Ish i përndjekuri politik/ Gëzim Çela: Ju rrëfej Nexhmije Hoxhën, Ministrinë e Brendshme dhe nëna ime

0
230

nexhmije hoxhaIshim të sfilitur, duke u endur burgjeve, kampeve të punës së detyruar dhe kampeve të internimeve, që në atdheun tonë ishin çelur si këpurdhat pas shiut, që nga Jugu i Shën Vasisë deri në Veriun e largët, mbas çlirimit dhe vendosjes së diktaturës komuniste.

Përpos atyre që ishin nëpër burgje dhe kampe, po aq e rëndë dhe dëshpëruese ishte dhe për familjet e tyre, që u duhej të hiqnin nga sofra e tyre të skamurve kafshatën e bukës dhe të merrnin rrugë të largëta për të shkuar ndër ato kampe të skajshme që shpesh nguleshin nga një vend në tjetrin dhe që shpesh herë ishin dhe larg rrugëve të komunikacionit, duke i detyruar familjarët që të bënin udhë të gjata në këmbë me ndonjë trastë të hedhur në kurriz.

Pjesë e këtij kalvari prej 22 (njëzet e dy, tre herë) vjetësh i takoi nënës sime, që veç meje nuk kishte njeri tjetër në këtë botë, të endej, duke filluar që nga burgu i Shkodrës, në kampet  burgje si ai i Rinasit, ku ndërtohej aeroporti; në Thumanë dhe Gjorm, ku bënim kanale për tharjen e kënetës; në Rubik ku ndërtonim fabrikën e bakrit (arit); në Laç fabrikën e superfosfatit dhe së fundmi në Spaç dhe Shënkoll.

Një ditë, në një takim me nënën, që bëhej zakonisht në prezencën e oficerit të rojës dhe policit, që rrinte me bilbil në gojë për të ndërprerë takimin që ishte i përcaktuar nga 10 deri në 15 minuta.

Nëna ime më tha:

– Kam trokitur në disa dyer të shtetit, por më kanë thënë, thuaj atij djalit tënd që të bëjë ndonjë lutje në Presidiumin e Kuvendit Popullor.

Por unë, për të mos i thyer zemrën, buzëqesha dhe e miratova me lëvizjen e kokës kërkesën e saj, ndërsa ajo filloi të largohet nga hekurat e takimit, se ndërkohë kishte fshikulluar bilbili i policit, që lajmëronte përfundimin e takimit.

I burgosuri kishte të drejtë të bënte një lutje një herë në vit për falje ose ulje dënimi. Të kërkoje falje, pa bërë një faj që nuk e kishe bërë, sidomos për dënimet që i përkisnin nenit të agjitaturës e të propagandës që bazohej në prova formale si neni 73, paragrafi i parë. Madje thuhet se, kur u hartua Kodi Penal (i fajësisë) në Shqipëri, u bazua në Kodin Penal të Republikës së Ukrainës, që konsiderohej si republika më reaksionare e Bashkimit Sovjetik, gjë që provohet edhe në ditët e sotme të protestave të vazhdueshme, deri në shkatërrimin e monumentit të Leninit në Kiev, që kishte mbetur akoma në ditët e sotme.

Megjithatë, lutjet që i drejtoheshin Kuvendit Popullor kishin gjithnjë të njëjtin fat: refuzimin që i firmoste gjithnjë e njëjta dorë, Spiro Skapera, aq sa të burgosurit thonin: “Mirë që po i refuzojnë, por s’paska njeri tjetër që të firmosë refuzimet? Por kush mund të kishte guximin të zbuste luftën e klasave, duke falur një armik të pushtetit popullor nga burgu.

***

Mbasi isha liruar nga burgu, nëna më tregonte rrugëtimet dhe dyert ku kishte trokitur ndër vite, për ndonjë ulje dënimi ose falje për mua.

I kishte qëlluar një herë të shkonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke menduar që ne të burgosurit vareshim nga ajo ministri.

Por sa kish bërë disa hapa në korridorin e ministrisë, i ishte afruar një nga ata oficerat e shërbimit dhe e kishte pyetur:

– Pse ke ardhur këtu, moj shoqe?

– Kam djalin në burg.

– E pastaj? – ia ktheu oficeri.

– Po ja, për ndonjë lirim ose falje.

– Moj shoqe, ke gabuar derën… Ne jemi për të futur në burg… jo për të liruar nga burgu.. Shko andej nga Kuvendi Popullor, ata merren me falje.

Këto fjalë ia trazuan keqas ëndrrën e shpresën e saj për ndonjë falje, por përkundrazi atmosfera e rëndë dhe kërcënuese e lemerisën dhe menjëherë u largua nga ai mjedis i zymtë dhe kërcënues dhe doli në rrugë për të dihatur ajrin e bulevardit, larg asaj ndërtese ogurzezë dhe për të davaritur stresin që i krijoi oficeri  ministrisë.

Megjithatë, shpresa se në këtë botë shqiptare do të gjendej dikush që ta ndihmonte, t’i qante hallin.

Por në cilën zemër duhej të trokiste. Sigurisht në zemrën e një gruaje, një nëne, që si dhe ajo të kishte fëmijë. Dhe kjo ishte e gjithëpushtetshmja Nexhmije Hoxha. E mbas shumë orvatjeve të lodhshme, duke përfituar dhe nga disa njohje që vinin nga të qënit mami në qytetin e Lushnjes prej shumë vitesh, e ndihmuan që më në fund të arrinte të regjistronte emrin e saj në sekretari për të bërë një takim me zonjën (shoqen) Nexhmije Hoxha.

Kësisoj, mamaja u paraqit në sekretari për të regjistruar emrin e saj, Roza Llupi dhe pas prezantimit në sekretari i caktuan ditën, datën e orën për takimin.

U kthye në Lushnje me ëndrra e shpresa se më në fund diçka do të fitonte nga ai takim i shumëpritur.

Më në fund, dita e shumëpritur erdhi. Ajo u paraqit në sekretarinë e zyrës ku ishte regjistruar. Shoqja sekretare që i kishte premtuar takimin e po e priste, kishte marrë një shprehje të zymtë dhe iu drejtua nënës sime me pyetjen:

– Çfarë e ke pasur Filip Llupin!?

Mamaja u befasua nga kjo pyetje dhe pa i lënë kohë që të përgjigjej, ajo vazhdoi me një zë të vrazhdë:

– Nuk të pranon shoqja Nexhmije të takohet me ty.

Kush kishte qenë Filip Llupi?

Profesor Filip Llupi kishte qenë pedagog në shkollën “Nana Mbretneshë” në Tiranë, aty ku kishte studiuar dhe Nexhmije Xhuglini. Ai ishte diplomuar në Vjenë për matematikë – fizikë. Në maj të vitit 1943 u emërua drejtor i kësaj shkolle deri në maj 1944. Njëherazi ai ishte dhe violinist, që shpesh edhe në orët e mësimit krijonte ambiente muzikore. Nëna ime ishte e kësaj familjeje.

Aty nga fundi i vitit 1944, ai së bashku me Pader Anton Arapin shoqëruan disa studentë për të studiuar në Vjenë.

Familja Llupi është me origjinë nga Shkodra dhe i ka përkitur një rrethi me aktivitet tregtar e intelektualë të hershëm, që lidhet edhe me emrin e Zef Llupit. Këtë e tregon edhe një fotografi e stemës së kësaj familje. Dhe diktatura komuniste, siç është vërtetuar plotësisht dhe zbatuar egërsisht, e ka luftuar çdo shtresë që ka trashëguar veprimtaritë tregtare, pasurore e kulturore, me qëllimin e fshirjes së tyre. Familja Llupi, të cilës i përkiste dhe profesor Filipi e nëna ime, ishin krejt të papranueshëm për një komuniste si Nexhmije Hoxha.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency