Liria e çjerrë në Teatër

0
136

Violeta Murati

10612726_10152429907252121_3270461764648833276_n Një teatër që rënkon më keq se plaga e sjellë në skenë, e ka të vështirë të të shkaktojë reflektimet pasi fiken dritat e bie perdja. Një e tillë, “Liri në Bremen”, dramë e regjisorit gjerman Rainer Werner Fassibinder, ka qenë shfaqje e repertorit artistik të Teatrit Kombëtar, miratuar nga bordi i tij. Ky projekt është konsideruar nga më të shtrenjtët për këtë sezon në kosto. Me regji të Sesilia Plasarit u prit se do të ishte një tragjedi prej së cilës gjithë publiku do të dilte i shokuar, në reflektim të një ngjarjeje të ndodhur qysh në ‘800-ën, kohë kur gruaja me emrin Geesche Gottfried shënoi ekzekutimin e fundit publik në Bremen. Gjithë tërheqja, sipas medias, e autorëve, ishte tek erotizmi, seksi e dhuna e drejtpërdrejtë në skenë. Për ta përmbushur këtë promovim, një video e shfaqur në një mjedis thertoreje, ku kafshëria e njerëzve ndaj kafshëve nuk dhanë ndonjë gjendje pritshmërie fatale. Përkundrazi, kjo video ktheu në “thertore” vetë regjinë e Plasarit.

Shfaqja nuk qëndroi gjatë në program, ndoshta rikthehet në 2015-ën. Por nga parashikimi te realizimi ka një hendek të thellë që ka përpirë veprën e kjo u takon si regjisë ashtu dhe aktrimit si hedhje “shashke” mbi një publik që vazhdon të mbushë sallën deri në fund e s’pushon së reshturi për nga bujaria e duartrokitjeve.

Pjesa ka narrativë ekrani, pothuaj filmike, pasi ky është një rast gjenetik i autorit të tekstit, në një anë. Në tjetrën Fassibinder është subversiv nuk njeh mëshirën, nuk njeh dhimbjen, gjeneron gjithë kalbjen e shoqërisë, e në veçanti të individit. Karakteret janë të forta. Më shumë se teksti, veprimi u jep potencë aktorëve, drama psikike si mblidhet energjia mentale, përtypja dhe shpërthimi. Personazhi i besuar Gladiola Harizaj, me emrin Geesche, e zgjedhur me audicion nga Plasari, kishte energjinë por I mungoi karakteri, I mungoi potenca vokale, hedhja e tekstit drejt publikut I ngjante një çjerrje të pashpresë për ta mbajtur “të lidhur” personazhin. Aq sa do mjaftonte për ta tronditur publikun. Ngjarja “sikur”… kalon në të tjera vështirësi të aktrimit, tek gjithë burrat që ajo vret me justifikimin banal, një veprim më se i zakonshëm e të pirit të kafes së helmuar.

Turmat e njerëzve në skenë, aktorët, bashkë me simbolikën e arkëmorteve prej druri që parathoshte vdekjet e njëpasnjëshme, e rëndonin skenën si plumb, duke munguar intensiteti i veprimit. Në një kohë kjo u shndërrua në një rutinë hyrje-dalje të aktorëve, që prisnin të vdisnin me radhë – tashmë, të marrë me mend prej publikut, ku ndihej edhe ca prozaizëm i ngjarjes.

Shfaqja dukej sigurisht një punë sfilitëse duke kërkuar me “dhunë” vëmendjen e publikut. Këtë efekt e arriti, vetëm duke lënë ca bishta të djegur, të pakryer nga aktorët.

Lodhja për ta pushtuar skenën vetëm si ngjarje nuk lejonte ta shihje shfaqjen përtej një regjia me rezerva. Teksti i adaptuar prej Plasarit kërciste në mentalen e natyrshme, si rrjedhje dhe emocion. Në pozitën e një “besimtareje”, që pret mrekullinë e drejtpërdrejtë nga Zoti, pa kanonet e kishës regjisorja mund të ketë pasur një shtrirje personale të ideve. Edhe sikur në këtë trajtesë të shpërfillnim gjysmën e çjerrjes së aktorëve, e disa në personazhe pothuaj qesharake, (rasti i nënës së Geshes, Antoneta Malaj), më tej në ironi si pedagogë të fjalës artistike. Trajtimi i ngjarjes midis një të keqeje biblike dhe asaj njerëzore, të cilat i bashkon simbolika e mëkatit vijnë të pastra në natyrën e regjisores. Situata paralajmërohet nga një video, një thertore kafshësh – në paralele me shoqëritë, si njerëzit shkojnë drejt vdekjes. Por këto mbeten të pazgjidhshme si çështje estetike në punët e skenës, në profilin e një narrative të një “feje” personale. Rasti në simbolikën “e qiellit”, e “rojeve” që marrin drejt vdekjes personazhet.

Kjo e gjitha mbetej një kornizim i thjeshtë pa ngarkesë emocionale, as ndonjë çlirim të pritshëm kur tragjedia mbyllet me “pajtimin” e së mirës e të keqes në “botën e përtejme”, apo siç e quan “qiellin e shtatë”. Kapërcimet midis të keqes biblike e njerëzore mbeten në tekste të thjeshta, që nuk kishte ndonjë ndikim në përqendrimin e publikut tek personazhet. Në këtë “rol” ata dilnin krejt jashtë skene, pasi drama shuhej në “ulërimat” e aktores dhe zërave “çjerrës” të aktorëve ata që kishin marrë përsipër të thellonin mëkatin tek “gruaja”!

Në këto raporte sigurisht përjashtimin e bën aktori Ndriçim Xhepa, ndonëse nga nata e parë në të fundit, ndryshimi ishte i dukshëm në pritshmërinë prej aktores, partneres në skenë.

“Liri në Bremen” la gjurmë në skenën e Teatrit, për dy arsye: aktrim i papërfunduar në misionin e karakterit të fortë, meqë e kërkonte drama dhe situatat regjisoriale primitive – që thjesht kalonin si në një film, një tragjedi të fortë. Autori nuk njihet aq për këtë vepër, sesa për natyrën e tij kontraverse, sidomos në film. Ndërsa arsyet pse ishte në Teatrin tonë kjo vepër duhet të kenë qenë pa argument nëse do qarkullonin për kohezionin. Për Sesilian si regjisore “e re” (kjo është punë e dytë) arsyet duhet të jenë personale, dukshëm kjo në adaptimin e tekstit të Fassbinder-i sipas një naiviteti skenik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency