Drejtësi/ BE: Vendimet e gjykatave, nën ndikimin e politikës dhe korrupsionit

0
141

Alma Çuka

 foto e tryezes per drejtesineIMG_3820 euralius nasip nacoKërkohet gjithëpërfshirje në reformimin e drejtësisë. Tryeza e parë e Komitetit të Aktorëve për reformimin e drejtësisë, nën drejtimin e EURALIUS-it

Reforma në sistemin e drejtësisë ka mbledhur për herë të parë Komitetin e Aktorëve, të cilët do të asistojnë në dhënien e ekspertizës dhe që do të drejtohet nga misioni i katër i EURAILU-s, ardhur në Shqipëri në 19 nëntor. Takimi i mbajtur në Ministrinë e Drejtësisë hodhi piketat e para, ndërsa përfaqësuesit e organizmave të huaja të pranishëm,  vunë në dukje mangësitë që karakterizojnë sistemin më të rëndësishëm në vend, atë të drejtësisë. Kështu, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë është shprehur se vendimet e gjyqësorit janë ende të ndikuara nga politika dhe korrupsioni. Sipas Vlahutin shkalla e përfshirjes së të gjithë aktorëve në reformën e sistemit të drejtësisë është shumë e rëndësishme, por edhe shkalla e përfshirjes së ekspertëve dhe publikut, gjithashtu. “Vendimet e sistemit gjyqësor janë ende të ndikuara nga politika dhe korrupsioni. Për këtë arsye, një sistem gjyqësor eficent dhe i përgjegjshëm është tepër i rëndësishëm për investitorët e huaj. Shqipëria ka treguar vendosmëri në reformën e sistemit të drejtësisë, kjo është për tu përgëzuar. Shkalla e përfshirjes së të gjithë aktorëve në reformën e sistemit të drejtësisë është shumë e rëndësishme, por edhe shkalla e përfshirjes së ekspertëve dhe publikut, gjithashtu. Theksoj se është e nevojshme të ketë mbështetje më të madhe ndaj Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces të vështirë. Mendoj se është thelbësore të shohim ecurinë e Shqipërisë dhe faktin se ky vend ka institucione demokratike dhe që respektojnë të drejtat e njeriut”, – theksoi ndër të tjera Vlahutin, në tryezën ku ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço.

 

Naço: Kërkojmë ndryshimin

Ndërsa ministri i Drejtësisë Naço, gjatë fjalës së tij, u ndal veçanërisht në ndryshimet ligjore të hartuara dhe miratuara nga ana e institucionit që ai drejton, siç janë ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, por edhe ndryshimet ligjore për emërimet në sistemin gjyqësor me qëllim rregullimin e stafit të administratës gjyqësore. “Nisja e kësaj reforme është shprehje e pritshmërisë së lartë që ka opinioni publik për transformimin e sistemit. Korrupsioni dhe keqfunksionimi, mungesa e integritetit dhe e profesionalizmit, niveli ulët i pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit tashmë janë identifikuar dhe pranohen gjerësisht si fenomene dëmtuese, lufta ndaj të cilave duhet të jetë në fokusin e kësaj reforme. Është për t’u vlerësuar mbështetja e misionit EURALIUS për gjithë hapat legjislativë që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë deri më sot, si dhe asistenca dhe konsultimi me Komisionin e Venecias, me qëllim finalizimin e një pakete iniciativash ligjvënëse, që do të kenë si objektiv reformimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të sistemit të drejtësisë. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë tashmë ka ngritur një komision bipartizan të posaçëm për reformën në drejtësi, për të siguruar një reformë transparente dhe profesionale në sistemin gjyqësor, por edhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ministria e Drejtësisë është e vendosur për të vijuar këtë reformë, për të arritur në fund në hartimin e një dokumenti strategjik dhe zbatimin e një reforme të suksesshme, me rezultatet e dëshiruara nga të gjithë ne”, – tha Naço.

 

Xhafa: EURALIUS, zyrë në Kuvend

I pranishëm në panel ishte edhe kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafa, i cili vlerësoi praninë e aktorëve të lartë për procesin e reformës në drejtësi. “E vlerësoj këtë tryezë për të shkëmbyer pikëpamje dhe si një pikë koordinimi me aktorët kombëtare e ndërkombëtarë, gjë që ka munguar deri diku këto vite dhe unë shpresoj që kjo tryezë ta arrijë këtë gjë. Unë e vlerësoj si pozitiv faktin që misioni EURALIUS do të ketë një zyrë përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë, për të asistuar drejtpërdrejtë punën e Komisionit për Reformën në Drejtësi dhe shpresoj që edhe opozita të jetë së shpejti pjesë e procesit. Faza e parë e punës së këtij komisioni do të nisë këtë javë, ku barra më e madhe e punës përgatitore do t’i takojë Ministrisë së Drejtësisë. Reforma do të jetë e shtrirë në kohë, por ka disa prioritete. Do të ishte shumë mirë që të identifikoheshin pikat kyçe të reformës, që të ecim me dy shpejtësi, që do të thotë se ka një prioritet mbi prioritetet dhe kjo është lufta kundër korrupsionit. Kjo është një çështje prioritare, sidomos në sistemin gjyqësor, pasi ne na duhet një trupë e shëndoshë që të mund të përballet me korrupsionin në të gjitha hallkat e shtetit. Për këtë arsye, duhet bërë analiza e situatës dhe identifikimi i sektorëve më të prekur, për të dalë me pika konkrete dhe instrumentet e duhura për të ndërhyrë. Ne kemi vullnetin për ta bërë këtë prioritet të punës sonë, prandaj bashkë me ndërkombëtarët duhet të bëjmë efikase shumë shpejt një paketë masash antikorrupsion. Reforma do të bëhet dhe përgjegjësive në zbatimin e ligjit askush nuk duhet tu largohet. Dua të theksoj, se reforma është shqiptare, në kuptimin që zbatimi i saj është detyra dhe përgjegjësia jonë, sepse bëhet fjalë për drejtësinë e kërkuar nga qytetarët e këtij vendi”, – tha Xhafa. Në pjesën e dytë, tryeza u fokusua në analizën teknike të ekspertëve ligjorë shqiptarë e të huaj që ishin pjesë e tryezës, të cilët sugjeruan edhe mënyrat e përshtatshmërisë së reformës me nevojat imediate të sistemit të drejtësisë. Pas fjalëve të të pranishmëve, tryeza i zhvilloi punimet me dyer të mbyllura.

 

Komisioni i Venecias

Në shtator të vitit të kaluar menjëherë sapo mazhoranca e majtë mori pushtetin, Ministria e drejtësisë iu drejtua me anë të një letër Komisionit të Venecias, me qëllim dhënien e asistencës ligjore për të kryer reformimin e sistemit të drejtësisë. Kërkesa fillimisht u drejtua për të reformuar Gjykatën e Lartë. Kërkohej asistencë ligjore për mënyrën se si duhej operuar për këtë institucion të lartë të dhënies së drejtësisë. Kërkesa e vetme kishte të bënte me reduktimin e disa veprave penale dhe heqjen e tyre nga lista e rekurseve. Kjo për faktin se aktualisht ligji lejon që në Gjykatën e lartë të shkojnë të gjitha çështjet që kalojnë nga dy shkallët e tjera të gjykimit, duke mos u bërë asnjë reduktim. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë, një gjë e tillë duhet rishikuar me qëllim eliminimin e mbingarkesës së dosjeve dhe përfundimin e shqyrtimit të rekurseve brenda afateve të caktuara. Komisioni i Venecias, pak muaj më parë ka kthyer përgjigje vetëm për këtë pikë. Me gjithë në përgjigje ai shprehet se është skeptik në kryerjen e kësaj pjese të reformës, për aq kohë sa ende nuk është kryer një reformë e thellë në të gjithë sistemin e drejtësisë. Aktualisht në Gjykatë ne Lartë ndodhen rreth 10 mijë dosje që prej vitit 2008 pa u shqyrtuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency