Huamarrje pa miratim të Kuvendit/ Deputetët socialistë i tërheqin vëmendjen qeverisë: Po shkelet Kushtetuta

0
115

Qeveria kërkon të marrë hua pa miratimin e Kuvendit. Deputetët e “Ligjeve”: Mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese

pandeli majkoPropozimi i qeverisë për të hyrë në negociata për marrjen e një huaje pa miratimin e Kuvendit ka hasur kritika dje nga deputetët e Komisionit të Ligjeve. Ministria e Financave kërkon që në çdo rast të marrjes së një huaje nga jashtë, qeveria të mos ketë nevojë për miratimin e Kuvendit. Kjo, me arsyetimin se procedurat zgjaten dhe në rast të kundërt qeveria mund të marrë një hua me interesa të ulëta. Deputetët e Komisionit të Ligjeve argumentuan se kërkesa shkel Kushtetutën që përcakton qartë se miratimi i një marrëveshjeje për të marrë hua bëhet nga Kuvendi dhe jo nga organet e qeverisë. “Pjesa e huamarrjes po i quaj private ku dilet me instrumente në tregje pra me bono siç dilet brenda ose me një eurobond, sepse mund të dilet dhe jashtë për shkak të monedhës apo të kredive ku shteti operon në një kuadër privat këtu parlamenti jep autorizimin po i quaj nëpërmjet ligjit të buxhetit dhe pastaj kjo menaxhohet brenda kufijve të vendosur në Parlament që nuk mund të tejkalohet nga qeveria për t’iu përshtatur eficencës së tregut dhe nevojës për të operuar me shpejtësi”, – tha zëvendësministri i Financave, Ervin Mete. Edhe pse do të hallka e Kuvendit do të tejkalohet, Kuvendi do të jetë organi që do të kontrollojë masën e huasë që do të merret. Sipas Ministrisë së Financave, ky është instrument kontrollues nga ana e Kuvendit. Ndërkaq, deputeti socialist, Bashkim Fino dhe Pandeli Majko nuk u bindën nga argumentet e sjella nga Ministria e Financave. “Pra, ministrit të Financave i jepet mundësia të lidhë kontratë huamarrjeje brenda buxhetit të shtetit për huamarrjen sa për qind është, por ministri i Financave edhe mund ta firmosë edhe në qoftë se e tejkalon atë, kështu thotë ligji, dhe pastaj na bien këtu në parlament dhe ja ligjërojmë ne, kjo mua nuk më duket korrekte në rastin konkret për të respektuar Kushtetutën”, – tha Fino. Ndërsa deputeti Majko iu referua Kushtetutës për të kundërshtuar kërkesën e qeverisë. Ai tha se ligji e thotë qartësisht se është “shteti” që mund të marrë hua, nuk është qeveria, pasi, sipas tij, qeveritë kanë interesa politike. “Borxhi i vjetër gati 700 milionë dollarë e kusur që është një gjyle në këmbën e qeverisë aktuale është rezultat i sjelljes të papërgjegjshme të qeverisjes së kaluar me borxhin, qeverisjet kanë interesa politike, Kushtetuta thotë shteti merr borxhe me autorizim dhe nuk thotë qeveria. Nuk ka asnjë për të fshehur, qeveritë kanë interesa politike”, – tha Majko. Fino tërhoqi vëmendjen edhe ndaj faktit se ky projektligj ka shumë mundësi të hidhet në Gjykatën Kushtetuese në rast miratimi. Në fund të diskutimeve, Komisioni i Ligjeve i dha Ministrisë së Financave kohë për të shqyrtuar të gjitha vërejtjet e marra në Komision. Komisioni u shpreh se duhet të gjendet një e mesme, që edhe nëse qeveria të mund të marrë borxhe, Kuvendi duhet të ketë instrumente ta kontrollojë.

Kalon “Nëpunësi civil”

Komisioni i Ligjeve miratoi projektligjin “Për nëpunësin civil”, por pika e zbatimit të vendimeve të prera të gjykatave për kthim në punë të një personi të hequr padrejtësisht, nuk kaloi pa debate. Fino shprehu mendimin se ligji i ri që synon zbatimin e vendimeve të prera të gjykatave, nuk mund të japë garanci më shumë se sa i jep aktualisht Kushtetuta. Ai u shpreh skeptik ndaj ligjit ndërsa mos zbatimi i vendimeve të prera të Gjykatave janë një problem me kosto të madhe financiare. Personat e administratës publike, që janë hequr nga puna por që kanë marrë një vendim nga gjykata për t’u rikthyer në vendin e punës, edhe nëse nuk punon, ai merr rrogën përkatëse mujore. Ministrja e Teknologjisë dhe Inovacionit, Milena Harito, tha se kjo kosto shkon nga 80 deri në 100 milionë lekë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency