Hapja e dosjeve, problem për politikanët, jo për shoqërinë

0
133

Nga Besim Ndregjoni

u2_besim ndregjoniÇështja e hapjes së dosjeve është një problem madhor, e cila më shumë se si një mjet për vendosjen në vend të një të drejte legjitime atë të “dënimit” të autorëve të ushtrimit të gjenocidit, shërben si mjet për presion politik nga forca të ndryshme politike. Odiseja e dosjeve është mjaft e gjatë, një hap konkret u bë vetëm në 1996 me “Komisionin Mezini”, por që dështoi për faj të politikës, e cila për të mbuluar njërën apo tjetrën figurë të politikës, e la në heshtje këtë problem. Duke e parë nga ana morale ky problem është penguar për shkak të të ashtuquajturit reagim negativ social që do të sillte hapja e tyre, e vërteta u përdor më shumë për interesa të klasës politike postkomuniste, e cila ka përdorur interesat e saja të pushtetit sesa ballafaqimin me të vërtetat tragjike të një diktature që nuk kishte asgjë të përbashkët me pushtetet komuniste në Evropën Juglindore, por vazhdonte gjenocidin mbi kundërshtarët e saj siç ishim ne të përndjekurit politikë shqiptarë, që kaluam një kalvar vuajtjesh, traumash, përçmimesh, fyerjesh, degradimi sot e pabesueshme për shoqërinë apo dhe për miqtë e vendit tonë.

Shqipëria është vendi i vetëm ish-komunist, i cili nuk ka marrë masa serioze për të pastruar jetën e politikës nga “mbeturinat” e Sigurimit të Shtetit dhe të pushtetit diktatorial, të cilat më shumë se kurrë, sot janë më të rrezikshme se kurrë. Do të ishte më mirë që hapja e dosjeve të kalonte fillimisht në një rrugë vetëdeklarimi për një periudhë të caktuar kohore e pasuar kjo me një dorëheqje nga politika nëse është pjesë e saj, duke sqaruar kushtet që e detyruan për t’u bërë pjesë e makinës së gjenocidit, rolin përkatës dhe më pas të bëhej deklarimi publik i atyre që e dyfishojnë fajin ndaj popullit shqiptar me anë të heshtjes. Pra problemi kryesor në Shqipëri nuk qëndron tek mungesa e dëshirës për ti hapur, por tek fakti se për çfarë funksioni shërben kjo hapje.

Politika i mëshon me forcë hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët, por asnjëherë në këto 24 vjet nuk është marrë në shqyrtim seriozisht fakti se:

Kush ishin përgjegjësit kryesor të zbatimit të skemës enveriste-staliniste e ngritjes të një pushteti diktatorial komunist, që vendet e lindjes evropiane e kishin dënuar që në vitin 1956.

Kush ishin ata që me zellin e madh e praktikuan këtë skemë të veçantë në llojin e vet.

Kush ishin ata që injorancën e tyre e vunë në zbatim të eliminimit të klasës së intelektualëve, duke pasur si postulat shprehjen “Armik i Popullit dhe i Partisë”.

Përpara se të kërkohet hapja mekanike e dosjeve të bashkëpunëtorëve duhen hapur njëherë dosja e asaj ideologjie që u injektua tek këta bashkëpunëtorë, të bëhet një analizë e të gjithë përmbajtjes së saj për të arritur në një përfundim produktiv të shkakut dhe pasojës. Vetëm duke bërë një analizë të lidhjes shkak-pasojë në rrugë profesionale dhe nga njerëz që do e realizojnë atë me objektivitet larg pasioneve dhe subjektivitetit do arrihet që të krijohet një tablo e qartë se çfarë do të kërkohet të arrihet nga hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve. Fillimi duhet të jetë hapja e dosjeve të punëtorëve të “sigurimit”.

Asnjëherë deri më sot nuk janë analizuar shkaqet që çuan në hartimin e skemës se komunizmit diktatorial shqiptar si një lloji të veçantë. Analiza ka ngelur vetëm në stadin e hipotezave apo dyshimeve të shpërndara të cilat rrallëherë kanë një lidhje kronologjike dhe logjike të ngjarjeve gjë e cila ka ngritur një tymnajë mbi opinionin publik, i cili një ditë lexon një dokument ku X evidentohet si komunist apo nacionalist i orëve të para, kurse të nesërmen shfaqet në kahun e kundërt. Kjo është një tymnajë ideologjike dhe demagogjike që përdoret me fort se kurrë nga politika aktuale shqiptare, e cila si pjellë e atij regjimi e përdor këtë ideologji për pushtet dhe jo për t’i shërbyer të vërtetës dhe demokracisë, për të cilën ka nevojë shoqëria jonë. Studime jo të plota tregojnë se çdo tri ditë një shqiptar ekzekutohej me ose pa gjyqe për motive politike. Çdo javë një i burgosur politik vdiste në burg nga torturat. Çdo dy ditë internoheshin tre persona për motive politike. Çdo 2 muaj një i burgosur politik pësonte gjymtime trupore, për shkak të keqtrajtimit në hetuesi, burg ose kamp përqendrimi. Ndërsa 3 milionë shqiptar jetonin me frikën e përhershme të persekutimit pa ligje. Lista është e gjatë… Në diktaturë veprohej dhe mbahej në këmbë kjo skemë sundimi: Diktator – Institut Marksist&Leninist – Sigurim i Shtetit. Jo pa qëllim në krye të institutit diktatori kishte bashkëshorten e tij, e cila përveç besnikërisë, kishte të drejtën edhe të kontrollit të materialeve që prodhoheshin dhe shpërndaheshin nga ky institut. Mijëra leksione udhëzonin se si të shtypej mendimi i lirë, ekonomia e tregut dhe si të përgatiteshin kuadro për të mbajtur politikisht diktaturën. Nga ky institut do të shpërndaheshin volume të tëra si brenda dhe jashtë vendit literaturë për sofistikimin e mekanizmit të funksionimit të diktaturës.

A u dënua ky institucion i krimit në pluralizmin politik? Jo, me keqardhje konstatojmë se lektorë të këtij instituti janë pjesë përbërëse themelore e politikës njëzetekatërvjeçare pluraliste dhe janë të shpërndarë me funksionet e tyre si në parti politike, diplomaci apo institucione kushtetuese. Strategjia e këtij institucioni synoi dhe realizoi depersonalizimin e individit dhe shkatërrimin e familjeve fisnike që kishin dhënë gjithçka për kombin, por që ishin kundërshtarë të regjimit. Stacionimi i strukturës u përqendrua në veprime psikologjike, fizike dhe ekonomike. Ambienti ku jetonin dhe punonin këta qytetarë, ushtrohej dhunë psikologjike ndaj intelektit dhe përçmohej personaliteti publikisht, qytetarët kundërshtarë të këtij regjimi pavarësisht nga dija, arsimimi apo qytetaria që kishin ata ishin te detyruar te provonin këto trauma përçmime psikologjike e fizike. Organizoheshin të ashtuquajturat mbledhje popullore, në të cilat çdo qytetar kundërshtar, atakohej psikologjikisht ose do të etiketohej me nofkën armik dhe bashkëpunëtor i imperializmit. Një pjese të mirë të popullsisë do t’i ndalohej dhe votimi.

Në aspektin fizik individi dënohej me punët më të rënda, nuk lejohej që të punonte në bazë të aftësive, reklamohej me etiketën dembel, pavarësisht nga aftësitë që kishte. Individët ishin të detyruar që të mos kundërshtonin asnjë dhunë fizike dhe t’i nënshtrohej asaj. Në planin ekonomik, sado aftësi të kishte për të përmirësuar gjendjen ekonomike, individit i konfiskohej pasuria dhe nuk lejohej të zhvillonte mirëqenien. Metoda e depersonalizimit do të ishte bashkudhëtar i epokës diktatoriale dhe sa përmendëm më sipër këto trauma dhe tortura ishin të përgatitura po nga ai institut. Së bashku me masat që përmendëm më sipër do të përgatiteshin edhe ligje diskriminuese të aprovuara kundër kundërshtarëve politikë.

Policia sekrete e quajtur ‘Sigurimi i Shtetit’ në fillimet e pluralizmit do të deklarohej publikisht sikur u dënua, por strukturat e tij ishin dhe janë ende të pacenuara. Çdo dënim në sistemin demokratik bëhet me ligj. Shtojmë se dhe sot ata që kanë mbaruar atë shkollë janë deputetë në Parlamentin aktual.

Kërkesa e shoqërisë shqiptare insiston në hapjen e dosjeve për të zgjedhur politikanë të pastër moralisht dhe politikisht, por kjo gjë tek ne nuk ndodh. Komunistizimi enverist nuk e lejon, e anashkalon këtë problem madhor të pastërtisë së politikanëve. Dhe këtu, në mënyrë të fshehtë apo të hapur, u përmenden dosjet atyre që kërkojnë dekomunistizimin e politikës aktuale, që të ndërtojmë shtet të së drejtës.

Pa u dënuar strukturat e “Sigurimit të Shtetit”, “Institutit Marksist-Leninist” “Komiteti Qendror i Partisë dhe të rretheve” që kanë përgatitur dosjet, nuk mund të shkëputen politikanët nga komunistizimi i tyre,dhe të hapen dosjet.

Të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë këtij 24 vjeçari nuk u zbatuan për ish të përndjekurit politikë, të cilët luftuan një gjysmë shekulli për to. Politika e komunistizuar luan rolin më negativ në këtë drejtim. Ajo dezinformon komunitetin ndërkombëtar për këtë shtresë që është 1/3 e popullsisë dhe i sjell asaj dëme të pallogaritshme në integrimin e shoqërisë. Kjo analizë nuk mund të realizohet me shkrime sporadike gazetash apo botime kujtimesh bruto nga “ kaviet e eksperimentit” komunist apo eksperimentuesit të cilët sot shfaqen në shtyp me “lëkurën e qengjit”, por me anë të asaj analize që u përmend më sipër.

Për t’u theksuar është se duhet bërë një kategorizim dhe një vlerësim real i pozicionit të gjithsecilit, pavarësisht se numri i bashkëpunëtorëve është i madh dhe kjo do të kërkojë një pune kolosale. Ky proces do të shërbejë për të krijuar një tablo të plotë se kush u bë pjesë e mekanizmit totalitar (“se anëtarët e partisë komuniste ishin pjesa e këtyre strukturave kriminale”), sepse e ndiente si pjesë të jetës apo për të arritur një qëllim të caktuar dhe kush u bë pjesë e tij, sepse gjate kohës që ai vetë ndodhej nën trysninë e dhunës fizike dhe psikike, shihte qe prindi, motra, vëllai, fëmija apo një i afërm tjetër ndodheshin në një pozitë më të rëndë se ai vetëm se këtij të fundit i kërkohej që të bëhej pjesë e mekanizmit të eksperimentit. “Spiunët në çdo moment janë të dëmshëm, por spiunët e burgut janë më të poshtrit” (Referenca e përgatitur nga krijuesit e dosjeve). Për sa i përket kësaj shprehjeje, ekzistojnë rezerva sepse ka individë që e kanë bërë këtë poshtërsi sepse me të vërtetë kanë qenë të tillë, por ka pasur edhe nga ata që e kanë nënshkruar “kontratën e njëanshme të spiunit” me Sigurimin e Shtetit për të mos parë fëmijën apo çdo të afërm duke u torturuar nga xhelatët me veshje moderne, por me teknika mesjetare. Ka më shumë se 8 vite që AKE ka miratuar rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit dhe Shqipëria që vuajti më shumë se çdo shtet tjetër në Evropë hesht ndaj dënimit të këtyre krimeve monstruoze dhe çnjerëzore ndaj gjenocidit të shkatërrimit të 30% të popullsisë që u masakrua nga këto krime. Megjithëse ka dhe një rezolutë të Parlamentit shqiptar të vitit 2006 e pluhurosur në sirtarët e këtij institucioni që të dënohej krimi komunist si vazhdimi i rezolutës evropiane. Dhe ky Kryeministër e kjo mazhorancë në atë kohë opozitë nuk e votuan rezolutën e dënimit të krimeve të komunizmit. Sot në pushtet pretendon të hapë dosjet. Dosjet hapen kur diktatori, institucionet e krijimit të dosjeve, janë dënuar moralisht dhe ligjërisht e kur të arrihet kjo nuk do të lejohet pingpongu i politikës aktuale, hapen apo nuk hapen dosjet. Të shpresojmë…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency