetasin Ilir Kupa, pas njohjeve që mund të kenë pasur më parë në Greqi, vend ku Kupa është njohur për aktivitetin e tij kriminal. Një tjetër i arrestuar është edhe shtetasi Hajdar Sefa (Xaka), 30 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për vepra penale ndaj jetës dhe shëndetit. Ndërkohë një tjetër pjesëtar i grupit, Ilir Kupa, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë në Greqi për vepra të rënda kriminale, është arrestuar më parë nga policia dhe aktualisht ndodhet në burg prej muajit janar të këtij viti. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kupa ka qenë edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal. Policia bënë të ditur se janë shpallur në kërkim katër persona të tjerë, të cilët janë identifikuar. Sipas saj këta persona janë, F. P., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë, D. K., 36 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë, S. K., 31 vjeç, banues në Kurbin dhe J. Q., 29 vjeç, lindur dhe banues në Borizanë të Fushë Krujës, i dënuar më parë për vjedhje. Sipas policisë një nga pjestarët e këtij grupi kriminal, A. T., është vrarë në muajin korrik 2014 në Dibër të Madhe gjatë grabitjes me armë të dy argjendarive.

 

Aktiviteti

Ky grup kriminal, gjatë viteve 2013 dhe 2014 ka kryer vjedhjet e mëposhtme: Në datë 28.9.2013, rreth orës 19:10, në qytetin e Kuçovës, kanë vjedhur me armë, dyqanin-argjendari, në pronësi të shtetasit A. B. Në datë 5.11.2013 rreth orës 14:30 në qendër të qytetit të Laçit, në kompleksin “Romina”, kanë vjedhur me armë argjendarinë dhe kanë plagosur pronarin e saj shtetasin S. R. Në datë 25.11.2013 rreth orës 13:45, në qytetin e Fushë-Krujës, kanë vjedhur me armë “Argjendari Gjino” në pronësi të shtetases P. B. Në datën 18.12.2014 në Fushë-Prezë kanë vjedhur me armë automjetin në pronësi të shtetasit Sh. K., duke e plagosur rëndë atë. Në datë 25.9.2013, në ora 19:30, në fshatin Fushë-Milot te kryqëzimi i “Kosovës”, kanë vjedhur mjetin tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit A. S. Vjedhjen e një mjeti tip “Audi” në Fushë-Milot. Në datë 24.12.2013 rreth orës 17:30 kanë vjedhur me armë argjendari “Gelosia” në qendrën tregtare “TEG”. Në datë 30 prill 2014 në Strugë, kanë vjedhur me armë një argjendari. Në datë 29.7.2014 në Dibër të Madhe në Maqedoni kanë vjedhur me armë argjendari “Er Gold” dhe “Briljant Xhiti”.

 

Sekuestrimi

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banimit dhe punës së këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë model 54 TT së bashku me një krehër me 6 fishekë luftarake, me mbishkrimin 1959, 1 armë zjarri “Zastava” kalibër 6.35 mm me numër serie T710696 së bashku me një krehër me 8 fishekë, 1 krehër me 15 fishekë pistolete, 1 peshore elektronike,me mbishkrimin “Tanita” që shërbente për peshimin e sendeve të floririt dhe të argjendta të vjedhura në argjendari,1 pajisje kompjuterike laptop, 6 copë varëse floriri të madhësive të ndryshme, 8 copë unaza floriri të madhësive të ndryshme,1 copë varëse kryq, 3 byzylykë dore, 28 telefona Iphone, 19 ora dore të markave të ndryshme, një sasi bizhuteri argjendarie, dy manekine me rroba kamuflazhi ushtarake, dy maska material plastik me flokë ngjyrë të bardhë, një palë doreza me material rrobe, 8 karta SIM të kompanive të ndryshme, Dokumente identifikimi të falsifikuara me gjeneralitete të rreme. Strukturat e Policisë së Shtetit po punojnë në vazhdimësi për dokumentimin e plotë të veprave të tjera penale të kryera nga ky grup kriminal. Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale të “Vjedhje me armë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 140, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

 

Ja si ndodhi grabitja e argjendarisë në “TEG” një vit më parë

Në 24 dhjetor të 2013, katër persona të maskuar si Babagjyshi i Vitit të Ri kanë shfrytëzuar atmosferën e festave për të kryer një grabitje me armë zjarri në qendrën tregtare “TEG” në kryeqytet, ndërsa një i pestë i priste në automjet për t’u larguar me shpejtësi. Rreth orës 17:30 të 24 dhjetorit në një dyqan argjendarie “Xhelozia” në qendrën tregtare “TEG” në periferi të Tiranës, në një kohë kur edhe numri i qytetarëve në këtë qendër ishte i madh, duke krijuar panik tek ata, katër grabitësit kanë hyrë si babagjysha, duke luajtur me fëmijët në “TEG”, dhe për një moment kanë nxjerrë armët dhe i janë drejtuar një argjendarie në katin e parë të qendrës tregtare, në pronësi të shtetasit A. Sh. Njëri prej tyre ka nxjerrë një grua bashkë me një fëmijë 10 vjeç që ndodhej brenda argjendarisë dhe ka siguruar derën e saj, ndërsa tre të tjerët kanë zbrazur raftet me ora luksoze, si dhe objektet e florinjta dhe argjendta. Një kamera amatore ka filmuar se si tre babagjysha grabisnin brenda, ndërsa njëri ruante jashtë. Më pas ka hyrë dhe ky dhe prej argjendarisë kanë dalë tre babagjysha me çanta të mëdha në duar dhe i fundit, edhe më trupvogli, ka nxituar pa çantë në dorë. Punonjësit e sigurisë vetëm sa kanë mbajtur klientët e shumtë të qendrës tregtare të ditëve të festave dhe në asnjë moment nuk kanë ndërhyrë, duke mos rrezikuar ndonjë gjakderdhje. Pasi morën bizhuteritë dhe një sasi të konsiderueshme lekësh grabitësit, kanë zbritur tek vendparkimi i makinës, ku i priste bashkëpunëtori dhe me automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa AA147 FY, janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Lanabregasit, duke përfituar edhe nga errësira. Pas disa minutash, automjeti është gjetur nga policia i braktisur dhe duke u djegur, në zonën e Surrelit, ndërsa autorët dyshohet të jenë larguar në këmbë.

 

Arrestimi i Kupës në janar 2014

Ilir Kupa, njëri prej të arratisurve nga burgu i Trikallasë, Greqi në mars të 2013-ës u arrestua në janar 2014 në datën 25 në orët e para të mëngjesit në periferi të Tiranës. Arrestimi u krye në një banesë në Qafën e Kasharit, dhe sipas oficerëve të policisë dhe FNSH pjesë e operacionit të arrestimit Kupa ka bërë rezistencë dhe ka qëlluar me armë në ajër kur ka parë policinë. “Do qëlloja mbi ju, por ndërrova mendje. Ju lumtë, më kapët”, – mësohet të ketë thënë Ilir Kupa në momentin e arrestimit në 25 janar 2014. Kupa ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të cilët kanë arritur t’i largohen policisë. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e cilësoi operacionin e arrestimit të suksesshëm dhe deklaroi se po hetohet dhe përfshirja e Ilir Kupës në ngjarjet e fundit kriminale që kanë ndodhur në Tiranë, mes tyre dhe grabitja e argjendarisë në “TEG” dhe ajo e dyqanit të AMC-së.

 

Kryeministri: Iku koha e të ikurve në drejtim të paditur

 I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të qeverisë, Edi Rama, në rrjetet sociale. Në një postim të bërë menjëherë pas përfundimit të operacionit për arrestimin e supergrabitësve, të cilët mundën të grabisnin rreth një vit më parë një argjendari në një qendër tregtare falë veshjes si babagjysha, Kryeministri thekson se ka ikur koha kur hajdutët ikin në drejtim të paditur. Teksa përgëzon policinë, Rama shkruan se ka ikur koha e të ikurve në drejtim të paditur. “Përgëzime policisë për arrestimin e grabitësve që morën famë si “babagjyshat e Vitit të Ri”. Po ikën koha e të ikurve në drejtim të paditur”, – shkruan Rama. Reagim për punën e policisë ka bërë edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Në një postim në Facebook, Tahiri shprehet se puna e mirë e policisë po çon në kapjen e autorëve të krimeve të ndryshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency