Rrëfimi i Francesco Senises/ Minatori që luftoi për bashkimin e Italisë, valëviste flamurin italian, në qendër shqiponjën shqiptare

0
139

Alba Kepi

Ngjyrat e Arbërisë në Romë

pikturaMë 10 dhjetor u përurua pranë selisë së Ambasadës Shqiptare në Romë, ekspozita “Ngjyrat e Arbërisë”, e piktorit arbëresh Francesco Senise. Lindur në qytezën e Lungros (Ungra-shqip), në provincën e Kozencës, ky artist është pjesë e komunitetit të madh të arbëreshëve të Italisë që prej gjashtë shekujve ruajnë historinë, vlerat dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Vendlindja e tij Lungro është një nga 50 komunat arbëreshe të sparsura në çdo rajon të Italisë, por njëkohësisht është një nga vendbanimet më të mëdha të këtij komuniteti si dhe kryeqendra fetare e shqiptarëve të Italisë

Më 10 dhjetor u përurua pranë selisë se Ambasadës Shqiptare në Romë, ekspozita “Ngjyrat e Arbërisë”, e piktorit arbëresh Francesco Senise. Lindur në qytezën e Lungros (Ungra-shqip), në provincën e Kozencës, ky artist është pjesë e komunitetit të madh të arbëreshëve të Italisë që prej gjashtë shekujve ruajnë historinë, vlerat e krenarinë e të qenit shqiptar. Vendlindja e tij Lungro është një nga 50 komunat arbëreshe të sparsura në çdo rajon të Italisë, por njëkohësisht është një nga vendbanimet më të mëdha të këtij komuniteti si dhe kryeqendra fetare e shqiptarëve të Italisë që kanë ruajtur ritin greko-bizantin.

Francesco Senise i përket atij brezi të ri artistësh që kërkon artin në thellësitë e rrënjëve të tokës së tij. Flet mirë gjuhën mëmë dhe pse insiston të shpjegoj se është gjuhë arbëreshe, një shqipe antike. “E kam mësuar në shtëpi- shton ai- qysh në vogëli pasi të gjithë flasim arbërisht, por dhe në shkollë deri në vitin e tretë të së mesmes”. Artisti Senise është mjaft i njohur në Arbërinë e tij, shumë ekspozita të hapura e disa vlerësime të rëndësishme. “Arbëria, – thotë ai, – është për mua çdo qytezë e vendbanim i arbëreshëve në Itali. Është historia e tyre, tradita, kultura, jeta e djeshme dhe e sotmja. Njihet pak jo vetëm nga italianët, por dhe nga vetë ne shqiptarët. Është bukur të shijohen ngjyrat e Arbërisë. Unë kam gjetur këtë gjuhë shprehje, dikush mundet të gjejë një tjetër, por e rëndësishme që ne artistët e të gjithë bashkë le ta bëjmë të njohur Arbërinë tonë, kulturën, natyrën e historinë e saj”.

Po kush janë “Ngjyrat e Arbërisë”? Peizazhet, shpërthime ndjenjash, një rrugicë e ngushtë, kostumi tradicional arbëreshë, flamuri shqiptar mbi një vatër zjarri, flamuri italian me shqiponjën dykrerëshe që i fluturon në mes, punëtorë në minierat e kripës sjellin dy botë paralele që rafigurojnë artistikisht frymëzimin, ndjenjat e emocionet e artistit. Nga njëra anë një triumf ngjyrash në tone intensive e plot jetë e nga ana tjetër një realitet i trishtë i Minierës së Kripës në Lungro, një nga më antiket në Kalabri, shprehur me skena në ngjyra të errëta gri e blu.

Salla e përurimit të ekspozitës në Ambasadën Shqiptare ishte mbushur si kurrë më parë, plot të ftuar, bashkëqytetarë të artistit, emigrantë shqiptarë në Romë e personalitete të kulturës italiane si prof. Emanuela Catalano eksperte e kritike arti, prof. Antonio Fares i Qendrës së Studimeve Ballkanike, dr. Paolo Galiano, historian i epokës romane e ing. Claudio Lanzi, president i organizatës “Simetria”. Duke falënderuar të gjithë në gjuhën e tij arbërishte, piktori Francesco Senise prezantoi veprat duke theksuar se “për Arbërinë e tij flet më mirë me ngjyra se sa me fjalë”. Me dëshirën që “Ngjyrat e Arbërisë” të takojnë ngjyrat e Shqipërisë, piktori arbëresh Francesco Senise dha këtë intervistë për gazetën “Standard”.

 

A e keni vizituar Shqipërinë?

Jo ende jo. Por është dëshira ime e madhe ta vizitoj sa më parë, pasi dua të eci në tokën e të parëve të mi e dëshiroj t’i njoh vëllezërit e mi shqiptarë me ngjyrat e Arbërisë sime.

 

Cila është ngjyra dominuese që ka frymëzuar ekspozitën “Ngjyrat e Arbërisë”?

Ngjyrat kryesore është sigurisht e kuqja, që përfaqëson karakterin luftarak të arbëreshëve, ngjyrë që simbolikisht rafiguron si vuajtjen ashtu dhe etjen për liri të njerëzimit. Ngjyra të tjera të pranishme në veprat e mia, po aq të rëndësishme janë të lidhura me traditën bizantine e lokale të Lungros e në mënyrë të veçantë me praninë në këtë territor të minierës së Salgemës.

 

Arbëreshët e Arbërisë dhe historia e tyre 600-vjeçare sa ka influencuar në artin tuaj?

Krijimtaria ime artistike i detyrohet e gjitha qenies sime arbëreshë. Jam krenar për përkatësinë time etnike e këtë kërkoj ta shpreh në të gjitha pikturat e mia, në ngjyra e ndjenja. Po në të njëjtën kohë kërkoj me këmbëngulje të garantoj historinë që ka karakterizuar zakonet e traditat e bashkatdhetarëve të mi gjatë rrugës së tyre shekullore, duke kontribuar kështu në mbajtjen gjallë të kujtesës historike.

 

Ngjyrat e Arbërisë e ngjyrat e Lungros ku ndërthuren e ku largohen mes tyre?

E konsideroj këtë pyetje mjaft tërheqëse për një artist. Në fakt ngjyrat e pranishme në të gjitha veprat e mia e në mënyrë të veçantë në atë që e kam titulluar “Cikli i kripës”, lindin nga një gjendje shpirtërore spontane, e momentit dhe që përmbledh tërë përvojën time arbëreshe. Ndërthurja e largimi i ngjyrave të Lungros me ato të Arbërisë është rrjedhë e ndjenjave e emocioneve që jetoj e që përpiqem t’ju jap jetë me veçantinë time artistike.

 

Duke cituar Pikason “Ngjyrat ashtu si linjat ndjekin ndryshimet e emocioneve” ju pyes; A ekziston një ndryshim i fortë e i veçantë që gjen shprehje në punët e ekspozitës “Ngjyrat e Arbërisë”?

Si çdo artist emocionet janë themelore për t’i dhënë shpirt veprave. Është e vërtetë ajo çka mëson mjeshtri Pikaso e personalisht emocionet e forta i marr nga njerëzit, nga historitë e eksperienca e tyre, nga pasioni i mënyrës se si i tregojnë, nga jeta e përditshme në vendet arbëreshe, nga natyra që i rrethon janë burimi i artit tim e përpiqem t’i përcjell me anë të ngjyrave e me të njëjtin pasion me të cilin e marrr nga njerëzit.

 

Kënga më popullore arbëreshe “Moj e bukura More”, një himn dashurie, në cilat prej veprave tuaja mund të shprehet më mirë?

Ndoshta puna ime më pranë tekstit të kësaj kënge është piktura e një minatori që ka luftuar për bashkimin e Italisë e në thellësitë e minierës valëvit flamurin italian me në qendër shqiponjën dykrerëshe të flamurit shqiptar. Pranë tij mban dhe përkrenaren e Skënderbeut, dëshmi e dashurisë së thellë që vazhdon të ushqejë për tokën e tij të origjinës, Shqipëria.

 

“Ngjyrat e Arbërisë” kur mund të takojnë realisht ngjyrat e Shqipërisë?

Dëshira ime më e madhe është të realizoj sa më parë këtë takim, dhe pse në mendjen time, në zemrën time idealisht e kam realizuar. Për një artist idealisht nënkupton të thuash shumë më tepër se sa në fjalorin e zakonshëm kjo fjalë nënkupton. Ideali im arbëresh përshtatet përsosmërisht me idealin e përkatësisë sime tokës së origjinës së të parëve të mi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency